Mendime
Florim Zeqa: Dashuria e pashterrshme e mërgimtarëve për atdhe!
E merkure, 17.07.2024, 07:56 PM
Dashuria e pashterrshme e mërgimtarëve për atdhe!
Shkruan:
Florim Zeqa
Historia
e shkurtër e tri dekadave të fundit e dëshmon se askush nuk e donë Kosovën më
tepër sesa mërgimtarët, por askush më shumë sesa mërgimtarët nuk është
shfrytëzuar dhe përbuzur nga të gjitha partitë dhe politikanët e të gjitha
llojeve e ngjyrave politike, pra, janë përdorur "mish për topa" të
partive të dështuara politike, të cilat gjithnjë mërgimtarët i kanë konsideruar
vetëm si numra gjatë fushatave zgjedhore për shtimin e votave, por jo edhe si
qytetarë të barabartë, duke ju dhënë nganjëherë edhe epitete negative, erdhën
apo shkuan gërrnaçat!
Thirrjet stereotipe të
liderëve shtetëror për mërgatën
Presidentja
Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, me anë të një video-mesazheve të
postuara në rrjetet sociale u janë drejtuar mërgimtarëve duke u thënë se ata
janë shpirti i Kosovës, duke ju thënë se edhe këtu mund të bëhet mirë sikurse
në vendet ku jetoni.
Nëse
vjen puna që mërgimtarët të frymëzohen nga presidentja dhe kryeministri për ta
vizituar vendlindjen, atëherë të pakët do të jenë ata mërgimtar që do ta
vizitojnë vendlindjen gjatë ditëve të nxehta verore, e aq më pak të investojnë
në vendin me sigurinë zero për investime!
Lidhjet
e mërgatës me vendlindjen në radhë të parë janë familjare dhe gjenetike, e jo
të motivuara nga qeverisja e “mirë” e politikanëve cilët do qofshin ata, që i
bie se bujaria dhe përkushtimi i mërgatës për të mbajtur të fortë lidhjen me
atdheun nuk janë sezonale por të përhershme, sikurse që është i pashterrshëm
malli dhe dashuria e mërgimtarëve për atdheun e tyre.
Mjafton
për të shkëputur nga një rresht të deklaratave të liderëve shtetëror, për të
kuptuar me çfarë naiviteti dhe hipokrizie i trajtojnë bashkatdhetarët e tyre që
jetojnë largë atdheut.
Vjosa
Osmani: “Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura sepse ju jeni zemra dhe
shpirti i Kosovës”.
Albin
Kurti: “Do të shihni se si edhe këtu mund të bëhet mirë sikur në vendet ku
jetoni”.
Mërgimtarët nuk kanë
nevojë për lëmosh, por për trajtim dinjitoz
Nuk
është edhe aq punë e lehtë për t’i bindur mërgimtarët për t’u kthyer për të
jetuar në atdheun e tyre. Nuk mjafton një video mesazh dhe as një spektakël
televiziv, por janë një varg i gjatë i kushteve që duhet t’i plotësojë qeveria
në radhë të parë për qytetarët, e në veçanti për mërgimtarët, duke filluar nga
skema e sigurimeve shëndetëore e deri tek shërbimet cilësore në spitalet tona.
Ngase,
për një komplikim të vogël shëndetësor, lidhjet kriminale në spitalet tona i
detyrojnë pacientët të përfundojnë në spitale private brenda e jashtë vendit pa
asnjë arsye, siq i ndodhi një mikut tim nga mërgata, të cilit i rekomanduan
vënjen e stendave pa pasur fare nevojë!
Mërgimtarët
vetëm pas përfundimit të pushimeve dhe kthimit në vendet ku jetojnë e kuptojnë
të vërtetën e mashtrimit që ju bëhet nga qeveria, në veçanti në QKUK-në
laboratorin e ekzaminimit të sëmundjeve që kërkojnë shërim në spitalet private
në vend dhe jashtë tij!
Pa
heqjen e skemave kriminale në spitale, nuk ka kthim të besimit të mërgimtarëve
për kthim në vendlindje.
Mërgimtarët
nuk është që i motivon lëmosha e qeverisë me policen e sigurimeve (prej 20
eurove) e automjeteve dhe as video-mesazhet e varfëra të liderëve shtetërorë
për të ardhur në vendlindje. Por, është dashuria e madhe për atdheun që i bën
mërgimtarët të kalojnë kolonat e gjata të pritjes në kufij, të cilëve aq shpejt
u ikin ditët në vapën e madhe dhe diellin përcëllues në Dardani.
Mërgimtarët
kanë nevojë për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme që i trajton ata në
mënyrë të dinjitetshme, që i mbron shtëpitë e tyre, jo vetëm nga hajdutët ordinerë,
por edhe që i liron nga tatimi në pronë për shtëpitë e ndërtuara pas lufte, të
cilat, të shumtën e kohës janë të pashfrytëzueshme.
Që
nga periudha e luftës dhe ajo e pasluftës, të gjitha qeveritë e “hodhën grepin”
tek mërgimtarët. Kush më pak e kush tjetër më shumë të gjithë i plaçkitën
pamëshirshëm mërgimtarët duke filluar nga Fondi 3 përqindërshit, “Vendlindja
Thërret” e deri tek fondet e Albin Kurtit, të cilat po ngarendin njëri pas
tjetrit, siq janë; “Fondi Emergjent” (gjatë pandemisë), “Fondi Sovran” dhe
“Fondi i Sigurisë” për të cilat nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë
llogaridhënje! Askush përveq Albin Kurtit nuk e di sa miliona janë grumbulluar,
sa janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar mjetet financiare të mërgatës të
derdhura në fondet e sipërpermendura!
Florim Zeqa
16.07.2024