Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Mary Edith Durham e Shkodra Europjane (I)
E diele, 14.07.2024, 06:59 PM
MARY EDITH DURHAM
E SHKODRA
EUROPJANE
PJESA
E PARË
Nga
Fritz EADOVANI
Kështu
e thirri Edith Durham Shkodren në 1901: “Shkodra Europjane!”
Mary
Edith Arthur DURHAM ishte vajza e madhe prej tetë fëmijve që kishte një mjek
kirurg i njohun në Londer Arthuro Durham. Në moshë të vogel u çfaqën tek kjo
vajzë prirjet per art. Talenti i saj i dha drejtim që në moshë të vogel drejtë
Akademisë së njoftun Mretnore t’ Arteve.
Vdekja
e Babës Arthur i hapi probleme mbasi kishte edhe nanen e smurë dhe i duhej
kujdes i madh per ate. E kjo nuk ishte punë ditësh po vitesh.
Kur
Edith ishte në moshen 37 vjeçare, mjekët e këshilluene që do t’ ishte mirë me
ba një pushim jashta Londres, që të
qetsohej. E ashtu bani!
U
nis fillimisht në Triestë e prej aty me një anije të Austrisë, pronarit të
njoftun Llojd, udhtoi drejtë Kotorrit e në Cetinë të Malit të Zi. Ishte muej
Gusht i vitit 1900, kur Edith shkruen: “Kur xuna përherë të parë një fill të
lamshit ballkanik, pa kuptue se sa thellë do të ngatërroheshe ma vonë dhe, aq
ma pak, se si ky lamsh do të mplekste ma në fund gjithë botën”.
VIZITA E PARË E MARY
EDITH DURHAM NË SHQIPNI
Mbas
një qendrimi disamujor në Mal të Zi, u nis per vizitë në Shqipni.
Ishte
viti 1901 kur Edith Durham viziton perherë të parë Shqipninë dhe u vendos në
qytetin e Shkodres, per të cilin Ajo ka shkrue: ‘U mahnita nga energjia dhe
origjinaliteti i popullit Shqiptar... “Shkodra më bani për vete. Kishte ngjyrë,
jetë, art. Banorët ishin miqësorë dhe të aftë dhe, nuk e kalonin kohën tue pi
raki apo tue u sorollatë poshtë e përpjetë rrugave, si në Cetinë. Kishte mbi
vete diçka të njerëzishme”.
Mendoj
se:“Miss Edith DURHAM asht personi ma i Nderuem jo Shqiptar, që ka vizitue
Shkodren në Shek. XX, dhe ka vlersue tej mase qytetarët e atij Qyteti Hero si
asnjë i huej, që ka shkelë aso kohe në kalldramet e rrugave të Shkodres së
nderueme të Ilirisë së vjeter pranë Rozafës!”
Në
Shkoder Ajo u vendos në shtëpinë e Mark Shantojës, i cili ma vonë u ba
shoqnuesi i saj në udhëtimet e viseve të Veriut Shqiptar. Gjatë këtyne
udhëtimeve ajo mblodhi dhe shënoi ngjarje e histori si dhe fotografoi afër
pothuaj çdo aspekt të jetës së fshatëve malore, tue grumbullue një arkiv të
pasun nga trashigimia kulturore shekullore e qytetit të vjeter.
Mary
Edith Durham që në momentet e para të ardhjes në Shqipni tregon se Ajo asht
shumë e perkushtueme per çështjen Shqiptare.
Mbas
Luftës së Parë Botnore Edith Durham u kthye në Londer dhe në vitin 1918, ishte
sekretare e Shoqatës Angli – Shqipni që u themelue nga Aubrey Herbert në
Londer, per mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarve.
Edith
Durham u perpoq per njohjen e Shqipnisë në Lidhje të Kombeve.
U
angazhue kryesisht në vitin 1920 si Mike e Shqiptarve, dhe qendroi pa u
shkëputë asnjëherë nga mbrojtja e të drejtave të tyne deri në vdekje.
Në
vitin 1939 Ajo ishte 76 vjeç dhe doli me pankartë në rrugët e Londres, të
shkrueme anglisht: “Larg duertë prej Shqipnisë!”. Ishte dishka krejt’ e
paparashikueshme nga londinezët një qendrim i këtillë i Saj!
Edit
Durham në moshen 81 vjeçare, me 15 Nandor 1944, u nda kso jete!
Po,
Emni i Saj mbeti i Perjetshem në Zemrat e Shqiptarve me Veprat që Edith Durham
i ka lanë të shkrueme Popullit Shqiptar aq të dashtun me disa episode të
panjoftuna po të perjetëshme në zhvillimet e Tij historike.
Në
25 vjetë Ajo i la Popullit Anglez dhe Shqiptar këto Vepra që kurr nuk do të
shlyhen nga kujtesa historike dhe publiçistike e Shekullit XX:
“Nëpër
tokat e serbëve” (1904). “Brenga e Ballkanit” (1905), “Shqipnia e Epërme”
(1909), “Lufta për Shkodren” (1914), “Njëzet vjet ngatërresa Ballkanike” (1920)
dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” (1928), pa shenue këtu
publiçistiken e shkelqyeshme të Miss Mary Edth Durham.
Asht
shumë interesante që Edith Durham erdhi krejt rastësisht tek ne në Shqipni dhe
në një kohë aq të shkurtë ka shpreh kur ishte këtu si dhe në librat e Saja,
mendime të vlefshme per kulturen tonë dhe trashigiminë e saj e, posaçerisht per
Shqipninë e Veriut dhe malsorët e Alpeve tona.
Ajo
jo vetem jep mendime të vlefshme per krahinat tona të Veriut po, ajo që ka një
randësi të madhe per ne, asht se shqiptarët dhe të huejt do të mësojnë nga Ajo
disa të vërteta nga historia e tyne, dhe shumë të dhana për kombin, për
trashëgiminë tonë kulturore, për qëndrimet e sjelljet e fqinjëve dhe të Fuqive
të Mëdha në fillim të shek. XX, si dhe në vazhdim kundrejt Shqipnisë, tokave té
saja dhe qeverisjes sonë. Referencat e Saja janë udhzime të vlefshme per studjuesit
tonë të ardhëshem në të gjitha fushat e ndryshme shkencore dhe kryesisht ato
historike e gjuhësore.
Edith
Durham u njoh me popullin tonë e Ajo u ba, jo vetëm dashamirse e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një
përshkruese dhe studjuese e traditave dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një
flamurtare e flaktë e të drejtave të Popullit Shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e
drejtpërdrejtë e pershkrimit saktë të disa ngjarjeve si kroniste besnike e
tyne, me një fjalë, Ajo ishte një luftëtare e dejë dhe e zjarrtë e çështjes
Shqiptare.
Me
qëllime të caktueme nënvleftësuese të
krijimtarisë së Saj ka shumë pseudoshkencëtarë që e cilsojnë Atë nder shkrimet
e veta si shqiptarofile dhe me epitete të tjera, nga i vetmi qellim që asht një
“mëkat” që Ajo e kishte, sepse ushqente simpati e ndjenja të sinqerta ndaj
popullit Shqiptar, tue vue vedin perballë në mbrojtje të së vërtetës historike
dhe të çeshtjës Shqiptare.
Ajo
ishte me të vërtetë një e huej proshqiptare por asnjëherë nuk ishte armiqësore
me popujt serb e atë malazez, por ishte kundër politikës së tyne gjithnjë
pushtuese ndaj trojeve Shqiptare. Sa ishte gjallë, epiteteve të këtilla që i
venin të huejtë kurr nuk ju asht pergjegjë, përkundrazi, miqësinë me Popullin
Shqiptar e konsideronte një fat të madh, që Ate e bante edhe ma krenare dhe të
lumtun në jeten e Saj. Edith Durham ishte rast i rrallë me një përkushtimi të
këtillë ndaj fateve të një populli mik.
Ndoshta
ndikonte edhe ajo që pernatyrë kje intelektuale e guximshme.
Edith
Durham ishte parimore e mbi të gjitha guximtare. Ajo nuk kishte paragjykime
ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por i gjykonte çështjet me drejtësi. Ajo tue
veshtrue popujt e Ballkanit, i cili popullohej nga sllavët dhe shqiptarët
arriti të kuptonte shumë mirë intrigat, mbrapaskenat dhe veprimet djallëzore të
serbëve dhe malazezëve ndaj Popullit Shqiptar.
E
ato ngjarje dalin të sakta nga pershkrimet e historianit Nail Draga, i cili
shpjegon sesi Mit’hat Frashëri, që në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë”
shkruente: “Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen
më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj
Shqipërisë”.
***
Mbas
ramies së diktaturës dhe miratimit të pluralizmit në Shqipni nga viti 1992 e ma
vonë, kanë fillue të botohen veprat e Edit Durham, të plota pa çensurë. Duhet
cilsue puna plot pasion e profesionalizëm e shtëpive botuese si ARGETA –LMG,
Camaj-Pipaj, Arbëria, Dituria etj., në botimin e veprave të Edith Durham të
plota dhe të përkthyeme në shqip.
Veprimtaria
e saj hulumtuese e botuese ka kenë nxitje nga autoritete të ndryshme shkencore
e kulturore, ku i janë kushtue artikuj, studime e botime të veçanta. Në gamën e
këtyre botimeve bajnë pjesë: Afrim Q.Karagjozi, Mary Edith Durham,Tiranë, 2012,
Medina Çoba, Mary Edith Durham dhe Shqiptarët, Tetovë, 2014,Marcus Tanner,
Mbretëresha e Malësisë-Edith Durham dhe Ballkani, Prishtinë, 2017 etj.
Tue
analizue jetën dhe veprimtarinë e Edith Durham, del se Ajo ishte grue e fortë,
me kurajo, energjike, e dhanun mbas historisë, të shkruemit e saktë të saj dhe
pikturës. Pra, ishte një grue ndryshe nga të tjerat.
Në
vend të jetës së qetë dhe angazhimeve artistike Durham zgjodhi të kundërten,
sepse jeta e saj nga koha kur la Anglinë, mori tjetër kthesë. Për 20 vjet Ajo
jetoi në Ballkan. Punoi tue mbledhë materiale historike, tue i shkrue nder
librat e saja e tue pikturue nder revista të kohes vepra me vlerë dhe të
perjetëshme nder Shekuj.
Mblodhi
folklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonave ku qëndroi. Ajo ju përkushtue
shpirtnisht çështjes Shqiptare. Aty ku i shkeli kamba e ku qëndroi në viset
Shqiptare u mirëprit nga Malsorët Shqiptarë.
Sot
dokumentat e saja mbahen në Muzeun e Njerëzimit (Museum of Mankind). Instituti
Mbretëror Antropologjik (The Royal Anthropological Institute) në Londër ruen
shumë prej tyne, ndërsa koleksioni i madh me bizhuteri të grumbullueme në
Ballkan ndodhet në Muzeun e Oksfordit e atë të Halifaksit. Po ashtu dhe Muzeu
Banfield ka një mostër prezentuese rreth jetës dhe veprimtarisë së saj të
plotë.
Në
Ulqin ka një rrugë me emnin e saj. Ajo ishte e pranishme edhe në Ulqin, ku në
shkrimet e saj disaherë e ka trajtue Ulqinin, e madje ka pikturue edhe një
rrugë në këtë qytet në drejtim të Ranës e Kalasë, gja që ka kenë motiv i
mjaftueshëm që një rrugë të emërtohet me emnin e saj,
Edith DURHAM për
shqiptarët:
Gjithnjë
Ajo thonte dhe shkruente se:
“Ai
asht zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tanë
prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit asht vepër shqiptare.
Kostumi madhështor i Oborrit të Mretit Malit të Zi ishte krijimtari e
rrobaqepsave Shqiptarë.
Shumica
e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë Shqiptarë apo me prejardhje
shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme - siç thotë Mis Durhami – shumica e
formësimeve artistike që prap bahen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetuna
në varrezat e tyne parahistorike, sa që sëbashku shkathtësia dhe stolia duket
se janë trashëgue nga Ilirët e lashtë.
Pastërtia
shtëpiake e Shqiptarit mund të jetë një shembull për shumë të tjerë.” Asht
shumë interesant mënyra e vezhgimit t’ Edith Durham. Ajo ka sy të mprehtë e të
jep pershtypjen se “asgja nuk i shpeton synit Saj”!
Jeta
dhe veprat e Edith Durham janë të doemosdoshme që medoemos sot të studjohen nga
rinia Shqiptare dhe të vehen në jetë nga Shqiptarët!
Edith
DURHAM asht e vetmja shkrimtare në Botë, që e ka vlersue dhe, që e ka cilsue në
shkrimet e Saja “Shkodren Europjane” si asnjëtjeter!
Vlera
e veprave qendron se Edith DURHAM asnjëherë nuk ka gabue!
Vazhdon Pjesa e Dytë.
Melbourne, 13 Korrik 2024.