Mendime
Ndue Dedaj: Reporter në kohë paqeje
E hene, 22.07.2024, 07:57 PM
REPORTER
NË KOHË PAQEJE
(Përsiatje
rreth publicistikës)
NGA
NDUE DEDAJ
Nderimi fillon nga
reporterët e luftës
Ka
qenë një rastësi e këndshme takimi me gazetarin e njohur të Kosovës, Nehat
Islami, para disa vitesh, aty në mjediset e eko-hotel “Marubi” Rubik, në një
darkë të shtruar nga zonja Marianne Graf, ku ishte dhe këngëtarja e njohur
Shpresa Gashi, fotografi profesionist Shkëzen Rexha etj. Në gjysmën e dytë të
viteve ’70 Nehati kishte qenë gazetar në Lindjen e Mesme me qëndrim në Bejrut,
dërguar atje nga gazeta “Rilindja”. Miti i tij ishte i kuptueshëm për faktin se
kishte qenë ndër të paktët gazetarë shqiptarë që kishin pasë rastin të
raportonin nga fushat e luftës jashtë vendit. Nehati më rroku në krahët e tij
të bëshëm miqësisht, si të ishim njohur prej kohësh - “shkrepe” i tha Skënder
Thaçi mjeshtrit të fotografisë, ta kenë kujtim; nuk di në e mora ndonjëherë atë
fotografi apo jo, ama atë “shkrepjen” e syve të bacës Nehat nuk e harroj. Kisha
lexuar për reporterë luftë dhe në sytë e mi të mbijetuarit ishin heronj të
gjallë, pasi kishin qenë të shumtë gazetarët e luftës që kishin rënë, siç bien
dhe sot e kësaj dite në Ukrainë, Gaza etj.
Po
pse na u kujtua sot Nehat veterani i gazetarisë, teksa po hedhim këto pak radhë
në letër? Thjeshtë për faktin se ai ishte ndryshe nga gazetarët që kishim
njohur në Shqipëri, ku ata të luftës nuk ekzistonin. Aleksandër Çipa shkruan:
“Nehat Islami, autori i librit “Hotel Bejruti”, është i pari dhe i vetmi
reporter lufte në këtë hapësirë në historinë e gazetarisë shqiptare, një cilësi
dhe e vërtetë e cila shumë pak njihet prej komunitetit të gazetarëve në të
quajturën Shqipëri londineze”. Ndonjë gazetar të vjetër race, qendrestar i
rrallë ndaj të gjitha regjimeve diktatoriale, si Petro Marko, mbas kryerjes së
burgut, ku e patën futur në fillimet e “pushtetit popullor”, ndërkohë që
drejtonte gazetën “Bashkimi”, kryesorja në atë kohë në vend, e kishin lënë në
harresë të plotë, si një gjeneral të fjalës së ndaluar, që ia kishin hequr nga
dora lapsin e mprehtë të gazetarit par excellence. Kishim pasur gazetarë të
akredituar në Kinë etj., që venin ndonjëherë në Luftën e Vietnamit, por gjithsesi
këndej nga gazetaria jonë mbretëronte paqja e jashtme, por jo dhe ajo e
brendshme, gazetarë trima si Fadil Kokomani e Vangjel Lezho do t’i vriste
diktatura, në betejën për fjalën e lirë, të tjerë do t’i dëbonte me “ceremoni”
nga gazetat, Radio, Televizioni etj., duke i degdisur në kantiere pune e
kooperativa bujqësore për riedukim, po që s’u “riedukuan” kurrë! Them se duhet
të ketë qenë mbi njëqind numri i gazetarëve të ndëshkuar, në një mënyrë apo në
një tjetër, të paktën që nga Konferenca e Partisë e Tiranës e vitit 1956 dhe
sidomos pas Plenumit IV të KQ të vitit 1973.
Publicistika, ti shkruan
atë që ndjen, po nuk “korr” atë që don!...
Njeriu
nuk e di se cila do të jetë rava e tij për kah e nesërmja, aq më tepër një
adoleshent 14 - vjeçar, që një ditë i shkrep në kokë të shkruaje një gjysmë
faqe gjë dhe ta postojë në gazetën “Zëri i Rinisë” në Tiranë. “E pabesueshmja”
nuk do të vononte të ndodhte, pas tri ditësh ai do ta shihte emrin e tij në
gazetë. Ishte data 5 maji 1971, Dita e Dëshmorëve, por shkrimi nuk ishte për të
rënët, përkundrazi bëhej fjalë për një shfaqje humori që kishin dhënë nxënësit
e gjimnazit të Rrëshenit. Kështu nisa dalja ime publike, pa kurrëfarë ideje se
çfarë ishte kjo gjë. Shkruaja për kënaqësi dhe nuk mendoja se kisha tërhequr
vëmendjen e ndokujt në ato fillime, kur një ditë njëri nga profesorët e
matematikës, që nuk më jepte mësim, Jozefi, i biri i historianit Injac Zamputi,
iu drejtohet kolegëve të tij aty në hollin e shkollës: “E shihni firmën e këtij
djalit në gazetë?” dhe e hapi “Zërin e Rinisë” në faqet e brendshme ku atë ditë
kishte dalë një shkrim imi. Për hir të së vërtetës asnjëherë këtë gjë - emrin
në gazetë - nuk do ta shihja si ndonjë medalje, si diçka që të dallonte nga të
tjerët, të bënte më të “rëndësishëm” se ata, aq më pak si një stoli
intelektuale për t’u mburrur!? Kisha njohur mësues, mjekë, inxhinierë,
llogaritarë, teknikë të zotët dhe njeriu i shtypit ishte thjeshtë njëri ndër
ata, që dallonte nga dhuntia e të shkruarit. Gjithë përpjekja e gazetarëve të rinj
asokohe ishte të shkruanin reportazhe të arrira me mbresa të freskëta nga
kantieret e punës, shkollat, aksionet, ndër të cilët dhe gjimnazistët para meje
Frrok Çupi, Halil Lalaj e Ndue Lazri. Publicistika nuk ishte diçka që të bënte
të famshëm, por të ushtronte në të shkruar, sidomos po të kishe prirje letrare.
E reja, e bukura, e veçanta i përkasin çdo kohe dhe aq sa na lejonte
vetëkufizimi ideologjik, jemi përpjekur t’i zbulojmë ato në jetën e njerëzve e
t’i sjellim për lexuesin përmes kollonave të gazetës. Për më tepër që nuk
punoja zyrtarisht në ndonjë gazetë si i brendshëm (përpos 6 muaj në shtypin
lokal, në kapërcyell 90 - 91), nuk merrja porosi për shkrime editoriale, por
vetëm për reportazhe nga sondat, minierat, hekurudhat, shkollat, sharrat, stanet
etj., që kishin jehonën e kohës dhe lexoheshin rregullisht në Radio-Tirana.
Edhe pse me statusin e bashkëpunëtorit, apo të korrespondetit vullnetar, ne
gjithsesi ishim pjesë e gazetës, venim në redaksi herë pas here, thirrëshim në
Tiranë në seminare, në përvjetorët e gazetës dhe në ditën e shtypit,
përfshiheshim në çmimet kombëtare të gazetarisë etj. Më duket e tepërt të
rrefej për fituesit e atyre çmimeve, sa i përket reportazhit, emrat e tyre janë
të publikuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, por mund të them se jepeshin me meritë
dhe pa kurrëfarë hatri. Tek e fundit lexuesi sheh faqet e gazetës dhe të gjithë
ata që e “mbushin” atë për të janë gazetarë, paçka se kush paguhet me rrogë,
kush me honorare e tash pa kurrëfarë shpërblimi. Kuptohet, pas 90-ës, gazetaria
ishte e lirë, por jo e “çliruar” nga problematikat e veta aspak kalimtare.
Vërtet shkruan atë që ndjen, po nuk “korr” atë që don, pasi vëmendja ndaj
shtypit është përherë e më e paktë...
Atë
fillim vitesh ’70, kur niste shtegtimi im rinor në udhën e gazetës, jo
mirëfilli të gazetarisë si profesion, s’e imagjinoja dot se ku të shpiente ajo,
por, kohë pas kohe, plot njerëz të panjohur do t’i bëja të njohur, të cilët
mund të më harronin të nesërmen, por unë asnjëherë ata, edhe pse me shumë prej
tyre nuk do të shihesha më. Nuk është diçka që më ka ndodhur vetëm mua, kjo i
përket profilit të reporterit që shkel terrenin. Ata ishin vërtetë njerëz
rastësorë, por këtu qëndron vlera, pasi nuk ishin të përzgjedhur, nuk ishin
zëdhënës të ndonjë institucioni, por vetvetja. I kujtoj dhe tani, që ka kaluar
aq kohë, për të njerëzishmen e tyre, asnjëri prej tyre nuk më kërkoi dokument
që isha i dërguar i gazetës, edhe pse kishim karta të rregullta me fotografi,
firmosur nga kryeredaktorët, që vërtetonin që ishe bashkëpunëtor i këtij apo
atij organi shtypi. I pari dokument i tillë më është lëshuar nga “Zëri i
Rinisë” më 1979, por as atë e as të tjerë më pas nuk i kam paraqitur ndonjëherë
para ndokujt, siç kurrë nuk ma ka kërkuar pasoportën ndonjë polic i republikës.
Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë i çertifikonte gazetarët në të gjithë
vendin dhe unë në 90-ën kisha kategorinë e dytë, me firmën e kryetarit Marash
Hajati, kurse për të parën flitej se ishte kriter dhe njëfarë moshe. Ky forum
botonte dhe revistën “Tribuna e Gazetarit”, që ndihmonte në kualifikimin
profesional të gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të shtypit. Por asgjë nga këto
nuk mjafton për afirmimin tënd si reporter, publicist, gazetar. As rrjetet
sociale në kohën e sotme, ku përfshihen dhe “përzihen” të gjithë. Tek e fundit
sa ti e ke ushtruar me profesionalizëm publicistikën e dëshmon ajo çka ti ke
shkruar në vite dhe publiku i gjërë që të ndjek, në nivel kombëtar, e jo
thjeshtë rrethi i ngushtë i miqve të tu virtualë, që ta bëjnë “nderën” me kusht
që t’ua kthesh edhe ti me të njëjtat vlerësime!? Për atë që e ka pasion “të
lindur”, publicistika nuk është diçka kalimtare, nuk ndalopn kurrë, por është
si arti i krijimit për artistin. Një gazetar dhe mund ta mbyllë kontratën me
gazetën ku punon dhe të kalojë në një punë tjetër, në administratë, diplomaci
etj., por jo një publicist, që nuk rron dot pa publikun dhe publiken, edhe kur
është mbi të 90-at si Sami Repishti...
Kohët
kanë ndryshuar, por jo zakoni i reporterit klasik, që e bëri deri vonë i
paharruari Fatos Baxhaku, me vargun e reportazheve në “Shqip”, ku si miq që
ishim, e kam shoqëruar në gjithë Mirditën etj. Është rasti për të vënë në dukje
se në gazetari të rren mendja se ç’po bën, nëse nuk lexon letërsi, dokumenta,
enciklopedi, nëse “ngopesh” me terrenin dhe nuk e sheh atë në vazhdimësi si një
burim të publikes. Vërtetë sot mund të marrësh shkas dhe nga njoftimet amatore
në rrjetet sociale, por nuk mund të shkruash me aq gjë, lypet të shkosh vetë
atje për ku bëhet fjalë, ta përshkruash me detaje atë që ndodh. Dihet që
reporterët përpiqen të krijojnë kontakte e të bëjnë të njohur gjithandej, që
t’i kenë për informacion sa herë t’iu nevojitet. Kur isha student në Shkodër,
veja gjithnjë te Vasfi Duka, drejtori i gjeologjisë dhe njihesha me të rejat e
kërkimeve. Në NSHRAK kisha mjeshtrin Muc Koxhaj, që me sa di ishte dhe hero
pune. Në Koman njihja Kolën shpatullgjërë të tuneleve. Atje botonte gazetën e
hidrocentralit “Drita e Drinit” miku im i paharruar Frano Cakaj, që më pas do
të vente korrespondent i “Zëri i Popullit” në Dibër. Nuk po them gjë për
Mirditën, pasi aty isha i shtëpisë dhe i kisha të gjitha dyert hapur. Ditët e
“mia” ishin sidomos Dita e Minatorit në shkurt dhe Dita e Gjeologut në gusht,
ku ishte e pamundur të mos kisha shkrime në gazetat kryesore të vendit.
Kësisoj, në vitet ’80 miqtë e mi ishin minatorët, gjeologët, metalurgët,
sharrëtarët, mësuesit, ekonomistët, vullnetarët e hekurudhave etj. dhe
gjeografia e shkrimeve rrallë e kapërcente Mirditën, me ndonjë reportazh nga
Lukova, Shkodra a Tropoja, si për pak thyerje gjeografike. Kurse me ardhjen e
demokracisë u krijuan të tjera mundësi lëvizjeje dhe komunikimi, shkrimet
filluan të kishin adresa në krejt botën shqiptare e jo vetëm. Në 2018 - ën që
ishte Viti i Skënderbeut pata kënaqësinë të flisja me plot shqiptarë të trojeve
që e kishin “njohur” në një mënyrë a në një tjetër Heroin Kombëtar. Ata njerëz
të thjeshtë ta thoshin historinë e tij me dashuri, ashtu siç e kishin dëgjuar
nga të parët, Isufi në Shtjefën të Matit bënte me dorë andej nga vendi ku ai
besonte se ishte varri i Vojsavës, xha Ormëni në Kaninë të Vlorës tregonte për
Donikën, xha Halili në Mazrek të Hasit (Prizren) e shtrinte fillin e brezave
familjarë deri te Kastrioti, në Plavë e Guci rrëfimtari ynë ishte Tahir
Gjonbalaj, në Manastir vajza e pasionuar e muzeut, Edita Bajramoska na
“prezantonte” me etërit e Alfabetit të shqipes...
Proza
e shkurtër dhe reportazhi, skica, poirtreti, sa të ngjashëm në pamje të parë,
aq të ndryshëm si përmbajtje, në krijimtarisë time janë lëruar nga dy “plorë”,
po jo njëri prej ari e tjetri prej argjendi. Letrarë si Dritëro Agolli, Mehmet
Elezi, Spiro Dede, Xhevahir Spahiu, Preç Zogaj, Shaban Sinani, që kanë punuar
si reporterë në shtypin qendror e kanë pasuruar publicistikën me “letërsi”,
duke e bërë atë më të ngritur, lë të themi letrarisht, pa bërë fjalë për
reportazhin / përshkrimin e mirëfilltë letrar që lëvrohej rrallë nga
shkrimtarët si Kadare, Shuteriqi, Xoxa, Godo etj. Ka një dhënie të
publicistikës ndaj letërsisë, por nuk mendoj se është dhe e kundërta. Disa nga
lajtmotivet e mia publicistike, mbrujtur me sharmin e letërsisë artistike,
ishin mishëruar në titujt e reportazheve: “Miniera e bën njeriun minierë” (në
kuptimin e pasuron shpirtërisht me virtytin e punës, sakrificës, solidaritetit
njerëzor – që më pas solli romanin “Shembja”); “Stinët e Gurit të Nuses” (sagat
e nuseve me një jetë / fat të pamundur – që më pas solli romanin “Unaza e
Virgjëreshës”) etj.
Kur shkrimi që ngre
probleme, bëhet vetë “problem”...
Reportazhi
është gjini publicistike afirmuese, por mund të ndodhte të “gaboje” dhe nga e
mira. Kështu më 1981 unë botova në “Zëri i Popullit” reportazhin “Nëntoka jonë
buron” për zbulimin e minierës së bakrit në Palaj, nga gjeologët e Shkodrës.
Shkrimin e kishte botuar Frrok Çupi. Kur në drejtorinë e ndërmarrjes
gjeologjike kishte rënë telefoni i Ministrit të Industrisë, që ishte anëtar i
Byrosë Politike. “Kush është autori i shkrimit dhe pse i keni dhënë shifrat e
rezervave gjeologjike, pasi kishim vendosur që ato t’i shpallnim në Kongresin e
Partisë?! Gazeta ka korrespondetin e vet në Shkodër dhe nuk ka qenë i
autorizuar të shkruaje për këtë zbulim!...” Por u mbyll me aq, si me thënë, më
një vërejtje që nuk mbërriti deri tek unë, ndërsa një kritikë ndaj organeve të
pushtetit në Mirditë, disa vite më vonë, më la pa shtëpi!?...
Maja
e lapsit nuk është asnjëherë e lehtë, po përherë ka rrisk. Asokohe më kishin
paralajmëruar në dy raste partiakët e provincës, që të kisha kujdes, pasi “maja
e lapsit mund të të hajë kokën”. Unë kam lëvruar kryesisht reportazhin dhe me
këtë gjini të bukur të publiçistikës zakonisht bën miq dhe jo “armiq”, por kur
reportazhet filluan të ngrinin probleme të ngecjes së prodhimit, u bënë vetë
“problem”. Mbaj mend që shkova në një minierë për të bërë një reportazh dhe u
ktheva duarbosh. Biseda me inxhinierin e prodhimit F. B. më bindi se nuk kishte
asgjë pozitive për t’u shënuar. Ia thashë kryeredaktorit se në vend të
reportazhit do të bëja një shkrim kritik dhe ai nuk pati se ç’të thoshte. Pas
një vëzhgimi për uzinën e bakrit reagoi negativisht sekretari i Parë. Pas një
kritike për seksionin e Planit sulmoi drejtuesi Ekzekutiv i rrethit.
Kryeinxhineri mekanik i një ndërmarrje gjithashtu reagoi keq. Edhe sot ka
hatërmbejtje, kur ti thumbon zyrtarë, pushtetarë, sipërmarrës që krijojnë
“gropa të zeza” me investimet e tyre. Ndokush dhe ngre telefonin “anonim” për
të tërhequr vëmendjen që të mos i biesh më asaj punës së HEC-eve etj. Pa folur
për opinionet kritike, ku fshikullohet qeveria, që janë një korpus shkrimesh më
vete, që në njëzet vitet e fundit kanë dominuar publicistikën time, veçanërisht
në “Shqip” e “Panorama” etj.
Ndokush
që lexon shënime të kësaj natyre mund t’i presë drutë shkurt: “Po ku kishte
gazetari atëhere? Ku të linte Partia të thoshe të vërtetën!” Patjetër, kishte
ca të vërteta që nuk lejohej të thuheshin, si dënimet politike, ndalimi i fesë,
varfëria, izolimi etj., por kishte ca të tjera për të cilat shkruhej, pa
kursyer as burokracinë shtetërore. E jo vetëm revista “Hosteni” që ishte
satirike - humoristike. Sigurisht kishte propagandë me tepri, s’i shpëtoje dot
frazës shtampë “nën udhëheqjen e Partisë” as kur flisje për silazhin e lopëve,
por pavarësisht kësaj kishte idealizëm, punë të ndershme, solidaritet,
sakrifica, siç kishte dhe fasadë, iluzione, zhgënjime e gjer “thashetheme”
politike e humor të zi. I paprekshëm ishte vetëm “Olimpi” nga kritikat publike,
ndërkohë që nxitej fryma kritike ndaj dukurive negative të shoqërisë në bazë.
“Ambulanca ku të zënë ethet” ka qenë një ndër shkrimet e mia të para satirike -
kritike, kur isha vetëm 15 - 16 vjeç. Mbizotëronte puna, qendrat e reja
administrative po merrnin pamje qytetëse, me rrugë të asfaltuara, sheshe,
shëtitore, hotele, godina kulturore e sociale etj., ndërtoheshin masivisht
fabrika dhe uzina, korpusi energjitik i Drinit, rinia dhe punëtoria ndërtonte
hekurudha në të gjithë vendin dhe treni shkoi deri në Pogradec, Shkodër e
Mirditë - këto ndryshime pasqyronte shtypi i asaj kohë, hap pas hapi, por
erdhën “barbarët”, që ishim po ne që i kishim ndërtuar dhe u shkulëm binarët e
i çuam shinat për skrap! Shkruam për minierat që ishin një realitet,
pavarësisht kushteve të punës, por ishte e pamundur të shkruaje për aksidentet.
Kemi shkruar reportazhe për mbjelljen e pishave nëpër male e deri në bregdet,
që ishte një punë shumë e mirë, siç kemi kritikuar qeveritë e tranzicionit që
lejuan barbarizmin në pyje, ku “barbarët” sërish ishim ne mbjellësit e tyre.
Kemi shkruar për çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve, për shkollat e reja e
kabinetet mësimore, po sot që nuk ka më të tilla çfarë mund të shkruhet? Kemi
shkruar reportazhe për popllsinë që rritej e që i kaloi tre milionë banorë,
kurse sot me trishtim lajmërojmë tkurrjen e saj dita-ditës. Shkurt, kemi
raportuar lajmin e mirë të shoqërisë dhe kjo përbën vlerë, por jo dhe lajmin
dramatik dhe kjo është dobësi dhe dështim në njëfarë mase. Nga gjysma e viteve
80 e mbrapa pati rritje të frymës kritike të shtypit. Më 1988, në “Zëri i
Popullit”, pata botuar shkrimin problemor “Tani që miratohen të drejtat e studimit”,
ku kritikoheshin anëtarët e Partisë dhe kuadrot që kërkonin privilegje për
fëmijët e tyre, çka u mirëprit në Ministrinë e Arsimit dhe për këtë arsye në
vjeshtë u përfshiva me ekipin e kontrollit të kësaj Ministrie, në rrethin e
Dibrës, mbasi profesioni im bazë ishte mësuesia. S’do mend që demokracia është
hapësirë lirie universale, por demokracinë ku të gjithë ikin s’di si ta quash?
Demokracia është njeriu dhe jo pallatet, kullat, muret, betoni, sado e vlefshme
të jetë infrastruktura! Demokratike është të njoftosh dhe arritjet e jo vetëm
kronikën e zezë, që është kthyer në një sindromë e mediave bashkëkohore.
Gazetaria, kërkim i asaj
që ndodh ndër ne dhe në terren
Gazetaria,
publicistika, komunikimi është dhe profesion, por është në radhë të parë
pasion, vokacion, idealitet. Ai që është mësuar të shkruaje nuk rri dot pa e
bërë këtë gjatë gjithë jetës. Dhe nuk i ke gjerat në tavolinë, duhet të ecësh
për të shkuar atje ku është lajmi, informacioni, e reja që po ndodh. Është java
e parë e korrikut 2024, e dielë dhe ndërsa të gjithë po nxitojnë drejt
plazheve, tre veta jemi nisur me pa rrugën e re të Dukagjinit, ku sigurisht
dikush paguan për shpenzimet e rrugëtimit, që nuk e mbulojnë më gazetat. Nuk na
ka nisur askush me shërbim, por ne duam të gjendemi atje, për vetë dhe për të
tjerët. Kështu kemi qenë dy - tre herë dhe në Rrugën e Arbërit, që ende nuk ka
përfunduar. Por dhe në Rrugën e Ersekës në ndërtim e sipër. Rrugën e Kombit e
kemi ndjekur dita-ditës që në piketa, sidomos pjesën nga Miloti në Kalimash, por
dhe deri në Morinë e pastaj në Kosovë. Kemi pasur “etje” për rrugët, ndaj
rendim pas tyre dhe sot e kësaj dite. Është një zakon i vjetër yni. Kur sapo
kishte nisur hekurudha Milot - Rrëshen - Klos, një rast e kemi bërë në këmbë
rrugën nga sektori i Arishtës (Skuraj) në Rubik nëpër trasenë që vetëm sa ishte
shkërmoqur. Komisaren e ndjerë të hekurudhës Mimoza Jazoj, diplomuar për
frëngjisht, ende e përfytyroj aty në zyrën e saj, në një barakë pupuliti buzë
Fanit, ku shtrihej sektori i vullnetarëve, duke na folur për sirenat e reja të
asaj lugine, që nuk e patën jetën e gjatë, si dhe vetë ajo. Asokohe “Zëri i
Rinisë” botonte suplementin “Vullnetari” dhe unë isha gjithnjë i angazhuar me
shkrime si “vullnetar”, krahas reporterëve zyrtarë të gazetës, Preç Zogaj,
Selami Spahiu, Lazër Stani, që ishin miqtë e mi dhe e bënin me radhë, një javë
njëri e një javë tjetri. Këto nuk janë “heroizma”, por përpjekje për t’i prekur
me dorë gjerat para se të shkruash për to. Kam qëndruar një vit me punë në Reps
e Fan (në sferën e arsimit) në pikun e ndërtimit të Rrugës së Kombit,
2008-2009, kam botuar disa reportazhe në gazetat më të rëndësishme të kohës si
“Shqip”, “Shekulli” etj., shkrova dhe një libër që e kam dhe sot në dorëshkrim,
pasi rruga eci më shpejt se botimi i librit tim. Ishte ajo ëndërra e e para
njëzet vjetëve, mbetur në mes, kur shkruanim reportazhe për trenin, duke uruar
si për njeriun: “Ardhësh i bardhë”, që, siç thamë, mbërriti në kryeqendrën e
mirditorëve, por ngeci pak më përtej, te Ura e Tarazhit e Tuneli i Prosekut dhe
nuk mbërriti kurrë në Klos. Autori Rexhep Shahu, në librin e tij “Apologji për
Udhën e Kombit”, pati mirësinë ta shënonte këtë kontribut tonin, krahas të
tjerë reporterëve, që ndryshe nga politikanët, që bënin llogari elektorale
meskine, e pasqyruan rrugën si ngjarjen më të madhe të fillimshekullit XXI.
Post
scripum. Ti je shpallur e pranuar nga publiku si një lajmës i ndryshimit dhe
don ta bësh sa më së miri atë, por gjërat kanë ndryshuar, për fat të keq! Sikur
nuk ua ka kush ngenë më reportazheve nga udhët e largëta “prapa diellit”! Tash
komoditet është me qenë reporter i kronikës politike aty mbi lumë të Lanës!
Bile mund të ngjash disi “anakronik” duke gjurmuar jetën shqiptare në malet që
po japin shpirt, ku që për mendimin tonë “shpëtimi” i tyre nga grabitja
shtetërore duhet të jetë një luftë e mediave. Reporterë të kësaj “lufte” pa
pushkë ia vlen me qenë sot e gjithmonë...
NDUE DEDAJ
Korrik 2024