Mendime
Adil Fetahu: Libër monument i fateve dhe vuajtjeve të femrave shqiptare
E hene, 22.07.2024, 08:00 PM
LIBËR MONUMENT I FATEVE DHE VUAJTJEVE TË FEMRAVE SHQIPTARE
(Shukrije
Rama: ‘MOS PAÇ FATIN TIM – rrëfime të
njëmendëta’, Prishtinë, 2023)
Nga
Adil FETAHU
Vet
titulli i librit ‘Mos paç fatin tim’, sugjeron se përmbajtja do të shpalosë
vuajtje, sakrifica, dhembjeve, fatkeqësi
të personazheve të përfshira në libër.
Në
të parë, kur e lexon vetëm titullin e librit, lexuesit mund t’i shkojë mendja
se është fjala për ndonjë autobiografi të shkrimtares, apo biografi të një
personazhi të caktuar. Por, sapo ta shikosh/lexosh përmbajtjen e lëndës, me
emrat e personazheve dhe temat e formuluara, sheh se bëhet fjalë për fate të
personazheve reale, të zgjedhura nga autorja. Dhe kur i bie në funt leximit të
librit, i shtron pyetje vetes, si ka ardhur autorja deri te zbulimi i rasteve,
për të marrë e regjistruar rrëfimet e personazheve. Rrëfimet e tyre i jep në
mënyrë autentike, pa i zmadhuar, pa i stilizuar as hiperbolizuar vuajtjet dhe
sakrificat, madje të shumtën me gjuhën e rrëfyeseve.
Personazhet
janë reale, me emra e mbiemra të përveçëm dhe të gjitha personazhet kryesore
janë femra shqiptare, nga fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës. Koha është kryesisht koha e re, nga lufta e
fundit (1998 -1999) e këndej, por ndonjë
mund të jetë edhe më e hershme.
Thuhet
se leximin e librit duhet bërë me aq përkushtim e ndjesi, sikurse autori që e
ka shkrua. Dhe, po t’i përmbahesh kësaj maksime, duhet ta kesh ‘’zemrën prej
guri’’ që të mos ndjesh dhembje dhe emocione për fatet, vuajtjet, dhembjet e
sakrificat e personazheve të përmendura në libër. Sepse, ato rrëfime nuk janë
trillime letrare artistike, janë rrëfime për ngjarjet reale, vuajtjet, dhembjet
e përjetuara të grave e vajzave tona shqiptare.
Është
trishtues rrëfimi i Elhame Muçollit nga Poklreku i Drenicës, e
cila përjetoi dhe mbijetoi tmerrin dhe masakrën e 53 njerëzve të vrarë të
trungut familjar dhe të tjerë që ishin gjendur në shtëpinë e saj. Në mesin e
atyre të vrarëve, të ngujuarëve në dhomë mbi të cilët hidheshin granata e rafale
atomatikësh, u vranë edhe nëna, tri motra dhe dy vëllezër të Elhames.
Kriminelëve serbë nuk iu mjaftua vrasja e masakra, po disa nga trupat i hodhën
në bunar (në mesin e tyre ishte edhe poeti Ymer Elshani).
Peripetitë
dhe përjetimet e Bajramshahe Jetullahit, e verbër vetë me
gjithë burrin, të përzënë prej Kolivice deri në Bllacë e Stenkovec dhe Itali
janë vuajtje që vetëm njeriu mund t’i përballojë.
Rrëfimet
e aktores Elida Shasivari për vrasjen e burrit të saj më 24 mars
1999, viktimës së parë nga shumë viktima të krimeve serbe të kryera në
masakrat, rrënimet dhe djegëjet në qytetin e Gjakovës. Ajo flet edhe për jetën,
talentin, krijimtarinë e zhdukur dhe
veprimtarinë artistike, po edhe politike, burgosjen e vuajtjet, sikur dhe Hyrije
Hana.
Është
interesant rrëfimi i shkrimtares Adelina Mamaqit për fillimet e
botimit të shkrimeve, të cilat i botonte me pseudonimin ‘’Burri’’, pasi atëherë
nuk mund të botoheshin shkrime me emra të femrave. Për ta dekurajuar nga
shkrimet, një shkrimtar i njohur i kishte thënë asaj: ‘’Shko mëso të gatuash
e të qëndisësh, se nuk je për këto punë’’. Ajo flet edhe për jetën e
vet të vështirë, qoftë në atdhe apo gjatë mërgimit në Itali, ku ka krye punë të
rënda, për ta mbajtur familjen.
Kumrije
Berisha,
gruaja e dëshmorit Arif Ramë Berisha, mbeti me katër fëmijë të vegjël dhe me
nënën e burrit, pasi Arifi u vra më 24 maj1998.
Rrëfimet
e Miradije Ibrahimit, e bija e veprimtarit Vehbi Ibrahimit, të
cilin UDB-a jugosllave e vrau në Bruksel (tetor 1981). Vehbiu ishte
bashkëveprimtar me Emil Kastriotin, Hysen Terpezën e Enver Hadrin. Me rastin e
vrasjes së Vehbiut, ishte plagosur rënd edhe nëna Miradijes, me një plumb në
fyt e një në gjoks.
Melihate
Hoxha,
ushtare e UÇK-së, e quajtur Shota nga Damaneku, flet me dhembje shpirti për
shoqen e saj Lulen, e cila u vra në kufi, bashkë me35 bashkëluftëtarë tjerë,
ndërsa për Melihaten familja e saj mendonte se është vrarë në shtëpinë e saj
nga aksioni i forcave serbe. Kur Melihatja u kthye në shtëpi më 15 qershor
1999, e gjeti vetëm një qengj për ta përqafuar!
Është
i dhembshëm rrëfimi i shoqes-bashkëmoshatares së Elfete Humollit të vrarë nga policia
serbe (më 1.2.1990).Treqint nxënës të Shkollës së Mesme të Medicinës në
Prishtinë, shokë e shoqe të Elfetes, ishin organizuar të shkonin ë varrimin e
Elfetes, por policia serbe i kishte
këthyer nga rruga e nuk i kishte lejuar të shkonin në vorrim.
Personazhe
tjera reale, rrëfejnë për vuajtjet, peripetitë, sakrificat e tyre, qoftë në
luftë me sëmurjen e kancerit (Albana Beqiri, Habibe Hoxha), qoftë nga
shkaqe tjera si Aida së cilës një pijanec i ka kishte çarë kokën me
shufër hekuri, ishte paralizua dhe kishte vuajtur me sa e sa operacione.
Ka
në këtë libër rrëfimesh edhe të personazheve tjera, të cilat rrëfejnë për
vuajtjet e tyre, qoftë për shkak të zakoneve patriarkale e të veseve të
mbrapshta, qoftë për shkak të varfërisë,
sidomos gratë e veja të mbetura me fëmijë të vegjël; gratë në familjen e
burrave të cilët janë në gurbet; peripetitë e procesit të shkëputjes së
martesës (Arjeta Gashi), së cilës iu deshën 22 seanca gjyqësore për t’u
ndarë nga burri i saj. Rrëfimi i
dhimbshëm i Hamide Ramës, e martuar në moshën 15 vjeçare, me një
burrë 40 vjeçar, e cila i kishte lindur 9 fëmijë, që pesë prej tyre: dy djem e
tri vajza i kishte përcjellë për në botën tjetër. Është edhe rrëfimi i dy
motrave binjake, të cilat deri sa vet ishin fëmijë (13 vjeçe) kishin lindur
fëmijë. Etërit e fëmijëve të lindur, dashnorët e motrave binjake, nuk donin të
ndienin për obligimet ndaj fëmijëve të tyre, ndërsa ato as nuk mund t’i
regjistronin fëmijët në ofiçari, për shkak se në moshën e tyre nuk kishin
letërnjoftime.
*
Fatet
e personazheve janë rrëfyer me nuancat e tyre individuale, me gjuhën popullore,
secila më e dhembshme se tjetra, që prej secilës do të mund të bëhej skenar për
ndonjë film dokumentar.
Libri
‘’Mos paç fatin tim’’ , është një minihistori që shtjellon shumë pamje e fakte të jetës
private të femrave, në kushte e rrethana të një mentaliteti dhe kulture
patriarkale; është klithja e protagonisteve po njëherit është edhe zëri
protestues i autores Shukrije Rama, kundër pozitës nënçmuese e poshtëruese të
femrës.
Vërtetë,
nëse statusi dhe pozita e grave shqiptare në shoqëri ka avancuar shumë: në
arsim, në punësim, në përfaqësim, në pikëpamje të barazisë ligjore dhe
institucionale,- statusi dhe pozita e saj në familje nuk e ka përcjell këtë
avancim në planin social-ekonomik, për sa i përket barazisë, të drejtave dhe
dinjitetit të gruas brenda familjes.
Tragjeditë,
vuajtjet fizike, shpirtërore, mentale dhe emocionale të protagonisteve të
librit ‘’Mos paç fatin tim’’, janë një ‘’trezor’’ i temave për
shqyrtim e korrigjim të realitetit. Dhe këto sakrifica e vuajtje sikur e
vërtetojnë thënjën se: ‘’Nga goditjet e fatit, femrat lakohen, kurse burrat
thyhen’’.
***
Biografia
e autores: Shukrije Rama, e lindur në Prishtinë, ku kreu studimet dhe masterin
për shkencat filologjike, aastaj ka krye specializime për fushën e bibliotekave
dhe informacionit (në Barcelonë, në Boston dhe në Çikag), ondërsa në vitin 2010
mori titullin Doktore e Shkencave të Menaxhmentit (në Universitetin për Paqe të
KB). Është e angazhuar në mësimdhënie
dhe udhëheqje në institucionet e arsimit të lartë të vendit dhe të
jashtëme. Libri ‘’Mos paç fatin tim’’, është libri i pestë e kësaj autoreje.