Mendime
Albert Zholi: Prof. Lush Susaj - Protestat e fermereve po denoncojnë degradimin e shtetit në korrupsion dhe kakistokraci
E merkure, 24.07.2024, 07:56 PM
Flet Prof. Lush Susaj: Protestat e fermereve po denoncojnë degradimin e shtetit në korrupsion dhe kakistokraci
-Korrupsioni
ka shkatërruar bujqësinë, prodhimin bujqësorë, sikurse edhe arsimin, mjedisin,
industrinë, shëndetësinë, kulturën, historinë, diplomacinë.
-
Fermerët kërkojnë lirinë dhe sigurinë për të punuar e jetuar me djersën e tyre
dhe në tokat dhe pronat e tyre.
-Fermerët
po rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë përballë korrupsionit dhe injorancës fatale
të administratës dhe drejtuesve të institucioneve të bujqësisë
-Fondet
për bujqësinë nuk shkojnë tek fshatari po i vjedhin drejtuesit që sikurse dihet
kanë punuar vetëm për të vjedhur e për t’u pasuruar.
-Një
takëm drejtuesish në asnjë ditë nuk kanë punuar në shërbim të punësimit, as të
prodhimit dhe as të mirëqënies dhe sigurisë ushqimore të popullsisë së vëndit.
-Kjo
politikë po sjell dëbimin e fermerëve drejt rajoneve bujqësore të Greqisë,
Italisë, Turqisë dhe vendeve të tjera të botës.
-
Fondet dhe investimet në bujqësi, pavarësisht nga propaganda dhe grumbujt e dosjeve
fictive, janë vjedhur kudo, hapur e në masën 100%.
-Tek
korrupsioni e ka burimin edhe bllokimi i fondeve të IPARD, këtu e kanë burimin
edhe kostot e lartë e prodhimeve tona bujqësore të pasubvencionuara.
-Teorikisht
prodhimet tona janë të subvencionuara 5-6 herë më pak se vëndet e tjera të
rajonit, dhe rreth 15 herë më pak se produktet e vendeve të BE.
-
Në këtë histori, u pa edhe ajo skema më e shëmtuar e një shteti korruptiv dhe
kakistokrat, që guxon të poshtërojë e të keqpërdorë politikisht edhe policinë e
shtetit
-
Kostot bujqësore rriten edhe nga situata monopol në importin e plehërave,
farërave, fidanave dhe pesticideve.
Intervistoi
Albert Z. ZHOLI
Në
Maliq, fermerët janë grumbulluar së bashku me mjetet e tyre në rrugën hyrëse të
fshatit Drithas. Fermerët nga fshatrat e fushës së Korçës janë mbledhur në një
protestë, duke shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e tregut për produktet
e tyre. Sipas fermerëve, për shkak të mungesës së subvencioneve, prodhimi i
tyre po del me kosto më të lartë. Kjo i bën ata të pamundur për të konkurruar
me prodhimet që futen nga jashtë vendit, pasi kanë çmime më të ulëta. Si
rezultat, e gjithë prodhimi i qepës, patates, misrit dhe grurit ka mbetur stok,
duke u shkaktuar fermerëve humbje të mëdha ekonomike. Policia ju ka kërkuar
atyre të mos bllokojnë rrugën nacionale, pasi nuk kanë leje. Kjo është bërë
shkas për konfrontim fizik mes palëve, fermerët nuk kanë pranuar lirimin e
rrugës. Fermerët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me politika mbështetëse dhe
subvencione për t’i ndihmuar të përballojnë konkurrencën e produkteve të
importuara dhe të sigurojnë një treg të qëndrueshëm për prodhimet e tyre. Ata
theksojnë se pa ndihmën e duhur, situata e tyre ekonomike do të përkeqësohet
edhe më shumë. Se si qëndron e vërteta rreth këtij problem kemi një bisedë me
Prof. Lush Susaj.
-Prof Susaj! Fermerët
nga fshatrat e fushës së Korçës janë mbledhur në një protestë, duke shprehur
shqetësimet e tyre për mungesën e tregut për produktet e tyre. Ky është
shqetësimi kryesor i tyre?
-Në
datën 22 korrik 2024, fermerët nga fshatrat e fushës së Maliqit dhe Korçës,
kanë marrë me vete traktorët dhe mjetet e tyre të transportit, dhe së bashku
kanë dalë në një protestë në rrugën hyrëse të fshatit Drithas.
Kjo
protestë paqësore dhe e zhvilluar nga njerëzit më të urtë, më puntorë e më
patriotë të trojeve shqiptare, është në vazhdën e atyre përpjekjeve dhe
protestave të vazhdueshme të fermerëve të Shqipërisë, të zhvilluara edhe në
Lushnje, në Divjakë, në Shkodër, në Devoll, etj, ku fermerët kërkojnë lirinë
dhe sigurinë për të punuar e jetuar me djersën e tyre dhe në tokat dhe pronat e
tyre. Fermerët po rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë përballë korrupsionit dhe
injorancës fatale të administratës dhe drejtuesve të institucioneve të
bujqësisë, që sikurse dihet kanë punuar vetëm për të vjedhur e për t’u
pasuruar, dhe në asnjë ditë nuk kanë punuar në shërbim të punësimit, as të
prodhimit dhe as të mirëqënies dhe sigurisë ushqimore të popullsisë së vëndit.
Duket
që janë fermerët e fundit që kanë mbetur nëpër zonat tona bujqësore, të cilët
po luftojnë me të gjitha mjetët kundër korrupsionit dhe injorancës që ka
prodhuar e po prodhon falimentimin dhe rrënimin e fermave të tyre, e bashkë me
to edhe dëbimin e fermerëve drejt rajoneve bujqësore të Greqisë, Italisë,
Turqisë dhe vendeve të tjera të botës.
-Kjo përbën një histori
më vete. Çfarë shihet në këtë tragjikomedi të paparë në vendet tona të rajonit?
Në
këtë histori, dje u pa edhe ajo skema më e shëmtuar e një shteti korruptiv dhe
kakistokrat, që guxon të poshtërojë e të keqpërdorë politikisht edhe policinë e
shtetit për të shantazhuar dhe stopuar edhe këtë protestë të pastër e ndër më
të arsyeshmet e kësaj bote.
Gjithnjë
e kam bërë dhe vazhdoj që të bëj thirrje të sinqertë, që strukturat e hetimit
të shtrijnë hetimin pasuror mbi të gjithë drejtuesit e lartë e të mesëm
mediokër e të korruptuar të ministrisë së bujqësisë në vite, për të sekuestruar
fondet dhe mallin e vjedhur, e për të kuptuar se si investimet dhe projektet në
bujqësi kanë përfunduar në zero impakt. Fondet dhe investimet në bujqësi,
pavarësisht nga propaganda dhe grumbujt e dosjeve fictive, janë vjedhur kudo,
hapur e në masën 100%. Këtu e ka burimin edhe bllokimi i fondeve të IPARD, këtu
e kanë burimin edhe kostot e larta të prodhimeve tona bujqësore të
pasubvencionuara, madje edhe teorikisht të subvencionuara 5-6 herë më pak se
vëndet e tjera të rajonit, dhe rreth 15 herë më pak se produktet e vendeve të
BE.
Shtojmë
këtu edhe kostot shtesë, që burojnë nga mungesa reale e mekanizimit bujqësor
dhe rendimentit të punës. Kujtoj faktin që edhe kjo mungesë buron nga situata
monopol mbi importin e mjeteve mekanike, nga injoranca dhe nga korrupsioni me
ndihmat dhe donacionet, sikurse janë ato japonese, amerikane, europiane, etj.
Janë dukuri që burojnë për shkak të politikave të gabuara edhe në drejtim të
mekanizimit dhe të subvencionimit të naftës, dhe mënjanimit të qëllimshëm të
ekspertëve dhe specialistëve më të mirë e më të pakorruptuar të bujqësisë.
Sikurse
dihet dhe sikurse mund të shifet e provohet kudo, injorantët përdoren,
manipulohen dhe shantazhohen lehtë, ata firmosin dhe janë gati të bëjnë edhe
burg për partinë dhe për kryetarin e organizatës së korrupsionit.
Injorantët
nuk kanë shpirt as moral, nuk kanë pikë ndjesie për popullin, për shtetin e as
për kombin. Injorantët janë si krimbat, që zvarriten, që brejnë dhe thajnë çdo
gjethe dhe bimë të natyrës, ata ngjiten dhe bëjnë karrierë vetëm në politikën e
korrupsionit dhe në grupet kriminale, ndërsa nuk prodhojnë asgjë të mirë për
bujqësinë e as për shtetin shqiptar.
-Faktikisht kush i rrit
kostot e prodhimeve tona bujqësore?
Kostot
e prodhimeve tona bujqësore i rrit edhe korrupsioni me fondet e ujitjes dhe
kullimit, të cilat nuk arritën kurrë në destinacionin e duhur, përkundrazi u
gllabëruan nga supërvizorët dhe nga tenderimet dhe shpërblimet për shokët e
partisë. Kostot bujqësore rritën edhe nga situata monopol në importin e
plehërave, farërave, fidanave dhe pesticideve, e sikurse dihet, në Shqipëri nuk
vijnë llojet që duhen, por vijnë fidanat dhe farërat që don partia e
importuesit monopol, apo importuesi monopol i partisë. Vijnë më të dobëtat dhe
më pak të kushtueshmet, shpesh vijnë edhe llojet e dala nga tregu rajonal dhe
europian. Importohen ato lloje që kanë zhgarravitur e listuar doktor gjilpërat
dhe ekspertët e korrupsionit dhe nepotizmit, të cilët nuk kanë jetuar as punuar
kurrë me prodhimin bujqësor. Për më tepër, nuk kanë asnjë shkallë arsimimi dhe
njohurish mbi shkencën dhe teknologjinë bujqësore. Janë përsonazhe që mbase
dinë të blejnë e të grumbullojnë vota, por që nuk dinë asgjë mbi rajonizimin
dhe kërkesat specifike të tregjeve. Në këtë mënyrë, ky takem ka shkaktuar një
situatë qesharake edhe në lidhje me rajonizimin dhe strukturat varietore, të
cilat nuk mund t’i bëjë kurrë partia, e as strukturat e korrupsionit dhe
nepotizmit të saj. Gabohen të gjithë ata që mendojnë se mund të prodhohet dhe
eksportohet pa patur baza të forta ligjore e shkencore.
Me
të tilla struktura varietore e prodhuese, të pastudjuara e të pasubvencionuara;
të pa akorduara me kërkesat e tokës, klimës dhe tregjeve; larg shërbimit
agronomik dhe sigurisë ushqimore, falimentimi dhe dëbimi i fermerëve është një
proces i sigurtë.
Me
duhet të theksoj faktin që këto janë punë dhe shërbime që duhen kryer e
zgjidhur nga administrata dhe institucionet e Ministrisë së Bujqësisë, një
institucion që për mendimin tim, ngado që ta kapësh bie erë korrupsioni,
inkopetence, politizimi, abuzivizmi dhe nihilizmi të pashëmbullt ndaj
potencialeve klimatike, tokësore, prodhuese dhe intelektuale të vëndit.
Fermerët
kanë edhe një hall të shkaktuar nga inkopetenca shtetërore me grurin, i cili
nuk po ju shitet, edhe pse për shkaqet e mësipërme, ju ka dalë me një kosto
shumë të lartë mbi 30 lekë/kg. Grurin, sot në Devoll, Lushnje, Korçë e Maliq,
po e shesin 17-20 lek/kg. Përkundrejt faktit që Shqipëria importon çdo vit
rreth 300000 ton grurë nga Ukraina dhe Rusia, e ku paradoksalisht dhe
antishqiptarisht, është lënë pa grumbulluar rreth 100000 ton drithëra që
prodhojnë fermerët tanë të mrekullueshëm, e më të vjedhurit e kësaj bote. Po
kështu, Shqipëria importon nga bota (Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut,
Serbia, etj), mbi 270000 ton/vit zarzavate, në një kohë kur prodhimet e shalqinit,
pjeprit, domateve, trangullit, etj, po kalben dhe po hidhen nëpër kanale. Kjo
marri po ndodh ditën për diell, e kudo për shkak se edhe tregun tonë të
brendshëm kaq të vogël e të varfër që e kemi, po e mbytin prodhimet nga Turqia
dhe Serbia nga njëra anë, dhe mungesa totale e politikave mbrojtëse nga ana
tjetër.
Edhe
në këtë pikë, shteti për fermerët nuk duket asgjëkundi, sepse mungon totalisht
mbrojtja ligjore e prodhimit vendas në pikun e prodhimit të tij, e në këtë
mënyrë është shkruar me kohë edhe falimentimi i prodhuesve të Devollit, të
Maliqit, të Divjakës e gjithë Shqipërisë.
Për
këto arsye, konsumatorët shqiptarë, konsumojnë qepën e blerë në treg me 100
lekë/kg, që është prodhim i importuar nga Serbia, Turqia, etj, ndërsa po kalbet
prodhimi supërcilësor i qepës në Maliq e Devoll, ku qepa supërcilësore po
shitet dhe konsumohet me 20 lekë, ose 5 herë më lirë. Në këtë mënyrë, populli
shqiptar, duket që është kthyer në një popull pa busull dhe pa drejtim ligjorë
e as shkencorë. Tashmë duket që është bërë i varur, skllav dhe konsumator i
prodhimeve të vendeve fqinjë, ndërsa nuk eksporton asgjë në tregjet rajonale.
Valutat dhe paraja e shqiptarëve shkon për të blerë drithëra, bulmet dhe zarzavate nga fqinjët, ndërsa prodhimi vëndas
po vdes çdo ditë. Përkundrejtë kësaj situate, kemi vetëm dosjet fiktive te
tenderimeve dhe punimeve që nuk janë bërë kurrë, kemi shumë filmime dhe
fotografi për dosjet fiktive, kemi strategji dhe studime që nuk bëjnë për
asgjë, sepse nuk janë hartuar nga ekspertët dhe as nga specialistët e
mirëfilltë të fushave. Kemi aq shumë propagandë për arritjet imagjinare, ndërsa
ndodhemi në një tragjedi të thellë kombëtare, pa e kuptuar faktin që filozofia
na mëson që tragjedia denoncon teprinë në korrupsion me fondet, subvencionet
dhe investimet që nuk shkuan kurrë tek fermeri. Kjo tragjedi denoncon atë malin
e lartë të injorancës dhe politizimit ekstrem të strukturave të bujqësisë, nga
ku qëllimisht janë mënjanuar më të mirët, të gjithë ata që flasin dhe reagojnë,
e që janë kundër korrupsionit, dosjeve fiktive dhe injorancës në bujqësi. Kjo
tragjedi denoncon dhe dëshmon për kaosin dhe katastrofën që prodhon
korrupsioni. Kjo situatë denoncon se si shteti sëmurët dhe bëhët inekzistent sa
herë që politika i lëshon terren korrupsionit, ka ndodhur ajo që Platoni e ka
trajtuar në filozofinë e tij Republikën dhe Ligjet (427-347 p.e.r).
Për
ata që nuk besojnë në argumentat e mësipërme, janë të lutur që të dalin në
terren e të shohin me sytë e tyre tokën e mbetur djerr, pa ujë, pa subvencione
dhe pa kultura bujqësore.
Janë
të lutur që të kalojnë e të shohin me sytë e tyre pronat e paimagjinueshme të
ish ministrave dhe zyrtarëve të lartë të politikës së lidhur e pasuruar nga
fondet e bujqësisë, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur dhe nuk ka asnjë profesion
dhe asgjë të trashëguar nga paraardhësit e tij. Kështu do të më jepni të drejtë
për ato që kam trajtuar e do të trajtoj, deri kur fondet, subvencionet,
investimet dhe projektet të shkojnë tek fermeri dhe prodhuesi e jo tek zyrtarët
e korruptuar të partisë. Hajdutët e korrupsionit kanë vjedhur dhe grumbulluar
pasuri për 1000 vjet. Janë prona dhe pasuri haram, e cila duhet konfiskuar me
ligje demokratike, për të ja kthyer popullit të vjedhur, e tashmë edhe të
dëbuar përmes mizerjes së korrupsionit.
Korrupsioni
është pushtimi më i neveritshëm, më i ndyrë e më dëmbërës. Shikojeni se si e ka
shkatërruar bujqësinë dhe prodhimin bujqësorë, sikurse edhe arsimin, mjedisin,
industrinë, shëndetësinë, kulturën, historinë, diplomacinë, etj.
Mos
u merrni pse flet dhe pse shkruan Lushi, jeni të lutur që të sqaroni vetvetën
tuaj pyetjen time të thjeshtë “përse nuk reagoni?”, “përse po heshtni?”, “kujt
i interson korrupsioni, varfëria dhe zbrazja e Shqipërisë?”. Nga heshtja, nuk
vjen asgjë e mirë.