Speciale » Basha
Sabile Basha: Ymer Berisha, dokument e kujtesë
E hene, 22.07.2024, 07:56 PM
YMER BERISHA – DOKUMENT E KUJTESË
(Prof.
Dr. Lush Culaj: Ymer Berisha, një mision i pa kryer, Prishtinë: Instituti
Albanologjik, 2024, faqe 467.)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-BASHA
Lufta e Dytë Botërore dhe padrejtësitë që vazhduan ndaj
Kosovës edhe pas vitit 1945, nxorën në shesh
reagimet dhe pakënaqësitë e popullit të saj. Në këto kushte, forcat
nacionaliste në Kosovë u ndodhën të zhgënjyera e të tradhtuara, përballë
vështirësive, por edhe obligimeve të
reja që morën për të ndryshuar situatën që mbretëronte. Si çdo herë tjetër, kjo
gjendje e Kosovës tërhoqi vëmendjen e të tjerëve vetëm atëherë kur shkrepën
armët.
Formimi dhe veprimtaria e organizatave ilegale patriotike
shqiptare dhe i forcave të tjera nacionaliste në atë kohë, ishte dhe mbeti si
alarm, por mbi të gjitha ishte edhe orë zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, sa herë
bota bënte syrin qorr e veshin e shurdhër. Kësaj situate iu përgjigj me
përkushtim e heroizëm një plejadë njerëzish të shquar, që udhëhoqi lëvizjen në
kushte të reja, për të vazhduar luftën aty ku e kishin lënë brezat e mëparshëm.
Studiuesi
Lush Culaj na e ka sjellë historinë e kësaj periudhe në miniaturë, nëpërmjet
shtjellimit të biografisë dhe veprimtarisë së njërit ndër atdhetaret,
luftëtaret, ideologët më të shquar të lëvizjes nacionale shqiptare, prof. Ymer
Berishës, dhe këtë e ka bërë nëpërmjet një qasjeje të veçantë metodologjike,
duke folur sa nëpërmjet dokumentit po aq edhe nëpërmjet kujtesës. Monografia Ymer Berisha, një mision i pakryer na
ofron një tablo të plotë e reale për jetën dhe veprën e prof. Ymer Berishës dhe
më shumë se kaq, vetë tablonë e plotë të lëvizjeve e ngjarjeve
politike-ushtarake në Kosovë, nga fillimi i LDB deri me rastin e vrasjes së
Ymer Berishës.
Autori
Culaj, me këtë, jo vetëm që ka plotësuar boshllëqe të trashëguara nga
historiografia e kaluar, por dhe ka zgjeruar ndjeshëm vetë objektin e studimit,
duke shfrytëzuar një gamë të gjerë burimesh historike sa dhe gojore. Ai ka
shfrytëzuar me kujdes kujtesën e bashkëkohësve e bashkëluftëtarëve për Ymer
Berishën.
Vetë
kujtimet janë zhanër shumë me peshë për ta njohur dhe për ta transmetuar
përvojën historike, politike, shoqërore etj., të brezave të së kaluarës, në
rastin konkret, për ndriçimin e personalitetit të Ymer Berishës. Aq më tepër që
protagonisti për të cilin shkruhet është pjesëmarrës aktiv në ngjarje të
rëndësishme, i frymëzuar nga idealet atdhetare dhe nga angazhimi qytetar, me
plot përpjekje e të cilat janë në harmoni me interesat kombëtare.
Prof.
dr. Lush Culaj është autor i shumë librave shkencorë historigrafikë. Por,
monografia për Ymer Berishën, e bën
autorin edhe më të veçantë si historian, për vetë shtjellimin objektiv dhe të
mëvetësishëm që i bën ai një teme aq specifike.
Në
shumicën e rasteve, për personalitete patriotësh e udhëheqësish shqiptarë, kanë
shkruar të huajt, të cilët, shpeshherë i kanë paraqitur ata sipas pikëpamjeve
të tyre, madje duke i veshur me shumë të pavërteta historike. Studiuesi Culaj,
me punën e tij hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, i shtron
faktet dhe ngjarjet e kohës me të dhëna faktografike, të bazuara kryesisht në
dokumente arkivore, si bazë për studimin e jetës të Ymer Berishës. Të dhënat e
shumta arkivore, literatura e begatë e
shfrytëzuar dhe e konsultuar për veprimtarinë e prof.. Berishës, si dhe
kujtimet e anketat e shumta me të njohurit e tij, i japin veprës një vlerë të
jashtëzakonshme në aspektin shkencor. Prandaj, ky autor, më punën e tij, hyn në
rangun e studiuesve seriozë që trajtojnë tema të ndjeshme nga e kaluara që
lidhet me shek.. XX. Me këtë libër libër, autori vetëm sa ka arritur që të
ngrisë reputacionin e tij në fushën e studimeve të historisë, duke na sjellë të
dhëna të bollshme, të bazuara në argumente historike dhe ne burime të
pamohueshme për luftën e drejtë legale e ilegale që bëri Ymer Berisha me
bashkëluftëtarët e tij shqiptarë, që vepruan në Kosovë dhe gjithandej ku
jetonin shqiptaret.
Vepra
Ymer Berisha, një mision i pakryer i
Lush Culajt ka strukturën, parimet dhe
metodën shkencore të njohjes e të konkludimit, gjakftohtësinë dhe drejtpeshimin
e arsyetimit, që i duhet një studimi me karakter të mirëfilltë shkencor. Kjo
monografi vjen si një margaritar për heroin e lirisë, të virtyteve liridashëse
e luftës së drejtë për nderin dhe moralin e vendit.
Duke
e lexuar këtë monografi, herë të përshkon një entuziazëm i papërshkrueshëm e
herë të kaplon një trishtim i thellë, kur sheh se me çka janë përballur
shqiptarët në rrugën e gjatë të lirisë. Autori, Lush Culaj, njohës i mirë i
kësaj periudhe, na sjell një libër me të dhëna të bollshme biografike po dhe të
historisë politike e ushtarake të heroit Ymer Berisha. Për fat, Culaj ka kapur
edhe momentin e fundit të “kujtimeve të gjalla” për profesor Ymerin, pa të cilat
libri do të ishte më i zbehtë. Dhe, mund të them se për herë të parë në
historiografinë shqiptare më ka rënë të lexoj një libër të këtij stili mikst:
dokument-kujtesë, me këtë strukturë përmbajtjesore; aq të kompletuar dhe
rrjedhimisht, aq të suksesshëm.
Diplomimi
i Ymer Berishës në Romë në dy fakultete: Fakultetin
e Shkencave Natyrore, dega e Historisë-Gjeografisë dhe Akademinë Ushtarake, e deri te rikthimi i tij
në prag të LDB-së janë pjesë e ngritjes të tij profesionale dhe intelektuale.
Kaptinë e veçantë është angazhimi i tij në lëvizjen çlirimtare, bashkëpunimi
dhe miqësia e tij me Shaban Polluzhën e luftëtarë të tjerë të cilëve u kushton
vëmendje të posaçme, subjekt ky që shtjellohet në disa pjesë të librit. Sipas
të dhënave që na prezantohen në monografi, duket qartë se Ymer Berisha me
bashkëluftëtarë ishin të vetëdijshëm se periudha në të cilën po kalonte Kosova
ishte e mbarsur me plot rreziqe. Rreziku që të gllabërohej nga Jugosllavia, siç ndodhi më vonë, ishte i qartë. Autori sjell me saktësi
vizionin dhe largpamësinë e profesorit
konform rrethanave politike të kohës.
Pas
përfundimit të LDB-së, (1945), pushtetarët e rinj, duke e parë zgjuarsinë dhe
aktivitetin atdhetar të prof. Berishës, duke i parë qëllimet dhe idealet e përbashkëta
me luftëtarët e tjerë, e hetojnë rrezikun nga ai dhe plani bëhet: Prof. Ymer
Berishën duhet likuiduar. Dhe kjo ndodhi. Pas një
aktiviteti të dendur që profesori kishte pasur në fshatrat e Gjakovës, dhe pas
një konsultimi që pati me Ukë Sadikun, atë e njoftojnë se në malet e Lipovicës
do të mbahet kongresi V i ONDSH-së, ku ishte i ftuar të marrë pjesë. Sipas të
dhënave që i jep Gojko Medenica, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit
të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe
e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim e sipër për në Kongresin V të
ONDSH-së, që mbahej në Lipovicë. Së bashku me përcjelljen, ata bëjnë
rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof. Ymer Berisha vritet me 8
patriotë, dhe 12 të tjerë plagosen rëndë. Së bashku me ta vritet edhe mësuesi
Fehmi Kura.
Vdekja e prof. Ymer Berishës dhe e
bashkëluftëtarëve të tij do të mbahet fshehur deri më 25 korrik 1946, kur do të
mbahet Kongresi i Lipovicës. Atëherë zbulohet korrieri spiun, i cili, në të
vërtetë, ishte njeri i Spasoje Gjakoviqit. Ishte ky Rexhep Alush Carabregu, që
një kohë të gjatë kishte luajtur lojën e korrierit duke bartur letra nga Shtabi
II (Organizata nr. 2) në Drenicë dhe “Besa Kombëtare” në Dukagjin. Nga
trysnia që iu bë atij nga gjyqi i kongresit në Lipovicë, ai pranoi
se Ymer Berisha me ndihmën e tij kishte rënë në grackë dhe ishte
likuiduar. Gjyqi e dënoi aty për aty me pushkatim Rexhep Carabregun dhe e
ekzekutoi aty afër, ku mbahej kongresi.
Vepra
në fjalë, është pa dyshim fryt i punës së gjatë dhe të jashtëzakonshme të
studiuesit dhe hulumtuesit Lush Culaj.
Vetë botimi i kësaj vepre është edhe një dëshmi se historia e Kosovës, si dhe
figurat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizojnë këtë periudhë të
cilën e trajton dhe ndriçon autori, zgjon interesimin dhe vazhdimisht janë në
fokus të studimeve të shumë veprimtarëve, publicistëve dhe shkencëtarëve të periudhave të ndryshme
kohore.
Thuhet
se një ngjarje ka ndodhur vetëm nëse shënohet. Një popull që nuk e njeh vetveten,
identitetin dhe aspiratat kombëtare, nuk mund të jetë plotësisht i lirë, i
qytetëruar dhe i vetëdijshëm për t’u përballur me sfidat e sotme e të nesërme,
për të dalluar miqtë nga armiqtë dhe për t’u integruar denjësisht e
kombëtarisht në bashkësinë e madhe demokratike. Popujt pa kujtesë dhe qartësi
historike, por edhe pa identitet e të ardhme kombëtare, janë të destinuar të
asimilohen e të treten. Vepra e shkruar nga Lush Culaj për prof. Ymer Berishën
është një kontribut plot përkushtim përballë harresës. Si për nga përmbajtja që
shtjellon, nga thellësia kohore që trajton si dhe mbarështimi i mbështetur në parimet e metodologjisë së punës
shkencore, ajo përbën një arritje të pakontestueshme, një vepër me vlerë
historike e kulturore të pamohueshme. I dendur me informacion, ky libër do të
shërbejë për të njohur bindjen, kontributin e rezistencën e atdhetarëve tonë
dhe personaliteteve të kohës që kontribuuan për çështjen kombëtare shqiptare.
Mendoj se ky libër do të zgjojë interesime shkencore te gjithë historianët që
vokacion e kanë historinë e re të Kosovës.
Prof. Ymer Berisha ishte atdhetar që nuk i përkiste
vetëm një vendi a krahine. Në shumë momente, biografia e tij përzihet me
biografitë shpirtërore të personaliteteve që u takojnë gjithë kohërave. Zëri i
tij dinte të jetë pranë të gjithëve. Vepra Ymer
Berisha, një mision i pa kryer, e Lush Culajt, e nxjerr në dritë këtë
dimension të Ymer Berishës, ndaj dhe na vjen si një dhuratë e këndshme që na
rinjeh me këtë figurë të çmuar. Vetë Culaj meriton përgëzime për veprën që ka
shkruar, pa pretenduar se do të zbardhë të gjitha detajet mbi këtë personalitet
që lirisht mund të quhej si kreu i lëvizjes nacionaliste shqiptare. Ymer Berisha u trajtua në kronologji, nga lindja shkollimi fillor, mbarimi
i Normales të Elbasanit, shkollimi universitar në Itali dhe krijimi i
intelektualit të mirëfilltë nacionalist dhe lufta e tij politike kombëtare. Monografia është një
dëshmi lufte e mbështetur
në programin nacional-demokratik
properëndimor të Ymer Berishës.
Për
studiuesin Culaj, hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Ymer Berishës nuk
mund të ishte i plotë pa shtjellimin e rrethanave shoqëroro-politike paraprake
qe i paraprinë aktivitetit nacional-demokrat. Ai i shtjellon rrethanat që
sollën formimin e këtyre organizatave kombëtare: ndodhi Mbledhja e Mukjes si
përpjekje për unifikuese për luftë kundër nazi-fashizmit, pastaj Lidhja e Dytë
e Prizrenit, Kuvendi i Bujanit, kryengritja e Shaban Polluzhës, ripushtimi i
Kosovës dhe Kuvendi i Prizrenit ku u vendos që Kosova të mbetet pjesë e
Jugosllavisë. Mendoj që këto pjesë e plotësojnë një mozaik të vogël të
historisë të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i ndihmojnë lexuesit që
ta kuptojë më mirë se pse dolën në skenë Ymer Berisha me bashkëmendimtarë dhe
bashkëluftëtarë me lëvizjet e tyre antifashiste dhe antikomuniste.
Duhet pasur parasysh se autori e ka
pasur mjaft të vështirë hulumtimin e
këti përsonaliteti, në radhë të parë pse në arkiva nuk ka dosje për të.
Përderisa për bashkëveprimtarët e tjerë, Marie Shllakun, Halim Spahinë Ukë
Sadikun, Gjon Serreqin etj. ka dosje nga zhvillimi i proceseve gjyqësore, Ymer
Berisha nuk ishte pjesë e gjykimit sepse ishte vrarë. Për të mund të nxirren
përfundime vetëm nga deklaratat e të tjerëve në proceset gjyqësore.
Prof. Culaj i ka studiuar me kujdes dosjet e procesit gjyqësor kundër Gjon
Serreçit, Halim Spahisë, Ukë Sadikut, Ajet Gërgurit, Marie Shllakut etj.,
në Arkivin e Kosovës në Prishtinë, të cilat na nxjerrin në pah tërthorazi edhe veprimtarinë dhe figurën e Ymer Berishës. Për
shembull, Gjon Serreçi gjatë hetuesisë
deklaron se të gjithë e kishin konsideruar Ymer Berishën si njeriun më të
rëndësishëm të lëvizjes çlirimtare. Kjo dosje na ofron të dhëna të rëndësishme
edhe për Kongresin e Lipovicës (Blinajës) ku profesori, në mungesë, u zgjodh
komandant i mbarë lëvizjes ilegale të shqiptarëve në Kosovë dhe në Trevat
Lindore (Maqedoninë e sotme të Veriut). Këto dokumente ishin materiali bazë për t’i ndriçuar
aspektet kryesore të qëndrimit të shtetit jugosllav ndaj shqiptarëve në vitet
në shqyrtim. Dokumentet hedhin dritë për funksionimin e këtyre organizatave dhe
qëndresën e personaliteteve të lartpërmendura edhe para proceseve gjyqësore që udhëheqëshin nga
bashkëkombasit e tyre si Ali Shukriu me shokë.
Për rrethanat politiko-shoqërore që ndërlidhen në një
formë apo tjetër me veprimtarinë e Ymer Berishës autori ka shfrytëzuar
dokumente arkivore edhe nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë të cilat japin hpeshherë informacione për
rrethanat. Ato u bënë material bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të
qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj çështjes kombëtare. Dokumentet janë dhënë
sipas zhvillimit të ngjarjeve, duke
na i përcjellë ato në shumicën e rasteve të plota, nganjëherë edhe me ndonjë
mangësi. Këtu përfshihen dokumentet e institucioneve të larta zyrtare, ato
diplomatike, si dhe letrat, raportet, telegramet e njoftimet e rastit të
personave të ndryshëm. Autori ka shfrytëzuar dokumente të panjohura deri me
tani nga Arkivi i Jugosllavisë në Beograd dhe Arkivi i Maqedonisë në Shkup, Arkivi i
Londrës etj. Dokumentet janë shumë me peshë dhe sjellin shumë risi për
aktivitetin e Ymer Berishës. Gjithashtu, është shfrytëzuar edhe shtypi i kohës,
studime të ndryshme që flasin për të dhe për ngjarje që ndërlidhen me këtë
personalitet, shkrime të botuara për Ymer Berishën etj. Nëpërmjet këtij dokumentacioni arkivor Culaj sjell
shumë risi të panjohura deri tani. E veçantë dhe me vlerë të jashtëzakonshme
është pasqyrimi i ditarit të Ymer Berishës i gjendur në Arkivin e
Beogradit. Prrzentimi i dokumenteve të CIAS- amerikane dhe vlerësimet e larta për profesorin, janë me shumë rendësi. Nga
të dhënat arkivore pasqyrohen për herë të parë edhe edhe pseudonimimet e disa
nga bashkëluftëtarëve të tij të afërm si, Besnik Kombëtari
(pseudonimi i Nue Perlleshit) BAÇI-pseudonimi i Xhafer Shehut, Valon Flamuri,
pseudonimi i Feriz Bojës, Belaja, pseudonimi i Alush Carrabregut, Kuptim
Vllaznimi, pseudonimi i Zeqir Lutanit etj. Me interes të veçantë është edhe paraqitja e
peticionit në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme
gjeneralit anglez Hadgson nga Ymer
Berisha. Aty synohej që Britaninisë së Madhe t’i ofrohej një pasqyrë reale mbi
vuajtjet e shqiptarëve. Ymer Berisha kishte lidhje të mira edhe me Muharrem
Bajraktarin përfaqësues i Monarkisë shqiptare në Shqipëri. Ky personalitet, i
njohur në popull si Bajraktari i Lumës, ishte ndër të parët që i shpalli luftë
okupatorit italian. Lidhjet ndërmjet organizatës
“Besa Kombëtare”, dhe misionit anglez, mbaheshin me sakrifica të mëdha. Ato
ruheshin kryesisht nëpërmes lidhjeve të ambasadave që ndodheshin në Shkup e në Tiranë.
Po të shikohet në korrelacionin kohor, pas Luftës së
Dytë Botërore, në Evropë nuk ekzistonte ndonjë lëvizje apo parti antikomuniste
më masive dhe më e organizuar se NDSH-ja. Brenda një kohe të shkurtër
NDSH-ja arriti t’i shtrijë degët e veta nëpër të gjitha territoret e Kosovës e
më gjerë, si kundërpeshë e ripushtimit. Kongresi i Lipovicës (Blinajës), punimet i filloi me
25 korrik 1946. Aty ndër të tjera u vëndos që forcat nacionaliste të quheshin: Ushtria popullore nacional-demokratike
shqiptare UPNDSH në malet e lira të Kosovës dhe Ymer Berisha emërohet Komandant
i UPNDSH-së dhe Kryetar i tërë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Me
siguri, që nuk qe rastësi zgjedhja e Ymer
Berishës si udhëheqësi suprem i gjithë nacionalizmës shqiptare ndonëse në
mungesë. Fatkeqësisht, shteti
komunist shqiptar ishte i interesuar po aq sa edhe shteti jugosllav për
eliminimin e Ymer Berishës. Bazuar në dokumentacionin arkivor që na ofron
studiuesi Culaj, Beqir Ndou i shkruante Koçi Xoxes me 14 korrik 1946: “Si mbas
hetimeve të sigurta OZNA në Kosmet ka gjet një veprimtari të madhe të
Inteligjence Services. Fytyra ma e njohur politike e reaksionit shqiptar në
Kosmet asht ish profesori Imer Berisha, i cili rron ilegalisht në krahinat e
Drenicës. Elementi i OZNES ju ka futur brenda në njesitin e tij. Shpresohët që
të vritët”. Ashtu edhe ndodhi.
Monografia
e Lush Culajt e sjell bindshëm e me kompetencë gjithë këtë histori.