Speciale » Basha
Sabile Basha: Çlirimi i Kosovës dhe kërkesat e ilegales shqiptare deri më 1999
E shtune, 06.07.2024, 07:58 PM
ÇLIRIMI I KOSOVËS DHE KËRKESAT E ILEGALES SHQIPTARE DERI MË 1999
Kumtesë
e mbajtur në konferencën shkencore “Kosova 1989-1999: Organizimi dhe qëndresa
për çlirim”
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Çështja
e Kosovës, e cila gjatë regjimit komunist paraqiste një problem “të zgjidhur”
nën hijen e propagandës jugosllave paraqiteshin se çështjet nacionale ishin
zgjidhur përfundimisht, por, në fillim të viteve të 90-ta nisën të kalojnë
kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe të marrinë dimensionin e një problemi, që
kërkonte involvimin e kancelarive botërore.
Interesimi
i shprehur nga bashkësia ndërkombëtare për çështjen e pazgjidhur shqiptare mund
të thuhej se kishte ndodhur menjëherë pas demonstratave studentore të vitit
1981 dhe dukshëm vjen në shprehje pas vitit 1989.
Natyrisht,
se të gjitha këto ngjarje patën jehonë pozitive edhe në Kosovë dhe tek
shqiptarët, që për një të drejtë të natyrshme historike ishin angazhuar që nga
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej. Por, kthesën më të madhe, Lëvizja
Ilegale Kombëtare Shqiptare e pëson më 1981 dhe e përfundon në fund shekull 20,
në kohën kur zë fill formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e tërë lufta
kurorëzohet me çlirimin e saj. Kjo edhe është periudha më e rëndësishme; është
përmbyllje kulminante e një lëvizjeje të gjatë ilegale në Kosovë dhe në trojet
tjera shqiptare të ish- Jugosllavisë.
Duhet
theksuar se, edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth
artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e
përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te
një strategji e përbashkët e veprimit. Organizatat ilegale që vepruan në këtë
periudhë, që të gjitha mund të thuhet se punonin në bazë të Programeve politike
dhe kishin Statutet e tyre. Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin
thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte
mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet konsistonin në atë se
si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e
ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin dogmat, por varësisht prej
rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të
dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të
Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione
si: 1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë; 2. Bashkimi i të
gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën 3.
Republika e Kosovës.
Që
të tri këto opsione të shtruara nga veprimtarët e ilegales të Lëvizjes
Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore, kishin edhe bartësit e vet ideor.
Opsionin e parë për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë në programin e saj e kishte
paraparë LNDSH, LRBSH, OMLK dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe
Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi.
Opsion
e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në
Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve
ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së.
Megjithatë,
veprimtaria dhe mendimi politik i shqiptarëve në Kosovë nuk u zhvillua
shlirshëm, si pasojë e statusit politik e juridik të popullit shqiptar në
Jugosllavi; si pasojë e pengesave që vinin nga represioni i madh nga Republika
e Serbisë dhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e cila nuk pranonte alternativë
tjetër të zhvillimit e të mendimit politik; si pasojë e gjendjes së vështirë
ekonomike, arsimore e kulturore dhe si pasojë e faktit se angazhimi politik për
Pavarësinë e Kosovës zhvillohej nga veprimtarët që vepronin në ilegalitet.
Opsioni
i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur
fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por si më e sforcuar u paraqit në
formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kjo kërkesë
ishte shtrua madje edhe në diskutimet publike që u bënë menjëherë pas rënies së
Rankoviqit. Këto biseda, sipas dokumenteve, dëshmojnë se janë zhvilluar
edhe mes të udhëheqësve të Kosovës me
udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve
në mes të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha
grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e
gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara
me shqiptarë. Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase
prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar me shtetin amë-Shqipërinë.
Prandaj, këtu edhe qëndron çelësi i zgjidhjes së problemit të quajtur Kosovë.
Andaj, ngjarjet në vijim hapën një kaptinë të re brenda kombit shqiptar, hapën
një proces të ri politik edhe për shtetin shqiptar.
Me
ngjarjet e viteve 1989 e këndej që pasuan në ish-Jugosllavi, me një mënyrë
filloi edhe dekompozimi i federatës jugosllave, ndërsa shqiptarët si andej e
këndej kufirit iu rikthyen qytetërimit të vet, pra bashkësisë së qytetërimit
evropian.
Mirëpo,
pas ndryshimeve të shumta politike që pasuan në mes viteve 89-99 të shekullit
të kaluar, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vepronin në
ilegalitet, por edhe ata që vepronin në parti të ndryshme politike legale që u
formuan gjatë kësaj periudhe, duke e par dhe hetuar ndikimin e faktorit të
brendshëm dhe të atij ndërkombëtarë, në qëndrimet e veta filluan të bënin
korrigjime në qasje dhe në organizim.
Programet
politike e kombëtare dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të
arriheshin qëllimet e saja, në esencë kishin mbetur të pandryshueshme gjatë
gjithë historisë së lëvizjes kombëtare. Por, forma më e lartë e rezistencës,
lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programeve, por edhe e praktikës
historike të lëvizjes kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe
gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë
kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët
subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e mëparshëm të lëvizjes ilegale,
nuk mund ta bënin këtë, në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar dhe
në rrethanat e luftës së ftohtë., që karakterizonte gjithë periudhën e pas
Luftës së Dytë Botërore, deri nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta, por as gjatë
të ashtuquajturës detantë, që e pasoi të parën. Megjithatë, lufta çlirimtare
përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të egra të dhunës që
ushtronte pushtuesi.
Ky
besim dhe ky angazhim i pa kursyer i ilegales dhe besimi i madh në popullin e
vet, ndikoi që të formohej edhe UÇK-ja, ngase çdo organizatë ilegale në ish
Jugosllavi, në programet e tyre, përveç zgjidhjes paqësore të çështjes
shqiptare ato parashihnin edhe zgjidhjen me luftë, andaj dalja në skenë e
UÇK-së nuk ishte e rastësishme dhe se ishte krahu më i natyrshëm i Lëvizjes
Kombëtare në Kosovë që nga viti 1945. Lufta e Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së,
dhe ndihma e madhe nga faktori ndërkombëtar që sollën lirin që ne sot e
gëzojmë, dëshmon dhe provon se ishte vepra më madhore e të gjithë
atdhetarëve që u angazhuan për
Pavarësinë e saj duke mos kursyer as jetën e tyre.
Ky
organizim i ri dhe kjo qasje e re politike e ushtarake me kohë kishte kaluar
barrierat ideologjike dhe nuk e shihte më veten pre të asnjë ideologjie. Bile,
për hir të interesave më madhore kombëtare, gati të gjithë ish të burgosurit
politikë në vitet e 89-99, me daljen nga burgu kishin aderuar në radhët e
LDK-së, e parti të tjera të formuara legalisht, vetëm e vetëm që të bënin
unitetin kombëtar edhe më të fuqishëm, por ka ndodhur edhe kjo se më vonë kur
po ata iu bashkonin radhëve të UÇK-së, paraprakisht deklaronin se nuk i takonin
asnjë partie, se për ta ekzistonte vetëm UÇK-ja si faktor politik e ushtarak i
Kosovës. Në këtë luftë dhe në këtë angazhim të veprimtarëve ilegal dhe të
shqiptarëve në përgjithësi i kishte ndihmuar dhe mbajtur gjakimi shekullor i
shumë gjeneratave që ishin flijuar për pavarësinë e tokave shqiptare.
Vetëm
kur të studiohet mirë e shkencërisht kjo periudhë do të kuptohet më mirë e më
drejt e tërë situata politike e ushtarake në të cilën kaloi Kosova.
Është
karakteristik se, në këtë kohë organizimi i lëvizjes ilegale kombëtare kishte
pësuar ndryshime të mëdha. Grupe të vogla që vepronin ilegalisht pas
demonstratave studentore të ’81 filluan të bashkohen dhe të formonin organizata
më të mëdha po që kryesisht vepronin në interes të zhvillimit të Kosovës dhe të
krijimit të kushteve të reja, qoftë në ngritjen e pozitës kushtetuese të saj,
qoftë për përmbushjen e idealit të ilegales-bashkim kombëtar.
Vitet
1991-1999, janë vitet më kulminante të Lëvizjes politiko-ushtarake në Kosovë,
dhe në historinë më të re të kombit tonë, me të drejt duhet të cilësohej si
periudha e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Dhe,
krejt në fund duhet thënë se rëndësia e kësaj politike dhe e kësaj lufte më
vonë kishte shënuar ngritje graduale pozitive, mund të thuhej që nga Rezoluta e Parlamentit Evropian (1989)
e deri te përkrahja e Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. Zgjidhja e
çështjes së Kosovës, e cila ishte edhe sfida e fundit e madhe që kishte mbetur
në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, respektivisht bërja e pavarësisë së
Kosovës mbi bazën e Planit të Ahtisarit, i cili përbën një zgjidhje kompromisi,
është një sprovë përfundimtare për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian,
të SHBA-ve dhe e Bashkësisë Ndërkombëtare në përgjithësi.