Speciale
Xhemaledin Salihu: Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Bashkim Kombëtar
E diele, 30.06.2024, 07:59 PM
KËRKESAT E SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS PËR BASHKIM KOMBËTAR- PËR SHQIPËRI ETNIKE
Shkruan
Xhemaledin SALIHU
Kryengritja e Dervish
Carës
Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin
rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë
dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional, për krijimin e
shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe
Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, pra Korridori 10, të
cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe
kontinente, Evropën me Azinë.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre
me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë
në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëve të
ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim e bashkim kombëtar.
Patrioti preshevar, Ibrahim Kelmendi thotë: “Një shtyllë e Kosovës
quhet Preshevë”, ndërsa historiani nga Nasalca, Dr. Shukri Rahimi
thotë:”Historia e popullit shqiptar është e pa ndarë, prandaj edhe, këto treva
i konsiderojë si të tilla, të ndara artificialisht.
Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e
Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër
viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilimit, gjatë robërisë së
huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme
të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm
për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos
gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek
XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që
u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj
ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone.”
Lugina e Preshevës qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir
që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së
Preshevës me Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër
në rajon. Shqiptarët e Luginës morën pjesë në të gjitha luftërat që i bëri
Mbretëria e Dardanisë kundër pushtuesve të ndryshëm.
Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën
sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e
vështirë nën sundimin turk otoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës
gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni
dhe Sheh Salihu, patrioti Sylejman Toli i Mëhallës së Tolëve nga Tërnoci, e
shumë patriotë të Luginës ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në
Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha
pushtetit otoman turk.
Kjo kryengritje e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nën
udhëheqjen e Dervish Carës, më vitin 1844, ishte kryengritje për Shqipëri
Etnike, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të
këtij rajoni dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
morën pjesë edhe delegatët e Kazasë së Preshevës: Sheh Maksut Efendiu, Osman
Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi.Sheh Maksut Efendiu u
zgjodh kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Kazanë e
Preshevës.
Pas Kongresit të Berlinit, më vitin 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri më vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.
Themelimi i Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd
Presheva,
asnjëherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë në etnikumin shqiptar, por
gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi si dhe pjesë e Lëvizjes Mbarëkombëtare.
Ajo mori pjesë në të gjitha proceset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Presheva
pati emra të njohur, personalitete të shquara, veprimtarë të dalluar të
Rezistencës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke filluar që nga Mbretëria
Dardane e deri në Luftën e UÇPMB-së.
Shqiptarët e Preshevës nën sundimin e Mbretërisë
Serbo-Kroate-Sllovene nuk i gëzuan të drejtat politike elementare qytetare dhe
kolektive. Ata nuk e patën të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, përdorimin
e gjuhës, flamurit si dhe kultivimin e kulturës kombëtare. Bile, edhepse
Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene nënshkroi Marrëveshjen e Sen Zhermenit, më 10 shtator
1919, për të drejtat qytetare dhe politike të pakicave kombëtare, ajo më vonë
kërkoi anulimin e kësaj Marrëveshjeje, sepse nuk i përmbushi obligimet që dalin
nga Marrëveshja.
Kështu, Shqiptarët e Preshevës qenë të detyruat të
vazhdojnë luftën për të drejtat kombëtare edhe pas viteve të 30-ta të shekullit
XX. Pra, në të gjitha trojet shqiptare filloi një lëvizje kombëtare,
gjegjësisht e inicuar nga studentët shqiptarë që studionin në Univesitetin e
Beogradit. Pra, në mars të vitit 1935, në Beograd, u themelua Organizata Studentore Shqiptare
“BESA”.
Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e ndihmoi Sekretari i
Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Shermet Xherxhuli. Me ndihmën e tij,
filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky diplomat
shqiptar në fillim arriti të anëtarësoj 12 studentë nga Kosova dhe Shqipëria
Lindore. Ky diplomat shqiptar organizatën “Besa” e organizoi pastër në
baza kombëtare. Kjo organizatë politike, kishte për detyrë ngritjen e vetëdijes
kombëtare te popullata shqiptare, në luftë kundër regjimit të egër jugosllav.
Nismëtarët
e themelimit të kësaj organizate ishin: Tahir Ismaili, Jahja Osmani nga
Kumanova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi nga Presheva, Sokol
Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova,
Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e Malishevës, Ibrahim Lutfiu
nga Prizreni etj., që të gjithë studentë në Universitetin e Beogradit.
Parimet
kryesore të Organizatës Studentore Shqiptare “BESA” ishin:
“1.
Veprimtaria themelore në zgjimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët.
2.
Bashkëpunimi politik me popujt tjerë të robëruar apo të pakënaqur nga regjimi i
atëhershëm jugosllav.
3.
Fshehtësia e domosdoshme dhe veprimtaria gojore.
4.Betimi i detyrueshëm dhe asnjë dokument i shkruar për veprimtarinë e organizatës.”
Veprimtaria e Organizatës Studentore “Besa”, së shpejti shtrihet në disa qendra të mëdha shqiptare, posaçërisht në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, ku kontribut të çmueshëm për këtë do të japin përfaqësuesit e konsullatës shqiptare në Shkup: Rexhep Stablea dhe Sylejman Ashkiu.
Takimet,
zakonisht mbaheshin në kafenenë “Bojali Han” në Shkup, të pronarit Hasan
Shukriu. Ky lokal, më vonë do të
shndërrohet në qendër të rezistencës shqiptare, për të drejtat e Shqiptarëve,
kundër politikës hegjemoniste serbe.
Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve
shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi i tyre me
shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë, sipas
programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin idenë për
bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav
dhe t’i bashkëngjiten Shqipërisë.
Programi politik i organizatës “Besa”,
të Beogradit :
“1. Përhapja
e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por
janë shqiptarë.
2. Çdo anëtar
e kishte për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte
për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe Luginën e
Vardarit.
3. Ti jepet
rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare.
4. Kërkohej
një regjistrim i plotë i popullatës shqiptare, që struktura e saj të jetë më
bindëse para diplomacisë evropiane.
5. Kërkohej që turqit të
deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.”
Organizata
Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd brenda udhëheqjes së saj kishte dy
rryma, dy drejtime: drejtimi djathtist,
e cili synonte dhe angazhohej që trojet shqiptare t’i bashkangjiten Shqipërisë
Etnike, ishte më radikal dhe nuk
pranonte bashkëpunim me studentët serbë.
Të gjitha takimet e Organizatës “Besa” mbaheshin në klubin “Kosova” në Beograd.
Lëvizja kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar/LKpÇK/
Më 19 prill 1941, në lokalet e Bojali Hanit në Shkup, u mbajt
Konferenca e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim /LKpÇB/,
ku morën pjesë: Shaban Jashari, Aqif Tetova nga Gjilani, Shaip Mustafa nga
Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdullah Haxhi Veliu nga Presheva, Hafëz
Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, me vendbanim në Shkup
dhe Idriz Ymer-Cërcëri nga Tetova.
Në Konferencë është diskutuar për tri pika të rendit të ditës:
1.Informatë nga të pranishmit për gjendjen në territoret shqiptare, pas vendosjes së ushtrisë
bullgare,
2.Themelimi i Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me
Shqipërinë dhe
3. Formimi i një delegacioni, i cili menjëherë do të udhëtojë për
Tetovë, Gostivar, Dibër, Tiranë dhe qendra të tjera shqiptare me qëllim të
informimit reciprok për situatën e përgjithshme shqiptare.
Konferenca për shkaqe sigurie zgjati dy ditë. Në fund të saj
pjesëmarrësit sollën vendimet si më
poshtë:
1.U themelua LKpÇB, e cila në të ardhmen do të angazhohet që
krahinat shqiptare të pushtuara nga okupatori bullgar, siç ishin Shkupi,
Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike,
2.Me qëllim të informimit sa më të gjerë, nga pjesëmarrësit e kësaj Konference u formua delegacioni, i cili do të udhëtonte për Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Tiranë, ku do të bisedonte me autoritetet e atjeshme shqiptare, përfshirë këtu edhe me krerët e qeverisë së Shqipërisë. Delegacionin e udhëheq Shaban Jashari, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Abdullah Saqipi-Presheva dhe Aqif Tetova.
Situata politike në Preshevë, më 1948 dhe kërkesa e shqiptarëve për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë
Presheva,
gjithmonë mori pjesë në Lëvizjet politike, kulturore e patriotike
mbarëkombëtare. Andaj, për ta shqyrtuar situatën politike në Preshevë e rajon
gjatë vitit 1948 dhe lindjen e kërkesës së Shqiptarëve të Preshevës për bashkim
me Kosovën dhe Shqipërinë, së pari duhet të shkruajmë për situatën politike në
ish_Jugosllavinë socialiste dhe më gjërë në botë.
Situata
politike në Preshevë e rajon ndërronte sipas situatës politike në botë dhe në
ish Jugosllavinë socialiste. Themelimi i Inforbyrosë komuniste ishte vazhdim i
Kominternesë, e cila u shua më 1943. Inforbyro u themelua si baraspeshë e botës
perëndimore-demokratike. Blloku socialist kërkonte mënyra se si përsëri të
bashkojë botën socialiste.
Inforbyroa
komuniste pati 3 etapa : etapa e parë : 1947-1948 ishte etapë e përforcimit të
shteteve socialiste, e dyta: 1947-1953 ishte etapa kur Informyro e luftoi PKJ,
e cila nuk hyri në këtë aleancë dhe e treta : 1953-1956 etapa e shkatërrimit të
Inforbyrosë.
Në
këtë aleancë hyri Shqipëria sëbashku me shtetet të tjera socialiste, ndërsa
jashtë saj mbeti Jugosllavia. Për këtë arsye Inforbyroa komuniste në Bukuresht
më 1948 nxorri Rezolutën e Inforbyrosë, e cila më shumë ishte drejtuar kundër
Jugosllavisë socialiste.
Askush
nga anëtarët e PKJ në Preshevë haptas nuk ishin deklaruar kundër kësaj
Rezolute, as në mbledhjet partiake, as
jashtë tyre, por në mënyrë të
mësheftë kundër saj deklaroshin pos të tjerëve edhe disa anëtarë të PKJ me
përkatësi nacionale shqiptare dhe në masë të duhur edhe popullata shqiptare e
Preshevës.
Më
pas në materialet partiake të gjetura në arkivin e Beogradit dhe të
Vranjës thuhet se “elementët armiqësore”
shfrytëzuan rezolutën e Inforbyrosë në një kampanjë të fëlliqur për ta akuzuar
PKJ për nxitjen e shovinizmit ndaj Shqipërisë dhe kundër Shqiptarëve. Pastaj se
Jugoslavia ka mbetur e vetme dhe se regjimi i tashëm do të dështojë. Ndërsa
elementi reaksionar shqiptar agjiton se si ky rajon duhet t’i bashkangjitet
Shqipërisë sëbashku me Kosovën.
Më
tej në material partiak thuhet se u zbulua se këto elemente mblidhnin
nënshkrime të qytetarëve të vendbanimeve të Preshevës për bashkim me
Shqipërinë.Pra në këtë kohë lindi idea e bashkimit të Preshevës me Kosovën e
Shqipërinë.
Material nga Arkivi Historik i Vranjës
Ali Aliu nga Presheva thotë : “Ka qenë “interesante”se kush rrallë nga shqiptarët në atë kohë i ka mbajtur anën Jugosllavisë apo palës kundërshtare të Inforbyrosë. Të gjithë Shqiptarët, sidomos të rinjve studentë dhimbshëm u rëndonte në shpirt kjo situatë konfliktuale, duke ditur se ç’kishte ndodhur më parë me popullin e tyre dhe duke menduar çka do të sillte e ardhmja. Në një bisedë me Kadri Halimin dhe Fran Berishën erdhëm në përfundim se duhet ta përcjellim me kujdes zhvillimin e ngjarjeve për të ditur në kohë të caktuar çka duhet ndërmarrë për hir të çështjes kombëtare”