Speciale
Dorian Koçi: Nacionalizmi i Lidhjes së Prizrenit
E hene, 10.06.2024, 07:57 PM
Nacionalizmi i Lidhjes së Prizrenit
Nga
Dorian Koçi
Pothuajse
në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit
mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar
nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të
Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin
se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se
procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm. Ky
konstatim sigurisht që mbulon një pjesë të madhe të së vërtetës por duhen
nënvizuar disa aspekte që meritojnë vëmendje, të cilat përpiqen që nacionalizmin
dhe zgjimin kulturor te shqiptarët ta shtyjnë përtej datës së dërgimit të
letrës së Naum Veqilharxhit, nipit të vet Jani Cales, datë dhe letër që
përgjithësisht nga historiografia zyrtare shqiptare mbahen si datat e fillimeve
të zgjimit kulturor të tyre dhe vitit 1878, vitit emblematik të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit që mbahet si viti i shprehjes së nacionalizmit shqiptar.
Kështu
p.sh studiuesi Dritan Egro në artikullin e vet “Rrënjët e Nacionalizmit
Shqiptar” duke u nisur nga një ngjarje e shënuar e afirmimit të kombësisë
shqiptare si ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nënvizon faktin se zhvillimet
politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah
një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit
shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i
kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet
atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston
dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra,
gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për
të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Pikërisht kjo ndarje
midis mendimit dhe veprimit besoj se është thelbësore për të trajtuar fillesat
e nacionalizmit shqiptar, parë kjo dhe në një rrafsh krahasues sidomos me
zhvillimet e Revolucionit Grek, si revolucion që tronditi gjithë botën
Ballkanike.
Pas
këtij zhvillimi të vrullshëm që po kalonin territoret greke që po fitonin
pavarësinë prej Perandorisë Otomane, natyrshëm shtrohet pyetja se në se
statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik,
është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një
formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata
i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar
veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më
tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. Është logjike të
mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën,
madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët.Të njësosh
mendimin me aksionin politik si bëjnë disa studiues të huaj që kanë studiuar
nacional shqiptar si Nathalie Clayer dhe Nura Bozbora përkatësisht në veprat
“Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane
në Evropë” dhe “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane”
është njëlloj si të thuash se nacionalizmi në Greqi lindi në vitin 1821 dhe të
përjashtosh një periudhë disa vjeçare para kësaj date që e analizuam më lart.
Një
mendim interesant ka shprehur dhe studiuesi e publicisti Tajar Zavalani në
artikullin e tij “Nacionalizmi shqiptar” (1969). Është interesant fakti që
Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen
kërkuar në periudhën e pashallëqeve. Gjithsesi deri më tash nuk ka akoma fakte
bindëse për të mbrojtur këtë tezë dhe ndoshta një studim më i thelluar i
dokumentacionit edhe në gjuhët osmanishte, greqishte sllavishte do të hidhte më
shumë dritë mbi këto çështje të debatuara si p.sh dokumenti që përmend Egro në
artikullin e vet të shkruar nga gjyshi i Ismail Qemal Vlorës. Interesant në
këtë letër është fakti që përveçse fjalisë të “mblidhemi për të diskutuar rreth
avenirit të vendit tonë” fill pas zhvillimeve të konfliktit të zgjatur
greko-otoman, është dhe përdorimi i
termit vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të
Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument
përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të
parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë
semantik.Ekzistenca e këtij dokumenti, i shkruar nga një përfaqësues i denjë i
elitës shqiptare myslimane të kohës hedh dritë dhe mund të fillojë të
dekonstruktojë një klishe që është
vërejtur në studimet rreth nacionalizmit të shqiptarëve , ku zakonisht zgjimi
kombëtar dhe kulturor është parë më së
pari në pjesët e popullsisë shqiptare që i kanë përkitur besimeve kristiane dhe
më vonë në ato që i përkisnin besimit islam. Kjo tendencë për ta parë zgjimin
kulturor dhe aksionet politike të shqiptarëve në këtë lloj mënyre shpesh herë ka
theksuar partikularizmin e ndjenjës nacionale dhe identitetit kombëtar të
popullsisë shqiptare sesa unitetin shpirtëror që mesa duket zotëronte kjo
popullsi, përderisa në fillimet e shekullit të XX mundi të krijonte shtetin e
vet kombëtar të bazuar në modelin e shtetit komb dhe të inspiruar nga
nacionalizmi.
Para
rendësja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit,
kuvendi në të cilin nacionalizmi shqiptar u shpreh në një formë të pjekur e të
maturuar, me kërkesa të qarta për autonomi dhe zhvillim kombëtar. Në
politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është
shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën
aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për
shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është
gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si
ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje
institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e
rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në
rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit
shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë
përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron
rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e
themelimit të saj.
Lidhja
Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një
krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët
shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në
kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm
shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun
dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur
shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një
histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive
të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë
territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i
suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu
bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të
padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me
këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu,
shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si
parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon
dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e
historisë nuk duhej nënvlerësuar.
Burimet:
1-Natalie Clayer. Në
fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në
Evropë. Përpjekja:Tirana, 2009
2-Historia e Popullit
Shqiptar.Vëllimi i II. Toena:2002
3-Myslim Islami. Jeta e
Naum Veqilharxhit. Shtëpia botuese 8 Nëntori: Tiranë. 1978
4-Tajar Zavalani,
Histori e Shqipnis, Botim II, Phoenix, Tirane, 1998
5- Nura Bozbora.
Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane. Dituria: Tiranë,
2002
6- Dritan Egro “Rrënjët
e nacionalizmit shqiptar” Gazeta Panorama, 5.03.2009