Kulturë
Prend Buzhala: Një shtrirje e pasur e përvojave artistike e njerëzore
E shtune, 08.06.2024, 06:53 PM
NJË SHTRIRJE E PASUR E PËRVOJAVE ARTISTIKE E NJERËZORE
(Llesh
Ndoj, "Lindjen mbaj në gji", poezi, 2024)
Nga Prend BUZHALA
Sado që vargjet e vëllimit poetik "Lindjen mbaj në
gji" të Llesh Ndojt ngërthejnë thënien racionale të vargut; megjithatë
poezia ngërthen edhe një dimension tjetër, jashtë logjikës së thënies, përmasën
delikate të vetëdijes, një hapësirë ku ndjesitë shndërrohen në fjalë. Libri
është strukturuar në katër pjesë a cikle. Secili cikël ka emërtesën me një varg
poetik dhe që shënjon edhe boshtet tematike të tyre. Kështu, cikli i parë
emërtohet me vargun aforistik "Dashuria është e verbër, por sytë e saj
të shpirtit pikturojnë botën e së nesërmes" e që përfshijnë lirikat e
dashurisë. I dyti shënjohet me thënien "Atdheu nuk mund të jetë “lopa
plle”, veç me e mjelë! Përpara se të jap, ai kërkon të ushqehet me dashurinë
tënde" e që mbajnë ligjërimet poetike për atdhesinë. I treti "Besimtar
nuk mund të jetë ai që falet gjithë ditën në kishë, a xhami e natën del e vjedh, vret e pret! Besimtar është ai që
kishën e xhaminë i ngrit në shpirt!" janë lirika të përshpirtshme,
kurse i katërti "Ndoshta asgjë s’mund të zgjedhësh në jetë, por ta
jetosh atë me ndershmëri, varet vetëm nga ti" me lirika
refleksive e të aktualitetit shoqëror, etik e historik. Gërshetimi i këtyre
temave të ndryshme, sjell një shtrirje të pasur të përvojave artistike e
njerëzore, duke krijuar një libër të pëlqyeshëm për t’u lexuar dhe për ta
shijuar poezinë në të gjitha format e saj të ndryshme.
Nëpërmjet poezive të dashurisë, poezive atdhetare, të
përshpirtshme dhe lirikave biografike e refleksive, lexuesi njihet me një gamë
të gjerë të figurave, ideve, emocioneve, mendimeve dhe përvojave njerëzore. Në
këtë mënyrë, lexuesi identifikohet me ndjenjat e dashurisë, të frymëzimit kombëtar,
të reflektimit shpirtëror dhe të reflektimit mbi jetën. Poezia, në të gjitha
format e saj, është një mjet i fuqishëm për ta shprehur dhe për ta kuptuar
botën rreth nesh, duke na dhënë një perspektivë të thellë mbi përvojat dhe
emocionet njerëzore. Krijimi poetik ka prirjen për të nxitur ndjenja të forta
tek lexuesi dhe për të krijuar një lidhje të ngushtë midis shkrimtarit dhe
lexuesit. Ajo ofron një hapësirë ku lexuesi arrin të identifikohet, të
reflektojë dhe të qëmtojë mendimet dhe emocionet e tij nëpërmjet fjalëve dhe
imazheve poetike. Nëpërmjet poezisë ne shohim botën në një dritë të re, i
kuptojmë thellësisht përvojat tona personale dhe i ndajmë njëkohësisht me një
përvojë të përbashkët njerëzore.
Edhe te ky vëllim poetik, poezia është një trajtë
efektive për të shprehur emocione të vështira dhe komplekse, me gamën e gjerë
të ndjenjave njerëzore. Poezitë përmbajnë emocione të ndryshme si dashuria,
trishtimi, gëzimi, ankthi, dhimbja, dhe shumë të tjera, dhe ato japin shprehje
të ndjeshme dhe të thella të këtyre emocioneve nëpërmjet fjalëve dhe imazheve
poetike. Po ky libër ka botën e vet të reagimeve ndaj kohës dhe hapësirës ku
jeton e vepron autori. Është një gjuhë intime, sepse kërkon të zbulojë thelbin
e unit poetik dhe të objektit poetik me të cilin shprehet dhe këtë e bën me
fjalë e asociacione të konceptuara dhe të njohura vetëm nga poeti.
1. Poezia dhe koha
Nuk është thënë më kot, prandaj, se poetët dhe adhuruesit
e poezisë janë shpirtra të ndjeshëm. Po qe se lexuesi Tjetër, dhe poeti Tjetër,
që nuk e kanë këtë përmasë për ndjeshmërinë e lirikës, do ta kenë të mbyllur
atë kalim magjik, nëpër të cilin lëviz poezia, dhe të tillët i ndrydhin
emocionet e tyre.
E kam ndalur kohën
n’vargje t’poezisë,
Ndezur brenda meje
prej hireve t’bukurisë.
Poezia "E ndala kohën" e paraqet këtë kohë si
diçka që ndalohet për t'i përjetuar momentet më të bukura të dashurisë. E, vetvetiu, dashura dhe poezia për të, janë
emocion. Poeti e përshkruan një çast t të ndaluar në kohë, kur ai është i
zhytur në mrekullinë e dashurisë së tij. Imazhet e natyrës dhe bota emocionale,
janë pjesë e një përjetimi të thellë dhe intim. Metafora e ndalimit të kohës në
këtë poezi përdoret për përshkrimin e një momenti të veçantë dhe të përjetshëm
të dashurisë dhe emocioneve. Koha është një koncept i abstraktuar që përshkruan
rrjedhën e saj dhe kalimin e momenteve. Ndërkohë, ndalimi i kohës është një
metaforë për një çast të tillë të jashtëzakonshëm dhe të çuditshëm, ku ndjenjat
dhe emocionet janë të ndjekura përjetësisht. Ky ndalim i kohës simbolizon
përjetësinë e ndjenjave dhe një çast të pashlyeshëm të lumturisë dhe dashurisë.
Koha nuk vazhdon të kalojë, por është kapur në një pikë të caktuar, duke e bërë
këtë çast të qëndrueshëm dhe të pashlyeshëm për autorin. Kjo metaforë përshkruan
forcën e ndjenjave të përjetshme dhe fuqinë e tyre për t'i kapur dhe mbajtur në
mënyrë të pashlyeshme momentet e lumturisë dhe dashurisë.
E bukuria është femër
njëjtë dhe poezia,
Ndezur ta mbajnë ndjenjën
s’u ikën kurrë shija!
Poezia ka një strukturë të përafërt të ndarë në strofa,
dhe ka një rrjedhë të qartë mendimesh dhe ndjenjash nëpër to. Në strofën e parë
poeti fillon me një përshkrim të një momenti të qetë dhe të thellë të ndaluar
në kohë, duke përdorur metafora nga natyra për t'i përshkruar ndjenjat e thella
të dashurisë dhe qetësisë. Strofat 2 dhe 3 vazhdojnë temën e ndalimit të kohës
(si kohë eternale) në ndjenjat e dashurisë, duke përdorur simbole dhe metafora
të tjera për ta përshkruar më tej thellësinë dhe intensitetin e kësaj ndjenje.
Strofat 4 dhe 5:paraqesin ndjesitë tjera të tij në lidhje me virgjërinë dhe
fuqinë e këtyre ndjesive të qëndrueshme në kohë. Ai përdor figura mitologjike
për ta përforcuar këtë ide të një ndjenje që ndalon kohën dhe qëndron
përjetësisht. Strofat 6 dhe 7 përfundojnë poezinë duke theksuar lidhjen midis
bukurisë dhe poezisë me dashurinë, duke i shqiptuar ato si të pandryshueshme
dhe të përjetshme, ndërsa koha ndalohet në këtë moment të bukurisë dhe
dashurisë së përjetshme.
Përdorimi i metaforës ku bukuria dhe poezia krahasohen me
një femër, tregon fuqinë dhe ndjeshmërinë e tyre të ngjashme. Ndërkaq, poetit i
bëjnë përshtypje se këto fuqi janë të njëjtat në përjetësi, duke e mbajtur
ndjenjën e dashurisë së shijuar përjetësisht, pa humbur kurrë magjinë dhe kuptimin
e saj. E përfundon poezinë në një notë
të qëndrueshme dhe të mahnitshme për fuqinë e dashurisë dhe poezisë për t'i
kapur momentet e shenjta që përjetohen në jetë. Poet merr shenja biografemash e
shenja toponimike të vendlindjes:
Ajo s’ndryshoi kurrë
I tha kohës “ndal”!
E mua më përkund
në hovin djaloshar.
Janë vargje shtojnë një ndjesi të veçantë të përjetimit
të kohës së ndaluar në një moment të bukurisë dhe dashurisë. Autori ka prirje
të kthehet në kujtesën e tij tek momentet e përjetuara, duke iu referuar Pyllit
të Gështenjave dhe Hurdhës së Zezë, dy vende të vendlindjes që përfaqësojnë
bukurinë dhe ndjenjat e thella. Ky reflektim thekson qëndrueshmërinë dhe
përjetësinë e ndjenjave të tij, duke treguar se pavarësisht kalimit të kohës,
kujtimet dhe ndjenjat mbeten të pandryshueshme. Më tutje, zhdrivillohet
poetikisht raporti me legjendat e përrallat:
E kam ndalur kohën
n’virgjërinë e ndjenjës,
Me Hirushen e prrallës
e Gzhetën e rrëfenjës.
Kjo pjesë e poezisë përdor figura mitologjike për t’a
përforcuar idenë e një momenti të veçantë dhe të përjetshëm të ndaluar në kohë.
Hirushja është një personazh i njohur në folklorin shqiptar, që konsiderohet si
simbol i bukurisë dhe magjisë. Në këtë kontekst, poeti e përdor Hirushen si një
simbol të fuqisë së përjetshme të dashurisë dhe ndjenjave të thella. Gzheta,
një tjetër personazh nga folklori, ka qenë e lidhur me histori të mbretërve dhe
heroinave, duke përfaqësuar një ndjenjë të rrëfenjës dhe të thellësisë së
ndjenjave. Ky përdorim i legjendave dhe përrallave, shërben për ta theksuar
përmasën e madhe dhe të rëndësinë e ndjenjave të përjetshme të dashurisë dhe
për të krijuar një atmosferë më magjepsëse dhe misterioze për momentin e
ndaluar në kohë.
2. Poezia dhe dashuria
Të tilla janë poezia dhe dashuria përgjatë këtij vëllimi
poetik. Përgjithësisht, te ky vëllim, poezia përfaqëson pikën e takimit mes
fjalëve dhe ndjenjave. Bota emocionale përplaset me dridhma përmes rrezatimit
figurativ e refleksiv të fjalëve. Në dobi edhe të thënies së qartë (racionale)
edhe të botës së pasur emocionale, shkon edhe komunikimi i sinqertë i këtyre
poezive.
Te lirikat e dashurisë shprehja "Dashuria është e
verbër, por sytë e saj të shpirtit pikturojnë botën e së nesërmes" sugjeron
një aspekt të ndryshëm të dashurisë, duke e krahasuar atë me një perceptim të
thellë të botës dhe të së të së ardhmes. Në një nivel të hollësishëm, shprehja
sugjeron se dashuria është e paqartë dhe e paqëndrueshme, si një gjendje që nuk
mund të shihet ose të perceptohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë,
ndjenjat dhe shpirti i qenes që dashuron, shohin përtej pamjes së jashtme dhe e
perceptojnë një botë të ndryshme, një botë të së ardhmes, e cila është e
pikturuar në forma të ndryshme nga sytë e thellë të shpirtit. Shpreh idenë se
dashuria është një forcë kreative, e cila ndryshon dhe e pikturon botën në
trajta të reja dhe të paparashikueshme, duke sjellë një perspektivë të re për
të ardhmen.
Kur poeti e nis motivin e tillë me poezinë "Zemreku
i kësaj bote", ai e bën lidhjen e natyrës me dashurinë dhe emocionet,
ashtu siç e bëri këtë lidhje mes poezisë, kohës, bukurisë e dashurisë. Këtu
jepet një pamje që shfaq rëndësinë e ndjenjave në një kontekst të frymëzuar nga
natyra dhe qielli. Vargjet e para paraqesin një moment të bukur të puthjes së
dy yjeve në qiellin e kaltër, që ndez sytë e të gjithëve që e shohin. Kjo pamje
e bukur shkakton ndjesi të pëlqyeshme edhe te ata që nuk mund të shohin. Mandej
këmbehet një çast i trishtë, kur dy yjet ndahen dhe bie shi, që shkakton lotët
në sy të tyre. Është një reflektim i rëndësisë së lidhjeve dhe humbjes në jetën
tonë. Poezia përfundon me një afishim të fortë për rëndësinë e dashurisë, e
cila shihet si një forcë hyjnore dhe e cila bën që koha të ndalojë dhe tregohet
si dëshmi e qenies sonë.
Më tutje, tek poezitë tjera, lexojmë larushi ndjesish dhe
të mungesës (poezia "Për pak vlagë"), ndaljes së kohës në një mënyrë
intime dhe emocionuese, gjithnjë me një gamë të gjerë emocionesh dhe
reflektimesh nëpërmjet imazheve të bukura dhe të ndjeshme. Ndërsa dashuria lind
dhe bien e vyshket, ajo nuk vdes kurrë ("Vyshket, nuk vdes…"), ajo
është një përjetim i mrekullueshëm dhe intim që shkakton ndjenja të forta të
lumturisë dhe dashurisë për natyrën dhe për njëri-tjetrin, në një moment të
mëngjesit kur dielli shkëlqen dhe ngroh zemrën e folësit lirik ("Përqafuar
me diellin"); apo kur poezia shpreh një dashuri të thellë dhe të
qëndrueshme për një person të veçantë ("Asaj…"):
Kur unë flas për jetën
të kam parasyshë ty
Janë vargje ku qenia e dashur është thjerrëza e
qëndrueshme e jetës së poetit dhe rri në qendër të mendimeve dhe ndjenjave të
tij.
Mes mijëra portretesh
vizatuar ngjyra shumë,
Ti më mbete e vetmja
që më ngjanë, si “unë!
Vajza e dashur është ajo që përputhet më mirë me të dhe
është e vetmja që ai e ndjen si "vetveten". Poezia e krahason të
dashurën me një vepër arti të madhe siç është "Monaliza", duke e
përshkruar si diçka tejet të çmuar dhe të pashlyeshme në jetën e tij. Ndërkaq,
një gamë të gjerë emocionesh dhe përjetimesh hasim te poezia "Këngëtar pa
zë", me një përjetim të pashpjegueshëm të dashurisë, duke e krahasuar atë
me një këngë të bukur që këndon pa fjalë dhe pa zë. Ky përshkrim tregon
intensitetin e ndjenjave të tij për të dashurën. Poezitë tjera, si
"Bijë…", "Ninulla e dyfishtë", vijnë me përjetime të qeta
dhe të mahnitshme në mes të natyrës e vajzave, ashtu siç na shfaqet një
perceptim i bukur i dashurisë dhe frymëzimit te poezia "Oazë
dashtnie". Te poezitë "Bosh bota pa ty!", "Në mes vetëtima",
"Ah marak, marak", "Ëndërr e pabesë", "Ç’ka me t'
thanë…", "Breshta e harlisur", "Etje", "Ç’është
koha?!" etj. së bashku me ndjesitë e thella të humbjes dhe mungesës së
qenies së dashur, një bote si një vend bosh dhe të errët pa praninë e saj; vijnë
përjetime të fshehta dhe të ndjeshme në mes të natyrës dhe shpirtit njerëzor,
si një vetëtimë e mistershme që ndryshon dinamikën e mendimeve dhe ndjenjave;
vijnë përjetime të frustrimit dhe lodhjes nga një situatë e vështirë, me
nevojën për një ndryshim dhe për t'u larguar nga e keqja që e ka rrethuar;
përplaset me një përjetim të ndjenjave të thella dhe të mahnitshme në një
ëndërr të papërshkueshme, me përjetimet e një gjendjeje të shenjtë dhe të
fshehtë, duke e krahasuar atë me një dhëndër të bukur; shpreh ndjenjat e tij të
ngrohta dhe të ndjeshme për një moment të mrekullueshëm me një flutur; shfaqet
një përjetim i thellë i bukurisë dhe mahnitjes së natyrës; përsëritet ndjenja e
thellë e etjes dhe mungesës për qenien e dashur dhe, më në fund, përsëri reflekton
për kohën dhe jetën. Krahasimi me një det të trazuar me dallgë i përjetimit të
thellë të dashurisë bëhet te poezia "Dallg't e dashtnisë", e ku poeti
reflekton se këto ndjesi janë instinkte të lashta që i japin kuptim jetës sonë.
Janë të shumta poezitë ku bëhen përqasjet e dashurisë me natyrën dhe ku
shqiptohet dëshira për të qenë pranë të dashurës në çdo moment të jetës apo të
ndjesive të humbjes. Nga ana tjetër, e thekson edhe ndikimin e dashurisë në
jetën e tij ("Një pse në menu"), por e thekson edhe rëndësinë e
pyetjes "Pse?", si një mënyrë për ta kuptuar më mirë këtë ndjenjë të
thellë. Përplotësohet ky kuadër i pasur erotik e dashuror me konceptin e
dashurisë dhe përpjekjen për ta kuptuar atë (poezia "Ç'është
dashuria?"), Poeti reflekton mbi shumë definime të dashurisë dhe për
ndjenjat që e shoqërojnë atë, duke arritur në konkluzionin se ajo është diçka
që nuk mund të përkufizohet, por ndihet thellë në shpirt dhe shpërthen në një
gjendje çmendurie dhe lumturie. Këto poezi përcjelln një gamë të gjerë të
emocioneve dhe përvojave të lidhura me dashurinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe
shprehin një dëshirë të thellë për lidhje të përjetshme, për njohjen dhe
kuptimin e ndjenjave të tilla, si dhe një dëshirë të vazhdueshme për ta shfaqur
dhe përjetuar dashurinë në forma të ndryshme.
Ti je muza që më ngacmon
Je panorama më e bukur...
thotë te poezia "Lindjen mbaj në gji" e ku e
dashura përshkruhet si burim i frymës dhe inspirimit të poetit. Dëshirën për të
ndarë momente të bukura me të dashurën dhe për të qenë bashkë përjetë, e
shqipton te vargjet:
Dhuroma një çast!
Të embël si ti,
N’kalendar shtuar
Me emrin dashtni!
Një tjetër gamë të pasur ndjesish vjen me ato të
ëndrrave, dëshirave dhe ndjenjave të përcjelljes në aspekte të ndryshme.
Lexohet një dilemë për ta kuptuar pse dashuria shpesh përjetohet si një moment
i përkohshëm ("Pse një ditë?"), apo përjetimi i dashurisë si një
nevojë themelore për jetën dhe ekzistencën e njeriut ("E dashur"), me
shenjat e një dashurie të thellë dhe të qëndrueshme që përforcon reciprocitetin
dhe ndjenjën e kuptimit të njëri-tjetrit. Shprehja e ëndrrave dhe dëshirave për
një dashuri ideale, duke përdorur metafora nga bota e princërve dhe princeshave
("Princesha ime"), shqiptohet me ndjenjat e adhurimit dhe përkushtimit
ndaj të dashurës, si një entitet i çmuar dhe i padiskutueshëm, së bashku me
ndjenjat e ndarjes dhe frikës se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, duke
paraqitur dilemat dhe sfidat e një marrëdhënieje të tillë. Ndjenja e qetësisë
dhe mbrojtjes që jep dashuria, duke paraqitur të dashurën si një shtëpi ku
gjejmë strehim dhe siguri, paraqitet bukur te poezia "Liman i
qetësisë". Nevoja për të komunikuar dhe për të shprehur ndjenjat e thella
emocionale përmes fjalëve dhe gjesteve të përzemërta, është një ndër elementët
që përfshihen në rrezatimet kuptimore të kësaj poezie. Disa elementë të tjerë i
hasim brenda një poezie, si te "Pranë dhe larg": kontrasti midis
pranisë dhe largimit nga personi i dashur, përjetimi i ndjenjave të ngrohta dhe
mungesës së tyre; ndjenja e mosmarrëveshjes dhe nevoja për të qenë pranë të
dashurës, edhe pse ka momente kur ndodh largimi fizik; përqendrimi në ndjenjat
e ndarjes dhe përpjekjet për ta mbajtur lidhjen aktive edhe në distancë...
Kurse tregues të këtillë te poezia
"Grepat për dashtni" janë: përdorimi i imazheve natyrore për
ta përshkruar përsosmërinë dhe intensitetin e dashurisë; shprehja e gëzimit dhe
e kënaqësisë që sjell dashuria, si një shpërblim i bukur dhe frytdhënës dhe
përjetimi i shkëlqimit të dashurisë dhe përsosmërisë së saj, duke e krahasuar
me një peshk, i cili është i përkushtuar për t'u zhytur në detin e thellë të
dashurisë. Ndërkaq, kritika ndaj mënyrës së jetesës së vrullshme dhe
përqendrimit në sukses dhe karrierë, duke e krahasuar me rëndësinë e dashurisë;
përqendrimi në fuqinë dhe ndikimin që ka dashuria mbi zgjedhjet dhe vendimet që
bëjmë në jetë dhe ndjenja e nostalgjisë për të kaluarën dhe përjetimi i humbjes
së frymës së dashurisë në rrugëtimin e shpejtë të jetës, shfaqen te poezia
"Fuqi mbi fuqitë".
Tregues të tjerë tematikë janë: përdorimi i letërsisë si
një mjet për të shprehur ndjenjat e thella dhe për të komunikuar me qenen e
dashur; përjetimi i ndjenjave të forta dhe dëshirës për t'u lidhur më thellë me
të dashurën; nevoja për t'u shprehur dhe për t'i bërë me të ndjera ndjenjat e
dashurisë dhe admirimin ndaj personit të dashur ("Kinezka"); apo:
shprehja e misterit dhe mburrjes në lidhje me një marrëdhënie të pazgjidhur dhe
të pasqyruar në një imazh të pabesueshëm; përdorimi i ironisë dhe humorit për
t'i përshkruar sfidat dhe pengesat që përjetohen në një marrëdhënie të
komplikuar, si dhe ndjenja e pasigurisë dhe moskuptimi në lidhje me përjetimet
dhe komunikimin me personin tjetër, duke shfaqur një çudi në marrëdhënien e
tyre.
Te "I thashë lules" poeti përdor metaforën e
një luleje për t'i përshkruar ndjenjat e plakjes dhe pritjes së dashurisë.
Dialogu midis personazhit dhe lules është një trajtë për ta përshkruar
marrëdhënien ndërmjet natyrës dhe jetës njerëzore. Lulet shfaqen edhe te poezia
"Lule mbi gurë", ku ajo simbolizon dashurinë dhe rritjen e saj në një
mjedis të vështirë. Personazhi shpreh dashurinë e tij të pafund dhe
përkushtimin ndaj të dashurës, duke e krahasuar këtë lidhje me rrënjët që
mbeten të qëndrueshme në shkëmb. Leksema gege "Me dashtë…", që e
përshkallëzon këtë ndjesi, shpreh nevojën për dashuri dhe përkushtim në jetë.
Ka një reflektim filozofik:
S’ka nevojë për tjetër,
Se dashuria e vetë e gjen,
aty ku është e vjetër.
Ja edhe "Mallkimi i Platonit", ku poeti shfaq
një ndjenjë të ndërliqshme në relacion me filozofinë e dashurisë, duke e
shfaqur kundërshtimin midis idesë romantike për dashurinë dhe realitetit të
dashurisë së humbur; aty ja në edhe "Portat e Parajsës", ku paraqitet
një udhëtim emocional drejt dashurisë dhe lumturisë, me dëshirën për të qenë
pjesë e një dashurie të shenjtë dhe të përjetshme. Vjen i pasur një
"Portret dashurie" ku përshkruan artistikisht një lidhje të thellë
emocionale midis dy personazheve të dashuruar e ku jepet portreti i të dashurës
si një bukuri e rrallë dhe një pjesë e jashtëzakonshme e jetës së tij. Imazhet
e pikturës dhe portreteve simbolizojnë thellësinë e emocioneve dhe natyrën e
qëndrueshme të dashurisë. Poezitë sugjerojnë se dashuria e vërtetë është një
vepër arti, e dashur dhe e admiruar nga ata që e përjetojnë atë. Portretet e të
dashurës vijnë te gjashtë poezi, në përqasje me muzikën, ku kënga që ajo sjell
është shumë më e bukur se muzika e kompozitorëve të famshëm si Mozart dhe
Beethoven (Portret dashurie 3); vjen me metaforën e një pylli që merr jetë për
t’a përshkruar fuqinë dhe jetën që dashuria i jep botës e ku ajo shkrin zemrat
e njerëzve dhe bën mrekulli, siç bëjnë edhe forcat e natyrës (Portret dashurie
- 4); se folësi lirik nuk e do të dashurën për pamjen e jashtme, por për
shpirtin e saj, për misterin që fsheh brenda, e ku bukuria e vërtetë nuk është
e dukshme për të gjithë, por mbetet e pashlyeshme në zemrat e tyre (Portret
dashurie - 5) dhe shprehja e nevojës për
praninë e saj dhe përqafimin me të... (Portret dashurie - 6).
Sikundër pamë, për poetin Llesh Ndoj ndjenja më fisnike
njerëzore është dashuria, kurse gjëja më e mrekullueshme që ngjet në jetën e
njeriut, është kur dashurohen një grua dhe një burrë. Meqenëse folësi lirik i
këtij vëllimi ligjëron në veten e parë dhe shpesh i drejtohet një vete të dytë,
qenies që e do, vetja e dytë është vetëm qenie e pranishme, por nuk i mungon
zëri... Këto poezi paraqesin një pasuri të pafund të trajtave të vizionit lirik
të dashurisë. Së këndejmi, jo më kot poeti vë në ballë të librit poezitë e dashurisë.
3. Poezia dhe atdhesia
Kur në pjesën e dytë lexojmë frazemën "Atdheu nuk
mund të jetë ‘lopa plle’ “, veç me e mjelë! Përpara se të jap, ai kërkon të
ushqehet me dashurinë tënde" dhe u biem në fund këtyre lirikave, do të
vërejmë se po kaq e pasur është edhe gamave e këtyre motiveve. Motoja e
emërtuar në cikël është shprehje e idesë se për të përfituar dhe për të pasur
një lidhje të fortë me atdheun, është e nevojshme që individët të japin dhe ta
shprehin dashurinë e tyre ndaj tij. Atdheu është paraqitur si një entitet që
kërkon dashuri dhe kujdes nga qytetarët, për ta zhvilluar dhe për ta përparuar
më tej. Kjo shprehje përshkruan edhe nevojën për përkushtim dhe punë për t'i
arritur qëllimet kombëtare dhe për t'i përmbushur detyrat ndaj tij. Përmendja e
"lopa plle" dhe e "mjeljes" sugjeron se përfitimi nga
atdheu nuk mund të jetë një proces pasiv ose egoist, por kërkon përpjekje
aktive dhe përkushtim për ta arritur suksesin dhe për të përfituar nga lidhja
me vendin e origjinës.
Lirikat e këtij cikli shprehin ndjesi të forta të
identiteti kombëtar dhe një përkushtim të madh për atdheun. Poeti e lidh
atdheun me një marrëdhënie emocionale dhe personale, duke e bërë të njohur atë
si një pjesë thelbësore të identitetit të tij. Ka edhe poezi që shprehin
përjetime të forta lirike për Kosovën dhe përshkruajnë një lidhje të thellë
emocionale me atdheun dhe historinë e popullit shqiptar. Kosova është
shndërruar në një simbol të fuqishëm për popullin shqiptar. Ajo përfaqëson
luftën dhe sakrificën e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë. Përmes poezive,
Kosova përshkruhet si një "Jeruzalem shqiptar", një vend i shenjtë
për shqiptarët, ku gjaku i tyre u mbjell në tokën e saj. Poezitë përshkruajnë
ngjarjet historike dhe identitetin kombëtar. Nëpërmjet referencave të historisë
së lashtë dhe ngjarjeve moderne, poeti shpreh krenarinë dhe respektin për
popullin dhe historinë e tyre. Tema kryesore është dëshira për liri dhe
pavarësi. Flamuri Kuq e Zi përfaqëson unitetin dhe guximin e shqiptarëve në
kërkimin e lirisë. Ai është një simbol i fuqishëm i identitetit kombëtar dhe
përkushtimit për atdheun.
Po këto krijime me këtë tematikë, shprehin edhe dhimbjen
dhe sakrificën e popullit shqiptar nëpër histori. Poeti reflekton mbi vuajtjet
dhe mundimet e shqiptarëve në kohë të ndryshme dhe shpreh respektin e admirimin
për ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Në përgjithësi,
këto poezi shfaqin një lidhje të thellë emocionale dhe historike me Kosovën dhe
me historinë e popullit shqiptar. Ato përhapin mesazhin e unitetit, guximit dhe
përkushtimit për ta mbrojtur dhe për t'i promovuar vlerat e lirisë dhe
pavarësisë kombëtare.
Në poezinë "Flamuri Kuq e Zi", flamuri është
simbol i fuqishëm i identitetit kombëtar dhe përkushtimit për atdheun.
Je ëndrra që s’mbaron
e majat don me mbërri,
Një “Po” e madhe
një pikënisje e re,
Gjersa trojet t’i mbuloje
Flamuri Kuq e Zi.
Poeti shpreh përjetimet e tij për historinë dhe
identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet referencave të ngjarjeve historike dhe
figurave të rëndësishme si Skënderbeu. Në vargun "Një Gur kilometrik në
udhën e ëndrrës", figura e Skënderbeut është simbolikisht e përmendur.
Këto poezi janë mbushulluar me simbole dhe tema të
ndryshme. Poezitë përshkruajnë tokën si një simbol të sakrificës dhe
përkushtimit të shqiptarëve ndaj lirisë së tyre. Toka është e përshkruar si e
shpuztë dhe e mbjellë me eshtra, ndërsa gjaku i dëshmorëve është shndërruar në
gjak të tokës. Kjo paraqet lidhjen thelbësore midis shqiptarëve dhe atdheut të
tyre, të cilin ata janë të gatshëm ta mbrojnë edhe nën kushte të vështira.
Pranvera është përdorur si simbol i rinisë dhe rilindjes së shpresës. Aroma e
barit të njomë, e cila përshkruhet si një lloj freskimi, është simbol i
ringjalljes së jetës dhe shpresës për të ardhmen Poezitë përshkruajnë edhe
Rugovën si një vend me një rol të rëndësishëm në historinë dhe kulturën
shqiptare. Ajo është portretizuar si një vend i urtë dhe i vendosur, që jep
frymëzim dhe forcë për shqiptarët.
N’Rugovë t’Pejës
gjithshka flet,
Rrugëve të jetës
larg mendja të tret.
Në poezinë "Toka jonë", poeti e paraqet tokën
si simbol të shpirtit dhe identitetit kombëtar.
Toka jonë e shpuztë
toka arbnore,
Më shumë se gur e dhé
mbjellë me eshtra.
Toka përshkruhet e mbjellë me eshtra, që simbolizojnë
sakrificën dhe përkushtimin e shqiptarëve ndaj atdheut. Në poezinë "Aromë e barit të
njomë", autori përdor pranverën si një simbol të rinisë dhe rilindjes:
Rishtas kur rinë,
Trupin ta rinon
Moshën ta përtërin.
Në poezinë "N'Rugovë t'Pejës", poeti këndon:
...ushtoi mali:
- Bini ju trima!
pat thirr shqiptari.
Këto vargje me jehonë epike, i përshkruajnë shqiptarët si
trima dhe të vendosur në mbrojtjen e territorit të tyre. "Gegnishtja…:
" është një poezi që e përshkruan gegnishten në mënyrë simbolike dhe
poetike si gjuhën e Perëndisë dhe të shpirtit, gjuhë të lirisë dhe rebelimit...
Gegnishtja…
Është gjuhë e zotave n’Olimp,
Djallëzisht e transformuar
Iliada e Odisea, me të shkruar.
(...)
Është gjuhë e kreshnikëve,
E Lahut’s, e Mujit dhe Halilit,
Dhuratë zbritur prej Perëndisë
Kurorë e ndjenjave të shpirtit.
Është e thellë ndjesia e poetit për identitetin kombëtar
dhe e krenarisë për trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore. Poezia
"N'Shkodër…" rrëfen për historinë dhe kulturën e qytetit, duke iu
referuar edhe legjendës së Rozafës. Edhe te kjo poezi këto rrënjë trashëgimie
janë të pazhdukshme e të pashkëputshme. Qyteti i Shkodrës personifikohet dhe
idealizohet si simbol i historisë dhe trashëgimisë shqiptare. Përmendja e
legjendës së Rozafës, e një gruaje që ofrohet për t'u sakrifikuar për ndërtimin
e mureve të qytetit, shpalos një ndjenjë të thellë për lidhjen e shqiptarëve me
historinë dhe traditat e tyre.
Kur hyn n’Shkodër
mbetesh i fiksue
tue kundrue Rozafën.
janë vargje që paraqesin një përjetim sa epik aq edhe
legjendar. Shprehja e kundrimit ndaj Rozafës, përfaqëson një lidhje të thellë
emocionale me historinë dhe kulturën e qytetit. "Çou shqiptar, mos të
raftë pika" - një tjetër poezi që shfaq sfidat dhe vuajtjet e shqiptarëve
nëpër histori, duke përdorur një ton inkurajues dhe përshëndetës. Ajo i nxit
bashkatdhetarët të mos dorëzohen përpara sfidave dhe të mbeten të vendosur për
ta përballuar çdo pengesë. "Dëshmi…", - është poezi që paraqet një
ndjenjë të thellë krenarie... Ajo përshkruan trajtat karakteristike të
identitetit shqiptar, siç janë mbajtja e plisit dhe e shallit, si dëshmi të
thella të trashëgimisë dhe identitetit kombëtar Është vetëdija e rëndësisë së
ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit kombëtar për brezat e ardhshëm.
- Ah, shqiptar, shqiptar!
Po të thërrasin rrënjët
e kësaj toke:
- Ruaje emrin e lindjes
shamikuqen – flamur,
qefin, shallin e bardhë
amanetin më të madh,
T’dëshmojnë trishtueshëm
krenare mbi varr:
Se u linde ti, jetove
dhe vdiqe shqiptar!
Disa poezi tjera gërshetojnë socialitetin e rëndë me
ndjesinë atdhetare. Në këtë kuadër, s'kemi se si të mos e lexojmë edhe poezinë
"Loti i mërgimtarit", ku një mërgimtar shqiptar e nden peshën e
largimit e të mallit për ndaj vendlindjes dhe familjes së tij.
Pragu i derës kur po loton
Trau i kullës kur po gjëmon...
e ku nëpërmjet imazheve të trishta si pragu i derës, trau
i kullës dhe gurët e votrës, poezia shqipton vuajtjen dhe mallin e mërgimtarit
për vendlindjen. Ka edhe shpresë për kthim për t'i rikrijuar lidhjet me të
dashurit e humbur. Në traditën artistike të poetëve të letërsisë sonë, është
krijuar poezia "Vaji i dallëndyshes": është një situatë e dhimbshme ku një burrë shkatërron shtëpinë e
tij, duke lënë në mjerim një dallëndyshe. Në këtë kontekst, dallëndyshja
përfaqëson një simbol të pafajësisë dhe përballet me vuajtjen që sjell
konflikti mes njerëzve. Kjo poezi interpretohet edhe si kritikë ndaj dhunës dhe
shkatërrimit ... "Fjala e plakut": poezi që paraqet vuajtjen dhe
dhimbjen e një plaku që ndjehet i braktisur nga fëmijët e tij dhe i mbuluar nga
malli për të kaluarën. Nëpërmjet imazheve të kujtimit dhe zhgënjimit, poezia
shprehë një ndjenjë të thellë nostalgjie për kohën e kaluar.
Me tone solemne e me imazhe të traditave dhe zakoneve
shqiptare, paraqitet poezia "Jam shqiptar": "Bash si rrinë
degët e një lisi, / Rrinë fustanella, xhubleta e plisi". Këso tonesh
ka edhe poezia "Kalorësi i Krishterimit", një apologji poetike për
Gjergj Kastriotin, i cili u shpall "Kalorës i Krishterimit" nga
Vatikani për veprat e tij të mrekullueshme në mbrojtje të atdhesisë, fesë dhe
vendlindjes.
Te poezitë tjera ka një udhëtim personal nëpër rrugët e
vendit dhe lidhjen me to nëpërmjet një përfaljeje për historinë dhe ngjarjet që
kanë ndodhur; me kërkimet për t'iu rikthyer kohës së kaluar ("Udhëve të
vendit tim"); është forca e guximi
grave kosovare, duke i krahasuar ato me figura të rëndësishme si
Antigona dhe Rita Ora, me admirimin dhe lavdërimin për rolin e tyre në shoqëri
dhe histori ("Kosovarja"); një marrëdhënie e thellë emocionale me
tokën dhe trashëgiminë kulturore, nëpërmjet imazheve të bukura dhe të ngrohta,
me besimin në një lloj magjie të pranishme në lidhjen midis njeriut dhe
natyrës, duke pasqyruar admirim dhe përkushtim për vendlindjen dhe tokën e
lindjes ("Magjia e (at/mëmë)dheut"); një thirrje për përmirësim
personal dhe shoqëror në një nivel të thellë, duke e nxitur lexuesin të mendojë
për nevojën për ndryshim dhe përparim në jetë ("Na duhet…") etj.
Poezitë tjera si "Kush e qëndisi Flamurin?",
"Fshatar…", "Kulla e ngujimit - 1 dhe 2",
"Kosovë", "Malli djeg zjarr", "N'takim me historinë",
"Shqiptarisht", etj, përfaqësojnë të njëjtln gamë motuvesh e ndjesish
atdhetare, tradutsh e trashëgimish. Dallon "Kulla e ngujimit - 1 dhe
2", me smbolizimin për shpresën, besimin dhe të drejtën për pajtim;
përshkruajnë një pamje të thellë filozofike dhe morale, duke e shfaqur kullën
si një simbol të pajtimit dhe forcës së njeriut për t'i përballuar sfidat dhe
vuajtjet e jetës. Kjo kullë është një simbol i fortë i forcës së njeriut për
t'i përballuar sfidat dhe vuajtjet e jetës. Poezia përshkruan këtë kullë si një
strukturë e ftohtë dhe e pa ngjyrosur, por brenda saj mbart një jetë të plotë
dhe ngrohtësi shpirtërore. Nëpërmjet simbolizmit të kullës, poeti shpreh
mesazhin se edhe në momentet më të errëta të jetës, njerëzit gjejnë shpresë dhe
fuqi për t'i përballuar vështirësitë dhe për të arritur pajtimin; se njerëzit
mund të gjejnë shpëtim dhe pajtim dhe duke punuar për një bashkëjetesë
harmonike. Poeti e fton lexuesin të reflektojë mbi rëndësinë e bashkëpunimit
dhe ndërtimit të një mjedisit të përshtatshëm për pajtim dhe harmoni.
Poezia "Kosovë" shpreh ndjenjën e brengës dhe
dhimbjes për gjendjen e Kosovës, si një vend i vuajtur, me thinjat e flokut që
numërohen dhe brajat e dhimbjes që shënojnë trupin e saj të shënjuar. Në këtë
kontekst, autor shpreh një urim të me zemër për lirinë dhe pavarësinë e
Kosovës, duke e cilësuar atë si një ëndërr të pambaruar që e kthen vëmendjen
nga Shqipëria. Një dimension historik dhe përkujtimor, duke u referuar në datën
e Besëlidhjes së Madhe të vitit 1444, shfaqet te poezia "Ku me marrë…" Kjo kujtesë shërben
si urim për të arritur unitetin dhe solidaritetin e sotëm në përballje me
sfidat e kohës së sotme. Poezia "Në Reçak" shqipton edhe njëherë
dhimbjen dhe trishtimin për ngjarjen tragjike të masakrës së Reçakut, një ngjarje
e luftës në Kosovë në vitin 1999. Autori e përshkruan peizazhin e trishtë dhe
shkatërrues të Reçakut, duke përdorur imazhe të fuqishme për t'i paraqitur
vuajtjet dhe dëshpërimin e banorëve të këtij vendi; shprehet me një pyetje
morale për të gjithë njerëzit, se për çfarë drejtësie luftojmë nëse lejojmë
masakra të ndodhin pa u ndëshkuar? Kjo poezi ndez zjarrin e kujtesës dhe
urdhëron drejtësinë të interesohet për viktimat e Reçakut.
Poezia "Nusja mirditore" na jep pamjen e bukur
dhe përlavdëruese të një nuseje mirditore në ditën e martesës së saj, me detaje
të imazhit të nuseve dhe kujton një pamje të këndshme lumturie. Kjo poezi
shpalos ndjenjën e dashurisë dhe respektit për traditat dhe kulturën e
Mirditës, duke e cilësuar nusen si një simbol i bukurisë dhe lumturisë së
bashkëshortësisë. Poezia "Zymtësi", përshkruan takimin e autorit me
presidentin Rugova, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme për lirinë
dhe pavarësinë e Kosovës. Autori shpreh ndjenjën e respektit dhe admirimin për
udhëheqësin.
Dashuria për Shqipërinë, thirrja për përkushtim vijnë
edhe të disa poezi tjera.
4. Poezia dhe e përshpirtshmja
Dy ciklet tjera me motot “Besimtar nuk mund të jetë ai
që falet gjithë ditën në kishë, a xhami e natën del e vjedh, vret e pret! Besimtar është ai që
kishën e xhaminë i ngrit në shpirt!" dhe katërti "Ndoshta
asgjë s’mund të zgjedhësh në jetë, por ta jetosh atë me ndershmëri, varet vetëm
nga ti", vijnë me lirika të përshpirtshme dhe me lirika refleksive, të
aktualitetit shoqëror, etik e historik e motivesh të ndryshme.
Motoja e ciklit të lirikave të përshpirtshme, thekson se
besimi nuk është vetëm një çështje e fjalëve dhe ritualeve të jashtme, por mbi
të gjitha është një çështje e sjelljes dhe karakterit të një njeriu. Ngritja e
kishës ose xhamisë në shpirt përbën thelbin e besimit të vërtetë, duke pasur
kujdes dhe respekt për të tjerët dhe duke u udhëzuar nga parimet morale dhe
etike në gjithçka që bëjmë. Kjo shprehje na bën të reflektojmë mbi thelbin e
besimit dhe rëndësinë e tregimit të tij nëpërmjet veprimeve tona në jetën e
përditshme.
Spiritualiteti dhe poezia janë dy dimensione që shpesh
ndërthuren dhe pasqyrojnë njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Poezia, si një
formë e shprehjes së artistit, i fton lexuesit të shkojnë përtej sipërfaqes së
fjalëve dhe të eksplorojnë thellësinë e ndjenjave dhe mendimeve. Në këtë
drejtim, ajo shërben si një mjet për të shprehur dhe qëmtuar përvojat
spirituale të një njeriu. Poezitë që shfaqin temat e spiritualitetit, shpalosin
mendime mbi çështje të tilla si kuptimi i jetës, misteri i ekzistencës, lidhja
me natyrën, dashuria dhe dhimbja. Ndriçojnë ndjenjat e adhurimit dhe
falënderimit ndaj një fuqie më të madhe, supreme, ose të shprehin sfidat dhe
kërkimet për një sens më të thellë të qenies. Në momente të thella të
reflektimit dhe ndjenjave të thella të frymës, poetët krijojnë poezi që
përshkruajnë përvojat e tyre shpirtërore dhe udhëtimin e tyre në kërkim të
kuptimit më të thellë të jetës.
Kështu, spiritualiteti dhe poezia qëndrojnë të bashkërenduara
në forma të ndryshme, duke krijuar një hapësirë ku emocioni, mendimi dhe
shpirti shprehin veten në trajta të pasura dhe të frytshme. Në poezitë
"Jetoj në Ty", "Më jep o Zot…" dhe "Portat e
qiellit" shprehet lidhja e ngushtë midis shpirtit të autorit dhe Zotit,
dashuria dhe bekimi i Zotit si një botë e re për autorin; kërkimi i forcës dhe
durimit për t'i përballuar sfidat dhe për ta refuzuar ndikimin negativ dhe për
ta ruajtur ndjenjën e dashurisë së nanës, si dhe një karakter më abstrakt dhe
simbolik te poezia e fundit me kërkimin e gjetjen e një lloj çelësi për t’i
hapur portat e qiellit, të cilat përfaqësojnë arritjen e qëllimeve shpirtërore
dhe hyrjen në një dimension më të lartë të ekzistencës.
Portat e qiellit janë
si portat e zemrës,
Hapen me dashtni
s’u bie tjetër çelës.
Titulli i poezisë "U baftë vullnesa jote...",
korrespondon me uratën tradicionale të
të krishterëve ndër shqiptarë, me admirimin dhe nderimin ndaj figurës së Gjergj
Kastriotit, i njohur si Skënderbeu, si një shenjtor dhe udhëheqës i lavdishëm.
Autori dëshiron të shprehë ndjenjat e respektit dhe mirënjohjes për
trashëgiminë dhe veprën e tij të madhe. Ndjenja e humbjes dhe mungesës së
miqve, si dhe kujdesi për shpirtin e tyre në botën tjetër, shqiptohet te poezia
"Qiri përshpirtje", kurse një ngjarje e veçantë dhe mrekullia që
ndodh në një kishë pas një furtune të fortë, shfaqet në poezinë "Një
mrekulli e vogël - në Kishën e Shmarramejt". Poeti përshkruan rezistencën
e mureve të kishës përballë furtunës dhe mrekullinë e shpëtimit të trashëgimisë
së besimit, duke e lidhur atë me një fjalë të ngrohtë morale.
Shumica e poezive përfshijnë një dimension të thellë të
besimit, përshkruajnë ngjarje dhe emocione që lidhen ngushtë me besimin dhe
marrëdhënien me Zotin ose me dimensionin e shenjtë. Disa poezi shprehin respekt
dhe admirim ndaj figurave historike, si Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) dhe Nëna
Tereze, dhe i përshkruajnë ato si shembuj të lavdishëm dhe frymëzues për të
gjithë. Në disa të tjera krijime, përballimi me humbjen dhe mungesën e të
dashurve është një temë mbizotëruese, ku poeti shpreh dhimbjen dhe mallkimin
për humbjen, por gjithashtu shpreh edhe lutje për shpirtin e tyre. Të tjerat
shprehin krenarinë për trashëgiminë dhe identitetin kombëtar, duke i lidhur
emocionet personale me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Këto
dimensione e bëjnë të qartë se poezitë janë më shumë se thjesht vargje, ato
janë një reflektim i thellë i ndjenjave, besimeve dhe përvojave njerëzore.
Spikat ndërdija ose nëndërgjegjja dhe lidhja me dimensionin shpirtëror, si në
rastin e zhvirgjërimit të natës në lutje me Perëndinë dhe në ndjesinë e
lehtësimit të shpirtit. Shqiptohen ndjesi të sinqerta të lutjes dhe besimit në
një fuqi më të madhe, duke kërkuar kuptim dhe udhëzim përballë sfidave dhe
dilemave të jetës, ashtu sikundër nënvizohet rruga drejt rilindjes, duke
përshkruar rrugën e ndërlikuar drejt dritës dhe të arriturave të reja pas
përpjekjeve dhe vuajtjeve të përjetuara. Poezitë reflektojnë mbi kuptimin e
jetës dhe të ekzistimit, duke iu përgjigjur pyetjeve thelbësore mbi
identitetin, qëllimin dhe misteret e jetës. Në disa poezi shfaqen ndjenja të
mrekullisë dhe të ngrohta, duke përshkruar momente të veçanta që e bën poetin
të ndihet i privilegjuar dhe i lidhur me botën dhe me të tjerët.
Te poezia "E zhvirgjërova natën" paraqitet një
lidhje e thellë shpirtërore e autorit me natyrën dhe botën shpirtërore.
Përshkruhet një moment i përjetimeve të thella dhe një tip komunikimi me botën
natyrore dhe Perëndinë nëpërmjet lutjeve dhe mendimeve të thella të poetit.
Dimensioni i të përshpirtshmes është i dukshëm në përpjekjen për të gjetur
kuptim dhe qetësi shpirtërore në heshtjen dhe hijen e natës.
E zhvirgjërova natën
n’padritësinë e saj,
tue fol me yjet
ulur në gjoksin e pa faj.
"Tash jemi, tash s’jemi": kjo poezi përshkruan
ndjenjën e ballafaqimit me të pashmangshmen e jetës dhe vdekjes. Përmes një
dialogu të imagjinuar me një prift, shfaqet një reflektim mbi kuptimin e jetës
dhe vlerën e çdo momenti të jetës, me përpjekjen për ta kuptuar misterin e
ekzistencës dhe për ta përballuar vdekjen me një qëndrim të qetë dhe të
pranueshëm.
E fuqishme lexohet poezia "Shën dashuria", e
cila i dedikohet figurës së Shën Terezës dhe shpreh admirimin dhe respektin për
veprën dhe besimin e saj të thellë në dashurinë dhe shërbimin ndaj të tjerëve.
Përmes përshkrimit të ndikimit të Shën Terezës në botë dhe në të gjithë ata që
e kanë njohur, poezia ka përmasën e përshpirtshmërisë nëpërmjet shfaqjes së
besimit dhe ndjesisë së dashurisë universale.
- Kam etje! - tha Krishti në Kryq
- Kam etje! - thoshje edhe ti,
Shën Tereza, nëna e gjithë Globit
Ti simbol i etjes për dashuri.
Përjetojmë një tip të udhëtimit shpirtëror nëpërmjet
vuajtjeve dhe sfidave të jetës, duke e përmendur figurën e Shën Terezës si një
udhëheqëse shpirtërore. E përshpirtshmja shfaqet në përpjekjen për të gjetur
kuptim dhe shpresë në ndërtesën e veprave dhe ndërhyrjeve që i shndërrojnë
gjërat e ndyra në virtyte dhe dritë. "Zot ndihmoje!" klith
përshpirtshëm një tjetër poezi, me kërkesën për ndihmë dhe mbrojtje nga Zoti
nëpërmjet simboleve të natyrës. Përshpirtërinë e lexojmë në përpjekjen për të
gjetur mbështetje dhe kuptim në besimin dhe lutjet për ndihmë dhe mbrojtje në
momentet e vështira dhe sfiduese të jetës.
Përmes këtyre leximeve, shihet se secila poezi ka një
dimension të të përshpirtshmes në trajta të ndryshme, duke shprehur lidhjen e
poetit me botën shpirtërore dhe me kuptimin e thellë të jetës.
Të tilla na vijnë edhe poezitë "Lutje Atit"
(lutje ndaj Zotit për paqe dhe mbrojtje nga armiqtë, në lidhjen e thellë të
autorit me besimin dhe në përpjekjen për të gjetur mbrojtje dhe qetësi nën
hijen e mëshirës së Zotit); "Paqes" (një kontrast midis fjalëve të
bukura dhe rrëfimit të ngjarjeve të vërteta në botën e luftës dhe konfliktit,
me ndjenjën e mosbindjes ndaj retorikës së paqes në një botë ku vazhdimisht
prodhohen armë dhe ku konfliktet nuk pushojnë, kurse e përshpirtshmja shfaqet
në përpjekjen për të gjetur një kuptim më të thellë dhe për të kërkuar paqe
nëpërmjet besimit); "Për shpirtin tim" (një lutje për të gjithë
shpirtrat e njerëzve, duke kërkuar ndihmën e tyre për ta arritur mëshirën dhe
dashurinë e Zotit, me dilemën e humbjes dhe distancimit nga besimi dhe dashuria
ndaj Zotit, por në të njëjtën kohë shpreh dëshirën për t'u kthyer mbrapsht dhe
për ta gjetur rrugën drejt tij, me kërkesën për lidhje dhe mbështetje në botën
shpirtërore). Me këso reminishencash të përshpirtshme vijnë edhe poezitë
"Shkëmb" e "Dhe vjen një ditë…". Te e para kemi simbolet e
natyrës për ta shpallur një mesazh mbi forcën dhe qëndrueshmërinë në ballafaqim
me sfidat dhe problemet e jetës, kurse te e dyta një reflektim mbi moshën dhe
pasigurinë që vjen me të. Poeti i inkurajon lexuesit të jenë të qëndrueshëm dhe
të mos ndryshojnë vlerat e tyre nën presionin
e situatave të vështira, me përshpirtshmërinë që shfaqet në përpjekjen për ta
gjetur forcën dhe qëndrueshmërinë në besimin dhe vlerat e tyre, si dhe ankthin
për të ardhmen dhe për jetën pas; por, në të njëjtën kohë, shpreh edhe besimin
se dashuria dhe kënga e jetës do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Te poezitë tjera (Ku shkoi uji i Drinit?",
"Lutje", "Isha apo s’isha?", "Herë, herë…" etj.)
lexojmë reflektimet mbi humbjen e dijes dhe lidhjen me hyjnoren, një lutje për
ndihmë dhe udhëzim nga shenjtërorët për t'i mbrojtur njerëzit nga mëkatet dhe
t'i kthejnë ata në rrugën e drejtë, një reflektim mbi identitetin dhe misionin
e një njeriu në këtë botë në një rrugëtim personal në kërkim të dashurisë dhe
kuptimeve të thella, një ndjenjë të besimit dhe shpresës në fatin e folësit
lirik, me besimin e tij se fati do ta mbrojë dhe udhëzojë atë në rrugën e tij
të jetës, edhe në momente të vështira dhe një reflektim mbi natyrën e njeriut
dhe luftën midis të mirës dhe të keqes në brendësi të tij. Te kjo e fundit
("Herë, herë…") ky reflektim shfaq natyrën kontradiktore dhe
komplekse të njerëzve, me ndjesinë e përzierjes midis dritës dhe errësirës,
dobësisë dhe fuqisë, duke reflektuar mbi luftën e vazhdueshme midis të mirës
dhe të keqes në botën njerëzore.
Të bukura janë edhe poezitë në vijim. "Dielli i
jetës": Dielli është simbol i jetës dhe dritës që i jep shpresë dhe kuptim
njerëzimit; "Antarktida": paraqet një krahasim midis ngrohjes globale
dhe distancës njerëzore e ku ngrohja e akullit në Antarktidë shqiptohet si një
metaforë për ndryshimin klimatik dhe largësinë e emocioneve dhe lidhjeve
njerëzore në shoqërinë moderne; "Besimtari": përshkruan një ndjenjë
të thellë të besimit tek Zoti dhe në veten e autorit, si një udhëzues dhe burim
krenarie dhe fortese; "Çelësi i Parajsës": shpreh një mesazh moral
për rëndësinë e ndjekjes së rrugës së drejtë dhe besimit tek Zoti;
"Bashkudhëtar…": bashkudhëtim si rrugë e ndërgjegjësimit për ta
ndihmuar njëri-tjetrin në udhën e jetës apo "Drit’ e Dritës": poezi
që shpreh dëshira për rilindjen dhe shpresën që sjell Krishtlindja për njerëzimin.
Të larmishme vijnë edhe poezitë tjera sprituale. Në disa
prej tyre, spiritualiteti shfaqet në formën e lutjes dhe përkushtimit ndaj
Perëndisë, ndërsa në të tjerat, manifestohet në kërkimin për kuptim më të
thellë dhe për një lidhje më të ngushtë me të tjerët.
Këto poezi shprehin një kërkim të thellë shpirtëror dhe
një dëshirë për të qëndruar në udhëtimin e drejtë dhe të qetë. Autori kërkon
mbrojtje dhe udhëzim nga Zoti në rrugën e jetës, duke shprehur frikën dhe
dëshirën për ta shmangur mëkatin dhe t’i ndjekë urdhërimet e Tij. Për nga idetë
aktuale, dallohet poezia "Zoti flet shqip", ku poeti i bën thirrje
Zotit për ta kuptuar dhe për të komunikuar me të në gjuhën e tij amtare, shqip.
Këtu, gjuha shqipe është një simbol i identitetit dhe vlerave kombëtare që
autorin e lidhin me Zotin në një mënyrë të thellë dhe të personalizuar.
Krejt në kontrast me ciklin pararendës, motivet
refleksive, kritike etj. te cikli i fundit, shfaqen në raportet shoqërore me
politikën e pushtetin (poezia "Në
emër të…" ), si një realitet ku njerëzit manipulohen dhe shfrytëzohen në
emër të interesave të partive politike dhe politikanëve. Autori ndjen keqardhje
për manipulimin dhe shfrytëzimin e njerëzve nëpërmjet votës së tyre dhe
angazhimit në politikë. Poezia "Fletët e kalendarit" shpreh një
reflektim të rëndësisë së kohës dhe kujtesës së viteve që kalojnë. Autori
përjeton një dhimbje të brendshme duke i parë ditët të shkuara, të cilat e
bëjnë atë të ndjehet i vetmuar dhe i moshuar. Kalendari përfaqëson kohën që shkon
pa kthim, duke shtuar ndjenjën e humbjes dhe largimit. Poezia "Zili"
shpreh një ndjenjë të zilisë për bletën dhe aftësitë e saj në mënyrën e punës
dhe organizimit. Bleta përfaqëson ndjenjën e mirënjohjes dhe admirimit për
punën dhe devotshmërinë e saj në natyrë. Kjo poezi shihet si një simbol i
ndërgjegjësimit për ta vlerësuar dhe respektuar punën dhe angazhimin e të
tjerëve. "Dy gisht në ballë": shpreh një ndjenjë të shtrembëruar ndaj
vetes dhe një dëshirë për të qëndruar i pavarur, pasi është përballur me ndjenjën
e një mungese identiteti dhe vlerësimi personal. Në fund, folësi lirik përjeton
një çastt të reflektimit ku përfundon se ndryshimi i vetes është i pamundur,
dhe tregon ndjenjën e trishtimit dhe përqendrimit ndaj pamundësisë së
ndryshimit. "Varri s’e mban lavdinë": është një histori e fuqishme
dhe emocionuese për një hero të lavdishëm kombëtar, Pjetër Bogdanin, ku e përshkruan varrin e tij që nuk u pranua në
kohën e vet, por u nderua më vonë nga një monument i madh. Poezia përshkruan
një histori të fuqishme për lirinë dhe pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e
vlerave të shqiptarisë. Tema e zhvarrimit të tij është trajtuar te një varg
krijimesh të letërsisë sonë. Ndonjë poezi tjetër merr trajtën e një fabule, si
"Dhelpra e këndezi", ku përshkruan një marrëdhënie të ngushtë dhe të
dashurisë midis një njeriu dhe një kafshe, duket sikur e përmbys arketipin e
mashtruesit, por shprehia e vjetër merr ngjyra të reja të metamorfozës: Pastaj
unë...
n’zanatin e vjetër,
një nga një
pulat përlaj.
Ty të ruaj
për një kohë tjetër,
bukuria kur t’na lëjë!
Për t'u përpjekur për një analizë më të thellë të poezive
të paraqitura, do një përqendrim në tema, motive dhe elemente të veçanta
stilistike dhe emocionale që poeti
përdor për t’i shprehur mendimet dhe ndjenjat e tij. Te poezia "Big
Brother" shfaqet tema e kritikës sociale ndaj shoqërisë së mediave dhe
politikës, kure tek "Dolën minjtë" paraqitet tema e korrupsionit dhe
mungesa e drejtësisë. Autori shpreh zhgënjimin dhe dëshpërimin e tij ndaj situatës
aktuale dhe kërkon që drejtësia të bëhet më efektive për t'i luftuar
korrupsionin dhe abuzimet. Kështu, edhe te poezia "Lakmia", tema e
pasurisë dhe materializmit shpreh kritikën ndaj lakmisë së njerëzve për t'u
pasuruar dhe për të arritur suksesin material.
Objektivi ndërrohet me ngjyra tjera. Poezia "Me sytë
nga…" me temën e refleksionit mbi jetën dhe shpirtëroren, shpreh dëshirën
për ta gjetur kuptimin e jetës dhe për të qëndruar i vetëdijshëm për karakterin
kalimtar të kohës. Në fund, folësi lirik përjeton një ndryshim shpirtëror, duke
pranuar qëndrimin e tij në botën e shpirtit dhe shpresën për një rilindje të
re. Trashëgimia dhe dashuria për natyrën (N’bahçen time"), fillimi i një
dite të re me shpresë dhe optimizëm ("Mëngjesi"), tradita dhe kultura
shqiptare në festat popullore ("N’Gjirokastër bëhet dasëm"),
bashkëveprimi i natyrës dhe shpirtit poetik ("Nëse vdes…"),
mbasvdekja dhe lidhja e përjetshme me të dashurit etj., përbëjnë një tjetër spektër të pasur
motivesh, idesh dhe mesazhesh poetike.
Edhe te poezitë si "Yjet dhe…" (perceptimi i
realitetit dhe mendimi filozofik), "Trëndafil i bardhë" (dashuria dhe
shpirti njerëzor), "Xhungla padrejtësi" (drejtësia dhe vuajtjet
shoqërore), "Vjeshtë, moj e bukura…" (vjeshta si simbol i moshës dhe
kohës), apo "Tek tabela qytetëse" (vdekja dhe perceptimi i saj në
shoqëri), e pasuron këtë spektër poetik.
5. Në dalje
Poezia dhe koha janë dy dimensione që shpesh janë të
ndërlidhura në krijimtarinë letrare. Koha është një element thelbësor në poezi,
pasi poetët e përdorin kohën si një mjet për t’i shprehur ndryshimet, përvojat
dhe emocionet njerëzore nëpërmjet fjalëve dhe imazheve poetike. Për shembull,
disa poezi fokusohen në kohën historike ose në ngjarjet që ndodhin në një
moment të caktuar të historisë. Ato e shprehin kohën si një forcë që formon dhe
ndryshon karakteret dhe botën rreth tyre. Poetët gjithashtu e shfrytëzojnë
kohën si mjet për ta shprehur nostalgjinë, melankolinë ose reflektimin mbi
kalimin e kohës dhe jetës. Përveç kohës historike, koha ka një rol të
rëndësishëm në poezinë personale. Poezitë reflektojnë përvojat dhe ndjenjat e
një momenti të caktuar në jetën e autorit ose të shoqërisë, duke përshkruar
momente të lumturisë, trishtimit, dashurisë ose çdo emocion tjetër që ndodh në
një kohë të veçantë.
Poezia dhe reagimi poetik ndaj kohës aktuale, janë
ngushtë të lidhura. Poetët shprehin mendimet, ndjenjat dhe reflektimet e tyre
në lidhje me ngjarjet dhe sfidat e kohës së tyre përmes poezisë, duke i dhënë
një formë dhe një strukturë ndjesive dhe përvojave që ndryshojnë me kalimin e
saj. Kjo e bën poezinë një medium të veçantë për t’i shprehur përvojat e njeriut
në lidhje me kohën dhe për të reflektuar mbi kuptimin e jetës në kontekstin e
saj të pafund. Nëpërmjet leximit të poezisë, ne përballemi me një gamë të gjerë
temash, stilesh dhe formash të përdorimit të gjuhës. Për më tepër, leximi i
poezisë na ndihmon të lidhemi me një përdorim më të kulturuar dhe më të thellë
të gjuhës.
Në botën e poezisë gjejmë edhe reflektime mbi natyrën,
kulturën, historinë, politikën etj. Poezia gjithashtu shfaq shpirtin krijues
dhe imagjinatën e autorit, duke krijuar botë të reja artistike dhe imagjinare
që janë të mbushura me magji, ëndrra dhe mite. Kështu, jeta në botën e poezisë
është një eksperiencë e shkëlqyeshme dhe e pasur, ku lexuesit shijojnë dhe
ndiejnë thellësinë dhe bukurinë e fjalëve dhe imazheve poetike.
Poetët janë zëra të rëndësishëm në shoqëri, të cilët
ndikojnë në mendimin dhe ndjenjat e njerëzve. Ata janë frymëzues për ndryshime
sociale dhe politike, duke shfaqur një vëmendje të veçantë ndaj temave si
drejtësia sociale, liria dhe toleranca. Kështu, poezia, edhe pse fillon nga një
qëndrim individual, ndikon dhe formon opinione dhe perceptime shoqërore, duke u
bërë një mjet i fuqishëm për komunikim dhe përfaqësim kulturor.
Prill 2024