E hene, 29.04.2024, 09:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Homazh për Vero Maliqin

E marte, 16.04.2024, 07:54 PM


HOMAZH PËR VERO MALIQIN

(Për ku nxiton, o shtegtar?)

Nga Mihal Gjergji

Bëni durim dhe lexoni deri në fund këto rreshta. Një histori mbreslënëse do sjell në vëmëndjen tuaj. Dhe një model mirësie të krijuar në Rexhinin e Kurveleshit. Natyrë e ashpër, njerëz të rrëmbyer dhe histori të trishtuara. Ndoshta keni dëgjuar për familjen e Vero Hadërit, që më së shumti njihej si Vero Maliqi, duke trashëguar emërin e gjyshit si mbiemër të tij. Pikërisht për këtë do flasim. Sarajet e dikurshme janë shembur, por jetojnë bëmat e trasmetuara gojë më gojë. Ngjarja ka ndodhur mote të largëta. Bëhej dasma e Veros, martohej. Nusen e mori nga i njëjti fshat, nga fisi Xhebraj. Në shtëpinë dykatshe, njerëzit këndonin dhe hidhnin valle. Befas shembet dyshemeja dhe njerëzit bien nga njëri kat në tjetrin. Askush nuk u vra. Kjo ngjarje e çuditshme do përsëritej pas njëzet e ca vitesh. Vero Maliqi po jepte frymën e fundit brenda sarajeve të tij. Miq, dashamirë dhe bashkëfshatarë të shumtë ishin mbledhur për të nderuar Veron fjalëëmbël e bujar. Dhe dyshemeja shëmbet përsëri, sikur ta rrëmbente nga poshtë një dorë e padukshme.. Të jetë një rastësi? S’besoj. Edhe trarët mund të pikëllohen, po ne s’kemi sy për ti pare. I njëjti fenomenen i përsëritur në dy momente të rëndësishme të jetës së njeriut, ditën e martesës dhe atë të vdekjes. Banesat e fshatit janë ndërtuar në lartësinë e bregoreve dhe ngjasojnë me karakollet e dikurshme ku thyheshin taborret osmane. Aty s’ke ku ti çlodhësh sytë; s’ka fusha të qëndisura nga blerimi, s’ka dete, as lumenj, veç krojeve të borës dhe dy-tre liqene që na kujtojnë se burimi i jetës është uji. Vetëm në gjolet e kaltra mund të lundrojë varka e dashurisë që keni ëndërruar. Lartësitë e lodhin njeriun. Cdo gjë duket sikur do shembet, dhe ti si vendali a bujtës shikon me frikë majat e maleve dhe honet e thella me emëra të çuditshëm. Për ku nxiton, o shtegtar? Mbështetu pas një ledhi a guri dhe prehja do vijë vetiu. Të gjitha shtigjet të kthejnë atje ku nise udhëtimin. Kataraktet e frikshme të Kurveleshit kanë derdhur në lumin e Vjosës gjakun e të parëve tanë, atyre që s’e ndanë pushkën nga supi dhe jataganin nga brezi. Edhe një pjesë e historisë ka përfunduar atje. As emrat s’u kujtohen burrave të dikurshëm që vendosnin gurët e sinoreve, as eshtrat e tyre s’dihet se ku prehen. Koha ka fshirë çdo gjurmë. Kështu ndodh me seicilin prej nesh. E ç’kuptim ka lufta që bëjmë, gjersa mbyllim sytë pa arritur të provojmë se çfarë është paqja! Por ja që duhet të luftojmë, sepse kjo është deviza jonë shekullore. Pikërisht te ky truall jetoi Vero Maliqi. Ai vdiq në mesin e jetës, në moshën 51 vjeçare. Asgjë s’mori me vete. Kopetë e rënda që kullosnin në Qishbardhë dhe Braçalla i mori kooperativa. Edhe karvanin me 15 mushka të zgjedhura që trasportonin bulmetin dhe produkte të tjera. Sarajet dykatshe të beut të Qishbardhës i kishte blerë me flori, por u detyrua t’ia falte koopetarivës edhe ato, ndryshe do shpallej kulak. Pas viteve '90 ndodhi çudia tjetër, ose reforma e dytë agrare, nëse mund ta quajmë kështu. Dhjetra e dhjetra hektarë me kullota ja grabitën pushtetarët e rinj me ligjin famëkeq 7501. Dhe fëmijët e Vero Maliqit do ta mbyllin jetën e tyre shpresëthyer, sepse para dyerve të gjykatave shqiptare, pritja nënkupton vdekjen, jo drejtësinë. Njeriut mund ti shkelësh hijen, jo fatin. Verua iku i ri, që të jetonin fëmijët në mbretërinë e mirësisë që kishte ngritur me aq sakrifica. Prindërit gjithmonë gabojnë me fëmijët e tyre; s’mjafton vetëm dashuria si mburojë e padepërtueshme, duhet dhe liria, pa kushte, pa fjalë. Ky moskuptim i pengon në sjelljen e tyre; s’i lënë fëmijët të bien dhe të provojnë të ngrihen përsëri pa ndihmën e të tjerëve, i shikojnë tek vriten dhe nxitojnë t’u puthin plagët, e gjithmonë harrojnë që bari nën hijen e lisit rritet i verdhë. Kjo është arsyeja që fëmijët e Veros u lartësuan, me portretin e babait në sy dhe dashurinë e tij në zemër. Mësuan shkronjë pas shkronje e fjalë pas fjale gjersa mbritën aty ku shpaloset drita e diturisë dhe të gjithë trashëguan mirësinë e prindërve, Veros dhe Hatikës. Mineja studioi për mjekësi, një zonjë me personalitet të spikatur, e nderuar gjithë kohën si qytetare dhe profesioniste, Sadetja (studente ekselente) u shkollua për shkencat politike, Sulua, edhe ky student i shkëlqyer, vitet e fundit ishte Dekan i Fakultetit Ekonomik, Shaqja studio për infermieri, edhe Qemali gjithashtu, i suksesshëm në fushën e tij. Sa vlerë paska zemra e pastër dhe e gëzuar! Kur njeriu skllavërohet nga kjo botë e egër dhe e pashpirt, zemëra e tij bëhet fole e ankthit, lakmisë dhe ambicjes. E vetmja pasuri e Veros mbeti familja, gruaja dhe fëmijët. Hatika jetoi edhe vitet e pajetuara të bashkëshortit të saj, gjersa mbylli sytë e rrethuar nga dashuria dhe përkujdesja e fëmijëve. E shikoni pra, modelet e bukura i krijon njeriu dhe ato mbeten gjatë në kujtesën tonë.

Tiranë, Prill 2024.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora