Kulturë
Albert Vataj: Pablo Picasso, gjeniu i sprovave të kurajshme, hovi i shpenguar i sublimitetit në art
E marte, 09.04.2024, 07:52 PM
Pablo
Picasso, tetor 1971, Mougins, Francë. RALPH GATTI/AFP/AFP/Getty Images
Pablo
Picasso, gjeniu i sprovave të kurajshme, hovi i shpenguar i sublimitetit në art
Nga
Albert Vataj
Pakkush
në historinë e artit ka mundur të rrok në vetvete kaq heroike njeriun e
sprovave estetike, të turlillojshme, fataliste dhe marroke, sa ç’ngulmoi t’ia
qëmtojë pranisë në art, Pablo Picasso.
Pablo
Picasso u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës. Ai ishte piktor,
skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe
kumtues. Ç’mos ishte ai. Kudo la gjurmë me sprova t’kurajshme dhe ndryshesa
çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi ai të 91 vitet e moshës, deri më
8 prill 1973 kur u shua.
Si
të gjithë fillimtarët e ndryshesave tranformuese edhe Picasso guxoi. U përplas
me kohën. Mendësitë dhe doktrinat gjetën tek ky kurm gladiatori, qëndresatarin.
Pablo Picasso erdhi për të mbetur një piktor krejt tjetërqysh nga krejtkush
mbërriti deri asohere. Kumtoi një art, pa rregulla, pa simetri, pa limite, pa
kurrçka që morali u qas të orvatet përreth botës që ngjan një shpërthimi pa
formë. Një plazmimi mbi letër të paanë dhe telajo që jo rrallëherë të përpinte
nga përmasat që rrek, herë të stërmëdha dhe tek-tuk, copëza letre dhe bocete.
Tankund shtegtoi piktori drejt yllit të tij gjithkahshndritës, kumtojnë një
zgrip të thekshëm. Të bësh art, për të, ishte njëlloj sikur të fitoje një lloj
lirie të dhunshme. Piktura për të, ishte një çështje spirituale, një yshtje
dalldisëse gjëndjeje papajtueshmërie dhe pamjaftueshmërie. “Piktura është më e
fortë se unë, më detyron të bëj atë, çfarë do ajo”,- thoshte Pablo Picasso.
Robërimi prej pasioneve shpërthyese estetike, dukshëm e nënshtron vullnetlirin
e ideve përtëritëse. Asnjë nga ngulmëtarët e mëhershëm të modernizmit, nuk e
ndiente aq fuqishëm artin, as Matisse, as Mondrian dhe padyshim, as Braque, sa
ai. Padyshim që nuk do të ishte e lehtë.
Kremtoi
me solemnitetin e allasojtë identitetin e tij, si në pikturë, si në forma, si
në frymësinë e të gjitha gjendjeve dhe gjërave që ai mëtoi, me tërësinë
gjithnjë shpërthyese, prej artisti të madh dhe një gjenialiteti që rritej nga
format e rikthyera të fëmijërisë. Ai bashkërrëfyes i një prej rrymave më të
fuqishme, që historia e artit do të përçonte në fillin e vet të krijimit,
kubizmit.
Dukshëm
me këtë, ai guxon të shembë gjithë atë masiv muri rrethues rregullash dhe
limitesh, brenda të cilave vërtitej me një potere të frikshme arti dhe krijimi
i deriatëhershëm e i derisotëm. Duke veshur fëmijërinë në pikturë, e hullit
korpusin mëtues për nga një shteg, ku krijimi dhe kjo qasje do ta nxjerrë në
një pamatësi lirie, si ajo që guxon ta gllabërojë shtegu i vërshimit. Gardhet
akademike ishin dhe mbeten deri në fund për të, skllavëri e vullneteve të
shpenguara. As nuk e ka kuptuar dhe s’kishte pse ta bënte një gjë të tillë, jo
vetëm në krijimtari, por në gjithë perimetrin e tablosë ku shtrihet portreti
njerëzor i tij.
Më
i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë e rëndë në tokën e
ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i
lirë. Dora e tij ka shkundur lëvizjen
botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa
të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.
Rreth
15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq
volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat
ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën
më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur
jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur
nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit
dhe përjetimit.
Më
i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë në tokën e ashpër,
një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë. Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të
artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të
pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.
Pablo
Picasso padyshim mund të cilësohet dhe si piktori që lakuriqësinë e vishte me
ndjenja, me atë formësi dhe forcë, që vetëm shpirti i tij mundi të ravijëzonte
në trajta dhe forma, në gjendje dhe sende. I dha kështu artit një dimension pa
limite. I hapi qiejt dhe u dha zë dhe zemër gjithëçfarë pasionet e fshehta
mbrunin duke e strukur në brendi shumësinë e impresionove dhe shkulmeve. Sakaq
mëtoi diçka ndryshe në botëkuptimin dhe perceptimin artistik të kohës. E bëri
këtë, ndoshta me kushtrim britës sa prishaqejfi shumë mendësi dhe mprehu
urrejtjen e shumë anatemave. E bëri këtë dhe nuk mendoi se çfarë do të vinte
pas, çfarë vendi do të zinte në eter ylli i tij.
Pablo
ishte njeri supersticioz dhe sarkastik, baba i keq dhe shpesh një kafshë për
gruan, shprehi e cila shpërfaqet në vizatime dhe piktura, në qëmtime dhe
kumtime, ku rrebeshi mendor dhe emocional marrin drejtimin e ravijëzimeve mbi
telajo dhe letër. Ai kishte përbuzje të neveritshme për artistet femra, të
cilën gjithashtu nuk e fshehu. Siç nuk e bëri me asnjë nga çmenduritë e tij
prej artisti relievthyer. Nga komentet më tipike për gratë dhe nga domethëniet,
njëherazi të dendura, me penelata të forta dhe shumëformëshe është: “perëndesha apo këmbësore”. I keqkuptuar apo
i anatemuar, për kësi sajesash të bruzta dhe shpërthyese, njiherash edhe për
vulgaritetin, dhunën dhe rrëmujën, ku i futi ai marrëdhëniet e tij me femrat.
Gjithëkjo do ta bënte një nga më të urryerit e feministeve. Labirintet e
ndërtuara çakërrqejf prej tij, do të ishin jo veç ekuacionet e konstruktit
emocional dhe kreativ, por dhe rebuse të dekorit dhe gjeografisë fizike të
perimetrit prej mishi, kockash, gjaku dhe ndjesish. Shpengimi i rrëfente
gjithnjë rrugët e duhura. Deformacioni dhe trandja që mëtoi papushim, më vonë
dhe përgjithmot do ta rendiste në piedestalin e penelatave më kumtuese dhe
zotëruesin më vital, të përmasave impresionuese. Teveqel dhe orakull
gjithashtu, dëshmon dhe në përkatësinë politike. Asnjë piktor apo skulptor, i
deriatëhershëm, madje as mjeshtërit e penelit dhe të daltës, që konturuan dhe
ravijëzuan veprën e tyre në memorien e përjetësisë, nuk kanë rrokur kaq përmasa
lavdie sa Pablo Picasso. Ai e rrëmbeu në një farë mënyre, trofeun e lavdisë në
duart e nguruara të kohës.
Eshtë
shumë e mundur që asnjë tjetër do të ishte rrokakohës sa Pablo Picasso. Edhe
asohere kur ngulmi për të patur domethënie
sociale, për të artikuluar mite dhe për të gjeneruar imazhe – sa madhështore, i
ka kaluar fotografisë, filmave dhe televizionit. Edhe pse Marcel Duchamp,
dhelpra e vjetër dinake e ironisë konceptuale, ka qenë disi më i famshëm se
spanjolli në fjalë. Pablo Picasso ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë, pionieri
i bindjes së asaj kohe, që gjuha e pikturës dhe skulpturës kishte për njerëzit
rëndësi më të madhe se vetë artisti që i krijonte. Ai ishte artisti i parë që u
kënaq me vëmendjen obsesive të masmedias. Pablo Picasso qëndroi në vijën ku
takoheshin këto dy botë dhe luajti po atë rol, maskë, të cilën nuk e hoqi deri
në fund. Nëse nuk do të kishte qenë ashtu, ndryshimi oshilant i stilit dhe
çmenduria, forma dhe brendia, mesazhi dhe revolta, nuk do të kishte krijuar aq
shumë polemika dhe natyrisht, nervacingëritje skolastike dhe akademike,
padyshim as famë.
Në
botën e sotme të artit, një vend pa heronj kulturorë, nuk do të ishte kurrë e
imagjinueshme të ekzistonte një “mostër” i tillë despotik. Gama e tij e
prodhimeve ishte shumë e gjerë. Ky, kryekëput nuk është një virtyt në vetvete.
Nga pikturat e Vermeerit apo të vëllezërve Van Eyck, kanë mbijetuar shumë pak,
por ato janë të rrënjosura në histori shumë më tepër se ç’ka qenë apo do të
jetë ndonjëherë Pablo Picasso. Megjithatë, manovrat e Pablo Picassos kanë
pushtuar botën dhe lanë një shenjë të përhershme në çdo disiplinë ku ai i fuste
hundët për të mbetur aty si një gur themeli. Puna e tij u përhap masivisht, me
imazhe që ndiqnin njëra-tjetrën, pa pushim pas vdekjes.
Ai
ishte artisti me të cilin çdo artist tjetër duhej që virtualisht të krahasohej
dhe nuk ka patur gati asnjë lëvizje të shek. XX që mos të ketë qenë e frymëzuar
nga ai, për të cilën të mos ketë kontribuar apo që të mos ketë qenë e shpikur
nga vetë ai. Për shembull, kubizmin, i cili është një nga bashkëpunimet më të
mëdha të artit, Pablo Picasso e shpiku bashkë me Georges Braque. I vetmi
përjashtim, për shkak se Pablo Picasso nuk ka pikturuar kurrë ndonjë pikturë
abstrakte në jetën e tij, ka qenë pikërisht art abstrakt. E megjithatë, ka lënë
edhe aty shenjat e tij të gishtërinjve dhe shembull për këtë është që ai ka
patur një ndikim shumë të madh tek piktorët e artit.
Pjesa
më e madhe e historisë së skulpturës moderne është e lidhur ngushtë me
mbledhjen dhe shkrirjen e imazheve nga fletët e metalit dhe jo me modelimin e
argjilave, derdhjen e bronxit apo me gdhendjen e drurit. Kjo traditë e formave
të hapura të ndërtuara, në vend të shformimit të masave të ngurta, lindi nga
një kitarë e vogël, të cilën Pablo Picasso e bëri copa-copa dhe e riformoi
përsëri me teneqe, në vitin 1912. Kolazhi, ngjitja e copave dhe imazheve, që
nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, në një sipërfaqe të sheshtë, u bë metoda
kryesore e artit modern, që ishte gjithashtu meritë e bashkëpunimit kubist të
Pablo Picassos me Braque. Ai nuk ka qenë kurrë pjesëtar i grupit surrealist,
por gjatë viteve ’20 dhe ’30, ai prodhoi disa nga deformimet më të frikshme të
trupit të njeriut dhe imazhet më të dhunshme, irracionale dhe erotike. Ai nuk
ishte një piktor realist dhe as muralist i askujt, por megjithatë Guernica
vazhdon të jetë një nga imazhet më të fuqishme politike të artit modern.
Pablo
Picasso nuk ka qenë një filozof apo matematikan, por puna që ai bashkë me
Braque bënë, gjatë viteve ’11 dhe ’18, kanë qenë të lidhura ngushtë
intuitivisht me perceptimet e mendimtarëve, si Ajnshtajni dhe Alfred North
Whitehead. Ata thoshin se realiteti nuk është një figurë apo një hapësirë
boshe, është një marrëdhënie, një fushë vezulluese eventesh, që i
kundërpërgjigjen njëra-tjetrës. Kubizmi ishte i vështirë të kuptohej,
qëllimisht konfuz, megjithatë edhe shumë popullor. Asokohe e derimsot, vazhdon
të jetë dialekti artistik më me influencë, ashtu siç ishte gjatë viteve ’20. Si
për ta distancuar veten nga imitatorët e tij, Pablo Picasso kaloi në
ekstremitetin tjetër të artit të vjetër klasik, me pikturat e tij të grave të
shëndosha, që shihnin ëndrra mesdhetare, si homazh ndaj Cort dhe Ingres. Edhe
pse publiku e shikonte atë si prototip modernist, Pablo Picasso ishte shumë i
shkëputur nga arti modern. Disa nga artistët më të famshëm modernistë, si
Kandinsky ose Mondrian, e konsideronin punën e tyre si një instrument
evolucioni apo zhvillimi njerëzor. Por, Pablo Picasso kishte shumë më tepër
damarë utopie se sa idhulli i tij spanjoll, Goya. Ideja se arti evoluohej, ecte
përpara ose se kishte ndonjë lloj misioni historik, atij i dukej qesharake.
“Ajo çfarë kam bërë,- tha ai dikur,- është bërë për të tashmen, dhe me shpresën
se gjithmonë do të mbesë në të tashmen. Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e
kam bërë pa menduar për të shkuarën apo për të ardhmen”. Çuditërisht, ai ishte
gjithashtu kundër besimeve të ekspresionistëve, të cilët mendonin se arti merr
vlera të mëdha kur afron të vërtetën, qenien e brendshme të autorit të tij. “Si
mundet që ndonjë njeri të hyjë në ëndrrat, instinktet, dëshirat dhe mendimet e
mia… dhe kundër çdo logjike, të kuptojë se çfarë dua të bëj, ndoshta edhe
kundër vullnetit tim?”,- shpjegonte ai.
Në
punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe
hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Qëllimi i
Pablo Picassos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të
ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë dhe formën e
çartun të artikulimit. Ai e përforconte këtë ide me një forcë të madhe
plastike, duke të bërë që të ndiesh peshën e formave dhe tensionin e
marrëdhënieve të tyre, duke vizatuar ose me anë të toneve të strukturës. Ai nuk
ka qenë kurrë një kolorist i mirë, si Matisse apo Pierre Bonnard, por me anë të
metaforës, ai përcillte shtresa të shumta kuptimore së bashku. Gjatë këtij
procesi, ai ndryshoi një nga rrymat e artit modern. Modernizmi e la mënjanë
procesin e tregimit të historive dhe filluan të kishin më tepër rëndësi
marrëdhëniet formale. Por, Pablo Picasso e riktheu përsëri në një formë të
kamufluar, si një rrëfyes psikik, të shprehur me anë të metaforave, lojërave të
fjalëve dhe ekuivalencave.
Elementi
më i fuqishëm në histori, të paktën pas kubizmit, ishte seksi. Femrat lakuriq
ishin subjekti i tij obsesiv. Çdo gjë në universin e tij piktoresk, sidomos pas
vitit 1920, dukej i lidhur ngushtë me trupat lakuriq të femrave. Pablo Picasso
i veshi femrat e tij vetëm me ndjenja, që fillonin nga ëndrrat erotike deri tek
arroganca e tërbuar dhe e hidhur, ashtu si asnjë artist tjetër perëndimor nuk
kishte arritur kurrë t’i vishte. Ai e bënte këtë me anë të metamorfozës, duke e
rikompozuar trupin sipas formës së fantazisë së tij të posedimit dhe sipas
terroreve të tij seksuale. Tashmë, ai i kishte nxjerrë format e fshehura dhe
krahasuese të lojërave të kubizmit jashtë sirtarit prej të krisuri dhe
emocionalit të dizekuilibruar. E pse jo dhe një arroganti të sëmurë. “Të
zhvendosësh”,- ashtu siç e quante Pablo Picasso këtë proces,- “ishte të
vendosje sy në mes të këmbëve, ose organe seksuale në fytyrë”,- të ecësh ku të
tjerët nuk kanë guxuar. Të kundërshtosh, siç thoshte: “Natyra bën shumë gjëra
sipas mënyrës sime, por i fsheh ato!”. Ashtu si prurjet e para, edhe të fundit,
do të ishin vetëm të tijat, të ndryshme dhe të famshme, misionare dhe heretike,
njerëzore dhe hyjnore deri në kurrnji trajtë të kumtuar deri atëherë. Ishte dhe
mbeti një piktor gjeni, njeri që besonte se gjithçka që duhet të kërkosh në
jetë, është liria, të cilën ai e zotëroi, e përqafi, edhe atje ku e mori
përdhunshëm.