Kulturë
Albert Zholi: Bujar Kapexhiu - Na udhëzuan ta bënim Festival modern, pastaj na dënuan
E diele, 07.04.2024, 06:54 PM
Flet “Nderi i Kombit”, Bujar Kapexhiu:
Flokët
më kanë rënë në sheshet e xhirimeve dhe në studiot televizive.
-Në
Festivalin e 11-të na udhëzuan ta bënim Festival modern, pastaj na dënuan.
-Edi
Luarasi ishte një prezantuese moderne dhe një artiste e madhe.
-Edi
Luarasi ja hoqi me forcë xhaketën Bashkim Alibalit para se të dilte në skenë.
-Në
kombinatin “Jordan Misja” ku shkova si i dënuar nuk harroj respektin e madh të
të gjithë punëtorëve.
-Estrada
e Tiranës ishte një institucion i rrallë i humorit shqiptar.
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ai
mbushi 80-vjeç, por është tepër energjik dhe prodhimtar. Takimi i djeshëm ishte
i veçantë pasi ishim të ftuar në një emision special mbi krijimtarinë e
këngëtarit të talentuar Bashkim Alibali. Biseda ishte e shkurtër para fillimit
të emisionit, por që foli shumë puna e tij. Kapexhiu studioi për aktor në
shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar
për regjisor po aty. Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së
Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për
organet e shtypit. Pas një periudhe 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të
"shfaqjeve liberale dhe moderniste" në Festivalin e 11 të Këngës në
RTSH ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975 si regjisor dhe
piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios
"Shqipëria e re". Filmi "Zhgarravinat" (1977) ku Kapexhiu
krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e Parë të
Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi,
1979 ; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979
si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20
filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist,
regjisor dhe piktor ; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur
për fëmijët i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq" u vlerësua me
çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit '85
iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e
spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë :
"Dy herë mat", 1986, "Tela për violinë", 1987, "Stolat
në park", 1988, "Edhe ashtu, edhe kështu", 1989.
- Mbushët 80-vjeç,
por dukeni shumë i ri, energjik dhe me një memorie perfekte. Vetë ju si ndiheni
në këtë 80-vjetor?
- (Qesh) Si ndihem? Fare mirë mes shokësh
mes miqsh mes këtij spektakli apo emisioni special për mikun tim Bashkim
Alibali. Për më tej kohën e kam mbushur me karikatura, libra, promovime dhe
aktivitete shoqatash. Pra me një fjalë nuk kam kohë të lirë. Nuk më lë jeta të
qëndroj dhe të plakem. Ku ke miq të mirë dhe ide për të punuar mosha të
largohet nga trupi. Pa punë gjithçka do të ishte e plogësht dhe pa tharm.
- Sot jemi
mbledhur për Bashkim Alibalin. Kur e keni njohur Bashkimin? Çfarë kujtimesh
keni me të?
Me
Bashkimin jam njohur shumë vite më parë kur ai ishte një djalosh i ri simpatik.
Ishte një djalë energjik, me zë të bukur që kishte ambicie në jetë. Mendoj se
takimin e parë e kam bërë në festivalin e dhjetë të RTSH. Festivali i
10-të u zhvillua nga data 24 deri 26.12.1971. U prezantua nga
aktorët Edi Luarasi dhe Viktor Zhusti. Bshkimi u paraqit me
këngën “Qyteti punëtor” me muzikë të Alfons Balliçi. Por më mirë e njoha në Festivalin e
11. Festivalin më shumë të diskutuar në të gjithë historinë e Festivaleve
shqiptare. Festivali i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua më 22 dhe
25 dhjetor të vitit 1972 në Tiranë. Prezantues ishim unë dhe Edi Luarasi. Në këtë
Festival Bashkimi u paraqit me këngën “Mbrëmja e fundit” me muzikë dhe tekst të
Enver Shëngjergjit.
-Në këtë Festifal të
çuditshëm, çfarë të veçantash mban nga takimet me Bashkim Alibalin?
-Ky
Festival filloi me shumë zhurmë. Me urdhër nga lart na udhëzuan që
Festivali do të bëhej ndryshe nga të tjerët, pra do të bëhëj një Festival
modern. Edhe ne u befasuam. Kur më thahë do të jesh prezantues edhe u habita
paksa. Nejse! Orientimi ishte se veshja nuk do ishte standarte, do ishte
moderne. Edhe lëvizjet skenike nuk do ishin shumë të kufizuara. Unë pata
shansin që të isha me aktoren dhe njeriun e shkëlqyer Edi Luarasi. Regjisor i
festivalit ishte Mihal Luarasi, bashkëshorti i
Edit. Mihali ishte një regjisor i shkëlqyer dhe me shumë intuit. Kishte një
vizion perëndimor për regjinë që në atë kohë. Pra duke na udhëzuar se do të
kishim paksa ; liri në krahasim me festivalet e mëparshme ishte një lehtësim në
punë. Edhe veshjet tona u ideuan ndryshe. Gjatë provave kisha takuar disa herë
Bashkimin. Ditën e Festivalit Bashkimi na vjen me një kostum klasik të bukur,
por shumë klasik, Veshje diplomatike se sa skenike. Me jelek dhe me kollare. Sa
e pamë ne i thamë jo me këtë veshje. Çuditërisht të gjithë ishim me veshje
ndryshe. Gjithmonë në skenë Bashkimi vishej shumë bukur, edhe këtë radhë kishte
një kostum të ri shik. Por kishim të tjera orientime. I thamë hiqe këtë kostum.
Duhet të dalësh më modern. Jo thoshte Bashkimi nuk e heq, e kam bërë të ri.
Vazhduam disa debate. Lerma mua këtë punë tha Edi. Ju afru Bashkimit dhe me
forcë ja hoqi Bashkimit xhaketën. Ne u habitëm me forcën dhe këmbënguljen e
saj. Kështu Bashkimi doli në skenë me jelek dhe me kollare. Por më e keqja me
Bashkimin ishte kur shkoi në shtëpi. E pyet babanë si dola? Babai rrinte i
mërzitur. Si si dole? Ti e di si dole. A të bëmë ksotum të ri? Ku e kishe
xhaketën. Me ksotum do dukeshe më i bukuri aty. Ke mend apo jo? Si e hoqe
xhaketën? Kur na e tha Bashkimi ja plasëm të qeshurave.
- Pra kjo
ishte një situatë shumë interesante me Bashkimin, besoj të kësaj natyre nuk ke
pasur më me të?
- Me bashkimin jemi miq të afërm. Kam shumë
ngjarje dhe rrëfenja për të. Por dua të theksoj së dyti se në recitalin e
tij të parë në vitin 1985 unë kam qënë ideatori i postereit të Koncertit
Recitalit të tij. Ndoshta ishte i pari Konvert Recital në Shqipëri. Një recital
që u dha për herë të parë në Tiranë në sallën e Estradës ku salla për mëse 30
shfaqje ishte gjithmonë e mbushur plot. Pastaj me këtë Recital Bashkimi vazhdoi
në Vlorë, Fier, Elbasan dhe Tropojë.
-Pra me Edi Luarasin
keni drejtuar Festivalin më të rëndësishëm në historinë e Festivaleve
shqiptare? Cili është mendimi juaj për Edi Luarasin?
Kur
kam marrë vesh lajmin e largimit në përjetësi të Edit jam ndjerë keq. Edi ka
qenë një intelektuale e përkryer, një aktore e rrallë, një njeri me
shpirt të madh, një artiste e plotësuar. Për mua ajo mbetet një nga aktoret më
të shquara që koha po e lartëson, sepse ka lënë gjurmë të thella në ekran dhe
në teatër. Kur iku në përjetësi kam thënë se: “Nga qielli i artit shqiptar, u
shkëput ylli më i ndritshëm, për të bërë dritë në parajsë. Jam i sigurt se
shumë dhimbje kanë për miqtë e kolegët e saj, por edhe spektatorët. Me atë që
ajo ka lënë ajo do mbetet e paharruar për të gjithë. Kemi qenë të dy bashkë dhe
për duartrokitjet, ovacionet, suksesin, por edhe të tjerat gjëra që pësuam nga
regjim”. Në festivalin e 11 ka qenë një bashkëpunim shumë i ngushtë dhe shumë i
bukur. Artiste si Edi që kaloi aq shumë vuajtje, aq shumë vështirësi dhe prap
me kokën lart rrallë mund t’i vijnë skenës shqiptare. Për mua mbetet e veçantë.
- Pra ju dhe Edi pas
festivalit të 11-të, ju larguan nga arti, nga skena. Si i kujton ato kohë?
Ishin
kohë të vështira. Edi e pësoi më shumë se unë pasi u dënua bashkë me të shoqin.
U dënuan dy artistë të mëdhenj. Pra disa muaj pas Festivalit erdhi dhe dënimi.
Zot i amdh. Orientimi i tillë ishte që të bëhej Festival modern, por më pas u
dënua për këto direktiva që vetë i kishin dhënë. Kur nuk e prisja u dënova me
motivacion se “Paraqita si moderator para popullit një festival që përhapte kulturën borgjeze, kulturën perëndimore,
që binte ndesh me parimet dhe mësimet e partisë dhe të shokut Enver Hoxha”. Në
atë kohë isha regjisor në Estradën e Tiranës ku ishim në kulmin e sukseseve.
Dhe ja një ditë e lashë punën e regjisorit dhe përfundova punëtor në kombinatin
“Josif Pashko”. Pra punëtor krahu. Jeta m’u duk sikur m’u mbyll me dryn
të zi. Punëtorët më shihnin dhe më flisnin me respect, por unë nuk dija çfarë
të thoja. Eh, ishin momente që nuk dua t’i kujtoj, por që nga ana tjetër më
bëri mirë se njoha më shumë hallet e njerëzve, njoha më shumë problemet dhe
shqetësimet. Njoha më shumë si ishte ndërtuar sistemi që më ndihmuan në
krijimtarinë dhe punën time sot e kësaj dite.
-Sa
kohë ndenje në prodhim? Pra ky ishte dënimi kohës në prodhim me klasën
punëtore?
Po! Ky ishte dënimi. Unë për 3 vite punova në
kombinatin “Josif Pashko”. Them shyqyr o zot që i shpëtova burgut pasi shumë
shokë të mi u dënuan. Por mendoj se isha dhe një njeri me fat pasi kisha një
opinion të mirë në kolektiv, në shoqëri dhe në jetë. Vlerësimet e të gjithëve e
lehtësuan dënimin tim. Shikoja se të gjithë puntorët mundoheshin të më jepnin
ndihmë, të më qëndronin pranë që të hiqja mërzinë dhe të mos ndihesha si i
dënuar. Mos harroni se puna ishte e vështirë. Punoja në linjën ku prodhoheshin
tubat e betonit. Një punë që donte forcë fizike dhe falë asaj që unë miresha me
sport, nuk kisha vështirësi fizike. Më vonë kalova në fabrikën e çimentos që
ishte më keq. Tym kudo. Nuk më hiqet nga mendja kur hanim bukë mes tymit. Por
me ata njerëz kalonte gjithçka. I kujtoj të gjithë me respekt. Ishin njerëz të
rrallë që m’u ndodhën afër në një situatë të vështirë. At’here dënime të tilla
ndikonin në familje ndoshta dhe në fis, për shkak të opinionit të mirë dhe
fatit.
-Ku për 6 vjet keni qenë
regjisor i Estradës së Tiranës. Si e kujtoni Estradën?
Estrada
e Tiranës ishte koha nga më të bukurat në jetën time. Unë punova nga viti
1967 deri në vitin 1973 dhe aty gjeta një staf të talentuarish. Ndër vite në
atë estradë kanë kaluar aktorët dhe këngëtarët nga më të mëdhenjtë e
Shqipërisë. Disa nga artistët më të njohur, të
cilët u angazhuan me pjesëmarrje aktive në trupën e estradës së Tiranës
ishin: Ramazan Zyberi, Melpomeni Çobani, Enver Dauti, Ana Kçira, Lin Ndoka, Tonin Konçi, Skënder
Sallaku, Vitore Sallaku, Skënder
Plasari, Xhemal Myftiu, Anita Take, Aleksandër
Lalo, Koço Devole, Agim Bajko, Veli Rada, Luan Zhegu, Xhevahir
Zeneli, Irma Libohova, Bujar Kapexhiu, Marjana Kondi, Met Bega, Vasillaq
Vangjeli, Vegim Xhani, Rita Lati, Arben Shaka, Pavlina Nika, Liljana Kondakçiu, Kozma Dushi, Ema Qazimi. Mbaj mend frymën e
kolektivitetit, punën e palodhur. Nuk kishte ndodhur kurrë që salla të mos
mbushej plot kur kishim shfaqje. Ne jepim shfaqje 6 ditë në javë dhe të hënën
bënim pushim. Mbaj mend se në Estradë futa për herë të parë dhe karikaturat.
Pra bëra apo solla një risi në këtë skenë të humorit që sot i mungon Tiranës.
- Si ishin
marrëdhëniet e tua me Skënder Sallakun dhe Arben Shakën?
- Të dy ata ishin aktor të mëdhenj. Sollën vetëm
kënaqësi në skenat ku dhanë shfaqje.
Të
dy këta humoristë gjithë jetën qeshën vetë, por mbi të gjitha me gjithë zemër
na kanë bërë dhe ne të qeshim, pasi ky ishte misioni i tyre, i karrierës
së tyre. Ne të afërmit që i takonim çdo ditë, i kujtojmë si gjithmonë me
respekt pasi ata në çdo takim vetëm shaka dhe, humor na falnin. Njeriu mund të
harrojë në jetë atë me të cilin ka qeshur, por nuk mund të harrojë atë me të
cilin ka qarë. E qarë, do të thotë lot. Pra dhe ne nuk mund ta harrojmë
Skënderin dhe Shakën pasi me të kemi qeshur me lot. Këtë na kanë sjellë ata në
jetë. Skënderi psh ishte kthyer në simbolin e buzëqeshjes, në
simbolin e së qeshurës.
Festivali i 11-të në
RTSH
Festivali
i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua më 22 dhe 25 dhjetor të vitit 1972 në
Tiranë. Ky festival u dënua nga udhëheqësi i asokohshëm i Shqipërisë si një
festival që përhapte kulturën borgjeze (diçka e shpallur në kundërshtim me
parimet shtetërore) perëndimore dhe shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u
dënuan me burgime të gjata. Regjisor i festivalit ishte Mihal Luarasi. Prezantues ishin Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu. Kënga fituese “Kur
vjen pranvera” kënduar nga Tonin Tërshana. Këngëtarët që kënduan
në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH ishin:
· Zija
Saraçi - Me këngën "Sonte u takoj të Gjithëve"
· Sherif Merdani - këndoi këngën
"Duart e tua"
· Tonin Tërshana - këndoi këngën
fituese "Kur vjen pranvera"
· Vaçe Zela - këndoi këngën
"Natën vonë"
Kompleksi i Elbasanit këndoi këngën "Rruga e Dibrës"
Juria
e kryeqytetit ishte ajo që përmbysi rezultatin e votimit, në përfundim të natës
finale, duke i dhënë çmimin fitues këngës "Kur vjen pranvera". Në
dimrin komunist të viteve '72 besohej për një "Pranverë" në jetën e
shoqërise shqiptare. Nuk është aspak e rastit përse fitoi kjo kënge: anëtarë të
jurisë së kryeqytetit ishin studentet e vitit të fundit të inxhinierisë
elektrike. Në këtë festival këngët u kënduan vetëm nga një këngëtar, nuk u
përsëritën. Gjithashtu u dha vetëm një çmim i parë, njw i dytë dhe një i tretë.
Titujt
Kapexhiu
mban titujt: “Artist i merituar”, “Profesor” dhe Mjeshtër i Madh i
Punës”.
Presidenti
i Republikës i akordoi dt. 17/12/2015, nr. dekreti 9363 zotit Bujar
Kapexhiu Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me
motivacionin: “Në vlerësim të arritjeve të spikatura në fushën e regjisurës,
karikaturës e të interpretimeve të paharrueshme kinematografike, të cilat kanë
karakterizuar veprimtarinë e tij profesionale të shumanshme artistike si dhe
për vlerat e çmuara në edukimin, formimin dhe përgatitjen e disa brezave artistësh
të rinj”.
Më 22 Mars,
2019, në ceremoninë e çeljes së ekspozitës “Ndërkombëtarët” në ambientet e
Universitetit Europian të Tiranës, mjeshtri Bujar Kapexhiu është nderuar me
dekoratën “Nderi i Kombit”.