Kulturë
Kadri Tarelli: Mirënjohja bashkë-udhëtare e një shpirti fisnik
E enjte, 04.04.2024, 07:55 PM
“Shkrimtari i madh është ai që shkruan kohën që jeton dhe që, me idetë e tij troket në botën e së ardhmes”. - Tomas Stearns Eliot.
MIRËNJOHJA BASHKË-UDHËTARE E NJË SHPIRTI FISNIK
Vilhelme Vrana Haxhiraj, në
librin “Mirënjohja virtyt i kujtesës”
Nga Kadri Tarelli
Para pak kohësh,
shkrimtarja e njohur vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, (Vivra), solli
për lexuesit e kudondodhur, librin e saj më të ri: “Mirënjohja virtyt i
kujtesës”, vëllimi I-rë. (kritika, analiza dhe vlerësime nga autorë të ndryshëm).
Është një libër goxha i madh në pamje, (rreth 420 faqe), i ilustruar
edhe me fotografi të autorëve të ndryshëm, që vetiu janë bërë pjesë e këtij
libri, që unë po e quaj “Monografi krijimtarie”.
Në këto tre vargje, qëndisur
nga autorja që në faqet e para të librit, përmblidhet kumti dhe e gjithë
filozofia e kësaj vepre madhore, për më shumë edhe shpirtërore: “Të harrosh është
mëkat..../ Të mohosh dhe të transformosh faktet është krim./ Kurse kujtesa është
mirënjohje dhe vlerë!”.
“Çuditërisht”, nga sa kam kënduar nëpër libra, nuk
flitet për mirënjohje që kurdoherë çmohet si diçka e shenjtëruar në shpirt, siç
po shkruan sot znj. Vivra, duke e ngritur “Mirënjohjen”, si virtyt në shkallën
më të ndritur të marrëdhënieve njerëzore, shoqërore, qytetare, publike, letrare
dhe filozofike. Aq sa vetë autorja shprehet: “Zëri i kujtesës, që gëlon në
çdo paragraf, nuk do të lejojë që mbi 100 intelektualë të harrohen..... Nderim
për zërat e heshtur, që dinë ta këndojnë këngën e jetës.....”. Ashtu siç po
shprehem edhe unë, duke bashkuar edhe zërin tim, që në krye të këtij shkrimi: “Mirënjohja
është bashkë-udhëtare e një shpirti fisnik”.
Them “Çuditërisht”, sepse mendjet e ndritura të botës,
merren me faqen tjetër të Hënës, “Mosmirënjohjen”, për ta mallkuar e ndëshkuar,
si një shpirt i kalbur nga keqja. Mes tyre edhe Shekspiri i madh, që thotë: “A
ka gjë më të përbindshme, sesa mosmirënjohja e njeriut?”.
Duke bashkëbiseduar me
autoren, znj. Vivra, siç ndodh kur ulen dy miq dhe kolegë në sofrën e shkrimtarisë,
lidhur me përmbledhjen e të gjithë shkrimeve që i kushtohen një autori, një
lloj “Monografie letrare”, i bindur nga përvoja, u shpreha gjatë kuvendimit, se
ka dy forma të ndërtimit të një libri të tillë:
a. E merr përsipër një
studiues, kurdoherë dhe kushdo qoftë ai, i cili i grumbullon të gjitha shkrimet
kushtuar një autori, dhe i vendos në një libër. Ai i ve në krye emrin e tij. Njëkohësisht
duke lënë më një anë edhe subjektivizmin, është i ftohtë në vlerësimin apo
përmbajtjen e shkrimeve të ndryshëm. Natyrisht studiuesi është i zhveshur nga
ndjesitë njerëzore, sepse nuk është pjesë e kohës kur janë bërë shkrimet dhe,
aq më pak pjesë e jetës së autores dhe marrëdhënieve që ka krijuar, (ai ose ajo),
me krijuesit, dhe më tej, me librin dhe lexuesit. Në këtë hulli ku udhëton mendimi,
libri përcjell kulturën, durimin, dashamirësinë dhe këndvështrimin e tij, pa u
merakosur se ç’ndjesi apo përshtypje do të përftojë autori që i kushtohet
studimi. Si lexues më kanë rënë në dorë disa libra të tillë.
b. Forma tjetër është,
kur vetë autori i grumbullon të gjitha shkrimet, madje shikon, përqafon,
ledhaton, buzëqesh apo përqesh kohën në pasqyrë. I rilexon shkrimet dhe i përkëdhel,
sikur janë shkruar sot. Është historia e krijimtarisë, që veç autorit nuk e di
askush tjetër. A ka nevojë të gjykojmë znj. Vivra, kur shumë vite më herët merr
në dorë librin e saj të parë,: “E mora librin me duar që më dridheshin dhe
nuk besoja se në ato faqe ishte derdhur fëmijëria, rinia dhe shpirti im i
copëzuar”.
Me një fjalë, çdo
krijues i përjeton sërish ato ndjesi të kohëve të ndryshme, për më tepër mund
të ketë ruajtur edhe copëza ndodhish, porosi, rrahje mendimesh nëpër bisedash
të ndryshme, që natyrisht nuk gjenden në asnjë qasje letre, gazete apo portal
interneti. Bie fjala, pjesëmarrje në kuvende librash, njohje dhe udhëtime, dhënie
çmimesh, dhuratash dhe tituj nderi, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Madje janë me
shumicë edhe poezi, këngë dhe shkrime që s‘kanë të bëjnë me tituj dhe analizë librash,
etj, etj. Të gjitha së bashku, janë stoli që zbukurojnë librin dhe më shumë portretin
e autores, më tej lezetojnë edhe leximin, sepse ato në vetvete janë pjesë jete,
ushqyer me lëng jete.
Autori, në këtë rast
autorja Vivra, gjen vetveten duke falënderuar në vetë të parë, të gjithë
dashamirët e veprës së saj të shtrirë ndër afro 30 vite krijimtari. Të them të
drejtën më pëlqen kjo formë libri, jo vetëm si përmbajtje, pasi veç vlerësimit
të librave, ka shumë përjetime të gëzueshme, pse jo edhe të trishta, ashtu siç
vjen jeta me dallgë e të përpjeta, siç do të shprehej ndonjë lab i krisur, me
shaka të kripura.
Nuk është e dobishme të
futem në brendi dhe komente të përmbajtjes, pasi lexuesi ka dëshirë dhe kërshëri
që të zbulojë vetë “gurët e çmuar” të artit të fjalës dhe mesazhet që përcjell
ky libër, që unë e quaj “Arkë kujtese”. Një emërtim i shtyrë nga përvoja, pasi
shkrimet humbasin apo harrohen nga koha, si të thuash kokrrat e grurit të rëna
përdhe, që në rastin më të mirë i hanë milingonat, më keq kur kalben pa lënë nam
e nishan. Autorja ka meritë që i ka ruajtur me fanatizëm të gjitha shkrimet, që
për fat të mirë janë shumë, sepse ka disa krijues apo lexues që kanë shkruar e
publikuar disa artikuj, poezi, hyrje dhe recensa, kushtuar librave të “heroinës”
sonë. Së bashku janë aq shumë, sa nuk i nxë një libër, ndaj mendon t’i vendosë
në tre vëllime. Nder i autorëve, por njëkohësisht nder edhe për miken tonë znj.
Vivra.
Ndërmend nuk e kam të
kopjoj plot një faqe libri, me emrat e të gjithë autorëve intelektualë të
njohur në fushën e letrave shqipe, që kanë marrë penën të shkruajnë për
krijimtarinë e Vivras. Unë po mjaftohem vetëm me disa, prej tyre: Prof. Odise
Grillo, Teodor Laço, Dionis Bubani, Fatos Arapi, Uran Butka, akademiku Prof. dr.
Eshref Ymeri, nxitësi dhe frymëzuesi i shkrimtares sonë, Prof. Dr. Fatmir
Terziu, (Mjeshtër i madh), i cili i ka kushtuar znj. Vivra, librin: “Liria në
optikën e letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj”, Dr. Mujo Buçpapaj, Baki Ymeri,
znj. Lejla Gorishti, Bujar Leskaj, Myrteza Mara, Hamdi Meçe, Bajram Koshena,
Mexhit Haxhiu, Halil Rama, etj. Nga Dardania shkruajnë Xheladin Mjeku, Adem
Zaplluzha, etj. Nga Suedia, Sokol
Demaku, Sadulla Zendeli-Daja, Fetah Bahtiri, etj. Vetëm nga Durrësi janë disa
pena krijuesish: Shpendi Topollaj, Agim Bajrami, Vladimir Muça, Skënder Kapiti,
Merita Kuçi Thartori, Fatmira Beqja Veseli, Xhevahir Cirongu, mes tyre edhe unë
Kadri Tarelli, me disa shkrime, vjershërime, analiza dhe hyrje libri.
Vetiu lind pyetja që
ka edhe përgjigjen brenda: - A do të shkruanin penat e rënda të letrave, nëse
librat e znj. Vivra nuk do të ishin në majë të krijimtarisë dhe shkrimtarisë!?
Për t’u bindur, mjaftojnë e teprojnë këto pak fjalë, të shkruara para një çerek
shekulli, nga shkrimtari i njohur Teodor Laço, që thotë: “.....Duke marrë në sy
faktin e pengesave që autorja ka hasur për një kohë të gjatë, ne kemi të drejtë
të shpresojmë se trokitja e kësaj zonje të fisme, plot vrull e përkushtim, do
të dëgjohet këtej e tutje më fort, më imponuese, më tingëlluese”. Tiranë.
Korrik 2001.
Nuk e teproj të shpreh
edhe një tjetër vlerë të shtuar të këtij libri në tre volume, “Mirënjohja
virtyt i kujtesës”. Ndoshta pa dashje, por autorja ka krijuar dhe ka
vendosur një copë historie letrare në thesarin e madh të letërsisë dhe kulturës
Shqiptare, në këto 30 vitet e fundit. I qëndroj këtij gjykimi, pasi nëpër
shkrime do të ndeshim edhe copëza të prapa-jetës së Vivras, e cila nis të botojë
në moshën 55-vjeçare. Pavarësisht se e di mirë shkakun, ndërsa pasojat i di më
mirë znj. Vivra, më lejohet të bëj pyetjen që dhemb: Pse, Pse, Pse? Besoj se
çdokush prej nesh, një përgjigje do ta gjejë edhe në këto pak fjalë të shkruara
nga poeti Xhevahir Spahiu: “...... Si mbiemri i saj, qielli është i vranët,
ndaj duhej kohë që qielli të hapej dhe Vilhelmja të thoshte fjalën e saj, .....
Dita erdhi dhe ajo sot ka ardhur si Antigona e lashtësisë, për të mjekuar plagët
e vjetra dhe të reja të kohës”.
Nuk besoj se jam i vetëm
që po mbështes këtë mendim, pasi duke udhëtuar nëpër faqet e këtij libri, do të
gjejmë jo vetëm emra krijuesish, por edhe vendesh, datash, gazetash, bashkë me
to edhe artikujt të shpërndarë në shtypin e kohës, si elementë të domosdoshëm për
një vepër historike letrare të mirëfilltë. Të gjitha janë ngjarje të jetuara. Dhe
ngjarjet kur mblidhen bashkë bëjnë histori, ose më së paku shërbejnë për
histori.
Në vazhdim, ajo që unë
dalloj pa vështirësi në faqet e këtij libri, janë tri pjesë që dallojnë nga njëra-tjetra,
si në përmbajtje ashtu edhe në hapësirën që zënë përkatësisht pranë njëra-tjetrës:
Së pari, hyrja dhe një
lloj jetëshkrimi i shkurtër, i rrëfyer aq bindës dhe bukur nga vetë autorja, ku
mbizotëron ndrydhja dhe dhimbja e shpirtit, kur kujton vështirësitë, pengesat,
ndëshkimin kolektiv, mohimin e të drejtës njerëzore mbi jetën dhe mbijetesën, nën
persekutimin e diktaturës dhe luftës së klasave. Njëkohësish shpërthimi i vullkanit
shpirtëror, mbas përmbysjes së komunizmit, duke i hapur udhë krijimtarisë
letrare, në publicistikë, poezi, prozë, romane, tregime, një pjesë edhe për fëmijë,
studime historike dhe filozofike. E gjitha, për t’u çmuar si një mësim i
dobishëm, si vlerë durimi dhe guximi për t’u përballur dhe për të fituar mbi
padrejtësitë e kohës. Mbase këtu ka vend shprehja popullore: “Floririn hidhe
edhe në baltë, nuk e humbet vlerën. Mjafton ta nxjerrësh, ta pastrosh dhe, ai
përsëri do të shkëlqejë në dritë të diellit”.
Së dyti: Pjesa më e
madhe e librit, ku përfshihen të gjitha shkrimet e autorëve të ndryshëm. Çuditërisht,
duke i lexuar për të njëjtën temë apo për të njëjtin libër, pavarësisht se janë
aq shumë, nuk gjej dot asnjë përsëritje, apo përngjasime shprehjesh dhe idesh.
Aq sa vetiu lind pyetja: - Si është e mundur!? Çdo njëri prej tyre, përfaqëson
një individ më vete, por të papërsëritshëm......!??? Besoj se këtu qëndron
suksesi i librave të znj. Vivra, pa u anashkaluar tematika dhe arti i fjalës,
ku secili lexues dhe shkrues, ka zgjedhur të rrëfejë atë çka ndjen dhe çka i pëlqen,
pa u menduar dy herë.
Pjesa e tretë, fundi i
librit, ku përmblidhen shkrime, vlerësime dhe çmimet e dhëna në adresë të
shkrimtares sonë. Aty do të gjejmë, mbase shprehjet më të bukura të thëna e të
thurura aq bukur për Vivran tonë, si “Zonjë e madhe e letrave shqipe”, “Romanciere
e prozatore moderne”, “Mjeshtre e madhe e penës”, “Akademike”, “Shkrimtarja më
interesante e letërsisë sonë”, “Vranari shkruan me stilin e Xhejm Xhoisit”,
“Autorja punon me fuqinë dhe penën e Balzakut”. Më tej: - “Ikonë e letërsisë
botërore”, si çmim ndërkombëtar, dhënë nga Akademia letrare e Indisë, etj.
Duke i lexuar me
kujdes rreth katër faqe të krijimtarisë së saj dhe vlerësimet e të huajve,
SHBA, Suedi, Kanada, Britani e Madhe, Itali, Mal i Zi, Dardani, Rumani. Askush
nuk mendon se këto vlerësime janë dhënë për “hatër”. Në këto kushte, gjithsecili
nga ne, nuk ka sesi të mos ndjejë një lloj krenarie për këtë shkrimtare me
përmasa të tilla kombëtare e ndërkombëtare. Çdo njëri nga ne do t’i lakmonte
këto nderime të merituara e të fituara me forcën e mendimit dhe mjeshtërinë e
krijimit. Këtu gjen vend edhe pyeta e radhës, që s’më lë të qetë: - Po Akademia
jonë e shkencave Shqiptare, pse nuk lëviz? Pse hesht si murgu në qeli? Pse
trembet që ta ketë në gjirin e saj...... për krijimtarinë, fjalën, guximin dhe
atdhetarinë? Besoj dhe i qëndroj mendimit, se figura e saj i bën nder çdo
institucioni letrar e shkencor kombëtar.
Jam i bindur, si edhe
shumë të tjerë, se prodhimtaria e suksesshme e shkrimtares Vranari e ka burimin jo vetëm te
puna këmbëngulëse, plot mundim, durim e sakrifica, por edhe te besimi i
palëkundur, se do t’i arrijë synimet që i vë vetes çdo krijues, i rrahur në përpjekje
dhe artistikisht i formuar, i provuar dhe i besuar.
Besimi më shtohet kur
lexoj këto pak vargje, vendosur në përthyerjen e ballinës së librit:
...............................................
A mund të mos
shkruajë poezi poeti, /përsa pena ende s’i është tharë?
Nëse një ditë zërin
s’do ma dëgjoni, /atëherë besoni,/ se nga e mundshmja ... jam ndarë! Poezia. “A mund të mos........”.
Urime dhe suksese znj,
Vivra, për të tjerë libra me po kaq vlera krijimtarie dhe atdhetarie. Emrat e
të gjithë autorëve, pjesëtarë të këtij libri, i vendose në përmendore
përjetësie. Ky është vërtet virtyt i kujtesës, që udhëton bashkë me shpirtin
tuaj fisnik!
Jetë dhe shëndet të
mirë, për të qenë kurdoherë mes shkrimtarësh, artistësh dhe atdhetarësh, nga të
gjitha trojet e Shqipërisë Etnike, përfshi edhe mërgatën tonë të shpërndarë në
katër anët e botës!
Zëri yt ngjall shpresë
dhe besim, për ditë më të mira për mbarë kombin Arbëror.
Urime dhe mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës. Fund marsi, 2024.