Kulturë
Tomë Mrijaj: Burgu i Vlorës
E premte, 29.03.2024, 08:57 PM
BURGU
I VLORËS
Nga
Tomë Mrijaj
Periudha
e diktaturës ateisto-komuniste në Shqipëri, gjatë vitëve të zeza 1944-1990, ka
qenë një kalvar i vërtetë mundimesh të pambarim, për të gjithë ata që kanë
kaluar fatkeqsisht shumë dekada brenda qelive të ftohta, plot lagështi.
Për
shumë vite me radhë, historianët botërorë të ditëve tona, të cilët kanë
studiuar me shumë kujdes krimet e periudhës së fashizmit dhe nazizmit, gjatë
periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kanë arritur në përfundimin e saktë, se
epoka fatkeqe e sundimit barbarë të komunizmit kudo në vendet ish komuniste dhe
socialiste deri më sot (në Korenë e Veriut, Kubë etj.), ka qenë shumë herë më e
ashpër dhe katastrofike, se ajo e fashistëve italianë, nazistëve gjermanë dhe
militaristëve fashistë japonezë.
Gjatë
gjithë kohës së komunizmit të zi (1941-1991), e cila fatkeqsisht për herë të
parë përhapet dhe vendoset si epidemi kancerogjene në ish Rusinë Cariste në
vitin 1917, nga komunistët bolshevikët kriminelë muzhikët (fshatarët barbarë)
Vladimir I. Lenini dhe Josif V. Stalini, fatkeqsisht kanë vdekur mizorisht në tortura,
pushkatuar me dhe pa gjyq dhe vdekur me mijëra të pafajshëm (burra, gra dhe fëmijë)
në kampet e tmerrshme të përqendrimi ose të punës së detyruar deri në vdekje
mbi 120 milionë anti marksistë, antibolshevikë, antisocialstë, antikomunistë
etj. (sipas emërtimit politik të regjimeve në shtete dhe kontinente të ndryshme
të botës), duke qenë në këtë mënyrë shifra numerike dy herë më e madhe se njerëzit
e vdekur po barbarisht gjatë periudhës së pushtimeve naziste dhe fashiste të Luftës
së Dytë Botërore (56 milionë).
Hetuesit
dhe personeli ushtarak i burgjeve shqiptare si katilë të regjur, ishin të përzgjedhur
me shumë kujdes për të tilla krime, të cilët ndiqnin me përpikmëri taktikat e
burgjeve fashiste dhe nasiste të kohës, në mënyrë që t’ia bënin vazhdimisht dhe
ndër vite jetën ferr të vërtetë të gjithë të burgosurve, që fatkeqsisht kishin
rënë në duart e tyre si xhelatë.
Asokhe
duhet thënë se vetë sistemi apo diktatura e komunizmit ishte i barabartë me
burgun e madh popullor, sepse në këte gjendje ishte katandisë i gjthë populli
shqiptarë, që ishte brenda një burgut gjigand për 5 dekada, rrethuar në kufi
dhe brenda saj totalisht me tela me xhemba dhe bunkera betoni dhe hekuri kudo në
male, fusha, qytete dhe bregdetin shqiptar.
Burgu i Vlorës ishte
një ferr i vërtetë
Këto
ditë po lexoja me shumë kujdes dhe emocione një libër historik me kujtime të përjetuara
dhe të hidhura njëkohsisht, shkruar disa vite më parë nga ish i burgosuri politik
dhe ish Kryetar i Shoqatës së ish të Perndjekurve dhe të Persekutuarve (Dënuarve)
Politikë në Shqipëri, gjatë kohës së sundimit të diktaturës më të egër
komuniste në botë.
Autori
i kujtimeve të hidhura i burgosuri politik i ndërgjegjës Kurt Kola, në librin e
tij, përshkruan jetën dhe burgjet e tmerrshme të Shqipërisë, të cilët iu desh t’i
kalonte mbi shpinë ditë për ditë dhe shumë vite me radhë, duke filluar nga
mosha e fëmijërisë, kur ai hyri brenda dhe deri sa u lirua me ardhjen e lirisë
dhe demokracisë në Shqipëri në vitin 1991.
Kryetari
i Shoqatës martire Kola, ndër të tjera shkruan: “Burgu i Vlorës nuk ishte model
i atij të Gjirokastrës, as si ndërtesë, as si trajtim. Komandant burgu ishte
Hysen Kapllani, me gradën Major dhe njeri, disi, i moderuar. Në këtë burg nuk
pati gjëra të natyrës makabre si në Gjirokastër, por ndodhën dy takime
interesante që ia vlen të tregohen...
Ballafaqimi i dy të
dënuarve në lojën e Sigurimit të Shtetit
Dedë
Gjonmarkaj ishte arrestuar në fillim të vitit 1945. E kishin dënuar 5 vjet, të
cilat i bëri ditë më ditë. Lirohet në maj të vitit 1950 nga burgu i Tiranës.
Shkon në shtëpi të Lekë Previzit, i cili nuk ishte internuar akoma. Ishte e
dielë dhe rastisi ditë sporti: luante Tirana me Partizanin.
Të
dy bashkë u nisën për të parë ndeshjen. Mbrapa i ndiqte një makinë e Sigurimit
të Shtetit. Pa mbërritur tek stadiumi, dy civilë u presin rrugën.
Eja
me ne - i thonë Dedës dhe e fusin në mes. Tre metra më tutje, hapin derën e
pasme të veturës dhe e fusin brenda. Leka, i shastisur dhe shumë i trembur
ndoqi me sy rrëmbimin e shokut dhe me të shpejtë u zhduk për në shtëpi. Dedën e
izoluan në birucat e Ministrisë së Brendshme...
Tani
fillon loja e Sigurimit të Shtetit. Në Tepelenë "lirojnë" familjen e
Gjonmarkajve. E mbajnë një javë në qytet me pretekstin se nuk kishte makinë për
ta çuar në Shkodër. Në krye të javës, gazeta Zëri i Popullit, në faqe të parë
me germa kapitale shkruan: “Dedë
Gjonmarkaj, i biri i tradhtarit Gjon Markagjoni, sapo u lirua nga burgu është
arratisur.”
Diaboliku,
Niqit Andoni, vjen nga Tirana dhe rikthen në kamp internimi familjen e
Gjonmarkajve, duke u thënë: "Qeveria
jonë ju liroi nga internimi, por u bë shkak arratisja e djalit tuaj dhe u
anullua falja juaj..."
Dedë
Gjonmarku sillet në birucat e Gjirokastrës, ndërsa oficeri i Ministrisë së Brendshme, mirditori Mark Dodani, i maskuar në emrin e Dedë Gjonmarkajt,
futet në çetat e të arratisurve në Shqipërinë e Mesme.
Ministria
e Brendshme, e instruktuar nga KGB-ja ruse, pati krijuar “Frontin e Heshtur”, -
një organizatë me oficerët më të zgjedhur, të cilët kishin dalë maleve si të
arratisur dhe asgjësonin të arratisurit e vërtetë, me format më të pabesa.
Disa
nga të arratisurit që i kapnin të gjallë, me forma të ndryshme mashtrimi,
arrinin t`i bënin bashkëpunëtorë, deri edhe tek diversantët Zenel Shehu e Hamit
Matjani.
Mark
Dodani, me disa oficerë të tjerë, depërtoi në çetën e Sulë Selimes nga
Baldushku i Tiranës dhe u bë shumë i besuar aty, nën maskën e Dedë Gjonmarkajt,
të cilin nuk e kishin parë kurrë, por e besonin si djalin e Princit të
Mirditës, Gjon Markagjonit.
Ndërsa
Dedë Gjonmarkaj, pa asnjë akuzë, dergjej në katakombet e Gjirokastrës, nën
emrin e tij, oficeri i sigurimit, Mark Dodani, vriste dhe arrestonte në gjumë
kundërshtarët politikë!
Në
gjashtë vjet, 1948-1954, i ndihmuar nga KGB-ja nëpërmjet agjentit të saj, Kim
Filbi, sigurimi shqiptar asgjësoi të gjithë të arratisurit brenda vendit, si
edhe ata që vinin si diversantë nga jashtë për ta mbyllur me Zenel Shehun dhe
Hamit Matjanin.
Çeta
e Sulë Selimes, në të cilën pati hyrë oficeri i Sigurimit, Mark Dodani, u
pushkatua e gjithë, përveç të birit Nazif Selimja, të cilin e dënuan 15 vjet
burg. Ky tregon: "Ishim në dijeni të infiltrimit të oficerëve të sigurimit
në çetat e të arratisurve dhe bënim shumë kujdes. Hetonim mjaft para se të
pranonim ndonjë të arratisur të ri, por nuk arritëm dot deri tek djallëzia se mund
të “përdoret" në lojë djali i Gjon Marka Gjonit...
Takim i përzemërt i
dy "armiqve" në burgun e Vlorës...
Pas
mbarimit të lojës, Dedë Gjonmarkajn e çojnë në spitalin e burgut në Tiranë, në
gjendje të rëndë shëndetësore. Aty e kurojnë për dy muaj rresht me ilaçe dhe
ushqim, duke ia shpëtuar jetën. Në një nga ditët e viziton Ministri i Brendshëm
Kadri Hazbiu, i cili i komunikon dënimin me 7 vjet burg!
-
Nuk kam dalë në gjyq dhe nuk më është komunikuar asnjë akuzë, - i thotë Deda.
-
Të është bërë gjyqi në mungesë, do të vij vendimi, - i tha Ministri.
- Dedën,
nga spitali i burgut e çojnë në burgun e Vlorës dhe, për koincidencë apo
qëllimisht, në dhomë me Nazif Selimen.
-
Na preve në besë, Dedë Gjomarkaj! - i tha buzagaz Nazifi.
Deda
shtangu nga ky lajm, edhe pse Nazifi e tha buzagaz. E kuptoi dhe e rroku në
qafë, si për t'i kërkuar ndjesë për gabimin që bëri. Deda, edhe pse përqafimin
e Nazifit po e pranonte si pendesë, nuk po çlirohej dot nga befasia e asaj që
dëgjoi dhe Nazifi i tregoi gjithë poshtërsinë, që ishte luajtur në emër të tij.
KURT KOLA
Në Shqipërinë Burg