Kulturë
Idriz Lamaj: 'Rinija Shqiptare në Mërgim', revista e harruar e viteve '70
E shtune, 23.03.2024, 08:54 PM
"RINIA SHQIPTARE NË MËRGIM",
REVISTA E HARRUAR E VITEVE '70
Nga
Idriz Lamaj
Publicistika
e shqiptarëve të Amerikës është thesar i çmuar për analizimin e zhvillimeve
historike të popullit shqiptar në atdheun etnik dhe të veprimtarisë të
mërgimtarëve shqiptaro-amerikan në ShBA. Që nga fillimi i shekullit të kaluar
deri më sot, mërgimtarët shqiptarë në këtë vend botuan me dhjetra gazeta e
revista të ndryshme. Veprimtarët e kësaj fushe ishin intelektualë idealist të
cilët botuan gazeta e revista me mundin dhe shpenzimet e tyre dhe të pak miqëve
e bashkëpunëtorëve të ngushtë që mund të kishin. Me kalimin e kohës zhduken
gjurmët e botimeve të tyre, me përjashtim të gazetës "Dielli", që
botohet prej 102 vitesh. Dy dekadat e fundit, si shkak i zhvillimeve historike
në Kosovë e Shqipëri, botohen në New York gazetat "Illyria" dhe
"Bota Sot".
Në
fillim të viteve '70-të Fran Shkreli filloi botimin e revistës"Rinija
Shqiptare në Mërgim". Dalja e kësaj reviste në qarkullim fillon në një
kohë ndryshimesh të dukshme politike kombëtare e ndërkombëtare. Marrdhëniet
midis Prishtinës dhe Tiranës në vitet 70-të, përveç rëndësisë kulturore, sollën dhe forcimin e fushatës
politike të komunizmit kundër nacionalizmit shqiptar në mërgim. Propoganda
politike e regjimit komunist të Tiranës ndikoi thellë në rininë shqiptare të
Kosovës. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, në mjetet e iniformimit
të Kosovës (në gazeta e revista) filloi një lloj fushatë e dukshme
politike-ideologjike kundër mërgatës nacionaliste shqiptare, kundër klerit
katolik shqiptar, dhe kundër "imperializmit amerikan". Kishte dhe
intelektualë e mërgimtarë, të pjekur nga mosha, ish të persekutuar politikë, të
vuajtur në kampet e punës së detyruar dhe burgjet e regjimit komunist të
Shqipërisë, të cilët, në atë periudhë, zbutën qëndrimin e tyre kundër
komunizmit. Ndikimi i propagandës komuniste në mërgim shikohet në shkrimet e
tyre, ku herë pas here, bëjnë fjalë për "përparimet e mëdha në fushën e
arsimit dhe të ekonomisë" në Shqipëri.Në anën tjetër, përfundimi i luftës
në Vietnam dhe tërheqja e forcave amerikane nga ai vend turbulloi mendjet e
shumë qarqeve universitare amerikane, sidomos të profesorëve dhe studentëve,
duke paraqitur komunizmin si një lloj ideologje jo të keqe. Në atë dekadë lëkundjesh të thella politike
kombëtare e ndërkombëtare, Fran Shkreli (në moshën 22-vjeçare) filloi botimin e
revistës "Rinia Shqiptare në Mërgim". Në janar 1972, doli në New York
numri i parë i saj duke filluar me këtë editorial:
"
Tue bisedue me njanin para disa kohe, m'thotë:Kur njeriu jeton i lirë, i gëzon
të drejtat me shkrue, me u shpreh dhe me mendue lirisht, asht mëkat që mos me
çfrytëzue këtë liri, për të mirën tonë, të Kombit dhe të kulturës shqiptare. I
trimnuem prej disa të rinjve, dhe i mëbshtetun në bashkëpunimin e tyne, po ia
fillojmë me shtypë këtë organ të ri, të cilit ia dhamë titullin, “Rinija
Shqiptare në Mërgim".
Pse
rinia jonë mos me e pasë organin e vet, ku do të çfaqshin mendimet e tyne ashtu
si mendojnë ata, lirisht pa i udhnue dikush tjetër,sigurisht tue shique punën e
të vjetërve, tue pranue çka asht e mirë dhe e suksesshme tue u largue atyne që
munden me damtue? Asht e nevojshme pra që të fillojmë vet.
E
dijmë se ndokush ndoshta, ka me u bindë, s'kanë me marrë këtë punë seriozisht,
kanë me na quejtë t'pa aftë për këte ndërmarrje. Na i dijmë mundësitë dhe
aftësitë tona. Nuk janë të mëdha por janë të mjaftushme. Edhe na do t'bajmë
çmos që me ndej në rrethin tonë. E pranojmë kritikën, por ajo duhet me qenë e
shëndoshë, me karakter ndërtues dhe qëllime të mira.Iu lutem lexuesve tonë, e
kryesisht atyne që janë në gjendje nga penda, me na dhanë direktiva, udhëzime,
me na ndihmue në këtë çashtje. Si thamë ma nalt me karakter ndërtues,
gjithëmonë janë të mirëpritura. E dijmë se çdo fillim asht i ëvshtirë, por na
besojmë me ndihmesën e Zotit, në fuqitë tona dhe në vullntin e popullit. Na nuk
jemi kah e bajmë kët as me i qitë za vedit, as me ulë ose mposht' veprimin e
ndokujt deri tash. Jo! Përkundrazi, jemi mirënjoftësa dhe e çmojmë veprimtarinë
e tyne. Pra, mos na keqkuptoni, por na ndihmoni! ("Bisedime
shoqnore", R. SH. M. Faqe 1, nr. 1). Në të njëjtin numër (f 3), botuesi
sjell shkrimin me titull "Shqipnija Etnike", ku midis të tjerash
shkruan: "Ndeshja vigane e Fuqive
të Mëdha, tue ndërrue aty këtu hartën e Evropës, e ma veçanërisht hartën e
Ballkanit, ka ringjallë edhe nji herë çashtjen e pavarësisë të të gjithë
kombeve, si të mëdhaja si të vogla, e çashtjen e kufijëve të tyne; çashtje e
randësishme e delikate nga të cilat mvaret ajo ardhmëni lirie, drejtësie e
paqeje, e cila ashtë dëshira ma e flakët e mbarë gjinisë njerëzore."
Sipas
këtij artikulli çashtja e pavarësisë dhe e kufijve nuk është vetëm një çështje
drejtpeshimi politik, por edhe një çështje morale e juridike. Dhe,
"problemi kryesor për ne shqiptarët dhe për atdhenë tonë asht: Shqipnija e
cila kërkon rimëkambjen e pavarësisë politike brenda kufijve etnik të saj.
Shqipnija e cila kërkon Çamërinë, Manastirin e rrethet e tij, Kosovën, Tivarin,
Ulqinin, Plavën, Gucinë, Tregun e Ri dhe Shkupin me rrethe; Shqipnija e ka me
tagër këtë pamvarësi e mbi të gjitha këto vende."
Në
këtë artikull të ngjeshur shkruhet se kërkesat e shqiptarëve janë të
mbështetura mbi argumentet më të forta, më të shëndosha dhe më të
pakundërshtueshme. Në fund, kritikon ashpër regjimin komunist të Tiranës, për
të cilin shkruan se". flet para Kombeve të Bashkuara për të drejtat e
popullit të madh kinez si ma përpara për të drejtat e popullit të madh rus,
ndërsa çashtjen e Kosovës se zë n'gojë sepse atë ua ka falë sllavëve."
Përgjegjësi
i revistës për të dokumentuar pazarllëkun politik të hierarkisë politike të
komunistëve shqiptarë dhe sjelljen e tyre në pushtet nga serbo-malazezët,
shkruan:" Po biem disa pjesë letrash që Enveri me shokë kanë shëndrrue me
"miqtë” e tyne jugosllav. Enver Hoxha në letrën dërgue Titos, me 23
shtator 1944, përpos tjerash shkruan: "Vija e drejtë dhe e kjartë e
Partisë Komuniste heroike të Jugosllavisë nuk ka qenë për ne vetëm dritë, e
cila ndriçon rrugën tonë, por njëkohësisht ka qenë një mbështetje e fortë. Dy
partitë tona kanë vu në themel vllaznimin e t'dy popujve tonë. Partia e jonë
ndihet e fuqishme sepse bri saj asht Partia e madhe e Jugosllavisë dhe
udhëheqësi i saj i urtë Mareshalli Tito.
Enveri
i shkruen Mugoshës, të cilit nuk ka mund t'i zbulojë dot as emrin e vërtetë,
derisa Dushani u kthye në Jugosllavi për gjithëmonë. Prej kësaj shifet se sa
besnik kanë qenë Enveri me shokë për serbomadhin Dushan, sa që as emnin e
vërtetë nuk ua ka kallxue; ata njohnin me emën Dushanin si Salë. Enveri i
shkruen Aliut(Miladin Popoviqi, shën IL) qenkesh ma i fortë se ne. Do të
fillojmë nji kurs të vogël biçim konferencash me këto tema: Lufta imperialiste
e parë dhe e dyta-luftë e drejtë dhe padrejtë". Luftë e drejtë dhe e pa
drejtë , fakt që asht realizue mbi popullin shqiptar tash ma se 25 vjet;
padrejtësia asht përdorë dhe përdoret edhe tash në Shqipni. Asht e nevojshme
dhe e drejtë që dikur regjimi komunist të fillojë të përdorë
drejtësinë."(R.SH. M. N.3, fq 2-3)
Në
atë kryeartikull të gjatë redaksional ai sjell edhe paragrafe letrash të Hysni
Kapos, Koçi Xoxes dhe servilëve të tjerë serbo-malazezëve të cilët i sollën në
pushtet në sajë të luftës civile vëllavrasëse që krijuan në Shqipëri vetëm për
të mbajtur Kosovën dhe territoret e tjera nën thundrën e tyre pushtuese dhe
popullin shqiptar të izoluar, të poshtruar, të shtypur dhe të varfër.
Në
numrat 2 dhe 3, Shkreli sjell në revistën e tij reagime të ashpra kundër
gazetarëve Ali Sutaj, Jusuf Ferizi dhe Ragip Beqaj. Ata kishin filluar një
fushatë të fortë kundër emigracionit shqiptar dhe veprimtarisë të Klerit
Katolik në gazetën "Rilindja" të Prishtinës. Shkrimete tyre nuk ishin
gjë tjetër vetëm se imitim i shtypit komunist të Shqipërisë. Po të lexohen ato
shkrime janë thjeshtë për t'i hyrë në qejf regjimit komunist të Tiranës sepse
kishte filluar komunikimi i fortë Prishtinë-Tiranë, kurse qarqeve shtetërore
jugosllave, polemika të tilla kundër mërgimtarëve iu pëlqenin sepse në ato
shkrime luftoheshin përpjekjet e shqiptarëve për çështje të Kosovës dhe
goditeshin figura të shquara të nacionalizmit. Ndërsa, sa i përket Klerit
Katolik, politika sllavo-komuniste e ka pasur gjithëmonë halë në sy.
Këtu
duhet shquar fakti se edhe gazetarët e Rilindjes të akredituar pranë Kombeve të
Bashkuara, në atë periudhë shkruan herë pas here kundër veprimtarisë së
emigracionit shqiptar në SHBA dhe kundër qeverisë amerikane, duke e cilësuar
atë edhe si shtet imperialist.
Në
secilin numër të revistës z. Shkreli i kundërvihet propagandës të gazetarëve
komunistë të Prishtinës dhe Tiranës në një mënyrë të pashembullt. Ai mbron
nacionalizmin shqiptar në mërgim me forcën e argumenteve të forta historike,
duke e quajtë luftën "nacionalclirimtare" më tepër si luftë
vëllavrasëse dhe pushtimi se sa si luftë antifashiste.
Shkreli,
në moshë fare të re, përveç studimeve në Universitet, shkruan, zgjedh lëndë për
botim, redakton, daktilografon, përkthen, faqos, shpërndan revistën, mban
korrespondencë me lexuesit e saj dhe me personalitete te penës. Në numrin 3 të
revistës botohen këto dy letra:
Prof.
Ernest Koliqi i shkruan:
I
dashtun Fran, “Më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut
"Rinija Shqyptare në Mërgim". Gëzohem pikë ma së pari qe je mirë, qe
përpiqesh të ndjekish studimet e, në fund, për botimin kushtue masës së re qe
larg prej atdheut ka shumë nevojë t'ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.. të
lumtë! Asht nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç, fjalën e
moçme:"Trimi i mirë me shokë shumë!" Avit moshatarë sa ma shumë qe
mundesh. N'asht se kjo fletore tremujore do të merret edhe me letërsi, mos
harro auktorë që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtu nga historia e
letërsisë shqipe. Kam pasë punë shumë në këto kohët e fundit, prandaj vonova me
t'u përgjigjë”.
Të
fala të përzemërta, Ernest Koliqi
Ndërsa,
Prof. Rexhep Krasniqi i shkruan:"
I
dashtun z.Shkreli -- Sot kam marrë letrën e juej, dhe megjithë që jam I nxanun
me punë të tjera, po iu përgjigjem menjiherë. Mjerisht deri më sot nuk kam pasë
rast me u takue me ju, por dy gjana më kanë ra në sy në lidhje me ju. Spari që
ju punoni, dhe njëkohësisht, vazhdoni mësimet shkollore, dhe tue qenë se jeni
në moshë të re,
kam
shpresë të madhe që me kohë dhe me sakrifica, ma në fund, do të jeni në gjendje
me i përfundue këto mësime, dhe kështu, me hy në radhën e shqiptarëve të
pakët
të kësaj kategorie në këtë vend. I kam lexue rishtas edhe dy numrat e së
përkohshmes “Rinija Shqiptare në Mërgim". Secili fillim asht i vështirë,
por nga përmbajtja e artikujve që keni botue më duket se jeni në rrugë të mbarë
që përputhet me moton e juej "Lux et Veritas" dhe të shpresojmë se,
me kohë, broshura e juej ka me u ba nji përmbledhje e fuqive të reja të
kulturës dhe të virtuteve të komëbsisë shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të
përparimit.
Ju
falem nderës për fjalët e mira që shprehni ndaj Komitetit "Shqipëria e
Lirë" dhe punës që ky komitet ka ba dhe mundohet me ba në përkrahjen e
çashtjeve të bashkatdhetarëve tonë në këtë vend, dhe atyne që janë robnuem nga
regjimi totalitar në atdhe.
Me
kaq ju dëshiroj shëndet të mirë dhe punë të mbarë, ashtu edhe Pashkët për shumë
vjet e me të mira. Mbetem me nderime
- Dr. Rexhep Krasniqi
Letrat
e mësipërme për z.Shkreli ishin mbështetje e madhe morale dhe vlerësim i punës
së tij. Numri i katërt i revistës, krahasimisht me numrat e mëprashëm, duket më
i pasur. Përveç një shkrimi të prekshëm dhe dokumentar të bashkëpunëtorit të
revistës z. Ndoc Vulaj mbi jetën dhe veprimtarinë e Ndre Mjedës, z. Shkreli
shkruan
edhe lidhur me zhvillimet politike në SHBA dhe zgjedhjen e presidentit Nikson
në mandatin 1972-1976. Aty (fq 7) është një letër në anglisht drejtuar Kolegjit
Lehman me rastin e zgjedhjeve presidenciale me titull"More than
ever", në të cilën z. Shkreli i përgjigjet revistës së Kolegjit
"Meridian" e cila kishte shprehur keqardhje për rezultatin e
zgjedhjeve në favor të presidentit Nikson,të ashtuqujturit sindrom vietnamez.
Shkreli i përgjigjet:"Të gjithë e dimë, ose të gjithë duhet ta dijmë se
komunizmi është rrezik i madh për botën e lirë. Ndërlikimi amerikan në Vietnam
nuk është asgjë tjetër vetëm një garanci për liri e vetvendosje të popullit
vietnamez dhe shpresë për të gjitha kombet e tjera që jetojnë nën thundrën
terroriste të komunizmit të të gjitha atyre kombeve".(R.SH.M, Nr. 4 fq. 9)
Bashkëpunëtor
serioz dhe mbështetës i gjithëanshëm irevistës është Ndoc Vulaj, penë e mprehtë
e kohës dhe studiues i fushave të ndryshme të kulturës tonë komëbtare. Një
bashkëpunëtor tjetër i revistës ishte dhe Gjeto Sinishtaj. Ai e pasuroi
revistën me poezi, ku shpreheshin ndjenjat për atdheun etnik dhe jeta plot
dhimbje në mërgim.
Revista
"Rinija Shqiptare në Mërgim" (R SH M) zë një vend të veçantë në
publicistikën e emigracionit antikomunist shqiptar. Kjo është revista e parë
themeluar dhe drejtuar nga një student, i cili bën përpjekje serioze për të
bashkuar, organizuar dhe ngritë zërin e rinisë shqiptare në këtë vend. Një
rëndësi tjetër e kësaj reviste është orientimi politik dhe historik. R.SH. M
bënë luftë pa kompromis kundër ideologjisë komuniste në përgjithësi dhe në
veçanti, kundër regjimit kmunist në Shqipëri. Në këtë fletore diskretitohet
komunizmi në të gjitha fushat.
Në
faqet e revistës R. SH.M janë ribotuar shumë artikuj anglisht të Fran Shkrelit
të botuara në revistën "Meridian", që aso kohe e botonte universiteti
ku ai kryente studimet. Po të lexohen me kujdes këta artikuj shihet se z.
Shkreli mban të njëjtin qëndrim. Ai polemizohet ashpër me profesorët liberalë
amerikanë duke sjellë edhe emrat e disa prej tyre, të cilët
"predikonin" dhe e konsideronin komunizmin si një gjë jo të keqe, por
si lëvizje punëtorësh, etj.
Shkreli
mban një qëndrim të fortë konservator lidhur me këto pikëpamje dhe zatën që
prej asaj kohe e deri më sot ai nuk ka bërë më të voglin ndryshim ose lëshim në
pikëpamjet e tij. Tetë numra të revistës
dolën në qarkullim, pastaj (më 1974) z. Shkreli punësohet në seksionin Shqip të
"Zërit të Amerikës". Punoi në Washington më shumë se tri dekada,
derisa doli në pension. Nga punëtori ri, ai arriti të drejtoi Shërbimin
Shqiptar dhe Shërbime të tjera, përfshi atë Sovjetik.
Fran
Shkreli edhe sot në shkrimet e tij mbetet ai që ishte; njeri i brumosur me
idealet e larta nacionaliste, studiues dhe analist i paisur me kulturë të
thellë politike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kushedi
sa shërbime i bëri Frani vendit të vet gjatë punës në Washington!
Idriz Lamaj -Studiues,
analist dhe ish-gazetar i Zërit të Amerikës
Nr.
I –Janar-Mars, 1972
Nr.
II, Prill-Qershor, 1972