Kulturë
Jusuf Buxhovi: Historiografia jonë ka nevojë për korrigjime dhe rishkrim
E enjte, 21.03.2024, 08:56 PM
HISTORIOGRAFIA JONË KA NEVOJË PËR KORRIGJIME DHE RISHKRIM
-Mistifikimi
i të vërtetave historike si dhe mbajtja e tyre e ngrirë qoftë edhe me
autoritetin e censurës, siç po kërkohet kohëve të fundit nga qarqe të caktuara
akademike, është krim shkencor, por edhe moral, meqë pamundësia e çlirimit nga
mashtrimet, shoqërinë e kthen në viktimë të përhershme të përshtatshme për
çfarëdo manipulimi!
Nga
Jusuf BUXHOVI
Martin
Hajdegeri, me të drejtë ngriti çështjen që secila gjeneratë ka të drejtë për
rishikimin e historisë në përputhje me
“pikëpamjet për të vërtetën e vet”. Kjo arsyetohet me atë se
historiografia si shkencë e veçantë shoqërore
ka për detyrë të marrë parasysh logjikën e interpretimeve që ofrojnë
faktet në vazhdimësi si dhe atë, që qëndrimet e caktuara, të pranueshme ose të
imponueshme në një kohë, valorizohen,
rishikohen ose edhe korrigjohen në përputhje me ndryshimet shoqërore që
vendosin raportet politike. Meqë
shtetformi shqiptar (i Shqipërisë në vitin 1912 dhe të Kosovës në vitin
2008) ka kaluar nëpër faza të
mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe ato ideologjike për mbi gjysmë shekulli, ka qenë
e pritshme që edhe ajo që është shfaqë si historiografi “autentike” nga autorët
shqiptarë të jetë ndikuar nga këto rrethana, veçmas nga historiografia serbe,
që mund të thuhet, se bashkë me diskursin e njohur ideologjik, ia ka përcaktuar
kornizat e “të vërtetave” gjithnjë në përputhje me programet hegjemoniste serbe
gjatë dy shekujve të fundit. Natyrisht se diktatit të historiografisë serbe
ndaj asaj shqiptare, krahas faktorëve nga raporti i forcave, i kanë ndihmuar
edhe impulset “shkencore” që kanë ardhur nga “qarku sllavist” i Vjenës dhe
shkolla ruse e shekullit XIX-XX në shërbim të drejtpërdrejtë të politikës së
njohur të hegjemonizmit pansllavist rus
në Ballkan nga Kriza Lindore e këndej, që ka ndikuar edhe hartat politike dhe
ato shtetërore. Andaj, ka qenë e pritshme që përjashtimi i shqiptarëve prej
hartave politike të Europës sa më shumë që të jetë e mundur, që hisja e tyre në
to të jetë sa më e vogël dhe mundësisht nën tutelën e shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë) të
shumtën të ngritura dhe të shtrira mbi trungun e etnisë shqiptare.
Kësaj
politike i është dashtë parja e mjegulluar e shqiptarëve në histori, veçmas në
antikitet dhe mesjetë, si dhe roli i tyre “i pushtuesit” dhe “zullumqarit”
gjatë Perandorisë Osmane të ardhur nga Kaukazi, me ç’rast ata, me ndihmën e
osmanëve dhe të pranimit të islamit, gjoja kanë rrënuar “shtetin mesjetar serb”
si dhe “kishën ortodokse serbe”! Kështu, platformat hegjemoniste , ajo e
“Naçertanjes” së Garashaninit dhe “Megaloidhesë” greke të vitit 1844 bashkë me
literaturën përcjellëse me plot e përplot gënjeshtra dhe falsifikime ordinare,
ia përcaktuan edhe kornizat si dhe hapësirën pamjes së deformuar të historisë
së shqiptarëve jo vetëm nëpër qendrat e caktuara hulumtuese dhe studimore
evropiane (me përjashtim të shkollës gjermane), por ndikuan që edhe fillet e historiografisë
institucionale shqiptare (mbas viteve të njëzeta të shekullit të kaluar) dhe
veçmas ato ideologjike gjatë regjimit komunist, të shumtën të mbesin peng i
tyre, posaçërisht të çështjet që kanë të bëjë me mesjetën e mesme dhe atë të
vonshme, ku dogma e të ashtuquajturit
shtet mesjetar serb të identifikuar me dinastinë Rasiane të Nemanjajve
tribalë (fis që i ka takuar botës ilire), dhe kishë ortodokse serbe me gjoja
autoqefali në shekullin XIII, mbesin të paprekura!
Historiografia
ideologjike gjatë gjysmë shekulli në Tiranë, krahas përpjekjeve që së paku,
nëpërmes teorisë ilire (gjithnjë në përputhje me kornizat e
indoevropianishtes), ta lidh origjinën shqiptare me antikitetin (ndonëse
përherë të parë nën ndikimin helen), megjithatë, duke iu nënshtruar klisheve të
historiografisë serbe dhe falsifikimeve
të saj, gjithnjë nën diktatin ideologjik, që Shqipërisë i ka ardhur nga
Beogradi, ka pranuar diskontinuitetin historik dhe veçmas atë etnik, kulturor
gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, me çka me këto shkëputje i është
ndihmuar anatemës së popullit të
mjegulluar dhe jashtë strukturave shoqërore dhe politike në mesjetë qofshin ato
edhe ndër më të fuqishmet e kohës siç ishte "Despotati i Eprit"i mesit
të shekllit XIII, "Mbretëria Arbërore" e Anzhuve e vitit 1272 si dhe
dinastive të Balshajve, Thopiajve, Kastriotëve, Dukagjinëve dhe të tjera! Kjo
ka bërë që shqiptarët të privohen edhe nga roli i tyre që kishin gjatë shfaqjes
së krishterimit dhe më vonë, ku ata
ishin ndër të parët që e pranuan dhe i ndihmuan përhapjes së tij tutje
Ilirikut. Madje, edhe perandorët e njohur ilir-dardanë Konstandini i Madh,
Justiuniani dhe të tjerët, që me të drejtë mund të merren pjesë e trashëgimisë
së lavdishme historike arbërore-shqiptare, ku duhet të mbështet edhe identiteti
politik dhe shoqëror në kuadër të formacioneve autonome të kohës, përjashtohen
prej saj, duke u përvetësuar nga të tjerët!
Krahas
diskursit përjashtues nga mesjeta në jetën shoqërore dhe politike të saj në
dobi të diktatit sllav-ortodoks, historiografia institucionale shqiptare,
gjithnjë nën diktatin ideologjik, ka krijuar mundësi të reja, që i njëjti
diskurs, të ndikojë drejtpërdrejt edhe raportet e brendshme antihistorike,
sidomos ato që solli fillimi i Luftës së
Dytë Botërore dhe përfundimi i saj, me ç’rast, fitorja e ideologjisë
komuniste dhe përfshirja e dhunshme e shqiptarëve në të, shkaktoi dëme të mëdha
gjithë atyre zhvillimeve me të cilat, në përputhje me rrethanat që krijoheshin,
kërkohej që të korrigjoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të
Londrës. Kështu, historiografia ideologjike, fitores së komunistëve shqiptarë
në radhët e Frontit Antifashist si dhe krimeve të rënda, që u ushtruan nga ana
e tyre pas marrjes së pushtetit në bashkëveprim me partizanët jugosllavë, u dha
“alibi” në emër “të luftës klasore” dhe
qërimit të hesapeve me “kuislingët dhe fashistët”! Me këtë rast edhe
slogani "luftë
nacionalçlirimtare" u ngatërrua deri te keqpërdorimi, kur dihet
"komunizmi" jo vetëm që e përjashton "kombëtarën" por edhe
e lufton atë, siç ndodhi në vërtetë. Në këtë frymë, pra që të luftohet çdo
përpjekje e kombëtarizmës dhe frymës së saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u
erdhën në ndihmë edhe formulimet “kuislingë” dhe “fashistë” ndaj atyre që
vepronin për shtet të përbashkët shqiptar në përputhje me rrethanat e kohës,
siç ishte shteti i pavarur shqiptar i viti 1943 që doli nga Kuvendi i Dytë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i nëntor
1943, që përfshiu pjesën më të madhe të viseve etnike shqiptare të shkëputura
dhunshëm gjatë pushtimit serb dhe grek të vitit 1912. Qeveria shqiptare e vitit
1943-1944 si dhe rrethanat që e nxorën atë,
historiografia shqiptare duhet t’i rishqyrtojë dhe t’i trajtojë në
përputhje me rolin historik dhe pasoja që prodhoi ajo si një veprim patriotik i
elitave intelektuale, që kishin për detyrë të shfrytëzonin raportin e forcave
politike për interesat kombëtare, siç ishin ato të krijimit të një shteti të
përbashkët shqiptar. Ky rishikim, bashkë me atë që solli ripushtimi i Kosovës
nga Beogradi në nëntor të vitit 1944 në saje të bashkëpunimit internacionalist
të komunistëve të Shqipëpisë me ata të Titos me pasoja tragjike për Kosovën (me
mbi 50 mijë të vrarë nga terrori partizan), me çështjet tjera që lidhen me
vazhdimësinë historike të shqiptarëve në të gjitha fazat e saj nga antikiteti, mesjeta e deri te koha
jonë, natyrisht se tërheq pas veti edhe
vargoin e korrigjimeve, nga ato të vazhdimësisë pellazge, pranimit të trinomit
mbretëror ilir në antikitet (maqedon, dardan, epirot), rolit të Ilirikut në
themelimin e Bizantit, pa përjashtuar këtu edhe strukturat feudale autonome në
të në fazën e dekompenzimit të tij, pastaj të pushtimeve osmave dhe të krijimit
të realiteteve shoqërore dhe politike pesqindvjeçare në të për t'u sqaruar
pastaj edhe Rillindja Kombëtare dhe gjithë ai zhvillim që çoi deri te pavarësia
e Shqipërisë në vitin 1912, ku me vendimet e Konferencës së Londrës qendra
historike (Kosova) u kthye në periferi me fatin tragjik të shuarjes si etni
historike dhe kulturore me asimilim ose gjenocide. Në kuadër të këtyre
ndryshimeve, krahas fokusimit tek roli i fuqive të mëdha te fatet e shtetit
shqiptar dhe çështjes shqiptare në përgjithësi nga lufta e parë botërore e deri
te ajo e dyta, përqendrimi te stigma
“revolucion” dhe “kundërrevolucion” ka rëndësi të veçantë, meqë ajo nuk
nënkupton vendosje-zhvendosje mekanike të tyre, kur njëra gjendje zëvendëson
tjetrën, siç është vepruar deri më tani, por kërkon korrigjimin e pikëpamjeve
të deritanishme si dhe rishkrimin e historisë në përputhje me to, meqë ato nuk
kanë dominuar vetëm logjikën politike në vitet e dyzeta dhe të pesëdhjeta të
shekullit të kaluar në Shqipëri dhe Kosovën e pushtuar nga Begoradi, por në
vazhdimësi në të dy anët e murit shqiptar, kur në njërën anë, është përdorur
për forcimin e diktaturës staliniste,
ndërsa në anën tjetër, është përdorur për t'u shtypur vullneti i shqipatarëve
për barazi, siç ishte rasti me kërkesën për republikën e Kosovës të shfaqur në
vitin 1968 dhe të rikthyer fuqishëm në vitin 1981.
Prandaj,
kërkesa për korrigjime dhe rishqyrtime historiografike nuk është vetëm e drejta
e çdo gjenerate për të vërtetën e vet, siç e thotë Hadegeri, por mbi të gjitha
është nevoja që shoqëria shqiptare të lirohet nga mashtrimet ideologjike dhe
ato të diktateve nga jashtë, veçmas të historiografisë serbe, në mënyrë që të
krijojë rrethanat për bashkim të brendshëm shpirtëror, kulturor, po edhe
shoqëror dhe politik. Mistifikimet, mbajtja e tyre “nën embargo morale” dhe të
ngjashme nga frika se mund të prodhojnë përçarje, janë vetëm arsyetime
antihistorike, që pamundësojnë katarsisin që i duhet secilës shoqëri që jeton
nën robëri të gjata...
(Theksime nga promovimi i veprës : "Kosova - histori e
shkurtër" në Prizren)