Kulturë
Libëri i ri nga Marjana Bulku: Një jetë disa histori
E diele, 17.03.2024, 08:54 PM
NJË JETË DISA HISTORI – LIBËR I RI NGA
AUTORJA MARJANA BULKU
Një Jetë Disa
Histori (Albanian Edition) Paperback – March 1, 2024
Albanian Edition by Marjana Bulku (Author)
Libri "Një jetë disa histori"
është një përmbledhje me intervista, profile shqiptaro-amerikane, esse dhe
refleksione letraro-gazetareske. Ky publikim ka si qëllim të sjellë bashkë
individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë sfida të
përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët, sot dhe nesër.
Libri është produkt i njohjeve dhe
komunikimeve të drejtpërdrejta në studion e televizionit Albanian Culture TV në
New York si dhe i mjaft veprimtarive pranë institucioneve të tjera si Federata
Panshqiptare Vatra, Albanian American Dual Language & Culture, Dita
Botërore e Librit, etj. Është një stil i veçantë shkrimi ku alternohen pyetjet
e shumta argumentuese me përgjigje analitike, evokime veprash dhe vlerësime mbi
individë, akte e veprimtari të cilat me rritjen e emigracionit e kanë
intensifikuar sasinë por edhe cilësinë.
Komunikimi përmes intervistave,
përgjithësimeve, reflektimeve dhe krijimeve letrare sjell në një volum të vetëm
një galeri të gjërë plot me informacion historik, kulturor dhe intelektual duke
krijuar kështu një kulturë përbashkuese të shqiptarëve që jetojnë jasht
territoreve shqiptare dhe që Shqipërinë e kanë gjithmonë me vete.
Një prej të intervistave të botuara në
këtë libër është intervista me Frank Shkrelin:
-------------------------------------------------------------------------------------------------
1.Zoti Frank Shkreli ju njiheni në
bot?n shqiptare si gazetar i Zërit të Amerikës, si mund ta përshkruani rolin
tuaj si gazetar para viteve 90 -të, po pas 90-tës?
FSH: Unë kam filluar punën si gazetar dhe më vonë edhe si
redaktor dhe producent në Zërin e Amerikës, seksioni shqip në vitin 1974
deri në vitin 1984. Më pas po tek Zëri i
Amerikës, kam shërbyer edhe si shef i seksionit shqip të VOA-s (1984-1985). Nga
viti 1985 deri në vitin 1990 kam shërbyer si këshilltar i lartë programacioni
në Drejtorinë Europiane të Zërit të Amerikës, duke këshilluar dhe duke ndihmuar
qindra gazetarë evropiano-lindorë të gjuhëve të ndryshme, në lidhje me
programet dhe gazetarinë, subjektet dhe mbulimin e lajmeve në përgjithësi,
drejtuar vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Ju kujtoj që në këtë
periudhë, duhej punuar në kushtet e luftës së ftohtë. Nga viti 1990 deri
në vitin 1994 jam emëruar zevendës drejtor i Drejtorisë për Euroazinë në Zërin
e Amerikës, ent i cili në atë kohë përfshinte edhe Bashkimi Sovjetik që
ndërkohë u shpërbë. Gjatë luftërave ballkanike, nga viti 1994 e deri në vitin
2003 më kanë emëruar dhe kam shërbyer si Drejtor në Drejtorinë e Zërit të
Amerikës për Evropën, një ent nga i cili vareshin programet e VOA-s, në nja
20-gjuhë të ndryshme drejtuar Evropës, kryesisht asaj ish-komuniste, përfshirë
programet në shqip të VOA-s, por nën mbikqyrjen time kisha edhe disa
radio-programe të tjera drejtuar si për shembull, Spanjës, Portogalisë dhe
Greqisë, ndër të tjera.
Në vitin 2003 kam dalur në pension pas
30-vjet shërbimi në Zërin e Amerikës dhe jam marrë me shkrime dhe vazhdoj të
shkruaj për median shqiptare anë e mbanë trojeve si dhe në diasporë mbi çeshtje
dhe subjekte, me të cilat, ata që ndjekin shkrimet e mia modeste, e dinë se mbuloj
një seri çështjesh, subjektesh, ngjarjesh dhe personalitetesh, të cilët kam
pasë fatin të njihja gjatë dekadave të
shkruara, sidomos nga diaspora e vjetër shqiptare, për të cilët shumë pak
shkruhet, aq më pak kujtohen, por të cilët kanë merita të mëdha për të gjithë
ne.
2. Një i ri i emigronte në SHBA, kur
vendit amë i mungonte liria dhe prek tokën ku liria frymëzonte botën, a mund të
na i përshkruani shkurtimisht stacionet e këtij rrugëtimi?
FSH: E vërteta është se nuk ishte një
rrugëtim i lehtë për mua, ashtu si nuk ishte i lehtë as për mijëra shqiptarë të
cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga Atdheu për të gjetur lirinë
dhe një jetesë më të mirë për ta dhe familjet e tyre, e disa prej tyre – si
kundërshtarë politikë të komunizmit – ishin detyruar të arratiseshin përball
rreziqesh edhe për të shpëtuar jetën nga komunizmi.
Unë kam lindur në Amull, fshat në
rrethin e Ulqinit. Shkollën fillore, 8-vjeçaren e kam krye në vendlindje ku
mësimet kryheshin në shqip dhe serbisht, si gjuhë e dytë. Shkollën e mesme e kam ndjekur në Seminarin
Katolik të Urdhërit të Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni në serbo-kroatisht
siç quhej në atë kohë, ku mora disa njohuri edhe për disa gjuhë të huaja. Kurse
përvetësimi i gjuhës shqipe, e sidomos përvetësimi i gjuhës letrare është
meritë e punës studimore autodidakte me fjalor në vitet më vonë, mbas ardhjes
në SHBA dhe me ndihmën e shumë njerëzve të mirë me të cilët pata fatin të
punoja.
Viti
1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për mua dhe familjen time. Atë vit qeveria
jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në Prishtinë një vit
më parë, i shtoi përndjekjet ndaj shqiptarëve anë e mbanë Jugosllavisë.
Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi deri në atë kohë nuk e njihnin
largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Familja
ime e përbërë nga prindërit, dy motrat Drania dhe Tereza dhe dy djemtë unë dhe
vëllai Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosëm ndër të parat
familje të atyre anëve, të arratiseshim në Itali. Mbas disa përpjekjesh u
realizua ky akt.
Qëndrimi
im në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një vit. Aty u bë njohja me
punonjësit e ambasadës amerikane dhe u mbushën dokumentet. Familja jonë në
vitin 1970 u lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar. Me të arritur në Amerikë, ne u vendosëm në
lagjën Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës katolike shqiptare
“Zoja e Shkodrës” dhe disa të afërmëve tanë. Unë si 19-vjeçar fillova të
punoja që javën e parë, çdo punë që mund të gjëja. Pastaj, pa vonesë, u regjistrova në një kurs
mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijoja të punoja çfardo
pune. Më tej u regjistrova në disa kurse
mbrëmjeje në “Hunter College” në Manhattan dhe “Lehman College” në Bronx, ku
fillimisht u përqendrova në disa kurse për shkencat politike dhe histori.
Në
verë të vitit 1974, u largova prej familjes dhe u vendosa në Washington DC, ku
fillova punën tek Zëri i Amerikës, seksioni shqip. Në kryeqytet edhe pse kisha një punë që më
pëlqente dhe krahas punës me orar të plotë si gazetar, u regjistrova në “George
Washington University”, dega Shkenca Politike, me mjaft mundime e sakrifica.
Në
Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa
punonjësve shqiptarë të “Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në
moshë të madhe dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, më afruan dhe më
mbështetën shumë dhe u bënë si mësues të mij duke më ndihmuar për të
përvetësuar më mirë gjuhën shqipe dhe të shprehive radiofonike dhe për t’iu
përshtatur më kollaj jetës amerikane të kryeqytetit, për çka unë dhe familja
ime u mbetemi përgjithmonë, mirënjohës.
3. Nga shkrimet tuaja qartazi dallohet
një arkiv i pasur më fakte e informacione por edhe personalitete që bota
letrare, ajo historike dhe politike shqiptare pak ose aspak i njihte për shkak
të izolimit por edhe nihilizmit tendencioz të dirigjuar nga politika apsurde e
kohës, si u kristalizua ky raport i juaji me këtë pasuri intelektuale që
frymëzon dje, sot, përherë?
FSH: Merita ishte e këtyre
personaliteteve shqiptaro-amerikane dhe të diasporës në përgjithësi dhe ishte
fati im që i kam njohur, gjatë një periudhe dhe një moshë kur ndoshta kisha më
s’shumti nevojë për mësimet, udhëzimet, këshillat dhe përvojën e tyre, shpesh
shumë dimensionale. Nuk dua të përmend emëra pasi lista është shumë e gjatë,
por jam munduar që shumë prej tyre i kam përmendur e kujtuar, me mirënjohje të
thellë gjatë viteve, me artikuj dedikuar atyre, jo vetëm për ndihmën dhe
këshillat që kam marrë prej tyre, por jam përpjekur të theksoj dhe rolin e tyre
historic, ashtuqë brezat e ardhëshëm të mos harrojnë kontributin e tyre të madh
në fushat të shumta të veprimtarisë atdhetare, politike dhe kulturore, gjatë
shekullit të kaluar, kryesisht në mërgim. E vërteta është se unë kam pasë fatin
e mirë të takoj dhe disa prej tyre edhe të punojë me ta, siç thua edhe vet,
ishin njerëz që pak ose aspak nuk njiheshin në atdhe – emërat e të cilëve ishin
shlyer nga historia shqiptare -- sepse konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit
komunist dhe më keq trajtoheshin edhe si tradhetarë nga regjimi komunist i
Tiranës për shkak të “izolimit por edhe nihilizmit tendencioz të dirigjuar nga
politika apsurde e kohës”, siç thua edhe vet.
Fatkeqësisht, shumë prej tyre mbeten
edhe sot të tillë, të shlyer e të harruar nga historiografia shqiptare.
Natyrisht, se ishte edhe dëshira ime dhe kurioziteti intelektual për të takuar
njerëz të tillë, nga të cilët e dija se do të mësoja shumë gjëra me vlerë, pasi
njohuritë e mia në atë moshë – mbi Shqipërinë dhe shqiptarët – ishin mjaft të
kufizuara, sidomos njohuria mbi komunizmin kishte shumë për tu dëshiruar. Ishte ndryshe kur lexoje shkrime në anglisht
mbi komunizmin dhe ishte krejt ndryshe kur dëgjoje, drejtë për drejtë nga goja
e tyre, përvojën e këtyre njerzëve dhe vuajtjet e familjeve të tyre, nën
komunizëm. Unë, modestësisht, i kam venë
në dukje disa prej tyre, nepërmjet artikujve të ndryshëm, që në të vërtetë janë
botuar gjithandej, kontributin e shumë prej këtyre patriotëve shqiptarë të shekullit
të kaluar, pikërisht me qëllimin që – jo vetëm t’i kujtojmë ata – por edhe që,
mundësisht, vepra e tyre të shërbejë edhe si frymëzim për të rinjë ose të reja
shqiptare që mund të lexojë për ta shkrimet që, fatbardhësisht, falë
teknologjisë moderne mund të gjënden lehtë në internet.
4. Le të ndalemi pak te botimi juaj,
“Demokracia nuk pret” i cili në këndvështrimin tim êshtë këmbana e një
alarmi për shuarjen e demokracisë, po për ju si autor?
FSH: Tre vëllimet e “Demokracia nuk
pret”, janë një përmbledhje vetëm e 25-30 % e shkrimeve të mia që tani mund të
kenë arritur mbi 1000 artikuj gjithsejt.
Shkrimet, siç e dijnë lexuesit e rregullt, kanë përfshir gjatë viteve –
përveç personaliteteve shqiptaro-amerikane e të tjera që përmenda më lartë – i
kam përqëndruar mbi subjektet dhe temat që janë shumë afër zemrës time dhe të
cilave mund të them se ua kam kushtuar edhe jetën dhe profesionin tim, me fjalë
tjera, vlera të cilat i kam konsideruar si mision të jetës time, për t’i
mbrojtur, për t’i promovuar dhe për t’i mbrojtur: mbi të gjitha, demokracia,
fjala e lirë, liria e shtypit dhe të drejtat e njeriut – jo vetëm për botën
tonë shqiptare të cilës këto vlera njerëzore i janë mohuar për një shekull –
por edhe si vlera dhe të drejta që duhen promovuar dhe mbrojtur për mbarë
botën.
Është e vërtetë se titulli i vëllimeve
I, II dhe III përbën një alarm se Demokracia e vërtetë në trojet shqiptare,
sidomos në dy shtetet shqiptare -- Shqipëri dhe në Kosovë – këto 30-vjet
post-komunizëm, jo vetëm që nuk u vendos kurrë bazuar në thirrjen e studentëve
shqiptarë 30-vjet më parë: “E Duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, por edhe
parlajmëron se mungesa e një demokracie të vërtetë, kollaj i lë vendin një
autoritarizmi personal, siç e shohim sot në Shqipëri. Nëqoftse demokracia e
vërtetë nuk merret seriozisht nga politika dhe nga votuesit– atëherë ajo
zevendësohet me diçka tjetër – Demokracia e vërtetë nuk pret për gjithmonë,
boshllëkun e mbush dikush që nuk ia do të mirën demokracisë as zhvillimit të
saj në trojet shqiptare.
Kështu edhe po ndodh, fatkeqësisht.
Për mua, titulli, “Demokracia nuk pret” do të thotë se stili i
qeverisjes ndër shqiptarët, sidomos në Shqipëri, por edhe në Kosovë, duhet të
ndryshojë patjetër dhe me themel ashtu që të ndalohet migrimi i shqiptarëave
nga tokat shqiptare dhe që kjo klasë politike, të cilën me të drejtë ose pa
drejtë, e kam kritikuar për 30-vitet e kaluara, ka nevojë që të përqendrohet
tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat
politike dhe ekonomike të momentit, siç po ndodhë edhe tani. Për ndryshe do vazhdojmë të kemi një Shqipëri
dhe një Kosovë, pjesërisht demokratike ose pjesërisht të lirë, siç janë
cilësuar vazhdimisht gjatë viteve në raportet mbi të drejtat e njeriut të
Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe nga organizata ndërkombëtare të të
drejtave dhe lirive të njeriut. Vëllimet
I, II dhe III nënkuptojnë për mua se klasa politike ka nevojë për një shkundje
të madhe dhe shoqëria shqiptare ka nevojë gjithashtu për një zgjim nga amullia
dhe apatia politike, para se të jetë tepër vonë.
5. Gazetaria juaj aktive përfshin shumë
dimensione të informimit, çfarë mesazhi keni për gazetarinë sot në
kushtet kur bota e informacionit nuk njeh limit dhe ku e vërteta dhe
mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të disinformimit?
FSH: Mesazhi im është i thjeshtë: Të
thuhet dhe të shkruhet e vërteta! Jam plotësisht dakort me ty, Marjana. Nuk
është aspak e rastit se në një botë si sot, ku “informacioni nuk njeh limit dhe
ku e vërteta dhe mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të
disinformimit” – që liria e shtypit, gazetaria e lirë në pëgjithësi, është sot
më e kërcënuar se kurrë. Prandaj, sot
është më e rëndsishme se kurrë që të mbrohet, të promovohet dhe të fuqizohet
shtypi i lirë, në interes të publikut dhe në interes të demokracisë së vërtetë.
Unë kam punuar për 30-vjet për një ent
mediatik amerikan ndërkombëtar – Zëri i Amerikës – në detyra të ndryshme me
përgjegjësi politike, menaxhuese, redaksionale dhe programore. Si i tillë nuk mund ta largoj veten, as
tashti që kryesisht shkruaj opinione, nga përvoja ime prej tre dekadash si
gazetar dhe si përgjegjës e drejtor lajmesh e transmetimesh ndërkombëtare për
audienca, kryesisht, të kapura nga propaganda komuniste e asaj kohe. Zëri i Amerikës, si asnjë ent tjetër mediatik
në botë, ka vepruar dhe vepron, gjithnjë, bazuar në një ligj të vitit 1976, i cili
përcakton që të gjitha transmetimet qeveritare duhet t’u përmbahen standarteve
strikte mediatike, për të cilat mbështetësit e shtypit të lirë thonë se janë
thelbësore për të qenë një burim i besueshëm lajmesh për audiencat
ndërkombëtare. Ishte detyra ime si
përgjegjës dhe drejtor programesh të mbroja, pothuaj me fanatizëm, ligjin sipas
të cilit Zëri i Amerikës, të shërbente si burim i besueshëm dhe autoritativ
lajmesh dhe informacioni, që lajmet të ishin të sakta, objektive dhe të
shumanëshme. Që programet në të gjitha gjuhët të pasqyronin
në mënyrë të balancuar dhe të gjithanëshme idetë dhe institucionet më të
rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në Kodin e Zërit të Amerikës thuhet se
pasqyrimi i politikave amerikane duhet të transmetohet në mënyrë të qartë dhe
të efektshme, përfshir debatet apo opinionet rreth këtyre politikave. Mesazhi
im: e Vërteta dhe Besueshmëria janë tepër të rëndësishme për një shtyp të lirë.
Shtypi i lirë është, jetik për një shoqëri demokratike si dhe për zhvillimin e
saj në çdo lami. Kur nuk thuhet e vërteta, humbet besueshmëria, pa besueshmëri,
më mirë t’i vemë çelsin entit mediatik ku punojmë dhe të shkojmë në shtëpi e të
merremi me diçka tjetër!
6. Sa peshë ka liria në profilin e
gazetarit, apo intelektualit dhe duke qenë se jeni formuar në një vend ku liria
nis nga rregulli cili është mendimi i juaj për politikën shqiptare?
FSH: Pa dyshim se liria për gazetarin
është alfa dhe omega e gjithçkaje, e profilit të tij ose të saj, po se po, e
punës dhe natyrisht, pasqyrohet patjetër edhe në produktin përfundimtar të
gazetarit. Përgjigja ime ndaj pyetjes
për mendimin tim mbi politikën shqiptare që më është bërë shpesh në intervista
të shumta, fatkeqësisht, kurrë nuk më ka bërë miqë në radhët e politikës
shqiptare, përkundrazi.
Unë
kam menduar gjithnjë se problemet e demokracisë në Shqipëri, ose “antagonizmat
politike’ siç i quajnë disa, janë rezultat i trashëgimisë së kaluarës së
tmershme komuniste. Elita e sotme politike në Shqipëri, qoftë ajo
qeveritare, shtetërore, udheheqës
partishë, deputetë, drejtorë e udheheqës të ndryshëm institutesh, akademishë e
entesh të ndryshme deri edhe drejtues të mediave — në mos të gjithë, atëherë
shumë prej tyre janë pjedhë e një klase që dikur ka mbajtur gjallë regjimin
diktatorial të Enver Hoxhës. Në këte kuptim, mund të thuhet se ishin “normale”
zhvillimet politike të 30-viteve të fundit. Por kjo “normale” eshtë
abnormalitet për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen shqiptare, të krahasohet me
zhvillimet në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës. Antagonizmi
ose më mirë të themi ngërçi aktual politik rrjedh dhe ushqehet, natyrisht, nga
kjo elitë që kryesisht është rritur dhe edukuar në komunizëm.
Dihet
se komunizmi shqiptar ushqente një frymë mos-tolerance të pa kompromis
ndaj kundershtarëve, deri ne zhdukjen e tyre fizike dhe nuk ishte një sistem që
inkurajonte dialogun e bashkpunimin midis njerezëve me mendime të ndryshme, për
të mirën e përbashkët.
Fatkeqësisht,
fryma e mos kompromisit të ish-regjimit komunist, vihet re kudo në shoqërinë
shqiptare nga parlamenti e deri në stdudiot televizive – ndërkohë që të ulurit
në tryezë për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve, për të mirën e
përbashkët dhe për tu përballur me sfidat që afektojnë të gjithë — duket se nuk
është në “modë”. Ky polarizim politik, që siç duket nuk ka të ndalur midis
palëve kryesore politike, për fat të keq, mund të keqësojë edhe mëtej situatën
politike edhe ashtu të acaruar dhe mund të prekë edhe gjendjen ekonomike të
vendit, duke shkaktuar kështu edhe emigrimin në masë, sidomos të rinjve, duke
zbrazur vendin nga njerëzit më të mirë të Kombit. Shpresa ime është për një
gjeneratë të re për ta nxjerr vendin nga ky ngërç politik – para se të bëhet
tepër vonë -- dhe u takon votuesve shqiptarë të mbajnë përgjegjës elitën e
sotme për gjëndjen e krijuar politike dhe ekonomike që e ka çuar vendin në një
greminë, fundi i të cilës nuk shihet.
7. A mund të na rrëfeni sekretin e
ruajtjes gjallë të gjuhës shqipe dhe lidhjes së fortë me të edhe pse disa
dekada larg atdheut?
FSH: Me të thenë të drejtën, nuk ka
ndonjë sekret të madh. Interesimi
personal, kurioziteti intelektual dhe ndihma e pa kursyer e njerëzve të mirë.
Në këtë pikë, më shumë në zhvillimin e gjuhës shqipe se në ruajtjen e saj -- më
kanë ndihmuar disa prej atyre personaliteteve të diasporës shqiptare që
përmenda më lartë, përfshir Ernest Koliqin gjatë qëndrimit tim në kampet e
refugjatëve në Itali, i cili më dhuroi disa prej librave të tij në vitin 1970
në Romë, Dom Prenk Ndrevashaj, i cili më pasuroi me Lahutën e Malësisë dhe
vepra të tjera të Fishtës, gjithashtu gjatë qëndrimit tim në Itali, si
refugjat. Me të ardhur në Amerikë, ishte Mons Zef Oroshi i cili më dha mundësi
për të ndihmuar në përgatitjen due botimin e revistës, “Jeta Katolike” dhe të
tjerë patriotë të komunitetit që mu gjënden pranë në atë kohë. Për fat tim të
keq, unë nuk pata kurrë rastin të studjoja shqip në nivel universitar dhe as në
shkollë të mesme. Vetëm 8-vjeçaren kisha bërë shqip, përzier me
serbo-kroatisht.
Por gjuha ime shqipe vërtetë u
përmirësua dukshëm pasi fillova punën në seksionin shqip të Zërit të Amerikës
në vitin 1974. Ishte aty që hodha hapat
e para serioze me ndihmën e disa veteranëve të gazetarisë shqiptare, sidomos
Xhevat Kallajxhiu, botues i gazetës Demokracia në Gjirokastër para Luftës dhe
më vonë Kryeredaktor i Diellit në Amerikë.
Ishte Xhevati dhe kolegët e tij që i gjeta në Zërin e Amerikës, ata të
cilët u munduan të përsosnin gjuhën time shqipe, megjithëse jam tepër i
vetdijshëm për mungesat e mia në këtë fushë, sot e kësaj dite. Atyre u takon merita edhe për urimin që më
bëri shkrimtari, poeti dhe politikani, z. Besnik Mustafaj me rastin e
promovimit të tre vëllimeve “Demokracia nuk pret”, dy vjet më parë në Tiranë:
“Gjuha e Frank Shkrelit është shumë e pastër nga fjalët e huaja se sa shumë nga
gazetarët që kanë lindur, shkolluar, jetojnë e punojnë në Shqipëri. Ky është
një shembull për të gjithë ne” – ka thënë me atë rast, zoti Mustafaj. Urim dhe
përshëndetje më të mirë nuk mund të prisja nga një njeri i njohur i letrave
shqip!
Shumë Faleminderit, Marjana!