Kulturë
Albert Zholi: Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet, këngët dhe ballakumet
E shtune, 16.03.2024, 08:51 PM
Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa Leka
-Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet, këngët
dhe ballakumet
-Dita e Verës është një festë pagane me
origjinë të lashtë
-Festa e rrallë shqiptare ose Festa e
harmonisë e të gjithë shqiptarëve, sepse bashkohen pa dallim krahine, feje dhe
bindje politike
Nga Albert
Z. ZHOLI
Dita e Verës është një festë me origjinë të
lashtë. “Dita e Verës”, një festë pagane, kremtohet çdo 14 Mars dhe është
shndërruar tashmë në një festë mbarë shqiptare, që festohet nga veriu në jug të
vendit, por sipas riteve dhe traditës së secilës krahinë. Festimi kryhet në
nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë, që merr jetë në këtë datë.
Tashmë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e
këtij festimi është gatimi i ballakumeve. Sa herë që përmendim festën e Ditës
së Verës, instiktivisht mendojmë për qytetin e Elbasanit. Elbasani është qyteti
ku festa ndjehet dhe përjetohet më së shumti. Zanafilla e lidhjes së festës me
këtë qytet është faltorja e Zanës së Çermenikës, e cila gjendet në një ndër
fshatrat e Elbasanit. Sipas legjendës, Zana dilte nga foltorja, vetëm ditën e
14 marsit, që përkonte me nisjen e verës dhe që prej asaj kohe është kthyer në
një festë, që identifikon qytetin. Janë të shumtë ata që shkojnë në këtë qytet
çdo 14 Mars për ta ndjerë festën e Ditës së Verës edhe më shumë, gjithashtu për
të provuar gatimet karakteristike, si ballakumja, revania dhe gjelin e detit me
arra.
Dita e fillimit të stinës së pranverës.
Historia e Ditës së Verës, festës më
tradicionale në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin e Elbasanit, lidhet me
kalendarin Julian, që zbatohej në kohën e lashtë në të gjithë Europën
Perëndimore. Sipas kalendarit marsi ishte muaji i parë i vitit, i cili fillonte
i gëzuar dhe i begatë. Por, sipas kalendarit Gregorian që përdorim edhe në
ditët e sotme, 14 Marsi përcaktonte ditën e fillimit të stinës së pranverës, ku
njerëzit mezi prisnin të dilnin nga dimri i gjatë dhe të shikonin natyrën tek
gjelbëronte. Kjo festë pagane ka ritualin e saj ,të cilët shqiptarët, por jo
vetëm, e kanë trashëguar brez pas brezi. Në antikitet festa i dedikohej
perëndisë Dianë, ndërsa sot praktikohet për një verë të mbarë. Sipas studiuesve
dita e verës është e ndarë në katër faza: Faza e parë është përgatitore, ku të
gjithë njerëzit përgatisin të gjitha ushqimet dhe zbukurimet për shtëpinë e
tyre dhe për të pritur vizitorët. Faza e dytë është nata e Verës, ku tradita
thotë se nëpër shtëpi ose komunitete të vogla duhet të ndizet një zjarr i madh,
e më pas konsumohet darka me ushqimet e rezervuara nga dimri, si zahire të
ndryshme ose mishi i thatë. Ndërsa faza e tretë është zgjimi në orët e para të
mëngjesit, për të larë sytë me ujin e vezëve të ziera një ditë më parë, ndërsa
pritja e njerëzve tregon bujari në këtë ditë. Faza e katërt është përgatitja
për piknikun e gjatë së bashku me familjarët. Edhe, pse nëse në vende të tjera
të rajonit nuk festohet aq shumë, në vendin tonë është aq tradicionale sa
festat fetare. Që prej lashtësisë kjo festë është cilësuar si harmonia e të
gjithë shqiptarëve, sepse bashkohen për të festuat të gjithë, pa dallim
krahine, feje dhe bindje politike.
Tre nga simbolet më kryesore të kësaj dite
janë:
Ballakumet
Kjo ëmbëlsirë është një tjetër mjet
identifikues për qytetin e Elbasanit. Nëse shkon në këtë qytet, për festën e
Ditës së Verës apo jo nuk mund të kalosh pa marrë një ballakume Elbasani. Në të
gjithë Shqipërinë bëhet kjo ëmbëlsirë, por receta e saktë qëndron vetëm në këtë
qytet.
Verorja
Ky simbol i ditës së Verës prej lashtësisë
është byzylyk i përgatitur nga fije peri të kuqe dhe të bardhë, i cili vendoset
në dorë ose në portat e shtëpisë, në mënyrë që dallëndyshet t’i marrin dhe
njerëzit e shtëpisë të kenë fat.
Lulet e ndryshme që përcaktojnë ardhjen e
verës.
Elbasanasit dhe shqiptarët, gjatë ditës së
verës respektojnë natyrën dhe luten për një verë të shëndetshme dhe të mbarë.
Lulet më karakteristike të qytetit të Elbasanit, por dhe një tjetër simbol i
festës janë lulja e jaseminit, karafilit, trëndafilit, zymbylit, karakaftet
etj. Të gjitha shtëpitë duhet të kenë mbjellë një nga këto lule për t’i dhuruar
gjatë ditës së verës të afërmve.
14 veçoritë e Ditës së Verës
1. Origjina e
Ditës së Verës vjen nga lashtësia. Ajo është festë e trashëguar në veçanti nga
qytetarët e VALM?it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe
festohet gjithmonë më 14 Mars.
Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes
së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është sot festë kombëtare dhe festohet
kombëtarisht si e tillë.
3. Mëngjesi i 14 Marsit!–Të gjithë zgjohen me
të njëjtën lutje: Inshalláh është kohë e mirë! Rituali vijonte me përgatitjen
nga i zoti i shtëpisë të pjatave për të bërë kamë (këmbë) te të afërmit etj.
Këtu hynin pilafi me gjel, ballakume ose revani, vezë të ziera, arra, palë dhe
2-3 bisqe me lule, zakonisht lule misiri, që në Elbasan çelin herët.
4. Kulti i kësaj dite të shenjtë “tempullin”
e vet e ka pasur qëmoti në trevat e Elbasanit, pasi në këto anë ndodhej
faltorja e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Në kohët e lashta
perëndesha Diana mbahej si hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe e gjithë natyrës.
Ajo adhurohej jo veç në hapësirat ilire, por në mbarë brigjet mesdhetare.
Statuja të saj janë gjetur jo veç në Apolloni, por dhe në brigjet e Afrikës
Veriore e në Azi të Vogël.
5. Fakti që një festë mistike e natyrës, u
ruajt në qytetin e Elbasanit dhe u përcoll “e pastër” deri më sot, pavarësisht
tallazeve historike, ideologjike e fetare, përbën një krenari dhe pasuri
gjithkombëtare.
6. Shenja dalluese e këtij festimi është
gatimi i ballakumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues
e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite
magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
7. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të
vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e
datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në
Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.
8. Dita e Verës ishte dita e fillimit të
vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që
kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 Mars
të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian,
14 Mars).
9. Populli iranian (themeluesit e kësaj
feste) e festojnë më 21 mars, sepse pikërisht në këtë datë fillon stina e parë
e pranverës, pikërisht në këtë datë fillon shenja e parë astrologjike, Dashi,
që është shenjë zjarri, prandaj simbol i kësaj feste është zjarri.
10. Edhe pse kjo festë ndodh në pranverë, në
kohët e lashta njiheshin vetëm dy stinë: Vera, e cila niste në mars dhe
mbaronte në shtator, dhe dimri që niste nga shtatori në shkurt. Pra, nga ana
shkencore kjo festë duhet të festohet më datën 21 mars, sepse në atë kohë dita
dhe nata janë barazim.
11. Shumë vite më parë, në Elbasan festa
kishte përmasa të mëdha. Një muaj më parë, por dhe më herët, sigurohej gjeli i
detit, i cili së bashku me ballakumen dhe revaninë përbëjnë nishanet më
përfaqësuese të festës. Gjeli i detit ka qenë tradicionalisht pjesë e Ditës së
Verës. Gjeli ushqehej me shuka që të ishte i madh, i majmë, me pendë të
shkëlqyeshme dhe “i fortë”.
12. Pas kësaj date hynte mbretëria e Diellit
(zotit të lashtë pagan), dita fillonte të zgjatej dhe Dielli dukej përherë e më
shumë.
13. Shumë kohë me përpara kjo festë festohej
edhe më 1 mars, sepse marsi ishte muaji i parë. Sot ne të gjithë përdorim kalendarin
gregorian, i vendosur nga papa Gregori, ky është kalendar i bazuar te Dielli.
14. Mëngjesin e Ditës së Verës kryhej dhe një
rit tjetër disi i pazakontë. Djem të vegjël dilnin herët në mëngjes dhe i binin
çekiçit të derës (familjeve jo farefis). Në qoftë se nga brenda dëgjohej
thirrja: – Kush asht? – atëherë djali niste vargjet: Marrsh morrat e pleshtat,
Gjumin e sabahut, Ethet e verës, Me çekiça derës. Simbolika e këtij riti ishte
që i huaji të largonte të ligat nga dera e tij, për t’ia lënë derës tjetër.
Ballakumja e rrallë
Ballakumja është një nga ëmbëlsirat autentike
shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës
gjithashtu. Pavarësisht se tradita e përgatitjes së saj është me rastin e Ditës
së Verës ajo përgatitet edhe si ëmbëlsirë në çdo rast e kohë. Kjo recetë kërkon
durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi
i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes. Receta autentike e përgatitjes së
ballakumes, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë, ka disa elementë specifikë,
të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj. Një nga përbërësit unik të
ballakumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e
gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu.
Finja i jep ballakumes shkriftësinë tipike.
Ndezja e zjarrit
Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe
zjarre në natyrë. këto zjarre më pas kapërcehen me idenë e çlirimit nga meraket
dhe trishtimi i dimrit.
Degët e pemëve
Në disa krahina, fëmijët e vegjël mbledhin
degë pemësh, kryesisht dafinash, dhe shkojnë derë më derë duke bërë “ciu, ciu”
për t’i uruar fqinjët apo të afërmit një stinë të mbarë. Ata gostiten me
ëmbëlsira dhe dhurata të vogla. Familjet i kushtojnë rëndësi personit të parë
që hyn në shtëpi dhe nëse është një djalë i ri, thonë se sjell mbarësi.
Kulaçi me lek
Gjatë drekës së 14 Marsit, ndahet edhe kulaçi
mes pjestarëve të familjes për të parë se kujt do t’i qëllojë leku që është vendosur
brenda tij. Leku simbolizon mirëqenie dhe mbarësi.
Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe
këngët.
Prej kohësh elbasanaset njihen si kopshtare
me nam dhe këngëtare të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë
jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen
për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit
ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila te ardhur nga disa
vende të botës, nga Egjipti deri në Holandë. Gjatë natës dhe Ditën e Verës
këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare,
Isuf Myzyrit. Këngë të tilla si; “Një lulishte me trëndafila”, “Ç’u dëshruesh
me të pa”, “Ma mirë n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili në pranverë” etj, këndohen
jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare.
Arbëreshët: Edhe një vit tjetër larg atdheut
Duke qënë një festë pagane, Dita e Verës,
sipas studiuesve, i gjen gjurmët e para tek arbëreshët e Italisë. Në 14 Mars,
bimësia zgjohet nga gjumi dimëror dhe nis të thithë nga toka lëngjet që i
nevojiten për t’u rritur. Në këtë ditë, arbëreshët përtej detit shkulnin një
tufë bari, së bashku me rrënjën, për të kujtuar vendlindjen. Ky akt
simbolizonte “edhe një vit tjetër larg atdheut”. Kjo ditë është kthyer në
traditë të festuari në qytetin e Elbasanit, ku festa ka vite që ka marrë
përmasa masive. Por, nga ky festim nuk përjashtohen edhe zonat përreth, të
cilat ndonëse pa shumë bujë, gjithsesi festojnë. Të parët tregojnë se një natë
para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpesh në shtëpitë e tyre, për të
festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste.
Ja si shprehet Faik Konica për ditën e verës
Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”,
u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e
festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta
festojmë me zemër. Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit
tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me
Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin
dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të
Botticellit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një
lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndiejnë një detyrë t’u falen
perëndive, që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’
e Verës.
Bashkim Alibali
Kjo është dita e verës, por dhe dita e këngës.
Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet, por dhe
pa këngët. Prej kohësh elbasanasit njihen si kopshtarë me nam dhe këngëtarë të
shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili,
trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë
që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Dita e verës është një kohë për të krijuar
kujtime të reja dhe për të përjetuar momente të veçanta me ata që i keni në
jetën tuaj. Shijoni ditët e verës me gjithçka që ato kanë për t’u ofruar dhe mos
harroni të bëni kujtime të paharrueshme.
Luan Zhegu
Lulet e Ditës së Verës janë zgjjimi i këngëve
të reja
Gëzoni çdo ditë të verës me një buzëqeshje
dhe një shpirt të hapur. Në këtë kohë të vitit, natyra jep një pamje të
mrekullueshme dhe frymëzuese, duke na dhënë shumë arsye për të qenë të lumtur
dhe për të ndarë këtë lumturi me të tjerët. Urimet për ditën e verës janë
mënyra perfekte për të shprehur këtë ndjenjë të gëzimit dhe kënaqësisë së
momentit, dhe për të kujtuar njerëzit se sa e rëndësishme është të shijosh
momentet e bukura të jetës. Të keni një sezon të mbushur me ditë të bukura dhe
kujtime të mrekullueshme.
Paro Ziflaj
Kjo ditë është si një këngë e bukur
Dita e Verës është quajtur ndryshe si dita e
largimit të dimrit apo dita e luleve. Shijoni qiellin e kaltër, Një ditë e
verës të mbushur me qetësi dhe relaksim, për të kthyer energjinë dhe dashurinë
për jetën. Le të shijojmë sezonin e verës së bukur, me miqtë dhe të dashurit
tuaj.Kjo ditë është një mundësi e shkëlqyeshme për të ndjekur ëndrrat dhe për
të arritur qëllimet tona. Një ditë e verës duhet mbajtur mend përgjithmonë.
Shijoni çdo gjë që verës i vjen natyrshëm. Verës i bëhet mirë në krah të miqve
dhe të dashurve. Një sezon për të bërë kujtime që do të zgjasin gjatë gjithë
jetës. Kjo ditë është si një këngë e bukur.
Vitore Stefa. Leka
Erdha në Shqipëri nga Italia për 4 arsye. Së
pari se më mori malli. Së dyti mora pjesë tek “Miss Mama-2” në Elbasan. Së
treti promovova librin tim me Shoqatën “Jehona shqiptare me autore Kozeta
Zavalani “Gjurmë perlash mbi shkëmb”. Dhe së katërti për të festuar Ditën e
Verës në Elbasan. "Miss Mama 2023" është kompeticioni, i cili filloi
për herë të parë më 8 mars 2023, në Elbasan dhe do të vazhdojë për çdo
vit. Këtë vit, 2024, ishte viti i dytë i organizimit. Xhilda Toska, është
organizatore e eventit e cila mori një nismë me shumë përgjegjësi. Nisma e
këtij projekti ishte një mision për t’i dhënë gruas shqiptare vëmendje. Në këtë
event marrin pjesë gra shqiptare që janë kudo në botë mbi 45-vjeç dhe pa
kufizim më lart.”Miss Mama” sigurisht ka kriteret e saj. Së pari duhet të jesh
nënë, të kesh bukuri fizike dhe shpirtërore, të jesh një grua me integritet dhe
e formuar. Ky tashmë është një event prestigjioz që organizohet ditën e Festës
së Gruas. Në kompeticionin e parë fituese e “Miss Mama” ishte Mardena Xhahaj
nga Elbasani, e cila jeton në Itali. Kurorën e fitores ja vendosa unë. Ishte
një ditë e veçantë. Mama Mardena Xhahajiss. Eventi i parë kishte shumë
paragjykime, i dyti ka qenë më i lehtë. Ndërkohë, fituesja e këtij eventi të
dytë, ishte Arsa Sopi, 60 vjeçe. Ajo ka treguar se ka pasur shumë paragjykime
për pjesëmarrjen e saj, por siç shtoi ajo, fëmijët e saj e kanë përkrahur. Kjo
nismë tashmë ka marrë rrugë dhe do të vazhdoj. Nesër do jem sërish në Elbasan
për të festuar Ditën e Verës. Ditën më të bukur të vitit. Ditën që sjell bukuri
shpirtërore. Uroj që moti të na kënaqë dhe të sjellë shumë ditë të ndritshme,
të ngrohta, me diell. Kështu që ajo butësi dhe humor i shkëlqyer shërbejnë si
një rast për shumë ngjarje dhe gëzime interesante. Shijoni ngrohtësinë, thithni
energjinë diellore dhe rrezatoni pozitive!