E marte, 08.10.2024, 03:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Të mbjellim e të kultivojmë mirësi

E marte, 19.03.2024, 08:52 PM


Blerim Rrecaj:

Shpërqëndrimi

Shikonte pikat e shiut që kishin mbuluar dy dritaret e dhomës që kishte përballë. Derisa kish nga to që zbrisnin teposhtë si përrenj bjeshke të tejdukshëm, ca pika të tjera përplaseshin pas vërvishtjes që u jepte era, që sikurse mbrëmë edhe sot ishte çuar peshë, e donte të barte me teshë e koteshë. Pas perdeve të bardha, xhamave t'pikosur me shi, që herë i krahasonte me rrëshirë pishash a qirinjsh, dukeshin varg këto fragmente shumëkatëshesh matanë, sikurse pjesë trupash nga stomaku e lart, e si poza portretesh për të dalur në fotografi për dokumente identifikimi, që mbi kokë mbanin copën e qiellit të hirtësuar që anonte kah e bardha, e mund të quhej edhe bardhëlloshe, e dukej si copë muri e sapogëlqerosur, që donte kohë për t'u tharë. Po kalonte gjysmë ore nga ora tre e pasditës, e përpos rrapëllimës së shiut që siç duket po pashitej, e po i ndalej zëri, zërat e automjeteve që kalonin, ishin pothuajse të pandryshueshme, e herë-herë ndonjëri prej tyre seç fishkëllonte, kushedi se pse. Dëgjohej edhe ndonjë sirenë policie a autoambulance derisa lundronin në rrugët e lagura, të bëra qull, që ndoshta nuk do të shndrroheshin në lumenj, për të dal nga shtrati pastaj. Në pjesën tjetër të krahut të dhomës, herë-herë vinin zhurma të ngjitjes nëpër shkallë, ndonjë hapje dere e banesës a e liftit, ndonjë e trokitur vinte edhe nga tavani lart, dikush kushedi seç mjeshtëronte, a rregullonte diç. Me së të merrej, derisa rrinte ulur në fotelen e hirtë, në qoshkun e dhomës,  ngjitur pas njërit prej shtretërve. Pas foteles vinte tambureja, mbi të cilën mrizonin ca gazeta, gajtanë me kokë, pra mbushësa telefonash, dhe një parë dëgjonjëse për vesh. Krejt në qosh, si në këndin e stadiumit vinte vazoja ku rrinte lulja, me fletët prej palmeje mbështetur për muri, e kokën gjer në tavan. Më tej komodina që dukej që mbante televizorin krahëqafe, ose kaligjok siç thuhej andej kah fëmijëria, ca elemente tjera mbi të, pastaj vinte dera, elementet e kuzhinës me gjithë tavolinë, dera e xhamtë e ballkonit, për të ardhë te treulësja, me shpinë mbështetur për dy dritaret që i përmendi në fillim, pas së cilave, në një shtyllë të bardhë antike rrinte lulja tjetër, me fletë të mëdha si fletë misri,  e pas saj treulësja tjetër. Në mes tyre qëndronte tavolina e bardhë, jo aq e madhe, që rrinte mbi tepihun e bardhëllimtë me një reliev që ngjante sa me një hartë, sa me një qiell mbuluar me re. S'dinte çfarë të bënte kështu që duke ndejtë i ra dhomës së ndejës rrethepërqark. Kujtoi historikun edhe të kësaj dhome ku qëndronte por edhe historikun e gjësendeve të saj.  Seç e mbërtheu një lodhje e përbërë nga një varg përbërësish si plogështi, molisje, ftohtësi, vetmi, e një varg ndjenjash të tilla që endeshin një labirinthi të ngatërruar.  Vuri buzën në gaz e iu duk se ndodhej në një gjellëtore, qebaptore a një lokali për ngrënie dhe kërkonte  një hamburger komplet. Deshi të merrej me diç. Po nuk po koncentrohej dot. Iu bënë katër libra që kishte filluar, dhe nga të cilat kishte lexuar vetëm dy-tri faqet e para. Të vazhdonte të shkruante diç nga ajo që kishte nisur, nisi por e la, la dhe ca rreshta që mund të zgjeroheshin e të bëheshin tregime. Disi iu përzien kabllot. S'po mund të përqëndrohej, koka i dhimbte, e nuk e dinte pse këmbëngulte të merrej me diçka. Kishte lexuar dy artikuj të një romani dhe e kishte lënë, pastaj hyrjen e dy librave të dhuruar pas një takimi, librin me poezi që kishte blerë, dhe së fundmi një libër që i kushtohej një regjisori të ndjerë. Ndjehej i lodhur e këtë lodhje ia ushqenin dhe gjendja e përgjithshme e rënduar. Nga lodhja në lodhje po çoroditeshim  çdo ditë e më shumë. Po mpiheshim. Një varg i madh çështjesh tashmë jo vetëm që nuk po gjenin zgjidhje por dukej se po parakalonin duke marrë trajta të përçudme që po lënin gjurmë të veta të pakëndshme, që të rrëqethnin kur veç mendja shkonte se ndoshta tashmë kanë sjellur e mund të sjellnin pasoja afatgjata.

Të mbjellim e të kultivojmë mirësi

Dikush e hapi derën. Kah ora tetë e mëngjesit. Pasi kapërceu pragun u përshëndet me dikë që ngjitej shkallëve. E vetë zbriste. Kur hapi derën e njërës portë të ndërtesës, doli në hapësirën e betontë të shumëkatësheve mbushur me vetura. Hodhi një vështrim rrethepërqark. Matanë murit, në shtëpinë e fqinjit, pa fqinjin e moshuar me dikë, me një shkallë të gjatë druri, mbështetur për murit të pjesës anësore të shtëpisë së tij, njëri hipur në të e tjetri poshtë saj, mbanin shikimin nën trarin e çatisë. U afrua. Pas ca përpjekjeve dy bamirësit arritën ta nxirrnin këmbën e pëllumbit që kishte mbetur aty dhe pas kësaj ndihme, pëllumbi u çlirua, fluturoi lirshëm e vrullshëm nëpër qiell derisa humbi sysh, u përzie me pëllumbat e tjerë dhe më nuk njihej se cili ishte.

Fqinji tjetër rrëfeu se nga ballkoni i epërm i banesës së tij, kishte parë pëllumbin që rrahte krahët pareshtur duke qëndruar në një vend dhe tash ishte i kënaqur se veprimi i tij kishte rezultuar me sukses. I ushqyer nga ky akt mirësie u përshëndet me fqinjët duke i përgëzuar për gjestin human e fisnik dhe vazhdoi për ku ishte nisur. Doli në stacion, hipi në një taksi dhe vazhdoi për në kryeqytet. Shpëtimi i pëllumbit i vërtitej nëpër mend, dhe këtë ndodhi që pati përfundim të mirë e të lumtur e parafytyronte derisa shihte fluturimet e shpendëve që shihte edhe pasi zbriti nga vetura. Zbriti para urës në hyrje të kryeqytetit, mori udhë në drejtim të Stacionit Ndërurban të Autobusëve në Prishtinë dhe hyri brenda tij. Aty si zakonisht, udhëtarë që prisnin e mbërrinin, autobusë që vinin e largoheshin, qentë që ecnin a shtriheshin në ndonjë pjesë të gjelbëruar, a në mjedis asfalti, që dremisnin, flinin e koteshin, trumcakë, pëllumba që endeshin peronëve e hapësirave përreth. U ul në njërën nga ulëset përpara kësaj fontane të shuar që nuk hidhte ujët përpjetë, mbase për shkak të temperaturave të ulëta ende nuk e kishin lëshuar. Në një mur para ca dyqaneve pa një tablo, një pikturë, një mural, ku dikush me çadër në dorë, i cili e kishte vënë mbi kokën e dikujt që kishte më shumë nevojë për të. Pastaj, u ngrit, eci pak, dhe pas pak pa autobusin që vinte, u ndal e zbriti miku i tij. Pasi u përshëndetën, i tregoi për ndodhinë me pëllumbin. Të dy pastaj kujtuan një varg ngjarjesh e ndodhishë që në qendër kishin humanizmin, njerëzoren, qoftë këto ndodhi të përjetuara, a të dëgjuara prej të tjerëve. Miku i tregoi për një gjest fisnik të shoferit të autobusit, që kishte ndalë autobusin para një të riu i cili kalonte rrugën me dëgjuese në vesh, pra shoferi kishte zbritur e kishte folur me të riun, duke e bindur atë se mbajtja e dëgjueseve derisa kalonte rrugën ishte e rrezikshme dhe mund të sillte pasoja të mëdha, për t'u kthyer tek timoni dhe udhëtarët që prisnin, që e pritën dhe e mirëkuptuan për veprimin e tij.  Dhe sikur fjala që nxirrte fjalën dhe ngjarja nxirrte e nxiste ngjarjen. U tregua edhe një e tillë e përjetuar. Një polic i Kosovës një ditë me shi, kishte ndalur një prind me një fëmijë që qante, kishte folur pak me të, duke ia dhënë kapelën e tij, ia kishte kthyer buzëqeshjen, duke e porositur se herën tjetër është mirë të mos shkonte pa i bërë detyrat në shkollë. Folën e folën sa doli një mozaik i bukur me ngjarje të tilla, ushqyese e frymëzuese, për sa e sa zgjatje duarsh në ndihmë të të tjerëve, sa e sa guximin e mësyerjen drejt situatave kritike e dramatike, sa e sa gjetjen e kthyerjen e gjërave të humbura, sa e sa ndërhyrjet për të shuar konflikte e keqkuptime, sa e sa fjalët paralajmëruese për të moslënien e mosrënien drejt humnerave. U çuditën se si kaq shumë hapësirë nëpër medie po i kushtohet kronikave jo të bardha, e duke i vendosur ato kohë e pakohë, vend e pa vend, rend e pa rend, shpeshherë pa përfillur rregulla elementare e shkelur etikën pa pikë mëshire, duke sjellur mjaft kokëçarje e turbullimë, në këto kohëra jo të lehta e me plot të papritura. Pra erdhën në një konstatim se ndjellja e të mirës në këtë vend të mirë e me njerëz kaq të mirë kishte e ka rëndësi  të madhe dhe përshfaqja e tyre do të ndikonte pozitivisht në këto kohëra të turbullta që kanë kapluar njerëzit e njerëzimin në përgjithësi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora