E shtune, 27.04.2024, 10:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Niko Kacalidha: Takimet me Kadarenë mbresa që nuk shlyhen

E enjte, 14.12.2023, 09:05 PM


TAKIMET ME KADARENË MBRESA QË NUK SHLYHEN

Nga Niko Kacalidha

Një ndjenjë e veçantë mirënjohjeje, adhurimi dhe një afinitet fisnikërie më shtyn të shkruaj këto radhë për Ismail Kadarenë, personalitetin e shquar të letrave, aq afër estetikisht me brezin tim, adhuruar, kuptuar dhe këshilluar me të edhe në distancën e heshtjes më mirë se në çdo afërsi tjetër. Ishte edhe ideja e mikut tim botues, Bujar Hudhri, sidomos pas parathënies së Kadaresë në vëllimin Pagëzimi i zogjve, që më nxiti. Unë besoj se personalitetet e mëdha të letrave nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, aq më shumë kur bëhet fjalë për një kandidat për çmimin “Nobel” si Ismail Kadareja. Janë disa mbresa dhe momente personale të regjistruara brenda meje aq sa nuk mbajnë më dhe kërkojnë të dalin dhe jashtë meje. Në jetën letrare të çdo krijuesi fillestar, sidomos në atë të fillestarit, jam i bindur gjithsesi se u duhen modele dhe idhuj. Edhe sikur të mos i gjejnë në realitetin ku jetojnë, patjetër do t’i krijojnë vetë me fantazinë e tyre. Të privilegjuar janë ata që kanë jetuar në një kohë me idhullin e tyre. Edhe unë gjatë rrugëtimit kam pasur modelet dhe idhujt e mi, disa prej të cilëve të gjallë dhe disa të vdekur. Midis tyre nuk mund të rri pa përmendur ndër të parët ata që me veprën e tyre më kanë lënë përshtypje të pashlyeshme, dy krijues ballkanas: një nobelist dhe një kandidat për çmimin “Nobel”, greku Odiseas Elitis dhe shqiptari Ismail Kadare. Ndërsa i pari, Elitis, i njohur vonë prej meje si person fizik dhe si krijues, pata nderin të më priste i ftuar një orë e ca një paradite janari 1996 në banesën Skufa 23 në Kolonaqi, Athinë, ku folëm çiltër, shtruar, si të barabartë, për shumë gjëra rreth nesh, duke u përqendruar sidomos në poezinë dhe përkthimet, unë dyzetecavjeçar dhe ai tetëdhjetë e katër, në apogjeun e karrierës poetike, i dyti, Kadareja, si krijues ka qenë brenda meje që në fillimet e mia dhe libri i parë që doja të imitoja gjatë leximeve të fëminisë ishte Princesha Argjiro, dhuratë e babait për Vit të Ri, nga librat e parë që më kishte ndihmuar të mësoja gjuhën shqipe. Legjendë e poetizuar që kisha lexuar në disa variante të Epirit të Veriut e të Jugut, lexohej edhe për një arsye tjetër rrëqethëse: kalaja e përgjakur e Gjirokastrës, ku legjenda nënkuptonte qëndresën, tani ishte kthyer në burg torturash ku kishte kaluar për njëfarë kohe dhe im atë. Odiseas Elitis, veç të tjerash, më foli për Luftën Italo-Shqiptaro-Greke (siç e quan Kadareja këtë luftë), ku kishte marrë pjesë si nëntoger dhe ishte frymëzuar për poemën Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri dhe kryeveprën tjetër Aksion esti. Kur i thashë se nuk jam unë i pari që do të përkthej poezinë e tij në gjuhën shqipe, se Ismail Kadareja ka përkthyer para meje fragmente nga Këngë e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri, më pyeti për Kadarenë dhe kur i thashë se pa Kadarenë nuk e di ku do të më çonte fati, ai sikur u përqendrua dhe me pamje meditative e quajti të përmasave të mëdha që me veprën e tij nderon sot ballkanasit në botë. Dhe ndërsa kisha krijuar mitin tim se shkoja të takoja perëndinë e dymbëdhjetë të grekëve, dilja i emocionuar pas takimit sikur zbrisja nga Olimpi, edhe për faktin se ai kishte lexuar poezinë time, por edhe se do ta përktheja nga origjinali, ndaj më jepte të drejtën e përkthimit bashkë me ca porosi dashamirëse dhe konstruktive: të mos bëhesha skllav i fjalës, mjafton të gurgullonte fjala. I ndodhur midis dy idhujve të mi, bashkëkombësit Elitis dhe bashkështetasit Kadare, unë kthehesha te Kadareja, personaliteti krijues ndërlidhës gjatë takimit tonë, edhe ky një perëndi, sipas kriterit tim të hierarkisë së vlerave të botës, në një Olimp tjetër që mbase ai i pari e krijonte dhe printe përpjetë në rrugën e ngjitjes shqiptare. Kështu e bëja unë hierarkinë time letrare atëherë, pa marrë parasysh qortimet për hiperbolizime e glorifikime. Emrin Ismail e kishte një çam, një mik shtëpie, që na furnizonte me mallra dhe ushqime dhe gjyshja, duke lidhur kalin në shtyllën e pjergullës në oborr, e priste me: ella kaimene Zmaili, “eja Zmail i shkretë” (Zmail për Ismail); ai para se të ulej të hante bënte kryqin dhe ia kthente gjyshes: o theos na su to dosi kyra Ollga, “zoti të dhashtë zonja Ollga” dhe vazhdonte të sqaronte se edhe ata ishin të krishterë dhe u myslimanizuan vonë në kohën e Turqisë. Gjyshja, që e dinte mirë Dhiatën, i thoshte se Ismaili përmendet në Dhiatën e Vjetër. Kështu në mënyrë të çuditshme pleksen gjërat midis tyre në botë si  gishtat e njërës dorë ndërfutur në ata të tjetrës edhe në variantin e një emri. Gjirokastrën e kisha njohur një ditë me mjegull kur u gdhiva me  temperaturë të lartë dhe gjyshja e alarmuar më çoi për vizitë orë të tëra rrugë midis maleve duke marrë me radhë mjekët e famshëm të qytetit: Kalivopullin, Labovitin, Vasilin e madh dhe Vasilin e vogël, miq të doktor Litos, kushëriri i nënës sime, gjatë Luftës mjek në Prishtinë dhe pastaj në Tiranë. Ishin dy ditë me mjegull që përshkuam si midis një tuneli kafkian si labirinti, vajtje-ardhje, fushën e Dropullit dhe një natë pis në qytet ku fjetëm në shtëpinë e një mikeshe gjirokastrite të gjyshes. Më vonë, sa herë lexoja diçka nga Kadareja, sidomos romanin Kronikë në gur, si në vegime më dilnin përpara ajo natë pis dhe dy ditët me mjegull. Gjyshja nuk i hidhte sytë nga kalaja për hir të babait. E kundërta ndodhte me të sa herë kalonim nga Gjirokastra, më tregonte kalanë ku kishte kaluar netët e tij dhe ku ishte vrarë dhe një fqinji ynë, pastaj kalonim nga miku i tij librashitës për ndonjë botim të Kadaresë. Ky qytet, ku as Shën Kozmai nuk kaloi se sipas profecisë do të lindte djalli vetë dhe nënkuptonte me djall udhëheqësin, ka nxjerrë shkrimtarin e madh Ismail Kadare, thoshte babai dhe duke bërë qyfyre me Alizotin, që edhe ky i shkelte syrin sikur gjoja mbronte djallin e qytetit.

***

Leximet e mia para zbulimit të Kadaresë, aq sa mund t’i quaje lexime në atë moshë, por të regjistruara mirë në diskun e fëminisë, ishin nga letërsia klasike greke, librat e babait sjellë nga studimet në Greqi, dy poemat homerike, Iliada dhe Odiseja, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Ungjilli, Libri i ëndrrave, një libër me këngë popullore greke dhe nga letërsia botërore, Makbethi, Ferri, Fausti, Lindja e tragjedisë etj. Nga poezia greke, pa dalë akoma nga Leshnica, fshati i lindjes buzë kufirit midis dy shteteve, kisha lexuar Solomos, Vallaoritis, Pallamas dhe disa fragmente në antologji shkollore nga poezia e mëvonshme e viteve tridhjetë, Ricos, Varnalis, Ludemis etj. Mbarova shkollën fillore dhe, për fat të mirë a të keq, por besoj se fatthënat e kishin pleksur për të mirë, nuk m’u dha e drejta të vazhdoja shkollë të mesme si shumica e moshatarëve të mi. Atëherë u gjend tezja Eleni dhe burri i saj Theofani që, me dashamirësinë dhe përkujdesjen e një prindi, më morën si djalin e tyre në Berat dhe mbarova gjimnazin. Në biografinë e këtij oficeri të përjashtuar më vonë nga Partia, se gjoja në një stërvitje kishte mburrur një ushtarak të lartë të grupit të Ballukut, ishte shënuar veç të tjerash se kishte strehuar për katër vjet një të deklasuar si unë. Unë vazhdoja në gjimnaz të lexoja e të përvetësoja shqipen dhe krahas greqishtes, që kisha filluar të shkruaja herët, tani mbushja blloqet dhe ëndërroja poetikisht edhe në gjuhën shqipe. Preferoja në Shtëpinë e Pionierit kursin e pikturës që drejtohej nga Vlash Droboniku dhe të letrarit të ri që drejtohej nga Sulejman Mato, miq të mi të mëvonshëm. I treti gjatë atyre viteve ishte Sadik Bejko, që zbriste sidomos të shtunave nga fshatrat malore ku punonte si mësues e flisnim për poezinë. Mbaj mend një të diel në librari prisnim gazetën “Drita” ku ishte botuar Kënga e xha Canes dhe Sadiku fluturonte se poezinë e kishte pëlqyer Kadareja. Një shoqe klase kishte babain në zyrat e larta dhe nga dora e tij kalonin dhe kontrolloheshin të gjithë librat që vinin nga Greqia, shumica e të cilëve sipas porosisë nuk i jepeshin marrësit dhe i mbante në shtëpinë e tij. Ajo më ftonte shpesh në shtëpi për detyrat e matematikës, por më shumë më ndihmonte në gjuhë, se kisha mangësitë e njohura. Atje m’u dha mundësia të lexoja disa nga librat e ndaluar të Ricos, Varnalis, Ludemis, Livadhitis, që m’i jepte me të drejtë kthimi pa lejen e babait. Ishte e habitshme, ndonëse këta botërisht konsideroheshin si krijues të majtë, censura shtetërore i ndalonte.

***

Një fat i madh për gjithë krijuesit dhe një ngjarje e madhe kulturore për qytetin e Beratit ishte ardhja e Ismail Kadaresë. Ishin lëvizjet e çuditshme imituese të revolucionit kinez ku shkrimtarët si marioneta dërgoheshin në bazë për njëfarë kohe për njohjen e jetës. Bëheshin aksione kundër zakoneve prapanike dhe hapjen e tokave të reja dhe në krye gjeje edhe shkrimtarë militantë partie të ardhur nga Tirana, por asgjëkund nuk të kapte syri Ismail Kadarenë që e kërkonim kudo për ta parë me kureshtje fizikisht si njeri, të paktën si ecte, se fotografinë e tij me një kapardine origjinale me spaleta, të nxjerrë nga një revistë, e mbaja midis faqeve të vëllimit Shekulli im. Kontakti i parë këtu me letërsinë cilësore, qoftë me atë origjinale në gjuhën shqipe, qoftë të përkthyer nga gjuhë të tjera, ishte me veprën e Kadaresë. Varantin e parë të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, një roman me pak faqe, e kisha si libër xhepi, në kuptimin e rilexoja dhe e shfletoja herë pas here për kënaqësinë estetike të një lexuesi të apasionuar për mënyrën dhe stilin e të shkruarit, madje e ruaja në bibliotekën time, kur u transferova nga fshati në Sarandë. Gjeneralin e ushtrisë së vdekur e pata referat në gjimnaz dhe çuditërisht, nga dëshira e vazhdueshme për ta shijuar, për t’u thelluar dhe për të thënë diçka për të, e mora punim vjetor edhe gjatë studimeve filologjike. Atëherë ishte botuar Esenini në përkthimet e Kadaresë dhe Bllacit, një pjesë të të cilave i dija përmendsh. Nga letërsia bashkëkohore botërore ishte një përkthim tjetër i Kadaresë, Plaku dhe deti i Ernest Heminguejt, që e rilexoja dhe atë bashkë me Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, për stilin, nëntekstin, për parimin e ajsbergut. Gjithmonë te Kadareja kërkoja ajsbergun. Novelën Plaku dhe deti ma kishte dhënë për ta lexuar komshiu, nip i Ismet Cibajt, mësuesi i letërsisë në gjimnazin tjetër “Ajet Xhindole” ku krijonte Arshin Xhezo, Astrit Nuri, Luiza Pano. Unë isha në “22 tetori” pas kishës, në qendër të qytetit. Ndonëse kisha shumë mangësi në gjuhë, çuditërisht, me gjithë mangësitë gjuha më bënte të dallohesha nga të tjerët dhe disa herë hartimet i shkruaja në vargje. Madje, në një provim të fizikës justifikimin e mospërgatitjes e bëra në vargje për rrezen alfa dhe beta. Të dy mësuesit e letërsisë, Barija dhe Tokliu, që ndërroheshin për vit midis tyre në klasa të ndryshme, më vinin notën më të mirë me gojë dhe në hartime. Blloqet e mbushura me poezi, shumica e tyre imitime, nga duart e mësueses ranë në duart e Kadaresë dhe kur ajo na njoftoi se Kadareja do të vinte në rrethin tonë letrar, ishte e pabesueshme. Ato ditë isha si i elektrizuar. Njeriu që nuk e gjeje asgjëkund në aksionet midis partiakëve dhe shkrimtarëve militantë, do të vinte në rrethin letrar të shkollës sonë. Unë atëherë isha shtatëmbëdhjetë, ai tridhjetë. Mbaj mend se sytë e tij pas xhamave të errët të syzeve të trasha u përqendruan në duart e mia që mbaja përpara romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, vëllimin poetik Shekulli im me autografin e Kadaresë për Spiro Xhain, burrë i tezes sime, atëherë drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe Plaku dhe deti i Heminguejt. Isha përgatitur dhe unë jo vetëm shpirtërisht për këtë takim, por të tregoja se isha edhe lexues i tij. Ky takim i parë dhe i veçantë me Kadarenë më kishte lënë gojëhapur. Sikur nuk isha në tokë, por fluturoja. E njëjta gjë më ndodhi më vonë kur qëndroja përballë Elitis. Siç duket, e madhërishmja të elektrizon. Nuk u përmend asgjë politike, nuk u tha asgjë koniunktuale dhe brohoritëse. Fjalët e tij ishin për letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në veçanti, sidomos kur shpjegoi vargun e lirë se, nëse nuk ka ritëm, sistem metaforik dhe mendim të thellë, ai mund të kthehet fare lehtë në karikaturë. Pyetja kurioze: për sa kohë e kishte shkruar Gjeneralin e ushtrisë së vdekur dhe përgjigjja: për një javë në një hotel në Shkodër kur shiu binte pa pushim dhe nuk mund të dilte jashtë, na kishte lënë të habitur. I përqendruar tek Ernest Heminguej, na shpjegoi parimin e ajsbergut dhe mënyrat e shumta të të shkruarit të një romani, qoftë atij rrëfimtar qoftë mozaikal. Dikush kishte përpara Obllomovin e Goncarovit që sapo ishte botuar dhe Kadareja buzëqeshi, si për të thënë ka libra të tjerë më të bukur për të lexuar. Mori bllokun e poezive të mia me vete dhe automatikisht, isha kryetari i rrethit letrar të gjimnazit “22 tetori” të Beratit. Një cikël prej tyre u përfshi në një faqe letrare të gazetës “Drita”, përgatitur nga ai në bashkëpunim me mësuesit e letërsisë nga krijimet e dy gjimnazeve shoqëruar me një shkrim të Luiza Panos Si shkruajnë shoqet dhe shokët e mi, gazetë që e ruaj akoma. Pra, poezitë e mia të para të gjimnazit u botuan në gazetën “Drita” nga Ismail Kadareja.

Më vonë, kur kisha kuptuar edhe nga përvoja dhe nga studimet se poezia lexohet fjalë për fjalë për t’u shijuar estetikisht duke i dhënë përparësi fjalës dhe proza fjali për fjali për të kapur kuptimin dhe nënkuptimin pas rreshtave, me leximin e Kadaresë më ndodhte që jo vetëm poezinë e tij, por edhe prozën ta lexoja fjalë për fjalë si në poezi dhe pastaj kaloja ta lexoja si fjali dhe si kumt të saj. Fakti që vepra e tij lexohet dhe rilexohet, ka të bëjë me këtë lexim cilësor të fjalës së zgjedhur për të vajtur pastaj te kumti përcjellës. Përndryshe, si shpjegohet që mbasi i ke lexuar dhe rilexuar disa herë Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur dhe Përbindëshin dhe di përfundimin e fabulës dhe rrëfimit, prapëseprapë i nis dhe i rilexon si për herë të parë?

Mbaronte matura dhe në mbledhjet e vazhdueshme të dërguarit vinin dhe mundoheshin të na mbushnin mendjen të shkonim të punonim në bazë për të ndihmuar atdheun, pasi kërkoheshivullnetarë të merrnin gjoja iniciativë dhe kjo quhej zëri i masës. Nxënësit ulnin kokat dhe nuk ua varnin të dërguarve që flisnin në emrin e atdheut. Të gjithë kishin etje për dije dhe studime. Dhe gjithë kjo ndodhte për ata që konsideroheshin të ligjshëm, brenda rrethit të tyre. Po për mua të largëtin, që isha larguar dhe kisha humbur gjurmët larg nga instancat e trevave të origjinës, si do të bëhej? Përgatita dokumentet e mia me idenë se bota ishte kaq e virgjër dhe kaq poetike si në ëndërrimet e mia, duke shënuar tri herë kërkesën për të vazhduar studimet e larta filologjike dhe kur u paraqita në Seksionin e Arsimit të Sarandës, më pritën me këmbët e para se gjoja  kishin ardhur vonë dokumentet e mia dhe për disa arsye të tjera që nuk thuheshin nuk mund të vazhdoja studimet. Deri atëherë në naivitetin tim, kur mendoja vetëm për letërsinë dhe përzgjedhjen e leximeve të mia, ende nuk isha ndërgjegjësuar se secili prej nesh kishte një biografi të shkruar diku në zyra të veçanta, disa kishin biografi të mirë dhe disa biografi të keqe. Mbaj mend se në klasë kishim dhe Besnikun, djalin e Tuk Jakovës, me të cilin luanim apo zgjidhnim ushtrime pa paragjykime.

***

U desh ndërhyrja e Ismail Kadaresë në Seksionin e Arsimit të Beratit që unë të vazhdoja studimet universitare filologjike, jo nga Saranda që më takonte dhe më kishte kthyer dokumentet, por nga Berati “kaçakshe”. Këtë ma përsëriste gjithnjë sa herë takoheshim në Tiranë Zalo Buba, ish-shefi i atëhershëm i arsimit në Berat, më vonë gazetar i “Zërit të popullit”: “T’ia dish për faleminderit Ismail Kadaresë që ndërhyri te ne për të vazhduar studimet e larta.” Katër vjet pa bursë me paratë e babait dhe të gjyshit të kthyer nga Amerika. Edhe në një përpjekje që kishte bërë sekretarja e Fakultetit, pasi kishte parë përkushtimin tim dhe botimet e vazhdueshme të cikleve poetike dhe deshi të më ndihmonte për bursë, Saranda ia kishte dhënë babait karakteristikat të mbyllura dhe kur ia çova sekretares, pasi hapi zarfin dhe i pa, i grisi para meje duke thënë: nëse do të hapeshin më tej, kishte mundësi të dëbohesha nga fakulteti. Katër vjet pa bursë me paratë e babait dhe honoraret e poezive. Edhe Ismail Kadareja kthehet në Tiranë dhe vazhdon të jetë si gjithmonë pranë nesh që atëherë konsideroheshim letrarë të rinj. Tani, biseda e nisur në takimin e parë në Berat për poezinë dhe letërsinë do të vazhdonte në takimet e ndryshme në Lidhjen e Shkrimtarëve, sidomos në diskutime librash të ndryshëm, ku pritej fjala e tij. Kjo u kurorëzua në Fakultetin e Filologjisë, në leksionet e tij me auditorin plot, pa lëvizur as miza. Ishte rastësi, ishte fat, merre si ta marrësh, ne kishim profesor të letërsisë së ashtuquajtur dekadente Ismail Kadarenë. Pavarësisht interpretimeve të kohës, nga nuk mund të dilje hapur, mësova me nëntekst nga Kadareja koshiencën, subkoshiencën, rrëfimin e tekstit, romanin klasik dhe modern mozaikal, retrospektivën, faktorin kohë, përroin e ndërgjegjes, Prustin, Xhoisin, Kafkën. Disa nga këto ishin karakteristika dhe veçori të letërsisë moderne botërore, nga për nga struktura dhe kompozicioni nuk ishte larg dhe vepra e Kadaresë. Mbaj mend se Metamorfozën e Kafkës e kisha në dorë prej tij dhe thuajse për një natë në katin e tretë të godinës 14 të Qytetit Studenti ma përktheu nga frëngjishtja S. Arseni. Ai përkthente dhe unë shkruaja pa pushim deri në të aguar, në një fletore me vija, që e ruaj ende në arkivin e viteve studentore. Mbaj mend, kur kisha munguar një herë në leksion, Kadareja, si vëzhgues i hollë i auditorit ku sidomos drejtohej dhe bashkëbisedonte me ne krijuesit e rinj, ishte interesuar dhe për mungesën time. Në këtë atmosferë dhe këtë botë krijuese të Tiranës një rol të veçantë për mua ka luajtur doktor Lito, kushëriri i nënës sime, miku dhe mjeku i disa personaliteteve më të cilët më kishte prezantuar. Ai ishte miku dhe mjeku i Kadaresë, i Petro Markos (internuar bashkë në Itali), i Dritëro Agollit, i Sabri Godos, me të cilët u miqësova edhe unë dhe kemi hyrë e kemi dalë në shtëpitë e tyre. Nga Petro Marko dëgjova: “Izmaili është shkrimtar i madh.” Edhe ai thoshte Izmail dhe jo Ismail. Kur doktori i thoshte se Qyteti i fundit është një roman i papërsëritshëm, ai përgjigjej: “Dakord, por Izmaili është Izmail dhe Gjenerali është Gjeneral.” Dëshira për të takuar dhe për të dëgjuar Kadarenë ishte e përhershme për mua dhe një grup poetësh të rinj të brezit. Sa herë niseshim me mikun tim të një kursi dhe dhome, Moikom Zeqon, për të çuar ndonjë poezi në gazetën “Drita”, uronim të takonim atje Kadarenë, se kur e gjenim na priste dhe i merrte vetë dorëshkrimet tona. Atëherë kisha botuar disa cikle poetike në “Zërin e rinisë” dhe “Drita”, kisha fituar çmime letrare dhe kritika vlerësonte poezitë e mia. Disa i kisha përmbledhur në një vëllim për konkursin kombëtar me titullin Zbardhëllime dhe kisha fituar çmim inkurajues, libër që u botua më 1970 me titullin Fjalë të thëna në pranverë. Mbaj mend pas shpalljes së fituesve, kur zbrisnim nga shkallët e Ministrisë së Arsimit, Ismaili me dashamirësinë e tij për të ndihmuar botimin e librit më tha që, kur ta çoja në Shtëpinë Botuese, ta lajmëroja ta merrte për recension dhe kështu u bë. Recensioni niste me fjalët: “Vëllimi Fjalë të thëna në pranverë është një nga librat më të mirë poetikë të vitit dhe autori hyn pa dyshim në radhët e poetëve më të mirë të vendit.” Isha befasuar. Propozonte poezitë që mendonte të përfshiheshin në libër. Por libri ishte mbushur me shënimet e redaksisë me fjalën e pëlqyeshme të asaj kohe “nebuloze” dhe nuk merrej parasysh përzgjedhja e Kadaresë. I shpreha shqetësimin dhe e lamë të takoheshim të nesërmen në zyrën e Shefit të poezisë. Unë shkova para siç e kishim lënë dhe ai më gjeti brenda. Shpreha para shefit dhe para tij shqetësim për këtë përmbysje që nuk merrej parasysh recensioni dhe për herë të parë pashë Ismailin të shpërthente me ca fjalë vromologjike: këta janë pederastë të poezisë. Por falë redaktorit të kujdesshëm u gjend një zgjidhje e pranueshme. Në raportin e Kadaresë në konferencën kombëtare të talenteve të reja në Korçë për arritjet në fushën e letërsisë, emri im përmendet disa herë bashkë me: Halitin, Lakon, Bejkon, Muçon, Zeqon, Deden etj.

***

Ismail Kadarenë, këtë enigmë të çuditshme fjalëpakë, mund ta lexoje pas syzeve të errëta dhe ta kuptoje edhe në distancë nëse të vlerësonte ose krijonte një distancë të ftohtë prej teje. Isha nga të privilegjuarit që me pak fjalë kuptoheshim për laboratorin dhe ligjet e letërsisë së vërtetë. Në një shëtitje bisedonim për Nikos Kazanxaqis dhe romanin Kapedan Mihalis, në shqip Ja vdekje ja liri, që sapo ishte botuar dhe ai e vlerësoi si një nga personazhet e mëdha heroike të letërsisë së sotme europiane. Atje mbaj mend ktheu kokën dhe më pyeti: Niko, ti grek je? Mbase kjo kishte lidhje akustike dhe optike me përkimin e emrit e mbiemrit tim me Nikos Kazanxaqis. Më kishte pëlqyer emërimi i drejtpërdrejtë i origjinës, jo se unë nuk e dija, por dogmatizmat partiake na quanin minoritarë, që i shmangej etnisë, kurse Kadareja përdori etninë time greke. Mua, vazhdoi, një mik grek, bashkëstudent në Moskë, poeti Petros Anteos, më hodhi idenë e romanit për Gjirokastrën, që i kishte mbetur si gravurë kur kishte kaluar andej në Luftën Civile greke. Sidoqoftë, Kronikë në gur një ditë do të shkruhej, se qyteti i fëminisë ishte brenda meje.

***

Isha pjesëmarrës në plenumin e njohur ku Kadareja u kritikua për novelat, kurse ai, pa e treguar fare, qëndronte stoik pas syzeve, gati mospërfillës para Ramiz Alisë, me përgjigjen e prerë me sa mbaj mend: “Unë i kuptoj mirë objeksionet e këtij plenumi” dhe pastaj vazhdoi me fjalën e tij. Rrija pranë Teodor Laços dhe Sotir Andonit, me të cilin flisnim greqisht. Në situatën e rëndë që ishte krijuar dhe rrinim si të mpirë, me referatin e Ismailit na erdhi shpirti në vend. Sotiri u kthye nga ne dhe na tha me zë të ulët në vesh: a ç’ua bëri mirë Ismaili! Me mbarimin e punimeve salla u boshatis shpejt sikur kishte rënë bombë dhe bashkë me Moikom Zeqon zbritëm shkallët e Pallatit të Kulturës dhe e pritëm jashtë hyrjes, ta përcillnim në shtëpi, por Ismaili na tha të mos e shoqëronim, duke na dhënë të kuptonim me shenja se ndiqej. Pas mbarimit të studimeve, mirë që nuk m’i lanë në mes, ndonëse më kërkonin institucione kulturore në Tiranë, u emërova në Sarandë, ku punova për dhjetë vjet mësues në malësitë e saj. Në tërmetin e vitit 1974, më lajmëruan se kishin ardhur dhe më prisnin në qendrën e krahinës malore një zëvendësministër dhe dy shkrimtarë: Anastas Kondo, Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli. U larguam nga sytë e të tjerëve në një rrugicë drejt një bajameje të çelur para kohe dhe Dritëroi tha se bajamet janë si vajzat që gënjehen shpejt. U shtrova një drekë të thjeshtë në restorantin e krahinës. Pastaj u ngritëm për kafe. Kamerierët, dy pleq, dikur partizanë, tani veteranë, të dy me hundë të madhe, ngjanin si sozi midis tyre. Ismaili më pyeti nëse shërben i njëjti kamerier edhe në restorant edhe në klub? Të gjithë qeshëm dhe ai qeshte nën hundë duke vazhduar: kam bredhur gjithë botën, por kamerier me hundë kaq të madhe nuk kam parë. Kjo thënie ishte bërë proverbiale në krahinë.

***

Mbaj mend një detaj tjetër në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku diskutohej poezia pas Plenumit IV për letërsinë dhe artet. Isha në presidium pranë Ismailit dhe nëse nuk më lë kujtesa, në presidium ishte edhe Dritëro Agolli, Ndoc Gjetja, Natasha Lako, Ndoc Papleka. Isha mërzitur shumë se ishte kritikuar poezia Unë jam fik deti e Thanas Dinos, njëri ndër miqtë e mi më të ngushtë. Kisha një bllok shënimesh përpara dhe Ismaili për një moment e mori dhe e shfletoi. Kisha një poezi të titulluar Pusi, ku aludoja në mënyrë metaforike se isha një pus i thellë, i errët etj. Ismaili, i përqendruar, pasi e lexoi dy-tri herë, ngriti kokën duke buzëqeshur: edhe ti poezi hermetike shkruan si Thanasi (Thanasi – miku ynë i përbashkët), si këto që kritikojnë këta me kobure (ca poetë ushtarakë kritikonin poezinë e Faslli Halitit Njeriu me kobure) dhe vazhdoi gjoja seriozisht duke pritur si do të reagoja për konstatimin e tij. Heshta dhe nuk e kuptoja e kishte me tërë mend ai që me veprën e tij poetike na kishte mësuar figurën dhe nëntekstin metaforik, kur vazhdoi me seriozitetin karakteristik: vazhdo të shkruash, këto janë poezi të bukura.

Nuk jam për hiperbolizime dhe idhuj, por disa personalitete të veçanta kanë karakteristika të ndryshme nga të tjerët. Ismail Kadareja krijonte rreth vetes aureolë imponuese jo vetëm si krijues origjinal me simbole të mëdha, por dhe në jetën e përditshme midis krijuesve apo njerëzve të zakonshëm, nga mënyra se si vishej, si ecte, si fliste, si lëvizte dhe si rregullonte syzet që i uleshin mbi hundë, me këpucët e trasha, xhaketat dhe këmishët e qepura me shije që binin në sy, me shije të një elite të vërtetë intelektualësh, në një kohë kur një pjesë e madhe prej krijuesve anakronikë hiqeshin si proletarë të dukeshin si kinezë edhe në veshje.

***

Me ikjen befasuese të Kadaresë në Francë, dashamirësit e vërtetë dhe njerëzit e heshtur e kuptuan si një hapje dhe shkrirje të kohës së ngrirë. Në dhjetor u gjenda në Tiranë, si anëtar i projektkushtetutës, pa e kuptuar si më kishin zgjedhur mua dhe mora pjesë në demonstratat në qytetin e studentëve si dhe në rrëzimin e bustit të Enverit dhe pashë me sytë e mi lëvizjet dhe dëgjova me veshët e mi thirrjet emocionuese për Europën dhe për Ismail Kadarenë. Para këtyre ngjarjeve historike i kisha dërguar një telegram në adresën e Akademisë Franceze dhe nuk kam mësuar ende as e kam pyetur nëse e kishte marrë, nëse e kishte lejuar censura. Ruaj të firmosur kartelën e postës së Sarandës. Kohërat ndryshuan dhe Ismail Kadareja si vlerë universale nuk i shkëputi lidhjet me atdheun e tij. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut më zgjodhi për njëfarë kohe ministër. Me Ismailin kishim një mik të përbashkët në Tiranë, ambasadorin grek, Iliopulos, dashamirës i letërsisë në përgjithësi dhe i Kadaresë konkretisht, rezidenca e të cilit ishte në pallatin e tij. Kemi marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të ambasadorit, kemi fotografi me Kadarenë. Duke pasur bindjet e mia të mirësjelljes me personalitete të përmasave të tilla, gjithmonë rrija i ndrojtur dhe i vëmendshëm para tij. Takimi i parë pas kaq vjetësh në Francë ndodhi rastësisht në ashensor, dy minuta, aq sa mund të quhet takim. Minuta e parë për rrugëtimin si ministër për të cilin edhe vetë isha skeptik nëse kisha vepruar mirë që kisha pranuar propozimin e Vasil Melos duke dalë nga fushat e mia. Dhe minuta e dytë e ashensorit për letërsinë. Ishte pyetja e një krijuesi që me kureshtje e dashamirësi i drejtohet një tjetri për letërsinë: a shkruan akoma poezi apo je hedhur në prozë?

***

Në fund të vitit 2004 dhe fillimet e vitit 2005 isha emëruar këshilltar për kulturën në ambasadën shqiptare në Athinë. Në takime të ndryshme me personalitete politike dhe letrare greke, përveç të tjerash, ndihesha mirë se fjala gjithmonë binte edhe te Kadareja. Për Kadarenë më kishte pyetur Karolos Papulias. Për Kadarenë më kishte folur Vasilis Vasilikos që i kishte dërguar një letër vite më parë. Për Kadarenë më fliste Kostas Asimakopulos. Për Kadarenë më foli dhe Hristoforos Milionis, madje ai kishte botuar në një vëllim një tregim me titull Shoku im i fëminisë Ismail Kadare. Më 23 janar 2007 janë promovuar dy vepra të Ismail Kadaresë në Athinë.

Me rastin e botimit të dy romaneve të fundit, Vajza e Agamemnonit dhe Pasardhësi, u interesuam me botuesin të promovoheshin në Athinë, ku të ftohej edhe autori. I telefonova në Paris duke kërkuar të vinte në Athinë. U përgjigj: lërmë të mendohem dhe flasim nesër. Të nesërmen kishte tri kërkesa për ardhjen në Athinë. E para, ta sistemoja në një hotel në qendër të qytetit nga të shikonte Akropolin. E dyta, mundësisht ta çoja në Mikenë në varrin e Agamemnonit, se kishte shkruar romanin pa ditur varrin e tij. E treta, ishte një kërkesë që kishte bërë ambasadorin skeptik, aktiviteti të bëhet për lexuesit grekë dhe jo për shqiptarët. Atëherë kishte një qejfmbetje se disa shkrime mediokre shqiptare hidhnin baltë mbi figurën e tij. Takimi u bë më 24.01.2007 në Stoa Vivliu, në qendër të Athinës dhe ishte një ngjarje e veçantë kulturore. Salla u mbush një orë para me njerëz të ulur dhe të tjerë jashtë në këmbë. Kadareja shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Athinës, z. Kaklamani. Tema se edhe një popull mund të vrasë kulturën e tij, fliste në përgjithësi për kulturën botërore, por aludonte edhe për mosvlerësimin e kulturës në Shqipëri. Isha kurioz të dija nga e kishte marrë këtë ide dhe më tha se e kishte gjetur në historinë e letërsisë së lashtë greke sipas shpjegimit të studiuesve gjermanë, kur qindra vjet përpara Eskilit, Sofokliut, Euripidit, ishin krijuar dhe tragjedi të tjera, por shikuesit nga shkallët e teatrove, të pamësuar, pa e njohur artin e vërtetë, i merrnin si të vërteta veprimet e personazheve dhe ngriheshin, rrihnin aktorin që luante rolin negativ dhe kryente vrasje ose veprime të tjera të papëlqyeshme. Simbolika: një popull i pamësuar me vlerat kulturore mund të vrasë kulturën e tij. Prandaj grekët e mençur shpikën korin ku pas çdo akti del në skenë dhe i shpjegon ngjarjet publikut për të kuptuar tragjiken dhe vlerën e artit.

Të njëjtën ditë ishte midis lexuesve grekë në librarinë prestigjioze Ianos. Në momentin që lëshonte autografe para shumë lexuesve që prisnin në radhë, një punonjëse e librarisë i vuri në tryezë Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, përkthyer dhe botuar në Athinë më 1973. Ismaili iu drejtua Helenës: Shiko, moj Helenë, shiko, romani është botuar në Greqi më 1973 dhe asnjeri nuk ma ka thënë këtë në Shqipëri. Vepra e Kadaresë pas Francës është botuar thuajse e plotë në Greqi. Kadareja me modesti nuk ka dashur teprime. Atje ku firmoste autografe, një skulptor shqiptar zbuloi një bust me gjithë karakteristikat e Kadaresë. Ç’është kjo, tha Ismaili, duke shtyrë bustin. Unë jam gjallë dhe nuk kam nevojë për buste të vdekura. Në shumë aktivitete, takime, intervista sqaroi kuriozitete për historinë, shoqërinë, letërsinë, jetën, laboratorin krijues. Midis tyre: Edhe një vend i vogël në sistemet totalitare mund të bëjë një letërsi të vërtetë, të madhe. Letërsia është luftuar herë egërsisht, herë në forma amatoreske. Shkrimtarët nderonin letërsinë më shumë se fenë dhe ata kanë mbajtur pishtarin e tempullit të ndezur. Atë e ka çuar letërsia te liria dhe jo liria te letërsia. Letërsia e lashtë greke është djepi i letërsisë botërore etj.

***

Prej kohësh punoja në gjuhën greke romanin Ëndërrtari i natës, ku në një skenë personazhi kryesor takon në qytetin e Gjirokastrës një fëmijë të mençur me syze dhe dialogojnë për kështjellën, ku aludohet Kadareja që do të linte qytetin e gurtë dhe do të merrte përpjetë lartësitë e letërsisë. Ndihem mirë nga vlerësimi i Ismail Kadaresë për krijimtarinë time letrare nga libri i parë Fjalë të thëna në pranverë, 1970, deri në parathënien e vëllimit Pagëzimi i zogjve, 2014, botimet “Onufri”, nga edhe zgjodha një fragment për të mbyllur këto shënime, jo për lëvdatat e mia, por për të treguar sa dinjitoz e pa komplekse është Kadareja kur flet për të tjerët: “Niko Kacalidha është në radhë të parë poet, një poet me zanafillë greke, me një poezi metaforike surrealiste brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis dhe me dritësinë e Elitis, dhe herë me detaje shqiptare të gurit, të malit, të dritës dhe të detit, të pranishme këto në pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, gjë që e bën poezinë e tij ballkanike, me ngjyra mesdhetare, pranuar edhe nga lexuesit e kualifikuar europianë.”

Kadareja është semafori ynë estetik që udhëkryqeve të mjegullës dinte të ndizte drita jeshile dhe çdo krijues i brezit tim, vlerësuar dhe ndihmuar prej tij, tani që ka dalë nga shpella e Polifemit ka diçka për të thënë.

Athinë, janar 2022



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora