Kulturë
Anton Nikë Berisha: Studim që e ndriçon thellësisht martirizimin në rrafshin fetar
E hene, 11.12.2023, 08:55 PM
STUDIM QË E NDRIÇON THELLËSISHT MARTIRIZIMIN NË RRAFSHIN FETAR
(Rreth
studimit të don Pal Tunajt, Qenësia e martirizimit. Martirët: gjaku i tyre
misioni ynë. Radio Maria, Tiranë 2023)
Nga
Anton Nikë Berisha
Martirizimi dëshmi e
fesë së gjallë
Studimi
i don Pal Tunajt Qenësia e martirizimit.
Martirët: gjaku i tyre misioni ynë pa asnjë dyshim është për shumëçka i
rëndësishëm dhe i pari i kësaj natyre i botuar në botën tonë. Përmes tij autori
ndriçon në mënyrë të shumanshme dukurinë e martirizimit, të dëshmuar te
krishterimi nga vetë themeluesi, Jezu Krishtit, i cili e jep shembullin më të
denjë të martirizimit për të mirën e njeriut dhe shpëtimin e tij. Kjo dukuri në
rrjedhën e moteve shkoi duke u pasuruar edhe nga besimtarët e devotshëm në Krishtin,
të cilët me jetën e tyre e përligjen se feja e Krishtit është fe e gjallë. E
këtillë u dëshmua nga hapat e parë të përhapjes së këtij besimi e deri në kohën
tonë.
Arsyet
pse autori i hyri studimit të martirizimit brenda fesë së krishterë ndërlidhet
me faktin ai është një nga përbërësit e rëndësishëm të saj. Për të qartësuar
rëndësinë e shumëfishtë të martirizimit, po sjell përcaktimin që i ka bërë
Koncili i dytë i Vatikanit, të cilin përcaktim don Pali e pati bazën kryesore
për hartimin e studimit: “Meqenëse
Jezusi, Biri i Hyjit, e ka shfaqur dashurinë e vet duke e dhënë jetën për ne,
askush nuk ka dashuri më të madhe se sa ai që jep jetën për të dhe vëllezërit
(krh. 1Gjn 3,14; Gjn 15,13). Qe prej kohëve të para, pra, disa të krishterë
janë thirrur, dhe të tjerë do të thirren gjithmonë, për të dhënë këtë dëshmi
maksimale të dashurisë përpara njerëzve, e veçanërisht përpara përndjekësve.
Prandaj martirizimi, me të cilin nxënësi bëhet i ngjashëm me mësuesin e vet që
lirisht e pranon vdekjen për shpëtimin e botës dhe me të cilin bëhet i ngjashëm
me të në derdhjen e gjakut, çmohet nga Kisha si dhuratë e shkëlqyer dhe prova
më e lartë e dashurisë. Edhe pse pak njerëzve u është dhënë, të gjithë duhet të
jenë të gatshëm ta dëshmojnë Krishtin përpara njerëzve dhe ta ndjekin në rrugën
e kryqit gjatë përndjekjeve, që nuk mungojnë kurrë në Kishë[1].
Don Pali i qaset dhe e vështron dukurinë e martirizimit
nga rrafshe të ndryshme, duke e parë, qoftë
në rrjedhjen vertikale, qoftë në atë horizontale, rëndësinë e tij edhe për
kishën e sotme.
Pra, për martirizimin autori na jep një varg të dhënash e
faktesh nga Besëlidhje e Vjetër dhe nga Besëlidhja e Re; i përmend dhe i sjell
një varg shembujsh konkretë të martirizimit si të vëllezërve Makabenj, pastaj
të Shtjefnit, martirizimi në Zbulesën e Gjonit, për të zbritur dhe nëkohën
tonë.
Për ta ndriçuar sa më gjithanshëm martirizimin rëndësinë
që ai pati në rrjedhë të zhvillimit të krishterimit, po dhe atë që ka sot, don
Pali jep mendimet dhe vlerësime të ndryshme të etërve të kishës, shpalos
rëndësinë e kultit që është krijuar për të, pastaj marrëdhënien e martirizimit
dhe eukaristisë etj.
Pra,
autori, duke na dhënë një varg dëshmish, e provon qenësinë e martirizimit që
për kishën ka pasur e ka rëndësinë e vet të pamohueshme, siç thotë G. Fazzini
(Faxini): “[...] një Kishë pa martirët
është një Kishë anemike, e ndrojtur, e frikësuar. Një Kishë që nuk e njeh
martirizimin do të ishte një Kishë në agoni”[2].
Martiri – rrjedhojë e
vullnesës së Hyjit
Natyrisht,
një martir nuk është rrjedhojë e rastit dhe e dëshirës së individit, po e
veprimit të hirit të Hyrit: “Një martir i krishterë nuk është rastësi, aq më
pak mund të jetë martirizimi i një krishteri efekt i vullnetit të njeriut për
t’u bërë martir [...] Një martir, një shenjtor është gjithmonë fryt i planit të
Hyjit, i dashurisë së tij për njerëzit, për t’i paralajmëruar dhe udhëhequr
ata, për t’i kthyer në rrugët e tij”[3].
Ndodh pikërisht ajo që Papa Gjon Pali II thoshte për lutjen dhe nismën e saj
nga ana e besimtarit: “Përvoja e lutjes mëson që, nëse ‘uni’ duket në fillim
elementi më i rëndësishëm, njeriu pastaj kujtohet se në të vërtetë puna qëndron
ndryshe. Ti është më i rëndësishmi, sepse lutja zë fill nga Zoti. Shën
Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, na mëson pikërisht këtë[4]
[...] Në lutje, pra, protagonisti kryesor është Zoti. Protagonist është
Krishti, që vazhdimisht e liron krijesën nga robëria e prishjes dhe e shpie
drejt lirisë, për lavdinë e bijve të Zotit. Protagonist është Shpirti i Shenjtë
që ‘i vjen në ndihmë dobësisë sonë’. Ne fillojmë të lutemi me përshtypjen se
kjo është nismë jona, kurse ajo është gjithmonë një nismë e Zotit brenda nesh[5]”.
Në
vijim të ndriçimit të dukurisë së martirizimit, don Pal Tunaj vë në dukje se
ajo u ndodh vetëm besimtarëve të mirëfilltë, atyre që janë shpirtërisht të
lidhur me hirin e Hyjit e me dashurinë e tij, ata që janë të gatshëm të japin
për fe gjithçka, edhe jetën. Së këndejmi vepra e tyre duhet të bëhet pjesë e
veprimit në jetën e përditshme të njeriut, të shërbejë shembull: “Kur flasim
për martiret, menjëherë mendja na shkon të shenjtërit të cilët në mënyrë
shpirtërore, poetike dhe metafizike janë të pajisur me fe të gjallë dhe
vepruese, por edhe me dije e kulturë të madhe [...] Pra janë njerëz të cilët
krijuan ligje, formuan shtet, por mbi të gjitha e çuan aq larg Ungjillin e Jezu
Krishtit sa që e vulosen me gjakun e dëshmisë, duke e flijuar jetën për Jezu
Krishtin, Ungjillin, Kishën dhe për lirinë e
popujve [...] Pikësëpari kjo kategori
njerëzish dëshmojnë dhe zbulojnë shpirtin e fesë së tyre, e cila për ne
është një nevojë dhe detyrë por edhe model i të jetuarit sipas normave të
përshpirtërisë. Përgjatë kësaj trajtese nuk dëshirojmë t’i braktisim po as t’i
anashkalojmë përvojat e tyre të fesë, kontributin e tyre shpirtëror dhe kulturor
që t’i mbulojë pluhuri dhe harresa. Dëshmia e tyre duhet që të inkulturohet në
ungjillëzim edhe pas dekadave të martirizimit të tyre. Pra dëshmia e tyre
kërkohet të integrohet në jetën pastorale të ungjillëzimit, për t’i bërë
përvojë të dukshme për Kishën tonë”[6].
Don
Pali martirizimin e sheh dhe e vështron si pjesë të pandashme të besimtarit dhe
të kishës nga se martirizimi është pjesë përbërëse e jetës dhe e kohës kur
jetuan dhe vepruan këta njerëz të lartësisë dhe pasurisë shpirtërore të
veçantë, prandaj nuk mund t’i zhveshim nga realitet i prekshëm, konkret, sepse
kanë datën dhe vitin e lindjes dhe të vdekjes, prandaj i takojnë historisë dhe
realitetit objektiv[7].
Po
e mbyll këtë punim për studimin e don Pal Tunajt me mendimin se njohja e
qenësisë së martirizimit, të shpjerë vetvetiu në njohjen më të thellë të
besimin në Krishtin dhe njësimin me të.
Prishtinë, fillim
dhjetor 2023
[1] Dokumente të
Koncilit II Ekumenik të
Vatikanit,
Kushtetuta dogmatike Lumen Gentium,
Shkodër, 2012, n. 42.
[2] G. Fazzini, Lo scandalo del
martirio, inchiesta sui testimoni della fede del terzo millenio, f. 73., f. 23.
[3] Shih M. Sussini, I martiri di Tiberhine, il dono che
prende corpo, EDB, 2005, f. 133.
[4] Gjon Pali
II me Vittorio Messori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës Gjonlekaj
Publishing Company, Neë York, 1998, f. 15.
[5] Gjon Pali
II me Vittorio Messori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës, vep. e përm.,
f. 16.
[6] Don Pal
Tunajt, Qenësia e martirizimit. Martirët:
gjaku i tyre misioni ynë. Radio Maria, Tiranë 2023, f. 7 – 8.
[7] Don Pal
Tunajt, Qenësia e martirizimit. Martirët:
gjaku i tyre misioni ynë, vep. e përm., f. 9.