Kulturë » Vataj
Fjala e plotë e Nënë Terezës mbajtur në ceremoninë e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, Oslo, 10 dhjetor 1979
E diele, 10.12.2023, 07:53 PM
“Me që jemi mbledhur të gjithë bashkë, mendoj se, për të falënderuar Zotin e Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte vërtet e bukur të luteshim me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, që më mahnit gjithnjë shumë – ne e themi këtë lutje çdo ditë pas Kungimit, sepse tepër e përshtatshme për secilën nga ne. Më bën të mendoj se katër-pesëqind vjet më parë, kur Shën Françesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështirësi, që kemi sot, me që na përshtatet kaq shumë.
Mendoj
se disa nga ju e kanë me vete, prandaj, të lutemi së bashku. Ta falënderojmë
Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes,
që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi u bë njeri, për
t’ia sjellë pikërisht këtë lajm të mirë të varfërve. Ai, edhe pse Zot, u bë
njeri në gjithçka, veç mëkatit, dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta
sjellë këtë lajm të mirë. Lajmi ishte paqja për të mbarë njerëzit vullnetmirë,
ishte paqja e zemrës, që e dëshirojmë të gjithë. Zoti e deshi botën aq, sa të
jepte Birin e vetëm për t’ua bërë njerëzve këtë dhuratë. E si mund të themi se
bëri keq, pse e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vet? E ia dha Virgjërës
Mari. E ajo, ç’bëri pastaj? Sapo e ndjeu gjallë, shpejtoi ta jepte lajmin e, si
hyri në shtëpinë e së kushërirës, foshnja – ende e palindur, në kraharorin e
Elizabetës, u drodh nga gëzimi. Ferishtja e palindur qe lajmëtari i parë i
paqes!
Njohu
Princin e Paqes, njohu Krishtin, ardhur për të sjellë lajmin e mirë, për mua,
për ty. E sikur të mos i mjaftonte që u bë njeri, deshi edhe të vdiste mbi
kryq, për të treguar sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për
ty, për të gërbulurin e për të uriturin, që sillet lakuriq rrugëve jo vetëm të
Kalkutës, por edhe të Afrikës, të Nju Jorkut, të Londrës, të Oslos, e nguli
këmbë ta donim njëri-tjetrin, ashtu si na kishte dashur Ai vetë. Lexohet qartë
në Ungjill: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë, si ju dua. Ju dua,
si më deshi Ati”. E Ati e deshi aq fort, sa ta dhuronte dhe më fort. E edhe ne
duhet ta duam njëri-tjetrin, deri në dhembje. Nuk mjafton të themi: “Zotin e
dua, por jo të afërmin!”. Shën Gjoni të kujton se gënjen kur thua: “Zotin e
dua, por jo të afërmin”. E si mund ta dashke Zotin, që nuk e sheh, kur nuk e do
të afërmin, që e sheh, e prek, që jeton me të e pranë tij? Kështu ka shumë
rëndësi të kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e tillë
deri në dhembje!
I
dhembi Jezusit, kur na deshi. I dhembi fort. E për të qenë i sigurt se do ta
kujtonim dashurinë e tij të madhe, u bë Buka e jetës, që të shuante urinë tonë
për dashuri. Urinë tonë për Zotin, sepse u krijuam për këtë dashuri. U krijuam
sipas shëmbëlltyrës së tij. U krijuam për të dashur e për t’u dashur, e Ai u bë
njeri, që ne të mund të donim, siç na deshi Ai vetë. Është Ai i urituri, i zhveshuri,
i pastrehu, i sëmuri, i burgosuri, i vetmuari, i padashuri, e vijon të na
kujtojë: “Ma keni bërë mua!”. Ka uri për dashurinë tonë, e kjo është uri për të
varfrit tanë. Është ajo uri, që ju e unë duhet ta gjejmë, sepse mund ta kemi
edhe në strehën tonë! Nuk e harroj kurrë mundësinë që pata për të vizituar një
shtëpi, ku strehoheshin një mori pleqsh, të gjithë prindër me bij e me bija, të
gjithë të flakur në atë institut dhe… të harruar!
Shkova
atje e pashë se kishin gjithçka, gjëra të bukura, por të gjithë i kishin sytë
të mbërthyer tek porta. E nuk pashë asnjë fytyrë të qeshur. Iu drejtova një
motre e i thashë: – Si kështu? Si është e mundur që njerëz, të cilët i kanë
gjitha të mirat, s’bëjnë tjetër, veçse shikojnë portën? E nuk shoh asnjë fytyrë
të qeshur! Jam mësuar t’i shikoj njerëzit tanë të qeshur; madje edhe ata që
janë duke dhënë shpirt, buzëqeshin lehtas. Vdesin me buzë në gaz.
E
ajo ma ktheu: – Kështu i ke ditë për ditë, presin e shpresojnë se do të vijë
për t’i parë ndonjë prej bijve a bijave. E ndjejnë veten të plagosur, sepse të
harruar, e, shikoni, pikërisht këtu duhet të trokasë dashuria. Ashtu si troket
në shtëpitë tona varfëria, kur harrojmë të duhemi. Ndoshta në familjen tonë
kemi ndokënd që ndjehet i vetmuar, i sëmurë, i shqetësuar, e këto janë ditë të
vështira për të gjithë. A jemi aty? A jemi për t’i ndihmuar? A është aty nëna,
për të dëgjuar fjalën e pathënë të të birit? Çuditem kur shoh, në perëndim,
shumë djem e vajza të droguara dhe e vras mendjen për të gjetur psenë, pse
ndodh kjo? E përgjigjja është: sepse nuk kanë asnjeri në familje që t’i
dëgjojë. Babai e nëna janë gjithnjë të zënë, aq sa të mos kenë kohë deri për
fëmijët e vet. Prindërit e rinj janë në ndonjë zyrë, kur fëmija u bredh
rrugëve, gati për të rënë në ndonjë grackë. E ne jemi duke folur për paqen!
Pikërisht këto janë gjërat, që e rrënojnë paqen, por unë nuk heq dorë nga
mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë
e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë
s’ëmës.
E
lexojmë në Shkrimin Shenjt. Zoti e thotë tepër qartë: “Edhe sikur nëna ta
harronte foshnjën, unë nuk do të të harroj! Të kam skalitur në pëllëmbë të
dorës!”. Jemi të skalitur në pëllëmbën e dorës së Tij, jemi pranë Tij! E edhe
foshnja e palindur është e skalitur në pëllëmbën e dorës së Zotit. E ajo që më
trondit më shumë, është fillimi i kësaj fraze, janë fjalët: “Edhe sikur nëna të
harronte…”. Më duket gjë e pamundur, por megjithatë, edhe nëna mund të harrojë,
na kujton Zoti, në sa unë nuk do të harroj kurrë. Sot për sot, arma më e
rrezikshme kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit
tanë na deshën. Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumëkush
interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa
e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e
tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur
njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!
Prandaj
bëj thirrje, në Indi e kudo: “Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë
vit, që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam
thënë, kudo që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i
palindur, të duhet. E sot, që përfundon viti, pyes: “A e kemi dashur çdo fëmijë
të lindur a të palindur?”. Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër
abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. U kemi bërë
thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve të policisë: ju lutemi, mos
i mbysni fëmijët, i marrim ne. Në çdo orë të ditës e të natës, është dikush, që
ka nevojë për ndihmë. Kemi shumë vajza-nëna: thojuni të vijnë tek ne, ne do të
kujdesemi për fëmijën e tyre, do t’i gjejmë strehë. Kemi kërkesa të panumërta
nga ana e familjeve pa fëmijë, e për ne ky është hir i Zotit. Po bëjmë edhe një
gjë tjetër, shumë të bukur, po u mësojmë lypësve tanë, të gërbulurve tanë,
banorëve të barakave, njerëzve tanë të sokaqeve, metodat e planifikimit
familjar.
E
vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur
61273 fëmijë më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u
mësuan të praktikojnë këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me
dashuri reciproke. U mësojmë atyre metodën e temperaturës, që është shumë e
bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di
ç’më kanë thënë? Familja jonë është e shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi
fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë
shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin
metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne. Të
varfërit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një
ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e
pastrisë, jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”.
Sepse nuk është tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se
kemi thënë një frazë shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë
asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta nuk kanë as strehë, ku të struken.
Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj!
Një
mbrëmje dolëm e mblodhëm katër vetë, të flakur në rrugë të madhe. Ndërmjet
tyre, një grua në kushte të tmerrshme. U thashë motrave: “Kujdesuni ju për tre
të parët, për këtë, që duket më keq, po kujdesem vetë. U kujdesa me gjithë
dashurinë, që kisha në shpirt. E shtriva butë në krevat e i pashë në fytyrë një
buzëqeshje të mrekullueshme. Ma mori dorën në dorën e saj, që akullohej, e më
tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Nuk mund të mos zbrisja në fundin
e ndërgjegjes sime atë ças, përball së vdekurës, e të mos e pyesja veten: “Ç’do
të kisha bërë, po të isha në vend të saj?”. Përgjigjja ishte e thjeshtë. Do të
isha munduar të tërheq vëmendjen, do të kisha thënë se kam uri, kam ftohtë,
dhimbje, se po vdes, a ku ta di unë ç’fjalë të tjera. Ndërsa ajo më dha shumë
më tepër, sesa i dhashë: më dha të fundmen dashuri. E vdiq me buzë në gaz.
Ashtu
si burri, që e gjetëm në kanal, gjysmë të brerë nga krimbat e e sollëm në
shtëpi. Ai e mbylli jetën me fjalët: “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por
po vdes si engjëll, në krahët e dashurisë e të kujdesit”. Ishte mahnitëse të
shikoje madhështinë e këtij njeriu, që mund të fliste kështu, mund të vdiste
kështu, pa akuzuar kënd, pa mallkuar, pa bërë krahasime. Si engjëll! E kjo
është madhështia e njerëzve tanë. E për këtë ne besojmë se Jezusi ka thënë:
“Isha i uritur, isha lakuriq, isha pa strehë, isha i braktisur, i pa dashur, i
pa kujdesur, e ju bëtë gjithçka mund të bënit për mua!”. Besoj se ne nuk jemi
veprimtarë të vërtetë shoqëror. Ndoshta, për sytë e botës, puna jonë mund të
duket si shoqërore, po në të vërtetë ne jemi kundruese, në zemër të botës.
Sepse prekim Korpin e Krishtit njëzet e katër orë në ditë. E kemi njëzet e
katër orë këtë prani, e kështu edhe ju e unë. Edhe ju mund të bëni provë e ta
çoni Zotin në familjet tuaja, sepse familja, që lutet së bashku, është e
bashkuar. E besoj se në familje ne nuk kemi nevojë për bomba e armë atomike, që
shkatërrojnë. Për të sjellë paqen, mjafton të jemi bashkë, të duhemi. Ta çojmë,
pra, këtë paqe, këtë gëzim, këtë forcë të pranisë së Zotit në shtëpitë tona. E
kështu do të mund të fitojmë mbi çdo të keqe, në një botë ku ka shumë vuajtje,
shumë urrejtje, shumë mjerim. Prandaj ne, me lutjen tonë, me flijimin tonë, ta
nisim betejën e dashurisë pikërisht nga shtëpia!
Dashuria
nis në shtëpi, e nuk ka rëndësi ajo që bëjmë. Rëndësi ka dashuria, në çdo gjë
që bëjmë. I përket Zotit, që është i gjithëpushtetshëm, ta gjykojë dashurinë me
të cilën shërbejmë. Me të cilën i shërbejmë Atij vetë, në njeriun që vuan. Jo
shumë kohë më parë, në Kalkutë, na mungoi sheqeri e nuk e di sesi, po fëmijët e
morën vesh. E një fëmijë nja katër vjeç, fëmijë induistësh, duke shkuar në
shtëpi, u tha prindërve: “Nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap
sheqerin tim Nënë Terezës, për fëmijët e saj”. Pas tri ditësh nëna e babai i
fëmijës e sollën sheqerin në shtëpinë tonë. Nuk i kisha takuar kurrë e fëmija e
tyre mezi e shqiptonte emrin tim, por e dinte mirë ç’kish ardhur të bëjë.
Kishte ardhur të dhurojë dashuri. Edhe ju po më dhuroni dashuri. Që kur erdha
këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria e madhe, që përpiqet të kuptojë
gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit
e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë time. Plotësisht në
shtëpinë time, këtu, mes jush!
Prandaj
erdha t’ju flas. Dëshiroj ta shikoni të varfrin këtu, pikërisht në shtëpinë
tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit
tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”.
Kam
jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë
fëmijë. Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje
me tetë fëmijë, që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”. Pa e
zgjatur, mora ca oriz e u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet
e urisë. Nuk e di nëse keni parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër
shpesh. Pashë edhe të ëmën që e ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku
shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe ata kanë uri. Po kush ishin ata? Mësova se
e kishte fjalën për një familje myslimane. Me të e kishte ndarë kafshatën e
gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar me fund gëzimin, që
buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në sytë e fëmijëve
të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë dashuri për
të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj që edhe
ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam
shumë mirënjohëse.
Ishte
një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në Indi, ku do të shkoj
javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë tuaj. Me bindjen
se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj Zotin që
na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë jo
vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës. E me këtë
çmim, që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata
që nuk kanë shtëpi. Sepse besoj që dashuria nis nga shtëpia e se, po të mund të
ndërtojmë një shtëpi për të varfrit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm
dashuri. E prej dashurisë, do të përhapet paqja, lajmi i mirë për të varfrit.
Për të varfrit e familjes sonë, së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës.
Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet të enden me lutje!
E
ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e ne i ndajmë me Të këto
mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfra. E kjo, nga
që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur
perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të
uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam
shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i
padëshiruar, i pa dashur, i trembur, i flakur nga radhët e shoqërisë – si mund
ta kënaq? Më duket tepër e vështirë. Motrat tona po punojnë për këtë tip
njeriu, që mund ta quajmë i varfëri i perëndimit. Njeri, që ka etje e uri për
pakëz dashuri! Atëherë ju ftoj të luteni për ne, që të jemi të afta për t’u
bërë ne vetë lajmi i mirë, me bindjen se nuk mund të realizojmë asgjë pa ju,
sepse pikërisht ju duhet t’ju kemi përkrah në vendin tuaj.
Duhet
t’i njihni të varfrit. Vërtet këtu njerëzia ka të mira materiale, ka gjithçka,
por mendoj se po të kërkojë nëpër shtëpi, vështirë se do të gjejë një
buzëqeshje të dalë nga zemra. E duhet ta kemi mirë parasysh se buzëqeshja është
fillesa e dashurisë. Të takohemi gjithnjë, prandaj, me buzë në gaz, sepse kur
takohemi kështu, nuk është e mundur të mos bëjmë diçka të mirë. Lutuni, pra,
për motrat tona, për vëllezërit tanë, për bashkëpunëtorët e përhapur në mbarë
botën: “Lutuni t’i qëndrojnë përherë besnikë dhuratës së Zotit, ta duan e t’i
shërbejnë në të varfrit, së bashku me ju. Atë që kemi bërë, nuk do të mund ta
bënim, nëse ju nuk do të na kishit ndihmuar me lutjet tuaja, me dhuratat tuaja,
duke dhënë vazhdimisht. Veç nuk dua të më jepni atë që ju tepron. Nuk dua
teprica. Dua dashuri, deri në dhembje. Një ditë më parë mora 15 dollarë nga një
burrë, që nuk lëviz fare nga krevati prej njëzet vjetësh. E vetmja pjesë e
trupit, që mund ta lëvizë, është dora e djathtë. Dhe e vetmja gjë, që e kënaq,
është duhani. E pra shi ky burrë më tha: nuk kam tymitur prej një jave, për t’i
kursyer këto para, që po t’i dërgoj.
Duhet
të ketë qenë një flijim i tmerrshëm për të, por edhe tepër i bukur. Me paratë e
tymit të tij të pashijuar, bleva bukë për të uriturit, për gëzimin e të dyja
palëve: ai dha, të varfrit morën. E kjo është dhuratë e Zotit për mua e për ju,
ta ndajmë dashurinë me të tjerët. E ta bëjmë, si t’ia kishim bërë Jezusit. Ta
duam njëri-tjetrin, si na deshi Ai. Ta duam Atë vetë me dashuri të pandarë. Ta
duam njëheresh Atë e njëri-tjetrin, sidomos tani, që Krishtlindja është kaq
afër. Ta ruajmë gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit në zemrat tona. E ta
ndajmë këtë gëzim me të gjithë ata që takojmë. E ky gëzim vezullues është i
vërteti. Nuk kemi arsye të mos jemi të lumtur, sepse Krishti është me ne. Është
në zemrat tona. Krishti është në të varfrin, që takojmë; në buzëqeshjen që
dhurojmë e që na dhurohet. Të zotohemi, prandaj që asnjë fëmijë të mos jetë i
padëshiruar, e që do ta pranojmë me buzë në gaz, posaçërisht atëherë kur është
tepër vështirë të buzëqeshësh.
Pak
kohë më parë jetova një ngjarje, që nuk do ta harroj kurrë. Na erdhën për
vizitë rreth 40 profesorë, nga universitete të ndryshme të SHBA-ve. Erdhën në
Kalkutë në shtëpinë tonë. Po flisnin njëri me tjetrin e po thoshin se kishin
qenë në shtëpinë tonë ku strehojmë njerëzit në prag të vdekjes. E kemi një
shtëpi të tillë në Kalkutë, ku kemi mbledhur më se 360.000 njerëz vetëm nga
rrugët e qytetit e, nga ky numër i madh, më se 18.000 vdiqën në paqe me njeriun
e me Perëndinë. U nisën për në shtëpinë e Zotit, pasi erdhën në shtëpinë tonë,
ku u folëm për dashurinë, për mëshirën.
Si
u fola për këtë shtëpi e për këta njerëz, njëri prej profesorëve m’u lut: –
Nënë, ju lutem, na thoni diçka, që të mund ta kujtojmë. E u thashë atyre: –
Buzëqeshini njëri-tjetrit, kushtojini ca kohë familjeve. Buzëqeshni!
E
njëri prej tyre, çuditërisht, më pyeti: “Jeni e martuar?”. Po, ia drodha, dhe
shpesh e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse nganjëherë kërkon edhe
tepër nga unë. Kjo është e vërtetë e prej këndej vjen dashuria, kur Krishti
është kërkues, e ne, megjithatë, mund t’i japim Atij me gëzim. Po e them këtu
se, po s’ shkova në qiell për ndonjë meritë tjetër, sigurisht që do të shkoj
për shkak të publicitetit, sepse më pastroi, më sakrifikoi e më bëri vërtet të
gatshme për të shkuar në Qiell. Mendoj se duhet ta jetojmë bukur jetën tonë,
sepse Jezusi është me ne, Krishti na do. Nëse do të mendonim vetëm se Jezusi na
do e se kemi mundësi t’i duam edhe të tjerët, si na do Ai, jo në gjërat e
mëdha, por në të voglat, të bëra me shumë dashuri, atëherë Norvegjia do të
bëhej fole dashurie. E sa gjë e bukur do të ishte, që pikërisht këtu të na
dhurohej një qendër për paqen! Që prej këtu të delte gëzimi për jetën e
fëmijëve të palindur. Nëse ju bëheni dritë, që digjet në botë për paqen, atëherë
vërtet Nobeli për Paqen është dhuratë për popullin norvegjez. Zoti ju bekoftë”!
Përgatiti:
Albert Vataj