Kulturë
Florim Zeqa: Rruarja përfundimtare e Kosovës!
E merkure, 13.12.2023, 08:54 PM
Rruarja përfundimtare e Kosovës!
Shkruan:
Florim Zeqa
Se
kush është përgjegjës për themelimin e Asociacionit e dijmë të gjithë. Dhe të
gjithë janë fajtorë pa dallim pushtet dhe opozitë! Edhe përkundër ndërrimit të
roleve (pushtetit), fajësia bie njëjtë mbi të gjithë. Përderisa kundërshtuesit
aktualë, opozita aktuale (PDK dhe LDK) janë nënshkruesit e parë të Marrëveshjes
për Asociacionin, ata që deri dje e kundërshtonin si opozitarë, sot po e bëjnë
realitet të njëjtën marrëveshje si pushtetarë!
M’rrove e t’rrova,
brisku i berberit
Kundërshtimet
sporadike apo thënë ndryshe, me dualizimin e veprimeve, pushtetarët aktualë
qëllimin e kanë tek shpërndarja e përgjegjësisë politike. Këtë po e bëjnë duke
e akuzuar opozitën për vënjen para aktit të kryer për Asociacionin dhe duke
kërkuar ndihmë tek ndërkombëtarët me zbutjen e terminologjisë politike për të
njëjtin produkt (2013-2015!
Shihet
ashiqare, se ndërkombëtarët, përkatësisht SHBA dhe BE nuk kanë ndërruar qëndrim
sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura përgjatë viteve 2013-2015,
andaj janë aq të përkushtuar për përafrim qëndrimesh mes pozitës dhe opozitës,
dhe nëse të gjithë pajtohen, atëherë nuk do të ketë kundërshtime të mëdha dhe
as përkeqësim të gjendjes e sigurisë.
Tendenca
e ndarjes së përgjegjësisë politike rreth Asociacionit, për qëllim ka, që përgjegjësia
individuale të kthehet në përgjegjësi kolektive, që i bie që të gjithë të bien
ndesh me Kushtetutën e vendit dhe asgjë askujt sipas thënjes popullore “M’rrove
t’rrova brisku i berberit”!
I
njëjti brisk që ishte në dorën e Catherine Ashtonit ishte në dorën e Federica
Mogherinit, dhe përseri i njëjti brisk është në dorën e Miroslav Lajçakut,
Josep Borrellit dhe Gabriel Escobarit.
Presidentja e merr rolin
e zjarrëfikëses
Takimi
i ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani me krerët e partive politike opozitare,
për qëllim ka ndarjen e përgjegjësisë politike për “Draft-Statutin e
Asociacionit. Arritja eventuale e një konsensuesi politik do të ishte shpëtim
për vendin dhe ndihmesë e madhe për Albin Kurtin, i cili karrierën politike e
ka të lidhur ngusht Asociacionin.
Thënë
ndryshe, fati dhe mbijetesa politike e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit janë të
lidhura ngusht me Asociacionin e Komunave Serbe në Veri të Kosovës. Ndryshe,
ekzistenca e tyre në skenën politike i ka ditët e numërura, jo për shkak të
trysnisë opozitare, por për shkak të trysnisë ndërkombëtare, të cilët tashmë
janë lodhur me politikanët kontravers kosovarë, të cilët ndryshe flasin e
ndryshe veprojnë!
Mungesa
e guximit politik e Albin Kurtit për ta zyrtarizuar Asociacionin, do t’i
detyrojë ndërkombëtarët që të kërkojnë partner të rinj politik. Duke e nuhatur
mirë situatën e krijuar politike, presidentja Osmani shpëtimin e vet poltik (jo
të Albin Kurtit) po e kërkon tek opozita duke e luajtur rolin e zjarrëfikëses!
Në
ditët në vijim të këtij fundviti të rëndë politik për Kosovën, pritet të
zyrtarizohet ndarja e rrugëve mes krerëve shtetërorë dhe ndarja e përgjegjësisë
kolektive me zyrtarizimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Veri! Na mbetët
të shohim, në dorën e cilit “berber” do të mbetet brisku i rruarjes
përfundimtare të Kosovës!
Florim Zeqa
10.12.2023