| E enjte, 14.12.2023, 09:05 PM |
TAKIMET
ME KADARENË MBRESA QË NUK SHLYHEN
Nga Niko
Kacalidha
Një
ndjenjë e veçantë mirënjohjeje, adhurimi dhe një afinitet fisnikërie më shtyn
të shkruaj këto radhë për Ismail Kadarenë, personalitetin e shquar të letrave,
aq afër estetikisht me brezin tim, adhuruar, kuptuar dhe këshilluar me të edhe
në distancën e heshtjes më mirë se në çdo afërsi tjetër. Ishte edhe ideja e
mikut tim botues, Bujar Hudhri, sidomos pas parathënies së Kadaresë në vëllimin
Pagëzimi i zogjve, që më nxiti. Unë besoj se personalitetet e mëdha të letrave
nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, aq më shumë kur bëhet fjalë për një
kandidat për çmimin “Nobel” si Ismail Kadareja. Janë disa mbresa dhe momente
personale të regjistruara brenda meje aq sa nuk mbajnë më dhe kërkojnë të dalin
dhe jashtë meje. Në jetën letrare të çdo krijuesi fillestar, sidomos në atë të
fillestarit, jam i bindur gjithsesi se u duhen modele dhe idhuj. Edhe sikur të
mos i gjejnë në realitetin ku jetojnë, patjetër do t’i krijojnë vetë me
fantazinë e tyre. Të privilegjuar janë ata që kanë jetuar në një kohë me
idhullin e tyre. Edhe unë gjatë rrugëtimit kam pasur modelet dhe idhujt e mi,
disa prej të cilëve të gjallë dhe disa të vdekur. Midis tyre nuk mund të rri pa
përmendur ndër të parët ata që me veprën e tyre më kanë lënë përshtypje të
pashlyeshme, dy krijues ballkanas: një nobelist dhe një kandidat për çmimin
“Nobel”, greku Odiseas Elitis dhe shqiptari Ismail Kadare. Ndërsa i pari,
Elitis, i njohur vonë prej meje si person fizik dhe si krijues, pata nderin të
më priste i ftuar një orë e ca një paradite janari 1996 në banesën Skufa 23 në
Kolonaqi, Athinë, ku folëm çiltër, shtruar, si të barabartë, për shumë gjëra
rreth nesh, duke u përqendruar sidomos në poezinë dhe përkthimet, unë
dyzetecavjeçar dhe ai tetëdhjetë e katër, në apogjeun e karrierës poetike, i
dyti, Kadareja, si krijues ka qenë brenda meje që në fillimet e mia dhe libri i
parë që doja të imitoja gjatë leximeve të fëminisë ishte Princesha Argjiro,
dhuratë e babait për Vit të Ri, nga librat e parë që më kishte ndihmuar të
mësoja gjuhën shqipe. Legjendë e poetizuar që kisha lexuar në disa variante të
Epirit të Veriut e të Jugut, lexohej edhe për një arsye tjetër rrëqethëse:
kalaja e përgjakur e Gjirokastrës, ku legjenda nënkuptonte qëndresën, tani
ishte kthyer në burg torturash ku kishte kaluar për njëfarë kohe dhe im atë.
Odiseas Elitis, veç të tjerash, më foli për Luftën Italo-Shqiptaro-Greke (siç e
quan Kadareja këtë luftë), ku kishte marrë pjesë si nëntoger dhe ishte
frymëzuar për poemën Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në
Shqipëri dhe kryeveprën tjetër Aksion esti. Kur i thashë se nuk jam unë i pari
që do të përkthej poezinë e tij në gjuhën shqipe, se Ismail Kadareja ka
përkthyer para meje fragmente nga Këngë e përzishme për nëntogerin e rënë në
Shqipëri, më pyeti për Kadarenë dhe kur i thashë se pa Kadarenë nuk e di ku do
të më çonte fati, ai sikur u përqendrua dhe me pamje meditative e quajti të
përmasave të mëdha që me veprën e tij nderon sot ballkanasit në botë. Dhe
ndërsa kisha krijuar mitin tim se shkoja të takoja perëndinë e dymbëdhjetë të grekëve,
dilja i emocionuar pas takimit sikur zbrisja nga Olimpi, edhe për faktin se ai
kishte lexuar poezinë time, por edhe se do ta përktheja nga origjinali, ndaj më
jepte të drejtën e përkthimit bashkë me ca porosi dashamirëse dhe konstruktive:
të mos bëhesha skllav i fjalës, mjafton të gurgullonte fjala. I ndodhur midis
dy idhujve të mi, bashkëkombësit Elitis dhe bashkështetasit Kadare, unë
kthehesha te Kadareja, personaliteti krijues ndërlidhës gjatë takimit tonë,
edhe ky një perëndi, sipas kriterit tim të hierarkisë së vlerave të botës, në
një Olimp tjetër që mbase ai i pari e krijonte dhe printe përpjetë në rrugën e
ngjitjes shqiptare. Kështu e bëja unë hierarkinë time letrare atëherë, pa marrë
parasysh qortimet për hiperbolizime e glorifikime. Emrin Ismail e kishte një
çam, një mik shtëpie, që na furnizonte me mallra dhe ushqime dhe gjyshja, duke
lidhur kalin në shtyllën e pjergullës në oborr, e priste me: ella kaimene
Zmaili, “eja Zmail i shkretë” (Zmail për Ismail); ai para se të ulej të hante
bënte kryqin dhe ia kthente gjyshes: o theos na su to dosi kyra Ollga, “zoti të
dhashtë zonja Ollga” dhe vazhdonte të sqaronte se edhe ata ishin të krishterë
dhe u myslimanizuan vonë në kohën e Turqisë. Gjyshja, që e dinte mirë Dhiatën,
i thoshte se Ismaili përmendet në Dhiatën e Vjetër. Kështu në mënyrë të
çuditshme pleksen gjërat midis tyre në botë si
gishtat e njërës dorë ndërfutur në ata të tjetrës edhe në variantin e
një emri. Gjirokastrën e kisha njohur një ditë me mjegull kur u gdhiva me temperaturë të lartë dhe gjyshja e alarmuar
më çoi për vizitë orë të tëra rrugë midis maleve duke marrë me radhë mjekët e
famshëm të qytetit: Kalivopullin, Labovitin, Vasilin e madh dhe Vasilin e
vogël, miq të doktor Litos, kushëriri i nënës sime, gjatë Luftës mjek në Prishtinë
dhe pastaj në Tiranë. Ishin dy ditë me mjegull që përshkuam si midis një tuneli
kafkian si labirinti, vajtje-ardhje, fushën e Dropullit dhe një natë pis në
qytet ku fjetëm në shtëpinë e një mikeshe gjirokastrite të gjyshes. Më vonë, sa
herë lexoja diçka nga Kadareja, sidomos romanin Kronikë në gur, si në vegime më
dilnin përpara ajo natë pis dhe dy ditët me mjegull. Gjyshja nuk i hidhte sytë
nga kalaja për hir të babait. E kundërta ndodhte me të sa herë kalonim nga
Gjirokastra, më tregonte kalanë ku kishte kaluar netët e tij dhe ku ishte vrarë
dhe një fqinji ynë, pastaj kalonim nga miku i tij librashitës për ndonjë botim
të Kadaresë. Ky qytet, ku as Shën Kozmai nuk kaloi se sipas profecisë do të
lindte djalli vetë dhe nënkuptonte me djall udhëheqësin, ka nxjerrë shkrimtarin
e madh Ismail Kadare, thoshte babai dhe duke bërë qyfyre me Alizotin, që edhe
ky i shkelte syrin sikur gjoja mbronte djallin e qytetit.
***
Leximet
e mia para zbulimit të Kadaresë, aq sa mund t’i quaje lexime në atë moshë, por
të regjistruara mirë në diskun e fëminisë, ishin nga letërsia klasike greke,
librat e babait sjellë nga studimet në Greqi, dy poemat homerike, Iliada dhe
Odiseja, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Ungjilli, Libri i
ëndrrave, një libër me këngë popullore greke dhe nga letërsia botërore,
Makbethi, Ferri, Fausti, Lindja e tragjedisë etj. Nga poezia greke, pa dalë
akoma nga Leshnica, fshati i lindjes buzë kufirit midis dy shteteve, kisha
lexuar Solomos, Vallaoritis, Pallamas dhe disa fragmente në antologji shkollore
nga poezia e mëvonshme e viteve tridhjetë, Ricos, Varnalis, Ludemis etj.
Mbarova shkollën fillore dhe, për fat të mirë a të keq, por besoj se fatthënat
e kishin pleksur për të mirë, nuk m’u dha e drejta të vazhdoja shkollë të mesme
si shumica e moshatarëve të mi. Atëherë u gjend tezja Eleni dhe burri i saj
Theofani që, me dashamirësinë dhe përkujdesjen e një prindi, më morën si djalin
e tyre në Berat dhe mbarova gjimnazin. Në biografinë e këtij oficeri të
përjashtuar më vonë nga Partia, se gjoja në një stërvitje kishte mburrur një
ushtarak të lartë të grupit të Ballukut, ishte shënuar veç të tjerash se kishte
strehuar për katër vjet një të deklasuar si unë. Unë vazhdoja në gjimnaz të
lexoja e të përvetësoja shqipen dhe krahas greqishtes, që kisha filluar të
shkruaja herët, tani mbushja blloqet dhe ëndërroja poetikisht edhe në gjuhën
shqipe. Preferoja në Shtëpinë e Pionierit kursin e pikturës që drejtohej nga
Vlash Droboniku dhe të letrarit të ri që drejtohej nga Sulejman Mato, miq të mi
të mëvonshëm. I treti gjatë atyre viteve ishte Sadik Bejko, që zbriste sidomos
të shtunave nga fshatrat malore ku punonte si mësues e flisnim për poezinë.
Mbaj mend një të diel në librari prisnim gazetën “Drita” ku ishte botuar Kënga
e xha Canes dhe Sadiku fluturonte se poezinë e kishte pëlqyer Kadareja. Një
shoqe klase kishte babain në zyrat e larta dhe nga dora e tij kalonin dhe
kontrolloheshin të gjithë librat që vinin nga Greqia, shumica e të cilëve sipas
porosisë nuk i jepeshin marrësit dhe i mbante në shtëpinë e tij. Ajo më ftonte
shpesh në shtëpi për detyrat e matematikës, por më shumë më ndihmonte në gjuhë,
se kisha mangësitë e njohura. Atje m’u dha mundësia të lexoja disa nga librat e
ndaluar të Ricos, Varnalis, Ludemis, Livadhitis, që m’i jepte me të drejtë kthimi
pa lejen e babait. Ishte e habitshme, ndonëse këta botërisht konsideroheshin si
krijues të majtë, censura shtetërore i ndalonte.
***
Një
fat i madh për gjithë krijuesit dhe një ngjarje e madhe kulturore për qytetin e
Beratit ishte ardhja e Ismail Kadaresë. Ishin lëvizjet e çuditshme imituese të
revolucionit kinez ku shkrimtarët si marioneta dërgoheshin në bazë për njëfarë
kohe për njohjen e jetës. Bëheshin aksione kundër zakoneve prapanike dhe hapjen
e tokave të reja dhe në krye gjeje edhe shkrimtarë militantë partie të ardhur
nga Tirana, por asgjëkund nuk të kapte syri Ismail Kadarenë që e kërkonim kudo
për ta parë me kureshtje fizikisht si njeri, të paktën si ecte, se fotografinë
e tij me një kapardine origjinale me spaleta, të nxjerrë nga një revistë, e
mbaja midis faqeve të vëllimit Shekulli im. Kontakti i parë këtu me letërsinë
cilësore, qoftë me atë origjinale në gjuhën shqipe, qoftë të përkthyer nga
gjuhë të tjera, ishte me veprën e Kadaresë. Varantin e parë të Gjeneralit të
ushtrisë së vdekur, një roman me pak faqe, e kisha si libër xhepi, në kuptimin
e rilexoja dhe e shfletoja herë pas here për kënaqësinë estetike të një lexuesi
të apasionuar për mënyrën dhe stilin e të shkruarit, madje e ruaja në
bibliotekën time, kur u transferova nga fshati në Sarandë. Gjeneralin e
ushtrisë së vdekur e pata referat në gjimnaz dhe çuditërisht, nga dëshira e
vazhdueshme për ta shijuar, për t’u thelluar dhe për të thënë diçka për të, e
mora punim vjetor edhe gjatë studimeve filologjike. Atëherë ishte botuar Esenini
në përkthimet e Kadaresë dhe Bllacit, një pjesë të të cilave i dija përmendsh.
Nga letërsia bashkëkohore botërore ishte një përkthim tjetër i Kadaresë, Plaku
dhe deti i Ernest Heminguejt, që e rilexoja dhe atë bashkë me Gjeneralin e
ushtrisë së vdekur, për stilin, nëntekstin, për parimin e ajsbergut. Gjithmonë
te Kadareja kërkoja ajsbergun. Novelën Plaku dhe deti ma kishte dhënë për ta
lexuar komshiu, nip i Ismet Cibajt, mësuesi i letërsisë në gjimnazin tjetër
“Ajet Xhindole” ku krijonte Arshin Xhezo, Astrit Nuri, Luiza Pano. Unë isha në
“22 tetori” pas kishës, në qendër të qytetit. Ndonëse kisha shumë mangësi në
gjuhë, çuditërisht, me gjithë mangësitë gjuha më bënte të dallohesha nga të
tjerët dhe disa herë hartimet i shkruaja në vargje. Madje, në një provim të
fizikës justifikimin e mospërgatitjes e bëra në vargje për rrezen alfa dhe
beta. Të dy mësuesit e letërsisë, Barija dhe Tokliu, që ndërroheshin për vit
midis tyre në klasa të ndryshme, më vinin notën më të mirë me gojë dhe në
hartime. Blloqet e mbushura me poezi, shumica e tyre imitime, nga duart e
mësueses ranë në duart e Kadaresë dhe kur ajo na njoftoi se Kadareja do të
vinte në rrethin tonë letrar, ishte e pabesueshme. Ato ditë isha si i
elektrizuar. Njeriu që nuk e gjeje asgjëkund në aksionet midis partiakëve dhe
shkrimtarëve militantë, do të vinte në rrethin letrar të shkollës sonë. Unë
atëherë isha shtatëmbëdhjetë, ai tridhjetë. Mbaj mend se sytë e tij pas xhamave
të errët të syzeve të trasha u përqendruan në duart e mia që mbaja përpara romanin
Gjenerali i ushtrisë së vdekur, vëllimin poetik Shekulli im me autografin e
Kadaresë për Spiro Xhain, burrë i tezes sime, atëherë drejtor i shtëpisë
botuese “Naim Frashëri” dhe Plaku dhe deti i Heminguejt. Isha përgatitur dhe
unë jo vetëm shpirtërisht për këtë takim, por të tregoja se isha edhe lexues i
tij. Ky takim i parë dhe i veçantë me Kadarenë më kishte lënë gojëhapur. Sikur
nuk isha në tokë, por fluturoja. E njëjta gjë më ndodhi më vonë kur qëndroja
përballë Elitis. Siç duket, e madhërishmja të elektrizon. Nuk u përmend asgjë
politike, nuk u tha asgjë koniunktuale dhe brohoritëse. Fjalët e tij ishin për
letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në veçanti, sidomos kur shpjegoi vargun e
lirë se, nëse nuk ka ritëm, sistem metaforik dhe mendim të thellë, ai mund të
kthehet fare lehtë në karikaturë. Pyetja kurioze: për sa kohë e kishte shkruar
Gjeneralin e ushtrisë së vdekur dhe përgjigjja: për një javë në një hotel në
Shkodër kur shiu binte pa pushim dhe nuk mund të dilte jashtë, na kishte lënë
të habitur. I përqendruar tek Ernest Heminguej, na shpjegoi parimin e ajsbergut
dhe mënyrat e shumta të të shkruarit të një romani, qoftë atij rrëfimtar qoftë
mozaikal. Dikush kishte përpara Obllomovin e Goncarovit që sapo ishte botuar
dhe Kadareja buzëqeshi, si për të thënë ka libra të tjerë më të bukur për të
lexuar. Mori bllokun e poezive të mia me vete dhe automatikisht, isha kryetari
i rrethit letrar të gjimnazit “22 tetori” të Beratit. Një cikël prej tyre u
përfshi në një faqe letrare të gazetës “Drita”, përgatitur nga ai në
bashkëpunim me mësuesit e letërsisë nga krijimet e dy gjimnazeve shoqëruar me
një shkrim të Luiza Panos Si shkruajnë shoqet dhe shokët e mi, gazetë që e ruaj
akoma. Pra, poezitë e mia të para të gjimnazit u botuan në gazetën “Drita” nga
Ismail Kadareja.
Më
vonë, kur kisha kuptuar edhe nga përvoja dhe nga studimet se poezia lexohet
fjalë për fjalë për t’u shijuar estetikisht duke i dhënë përparësi fjalës dhe
proza fjali për fjali për të kapur kuptimin dhe nënkuptimin pas rreshtave, me
leximin e Kadaresë më ndodhte që jo vetëm poezinë e tij, por edhe prozën ta
lexoja fjalë për fjalë si në poezi dhe pastaj kaloja ta lexoja si fjali dhe si
kumt të saj. Fakti që vepra e tij lexohet dhe rilexohet, ka të bëjë me këtë
lexim cilësor të fjalës së zgjedhur për të vajtur pastaj te kumti përcjellës.
Përndryshe, si shpjegohet që mbasi i ke lexuar dhe rilexuar disa herë
Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur dhe Përbindëshin dhe di
përfundimin e fabulës dhe rrëfimit, prapëseprapë i nis dhe i rilexon si për
herë të parë?
Mbaronte
matura dhe në mbledhjet e vazhdueshme të dërguarit vinin dhe mundoheshin të na
mbushnin mendjen të shkonim të punonim në bazë për të ndihmuar atdheun, pasi
kërkoheshivullnetarë të merrnin gjoja iniciativë dhe kjo quhej zëri i masës.
Nxënësit ulnin kokat dhe nuk ua varnin të dërguarve që flisnin në emrin e
atdheut. Të gjithë kishin etje për dije dhe studime. Dhe gjithë kjo ndodhte për
ata që konsideroheshin të ligjshëm, brenda rrethit të tyre. Po për mua të
largëtin, që isha larguar dhe kisha humbur gjurmët larg nga instancat e trevave
të origjinës, si do të bëhej? Përgatita dokumentet e mia me idenë se bota ishte
kaq e virgjër dhe kaq poetike si në ëndërrimet e mia, duke shënuar tri herë
kërkesën për të vazhduar studimet e larta filologjike dhe kur u paraqita në
Seksionin e Arsimit të Sarandës, më pritën me këmbët e para se gjoja kishin ardhur vonë dokumentet e mia dhe për
disa arsye të tjera që nuk thuheshin nuk mund të vazhdoja studimet. Deri
atëherë në naivitetin tim, kur mendoja vetëm për letërsinë dhe përzgjedhjen e
leximeve të mia, ende nuk isha ndërgjegjësuar se secili prej nesh kishte një
biografi të shkruar diku në zyra të veçanta, disa kishin biografi të mirë dhe
disa biografi të keqe. Mbaj mend se në klasë kishim dhe Besnikun, djalin e Tuk
Jakovës, me të cilin luanim apo zgjidhnim ushtrime pa paragjykime.
***
U
desh ndërhyrja e Ismail Kadaresë në Seksionin e Arsimit të Beratit që unë të
vazhdoja studimet universitare filologjike, jo nga Saranda që më takonte dhe më
kishte kthyer dokumentet, por nga Berati “kaçakshe”. Këtë ma përsëriste
gjithnjë sa herë takoheshim në Tiranë Zalo Buba, ish-shefi i atëhershëm i
arsimit në Berat, më vonë gazetar i “Zërit të popullit”: “T’ia dish për
faleminderit Ismail Kadaresë që ndërhyri te ne për të vazhduar studimet e
larta.” Katër vjet pa bursë me paratë e babait dhe të gjyshit të kthyer nga
Amerika. Edhe në një përpjekje që kishte bërë sekretarja e Fakultetit, pasi
kishte parë përkushtimin tim dhe botimet e vazhdueshme të cikleve poetike dhe
deshi të më ndihmonte për bursë, Saranda ia kishte dhënë babait karakteristikat
të mbyllura dhe kur ia çova sekretares, pasi hapi zarfin dhe i pa, i grisi para
meje duke thënë: nëse do të hapeshin më tej, kishte mundësi të dëbohesha nga
fakulteti. Katër vjet pa bursë me paratë e babait dhe honoraret e poezive. Edhe
Ismail Kadareja kthehet në Tiranë dhe vazhdon të jetë si gjithmonë pranë nesh
që atëherë konsideroheshim letrarë të rinj. Tani, biseda e nisur në takimin e
parë në Berat për poezinë dhe letërsinë do të vazhdonte në takimet e ndryshme
në Lidhjen e Shkrimtarëve, sidomos në diskutime librash të ndryshëm, ku pritej
fjala e tij. Kjo u kurorëzua në Fakultetin e Filologjisë, në leksionet e tij me
auditorin plot, pa lëvizur as miza. Ishte rastësi, ishte fat, merre si ta
marrësh, ne kishim profesor të letërsisë së ashtuquajtur dekadente Ismail
Kadarenë. Pavarësisht interpretimeve të kohës, nga nuk mund të dilje hapur,
mësova me nëntekst nga Kadareja koshiencën, subkoshiencën, rrëfimin e tekstit,
romanin klasik dhe modern mozaikal, retrospektivën, faktorin kohë, përroin e
ndërgjegjes, Prustin, Xhoisin, Kafkën. Disa nga këto ishin karakteristika dhe
veçori të letërsisë moderne botërore, nga për nga struktura dhe kompozicioni
nuk ishte larg dhe vepra e Kadaresë. Mbaj mend se Metamorfozën e Kafkës e kisha
në dorë prej tij dhe thuajse për një natë në katin e tretë të godinës 14 të
Qytetit Studenti ma përktheu nga frëngjishtja S. Arseni. Ai përkthente dhe unë
shkruaja pa pushim deri në të aguar, në një fletore me vija, që e ruaj ende në
arkivin e viteve studentore. Mbaj mend, kur kisha munguar një herë në leksion,
Kadareja, si vëzhgues i hollë i auditorit ku sidomos drejtohej dhe
bashkëbisedonte me ne krijuesit e rinj, ishte interesuar dhe për mungesën time.
Në këtë atmosferë dhe këtë botë krijuese të Tiranës një rol të veçantë për mua
ka luajtur doktor Lito, kushëriri i nënës sime, miku dhe mjeku i disa
personaliteteve më të cilët më kishte prezantuar. Ai ishte miku dhe mjeku i
Kadaresë, i Petro Markos (internuar bashkë në Itali), i Dritëro Agollit, i
Sabri Godos, me të cilët u miqësova edhe unë dhe kemi hyrë e kemi dalë në
shtëpitë e tyre. Nga Petro Marko dëgjova: “Izmaili është shkrimtar i madh.”
Edhe ai thoshte Izmail dhe jo Ismail. Kur doktori i thoshte se Qyteti i fundit
është një roman i papërsëritshëm, ai përgjigjej: “Dakord, por Izmaili është
Izmail dhe Gjenerali është Gjeneral.” Dëshira për të takuar dhe për të dëgjuar
Kadarenë ishte e përhershme për mua dhe një grup poetësh të rinj të brezit. Sa
herë niseshim me mikun tim të një kursi dhe dhome, Moikom Zeqon, për të çuar
ndonjë poezi në gazetën “Drita”, uronim të takonim atje Kadarenë, se kur e
gjenim na priste dhe i merrte vetë dorëshkrimet tona. Atëherë kisha botuar disa
cikle poetike në “Zërin e rinisë” dhe “Drita”, kisha fituar çmime letrare dhe
kritika vlerësonte poezitë e mia. Disa i kisha përmbledhur në një vëllim për
konkursin kombëtar me titullin Zbardhëllime dhe kisha fituar çmim inkurajues,
libër që u botua më 1970 me titullin Fjalë të thëna në pranverë. Mbaj mend pas
shpalljes së fituesve, kur zbrisnim nga shkallët e Ministrisë së Arsimit,
Ismaili me dashamirësinë e tij për të ndihmuar botimin e librit më tha që, kur
ta çoja në Shtëpinë Botuese, ta lajmëroja ta merrte për recension dhe kështu u
bë. Recensioni niste me fjalët: “Vëllimi Fjalë të thëna në pranverë është një
nga librat më të mirë poetikë të vitit dhe autori hyn pa dyshim në radhët e
poetëve më të mirë të vendit.” Isha befasuar. Propozonte poezitë që mendonte të
përfshiheshin në libër. Por libri ishte mbushur me shënimet e redaksisë me
fjalën e pëlqyeshme të asaj kohe “nebuloze” dhe nuk merrej parasysh përzgjedhja
e Kadaresë. I shpreha shqetësimin dhe e lamë të takoheshim të nesërmen në zyrën
e Shefit të poezisë. Unë shkova para siç e kishim lënë dhe ai më gjeti brenda.
Shpreha para shefit dhe para tij shqetësim për këtë përmbysje që nuk merrej
parasysh recensioni dhe për herë të parë pashë Ismailin të shpërthente me ca
fjalë vromologjike: këta janë pederastë të poezisë. Por falë redaktorit të
kujdesshëm u gjend një zgjidhje e pranueshme. Në raportin e Kadaresë në
konferencën kombëtare të talenteve të reja në Korçë për arritjet në fushën e
letërsisë, emri im përmendet disa herë bashkë me: Halitin, Lakon, Bejkon,
Muçon, Zeqon, Deden etj.
***
Ismail
Kadarenë, këtë enigmë të çuditshme fjalëpakë, mund ta lexoje pas syzeve të
errëta dhe ta kuptoje edhe në distancë nëse të vlerësonte ose krijonte një
distancë të ftohtë prej teje. Isha nga të privilegjuarit që me pak fjalë
kuptoheshim për laboratorin dhe ligjet e letërsisë së vërtetë. Në një shëtitje
bisedonim për Nikos Kazanxaqis dhe romanin Kapedan Mihalis, në shqip Ja vdekje
ja liri, që sapo ishte botuar dhe ai e vlerësoi si një nga personazhet e mëdha
heroike të letërsisë së sotme europiane. Atje mbaj mend ktheu kokën dhe më
pyeti: Niko, ti grek je? Mbase kjo kishte lidhje akustike dhe optike me
përkimin e emrit e mbiemrit tim me Nikos Kazanxaqis. Më kishte pëlqyer emërimi
i drejtpërdrejtë i origjinës, jo se unë nuk e dija, por dogmatizmat partiake na
quanin minoritarë, që i shmangej etnisë, kurse Kadareja përdori etninë time
greke. Mua, vazhdoi, një mik grek, bashkëstudent në Moskë, poeti Petros Anteos,
më hodhi idenë e romanit për Gjirokastrën, që i kishte mbetur si gravurë kur
kishte kaluar andej në Luftën Civile greke. Sidoqoftë, Kronikë në gur një ditë
do të shkruhej, se qyteti i fëminisë ishte brenda meje.
***
Isha
pjesëmarrës në plenumin e njohur ku Kadareja u kritikua për novelat, kurse ai,
pa e treguar fare, qëndronte stoik pas syzeve, gati mospërfillës para Ramiz
Alisë, me përgjigjen e prerë me sa mbaj mend: “Unë i kuptoj mirë objeksionet e
këtij plenumi” dhe pastaj vazhdoi me fjalën e tij. Rrija pranë Teodor Laços dhe
Sotir Andonit, me të cilin flisnim greqisht. Në situatën e rëndë që ishte
krijuar dhe rrinim si të mpirë, me referatin e Ismailit na erdhi shpirti në
vend. Sotiri u kthye nga ne dhe na tha me zë të ulët në vesh: a ç’ua bëri mirë
Ismaili! Me mbarimin e punimeve salla u boshatis shpejt sikur kishte rënë bombë
dhe bashkë me Moikom Zeqon zbritëm shkallët e Pallatit të Kulturës dhe e pritëm
jashtë hyrjes, ta përcillnim në shtëpi, por Ismaili na tha të mos e shoqëronim,
duke na dhënë të kuptonim me shenja se ndiqej. Pas mbarimit të studimeve, mirë
që nuk m’i lanë në mes, ndonëse më kërkonin institucione kulturore në Tiranë, u
emërova në Sarandë, ku punova për dhjetë vjet mësues në malësitë e saj. Në
tërmetin e vitit 1974, më lajmëruan se kishin ardhur dhe më prisnin në qendrën
e krahinës malore një zëvendësministër dhe dy shkrimtarë: Anastas Kondo, Ismail
Kadareja dhe Dritëro Agolli. U larguam nga sytë e të tjerëve në një rrugicë
drejt një bajameje të çelur para kohe dhe Dritëroi tha se bajamet janë si
vajzat që gënjehen shpejt. U shtrova një drekë të thjeshtë në restorantin e krahinës.
Pastaj u ngritëm për kafe. Kamerierët, dy pleq, dikur partizanë, tani veteranë,
të dy me hundë të madhe, ngjanin si sozi midis tyre. Ismaili më pyeti nëse
shërben i njëjti kamerier edhe në restorant edhe në klub? Të gjithë qeshëm dhe
ai qeshte nën hundë duke vazhduar: kam bredhur gjithë botën, por kamerier me
hundë kaq të madhe nuk kam parë. Kjo thënie ishte bërë proverbiale në krahinë.
***
Mbaj
mend një detaj tjetër në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku diskutohej poezia pas
Plenumit IV për letërsinë dhe artet. Isha në presidium pranë Ismailit dhe nëse
nuk më lë kujtesa, në presidium ishte edhe Dritëro Agolli, Ndoc Gjetja, Natasha
Lako, Ndoc Papleka. Isha mërzitur shumë se ishte kritikuar poezia Unë jam fik
deti e Thanas Dinos, njëri ndër miqtë e mi më të ngushtë. Kisha një bllok
shënimesh përpara dhe Ismaili për një moment e mori dhe e shfletoi. Kisha një
poezi të titulluar Pusi, ku aludoja në mënyrë metaforike se isha një pus i
thellë, i errët etj. Ismaili, i përqendruar, pasi e lexoi dy-tri herë, ngriti kokën
duke buzëqeshur: edhe ti poezi hermetike shkruan si Thanasi (Thanasi – miku ynë
i përbashkët), si këto që kritikojnë këta me kobure (ca poetë ushtarakë
kritikonin poezinë e Faslli Halitit Njeriu me kobure) dhe vazhdoi gjoja
seriozisht duke pritur si do të reagoja për konstatimin e tij. Heshta dhe nuk e
kuptoja e kishte me tërë mend ai që me veprën e tij poetike na kishte mësuar
figurën dhe nëntekstin metaforik, kur vazhdoi me seriozitetin karakteristik:
vazhdo të shkruash, këto janë poezi të bukura.
Nuk
jam për hiperbolizime dhe idhuj, por disa personalitete të veçanta kanë
karakteristika të ndryshme nga të tjerët. Ismail Kadareja krijonte rreth vetes
aureolë imponuese jo vetëm si krijues origjinal me simbole të mëdha, por dhe në
jetën e përditshme midis krijuesve apo njerëzve të zakonshëm, nga mënyra se si
vishej, si ecte, si fliste, si lëvizte dhe si rregullonte syzet që i uleshin
mbi hundë, me këpucët e trasha, xhaketat dhe këmishët e qepura me shije që
binin në sy, me shije të një elite të vërtetë intelektualësh, në një kohë kur
një pjesë e madhe prej krijuesve anakronikë hiqeshin si proletarë të dukeshin
si kinezë edhe në veshje.
***
Me
ikjen befasuese të Kadaresë në Francë, dashamirësit e vërtetë dhe njerëzit e
heshtur e kuptuan si një hapje dhe shkrirje të kohës së ngrirë. Në dhjetor u
gjenda në Tiranë, si anëtar i projektkushtetutës, pa e kuptuar si më kishin
zgjedhur mua dhe mora pjesë në demonstratat në qytetin e studentëve si dhe në
rrëzimin e bustit të Enverit dhe pashë me sytë e mi lëvizjet dhe dëgjova me
veshët e mi thirrjet emocionuese për Europën dhe për Ismail Kadarenë. Para
këtyre ngjarjeve historike i kisha dërguar një telegram në adresën e Akademisë
Franceze dhe nuk kam mësuar ende as e kam pyetur nëse e kishte marrë, nëse e
kishte lejuar censura. Ruaj të firmosur kartelën e postës së Sarandës. Kohërat
ndryshuan dhe Ismail Kadareja si vlerë universale nuk i shkëputi lidhjet me
atdheun e tij. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut më zgjodhi për
njëfarë kohe ministër. Me Ismailin kishim një mik të përbashkët në Tiranë,
ambasadorin grek, Iliopulos, dashamirës i letërsisë në përgjithësi dhe i
Kadaresë konkretisht, rezidenca e të cilit ishte në pallatin e tij. Kemi marrë
pjesë në aktivitete të ndryshme të ambasadorit, kemi fotografi me Kadarenë.
Duke pasur bindjet e mia të mirësjelljes me personalitete të përmasave të
tilla, gjithmonë rrija i ndrojtur dhe i vëmendshëm para tij. Takimi i parë pas
kaq vjetësh në Francë ndodhi rastësisht në ashensor, dy minuta, aq sa mund të
quhet takim. Minuta e parë për rrugëtimin si ministër për të cilin edhe vetë
isha skeptik nëse kisha vepruar mirë që kisha pranuar propozimin e Vasil Melos
duke dalë nga fushat e mia. Dhe minuta e dytë e ashensorit për letërsinë. Ishte
pyetja e një krijuesi që me kureshtje e dashamirësi i drejtohet një tjetri për
letërsinë: a shkruan akoma poezi apo je hedhur në prozë?
***
Në
fund të vitit 2004 dhe fillimet e vitit 2005 isha emëruar këshilltar për
kulturën në ambasadën shqiptare në Athinë. Në takime të ndryshme me personalitete
politike dhe letrare greke, përveç të tjerash, ndihesha mirë se fjala gjithmonë
binte edhe te Kadareja. Për Kadarenë më kishte pyetur Karolos Papulias. Për
Kadarenë më kishte folur Vasilis Vasilikos që i kishte dërguar një letër vite
më parë. Për Kadarenë më fliste Kostas Asimakopulos. Për Kadarenë më foli dhe
Hristoforos Milionis, madje ai kishte botuar në një vëllim një tregim me titull
Shoku im i fëminisë Ismail Kadare. Më 23 janar 2007 janë promovuar dy vepra të
Ismail Kadaresë në Athinë.
Me
rastin e botimit të dy romaneve të fundit, Vajza e Agamemnonit dhe Pasardhësi,
u interesuam me botuesin të promovoheshin në Athinë, ku të ftohej edhe autori.
I telefonova në Paris duke kërkuar të vinte në Athinë. U përgjigj: lërmë të
mendohem dhe flasim nesër. Të nesërmen kishte tri kërkesa për ardhjen në
Athinë. E para, ta sistemoja në një hotel në qendër të qytetit nga të shikonte
Akropolin. E dyta, mundësisht ta çoja në Mikenë në varrin e Agamemnonit, se
kishte shkruar romanin pa ditur varrin e tij. E treta, ishte një kërkesë që
kishte bërë ambasadorin skeptik, aktiviteti të bëhet për lexuesit grekë dhe jo
për shqiptarët. Atëherë kishte një qejfmbetje se disa shkrime mediokre
shqiptare hidhnin baltë mbi figurën e tij. Takimi u bë më 24.01.2007 në Stoa
Vivliu, në qendër të Athinës dhe ishte një ngjarje e veçantë kulturore. Salla u
mbush një orë para me njerëz të ulur dhe të tjerë jashtë në këmbë. Kadareja
shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Athinës, z. Kaklamani. Tema se edhe një
popull mund të vrasë kulturën e tij, fliste në përgjithësi për kulturën
botërore, por aludonte edhe për mosvlerësimin e kulturës në Shqipëri. Isha
kurioz të dija nga e kishte marrë këtë ide dhe më tha se e kishte gjetur në
historinë e letërsisë së lashtë greke sipas shpjegimit të studiuesve gjermanë,
kur qindra vjet përpara Eskilit, Sofokliut, Euripidit, ishin krijuar dhe
tragjedi të tjera, por shikuesit nga shkallët e teatrove, të pamësuar, pa e
njohur artin e vërtetë, i merrnin si të vërteta veprimet e personazheve dhe
ngriheshin, rrihnin aktorin që luante rolin negativ dhe kryente vrasje ose
veprime të tjera të papëlqyeshme. Simbolika: një popull i pamësuar me vlerat
kulturore mund të vrasë kulturën e tij. Prandaj grekët e mençur shpikën korin
ku pas çdo akti del në skenë dhe i shpjegon ngjarjet publikut për të kuptuar
tragjiken dhe vlerën e artit.
Të
njëjtën ditë ishte midis lexuesve grekë në librarinë prestigjioze Ianos. Në
momentin që lëshonte autografe para shumë lexuesve që prisnin në radhë, një
punonjëse e librarisë i vuri në tryezë Gjeneralin e ushtrisë së vdekur,
përkthyer dhe botuar në Athinë më 1973. Ismaili iu drejtua Helenës: Shiko, moj
Helenë, shiko, romani është botuar në Greqi më 1973 dhe asnjeri nuk ma ka thënë
këtë në Shqipëri. Vepra e Kadaresë pas Francës është botuar thuajse e plotë në
Greqi. Kadareja me modesti nuk ka dashur teprime. Atje ku firmoste autografe,
një skulptor shqiptar zbuloi një bust me gjithë karakteristikat e Kadaresë.
Ç’është kjo, tha Ismaili, duke shtyrë bustin. Unë jam gjallë dhe nuk kam nevojë
për buste të vdekura. Në shumë aktivitete, takime, intervista sqaroi
kuriozitete për historinë, shoqërinë, letërsinë, jetën, laboratorin krijues.
Midis tyre: Edhe një vend i vogël në sistemet totalitare mund të bëjë një
letërsi të vërtetë, të madhe. Letërsia është luftuar herë egërsisht, herë në
forma amatoreske. Shkrimtarët nderonin letërsinë më shumë se fenë dhe ata kanë
mbajtur pishtarin e tempullit të ndezur. Atë e ka çuar letërsia te liria dhe jo
liria te letërsia. Letërsia e lashtë greke është djepi i letërsisë botërore
etj.
***
Prej
kohësh punoja në gjuhën greke romanin Ëndërrtari i natës, ku në një skenë
personazhi kryesor takon në qytetin e Gjirokastrës një fëmijë të mençur me syze
dhe dialogojnë për kështjellën, ku aludohet Kadareja që do të linte qytetin e
gurtë dhe do të merrte përpjetë lartësitë e letërsisë. Ndihem mirë nga
vlerësimi i Ismail Kadaresë për krijimtarinë time letrare nga libri i parë
Fjalë të thëna në pranverë, 1970, deri në parathënien e vëllimit Pagëzimi i
zogjve, 2014, botimet “Onufri”, nga edhe zgjodha një fragment për të mbyllur
këto shënime, jo për lëvdatat e mia, por për të treguar sa dinjitoz e pa
komplekse është Kadareja kur flet për të tjerët: “Niko Kacalidha është në radhë
të parë poet, një poet me zanafillë greke, me një poezi metaforike surrealiste
brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis dhe me dritësinë e Elitis, dhe
herë me detaje shqiptare të gurit, të malit, të dritës dhe të detit, të
pranishme këto në pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, gjë që e bën
poezinë e tij ballkanike, me ngjyra mesdhetare, pranuar edhe nga lexuesit e
kualifikuar europianë.”
Kadareja
është semafori ynë estetik që udhëkryqeve të mjegullës dinte të ndizte drita
jeshile dhe çdo krijues i brezit tim, vlerësuar dhe ndihmuar prej tij, tani që
ka dalë nga shpella e Polifemit ka diçka për të thënë.
Athinë, janar 2022