Mendime
Gjekë Gjonaj: Të vlerësohet kontributi i grave malësore në luftë për liri
E hene, 11.12.2023, 08:59 PM
Të vlerësohet kontributi i grave malësore në luftë për liri
Nga
Gjekë Gjonaj
Pozita e grave shqiptare në Mal të
Zi të lindura, të rritura në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale,
të lidhura ngushtë me traditat e
vjetra, e pranuan fatin e tyre shekullor
se burrat e fortë lindin nga një grua të fortë. Shoqëria jonë patriarkale
nënkupton një grua e cila është e detyruar të besojë në mirëqenien e përgjithshme të dominimit mashkullor. E kaluara
historike tregon se një barrë të
rëndësishme në ndodhitë e shumta shoqërore dhe ndryshimet që ka pësuar ajo, e kanë pasur gratë, ndërsa meritat i kanë marrë
vazhdimisht burrat. Kjo nga vetë fakti se gruaja në shoqërinë shqiptare është trajtuar si
qenie e dorës së dytë, si një pjesë e familjes e cila është e destinuar për të
lindur, për t‘i shërbyer burrit dhe për t’iu nënshtruar atij.
Në trevat shqiptare në Mal të Zi, ku
dikur u përplasën perandoritë, u përzien popujt, kulturat, fetë, ku liria më
shpesh pushtohej sesa mbrohej, njerëzit
u brumosën me një ndjenjë të
fortë lirie, ndërsa gratë u bënë rojtare e të gjitha vlerave, shtëpisë,
trashëgimisë, traditës, gjuhës... Ato me dinjitet e pranuan faktin se barrën në këto hapësira e kanë mbajtur ashtu siç u ka hije grave të
nderuara e të forta. Njëkohësisht ato ishin të vetëdijshme dhe krenare se shqiptarët ishin
trima përballë armikut, kurse ato
ishin dhe mbetën trima përballë jetës.
Virtytet e femrës shqiptare - frymëzim i luftërave
për liri
“Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nënat trimëresha”, thotë
një fjalë e popullit. Femra shqiptare,
qoftë si nënë, motër, bijë apo bashkëshorte me krenarinë shqiptare nuk e ka
duruar kurrë tradhtinë dhe pabesinë ndaj atdheut. Kjo nënkupton se gratë
shqiptare kanë qenë trimëresha e heroina. Historia jonë kombëtare gjatë shekujve të
rëndë të robërisë është e mbushur përplot shembuj të heroizmit të femrës
shqiptare. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike për
lirinë e atdheut është shumë i rëndësishëm, për të cilin ka se çka të shkruhet
dhe të flitet. Virtytet e femrës
shqiptare ishin frymëzim i luftërave për liri të atdheut. Emrat e grave malësore ( shqiptare) si: Tringë Smajlja e Grudës, Nora e Kelmendit etj., e kanë shkruar
emrin e shkruar me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë.
Margjinalizimi i padrejtë i rolit të grave në luftë
Disa gra shqiptare morën pjesë në Luftën e Parë dhe të Dytë
Botërore. Dihet se ato kanë marrë pjesë
në betejat e luftërave të mëparshme, kanë mjekuar të plagosurit dhe kanë
shpërndarë ushqime për luftëtarët në front, duke dhënë kështu një kontribut të
madh në luftën për liri. Nuk ka pothuajse asnjë betejë apo luftë që është bërë
për lirinë e trojeve të veta në Mal
të Zi, në të cilën gratë shqiptare nuk
kanë dhënë kontributin e tyre. Ato ishin logjistika më e mirë, më fisnike dhe
më sublime e luftëtarëve shqiptarë. Duke
marrë pjesë aktive në format të ndryshme të luftës dhe të organizimit,
deri në kryengritjen me armë, gruaja shqiptare theu mjaft koncepte e praktika
të vjetra dhe afirmoi veten e saj të denjë për një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Historianët
të afirmojnë kontributin e
grave shqiptare në historinë e luftërave shekullore të popullit
tonë për liri e pavarësi.
Për aktet e larta të trimërisë dhe
të vetëmohimit të grave shqiptare është
shkruar shumë pak, për të mos thënë aspak. Për frymëzimin , guximin, trimërinë,
ndershmërinë dhe pastërtinë morale e
shpirtërore të grave shqiptare në
radhët e luftëtarëve të lirisë duhet të shkruhet shumë më shumë se deri më tani. Sepse nuk do të na e falë as historia as njerëzia të injorojmë e të
margjinalizojmë rolin jashtëzakonisht të madh të pavlerësuar të gruas shqiptare në luftë, i
cili kushtëzohet pjesërisht nga ndërtimi
i një narrativi se lufta është një “
lojë mashkullore”. Mbetet në radhë të
parë detyrë e historianëve shqiptarë që,
përmes kërkimeve dhe hulumtimeve
historike të argumentuara,
të shpalosin kontributin dhe heroizmin e treguar të grave
dhe të vajzave shqiptare në këtë
shtet në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo
është një detyrë jo thjesht profesionale, por
obligim kombëtar.