Mendime
Adil Fetahu: Statuti i ‘Zajednicës’
E merkure, 06.12.2023, 09:51 PM
STATUTI I ‘’ZAJEDNICËS’’
Konteksti politik dhe juridik për themelimin e ‘Zajednicës’
Nga Adil FETAHU
Propozimi Gjithpërfshirës për
Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, i njohur si dokumenti i Ahtisarit (2
shkurt 2007), në Aneksin I-rë, në kuadër të decentralizimit (neni 8), parasheh se
komunat do të gëzojnë shkallë të lartë të vetëqeverisjes. Në pikën (nenin8.4),
theksohet: ‘Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe
tejkufitar në fushat e kompetencave të tyre vetanake dhe të zgjëruara’’.
Në Aneksin III, pika 9.2:të
dokumentit të Ahtisarit, është përcaktuar si vijon: ‘’Bazuar në parimet e
Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë
dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës, për mbrojtjen dhe promovimin
e interesave të tyre të përbashkëta në pajtim me ligjin’’.
Aty nuk parashihet formimi i
asociacionit në baza etnike, por sipas interesave të komunave të cilat duan ta
themelojnë asociacionin. Dhe këtu qëndron dobësia e ish autoriteteve të
Kosovës, të cilët kanë pranuar dhe nënshkruar formimin e asociacionit në baza
etnike, përkundër faktit se në dokumentin e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e
Kosovës (që është kryekëput ai dokument), Kosova trajtohet si shoqëri
multietnike, dhe me shumë privilegje për etnitë pakicë, veçmas për serbët.
Edhe formimi i disa komunave
serbe nuk ka qenë në pajtim me dokumentin e Ahtisarit. Sepse kriter për
themelimin e komunave të reja me popullsi etnike joshumicë, ishte nëse ai
komunitet përbënë së paku 75% të popullsisë së vendbanimit të përqëndruer me
popullsi të gjithmbarshme prej së paku 5000 banorësh’’ .Këtë kriter (të
vetin) nuk e ka respektuar as vet Ahtisari, kur
në shtojcën e Aneksit III, ka
përcaktuar formimin e 6 komunave të
reja: Graçanicë, Novobërdë, Ranillugë, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut,
sepse së paku tri prej tyre nuk i kanë pasur nga 5000 banorë.
Me presion nga Serbia dhe nga
ndërkombëtarët, nga 15 pikat e Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19
prill 2013, në gjashtë pikat e para është përcaktuar themelimi i Asociacionit
të komunave me shumicë serbe.
Në Marrëveshjen tjetër të
nënshkruar poashtu në Bruksel më 25 gusht 2015, janë përcaktuar parimet e
përgjithshme dhe elementet kryesore për themelimin, kompetencat dhe
funksionimin e Asociacionit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës,
me aktgjykimin e vet, dt.23 dhjetor 2015, ka vlerësuar se dispozitat e kësaj
marrëveshjes së dytë në 23 pika nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Dhe këtu pastaj thyheshin shpatat e palës serbe e palës kosovare, me ndërhyrjet
e faktorëve ndërkombëtarë, gjithnjë në krah të palës serbe, duke thënë se ajo
që është nënshkruar duhet të zbatohet.
‘’Asociacioni’’ ishte fjala më
e përdorur nga autoritetet e Serbisë, në të gjitha takimet ndërkombëtare dhe
rrinte si shpata e Damokleut mbi qafën e përfaqësuesve të Kosovës në bisedimet
me palën serbe, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. U bënë edhe disa verzione
të statutit për asociacionin, me autorë
të ndryshëm, të njohur e të pa njohur, që lëshoheshin si tullumbace, për të
matur pulsin e opinionit. Por, duket se Statuti të cilin përfaqësuesit
ndërkombëtar ua paraqitën Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe kryetarit
të Serbisë, A.Vuçiq, më 21 tetor 2023, është një tekst serioz që do të jetë
bazë për themelimin dhe funksionimin e Asociacionit, sado që ka disa dispozita
të papranueshme për palën kosovare. Ndërkaq, thonë se edhe Kurti edhe Vuçiqi
janë deklaruar se ky statut ‘’është i pranueshëm’’. Dhe kjo është çudia e
botës, kur dihen qëndrimet diametralisht të kundërta të njenit kundër tjetrit,
ku gjetën këtu pikën e përbashkët që të pajtohen? Ndërkombëtart e lavdëruan
këtë verzion si më i miri i mundshëm, dhe se në këtë mund të bëhen vetëm
korrigjime kozmetike, dhe garantojnë se nuk përmban kompetenca ekzekutive
dhe në asnjë mënyrë nuk e rrezikon
sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Po të
shohim se çka përmban vërtetë Statuti i ri.
Titulli i Statutit është:
STATUTI
THEMELUES
I
ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE NË KOSOVË
Statuti
i ofruar nga ndërkombëtarët, përmban 45 nene, të sistemuara në 7 kapituj:
1)
Dispozita të përgjithshme (neni 1 - 12)
2) Objektivat
dhe detyrat (kompetencat) (13 – 23)
3) Struktura
organizative (24 – 37)
4) Buxheti
dhe financimi (38)
5) Buletini
zyrtar (39)
6) Marrëdhëniet
me autoritetet qendrore (40 – 44)
7)
Dispozita kalimtare dhe
përfundimtare (45).
Preambula
e Statutit u referohet marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel më 2013 dhe
2015, ligjeve përkatëse të Kosovës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale,
Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe Kushtetutës së Kosovës.
Pas
përkufizimit të termave (neni 1), në nenin 2 par.3 shkruan: ‘’Asociacioni i
themeluar me këtë statut, ofron një kornizë vetëqeverisëse për komunitetin serb
të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk
do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare
të saj. Korniza përfshinë mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të
koordinuara në fusha të veçanta, me mundësi për mbështetje financiare nga Serbia,
dhe një kanal efektiv komunikimi të drejtpërdrejt për komunitetin serb të
Kosovës në Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit
Lokal’’.
Statuti
i paraqitet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, para se të miratohet (neni 3 pika
2). Pas përfundimit të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, komunat që duan të
bëhen anëtare të Asociacionit, i dorëzojnë Ministrisë së pushtetit lokal listën
e delegatëve (këshilltarëve) të cilët do ta përfaqësojnë komunën në Asociacion.
Pas themelimit, Asociacioni do të jetë i hapur
për çdo komunë tjetër, nëse pranohet me 2/3 e votave të Kuvendit.
Anëtaret e reja duhet ta pranojnë këtë Statut (neni 5:4). Anëtaret e
Asociacionit mund t’i bashkohen (edhe) asociacioneve tjera kombëtare, rajonale
dhe ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi (5:5).
Asociacioni mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit (të Asociacionit,
v.j.), të miratuar me 2/3 e votave të delegatëve të saj. Në atë rast,
shpërbërjen e bënë Ministria e Pushtetit Lokal. Ndryshime të Statutit mund të
propozojnë organet e Asociacionit ose komunat anëtare. Ndryshimet e propozuara
i shqyrton Gjykata Kushtetuese, dhe (vetëm) pas vlerësimit pozitiv të Gjykatës,
ndryshimet hyjnë në fuqi (6.2.). Asociacioni mund të ketë simbolet e veta:
flamurin dhe stemën, të cilat shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese (11:3). Asociacioni ka subjektivitet dhe aftësi juridike në bazë
të ligjit në fuqi, mund të ketë pronë të vetën të luejtshme e të paluejtshme,
kompani në bashkëpronësi, për shërbime në suaza të fushëveprimit të vet, të
lidhë kontrata, të padis dhe të paditet (neni 5). Por komunat nuk mund t’ia
bartin pronat e paluejtshme në pronësi Asociacionit (6). Në pajtim me ligjet në
fuqi, ka të drejtë të bashkëpunojë në suaza të kompetencave të komunave, me
komunat dhe institucionet, duke përfshi edhe ato në Serbi, të merr ndihma
financiare e pajisje, të liruara nga taksat dhe detyrimet. Mbështetjen
financiare e mbikëqyrë Auditori Qendror (12:3).
Në
dispozitat mbi kompetencat e Asociacionit (neni 13), përcaktohen se ‘’Asociacioni
do të veprojë si një forum për bashkëpunimin dhe koordinimin ndërkomunal, përmes
të cilit anëtarët do të shqyrtojnë çështjet e interesave të tyre të
përbashkëta, të promovojnë dhe mbrojnë
çështjet me interes të përbashkët dhe mbështesin ofrimin e shërbimeve brenda komunave anëtare; do të
angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të
komunitetit serb në Kosovë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës: nuk do
të zëvendësojë, përjashtojë ose zvogëlojë të drejtat dhe interesat e subjekteve
tjera juridike që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës për të ndjekur të
njëjtat qëllime; koordinon, lehtëson dhe kryen aktivitete kërkimor dhe
zhvillimore. Në ushtrimin e këtyre kompetencave organet e Asociacionit
miratojnë rregullore, vendime, deklarata. Asociacioni do të menaxhojë
institucionet arsimore dhe shëndetësore të financuara nga Serbia, në përputhje
me legjislacionin në fuqi. Mund të ushtrojë kompetenca tjera shtesë që mund të
delegohen nga Autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe me
legjislacionin në fuqi (neni 13).
Më
tutje. në vazhdim (neni 14-16) rregullon menaxhimin e institucioneve arsimore
dhe shëndetësore të themeluara dhe të financuara nga Serbia. Në këtë fushë, të
arsimit dhe shëndetësisë ka kompetenca shtesë, ndonëse thotë se kryerja e tyre
do të jetë në pajtim me ligjin .Do të formohet ‘’Rrjeti arsimor serb’’(me
diploma të dyfishta: serbe dhe kosovare?) dhe ‘’Rrjeti shëndetësor serb’’, si
institucione private serbe, të licencuara në Kosovë.
Në
kuadër të kompetencave komunale, Asociacioni do të ketë rolin kryesor për
sigurimin e mjeteve dhe financimin e
projekteve në fushën e zhvillimit të
ekonomisë lokale, të planifikimit hapësinor urban dhe rural, në fushën e
kujdesit social, kthimit të të shpërngulurve, në promovimin dhe mbrojtjen e
identitetit kulturor (neni 19, 20, 21,
Nenet
24 – 37 të Statutit rregullojnë strukturën e organizimit, përbërjen,
kompetencat, mandatin e organeve të Asociacionit: kuvendi (i përbërë nga 5
përfaqësues – këshilltarë, të cilët i delegojnë kuvendet e komunave anëtare,
plus kryetarët të secilës komunë anëtare; presidenti dhe dy nënpresidentë: Bordi
(prej 7 vetash); këshilli konsultativ (30 veta); administrata; zyra e
ankesave; shërbimi i ndihmës juridike;
dhe buletini zyrtar në të cilin publikohen aktet e organeve të Asociacionit.
Në
nenin 38 përcaktohet se Asociacioni do ta ketë buxhetin e vet, që
do ta mbajë në një llogari te një bankë e licencuar nga Banka Qendrore e
Kosovës. Shpenzimet e buxhetit do t’i mbikëqyrë Bashkimi Europian pesë vjetët e
para, dhe me kërkesën e Autoriteteve
Qendrore, apo të Asociacionit, kjo mbikqyrje e BE mund të zgjatë edhe pesë vjet
tjera. Financimi i Asociacionit bëhet nga: kontributet e anëtarëve të saj; të ardhurat
nga shërbimet e ofruara, nga kompanitë dhe nga pasuritë e saj; nga transfertat
e Autoritetit Qendror; nga kontributet, grantet, donacionet dhe mbështetja
financiare nga organizata e vende tjera duke përfshirë edhe Serbinë. Auditimin
e jashtëm do ta kryejë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.
Kapitulli
i gjashtë (neni 40 -44), rregullon marrëdhëniet e Asociacionit me Autoritetet
Qendrore dhe mbikëqyrjen administrative. ‘’Në përmbushjen e objektivave
(kompetencave.v.j.) të saj, Asociacioni nuk do të cenojë apo anashkalojë
autoritetin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të anëtarëve të saj
(komunave anëtare, v.j.) dhe në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo minojë
marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale
të Kosovës. Asociacioni do t’i nënshtrohet procedurave të njëjta të rishikimit
administrativ siç zbatohen për komunat në përputhje me Kapitullin 10 të Ligjit
për Vetëqeverisjen Lokale (neni 40 par.1 dhe 2). Asociacioni do të angazhohet
me Autoritetet Qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe shkëmbimit të
informacionit dhe integrimit të shoqërisë, dhe në përputhje me ligjin në fuqi
(4:2). Dy vjetët e para të veprimtarisë
së Asociacionit, do të monitorohet nga Bashkimi Europian, me mundësi të
vazhdimit të monitorimit nëse këtë e kërkojnë Asociacioni ose Autoritetet
Qendrore (41:1). Asociacioni mund të marrë pjesë në seancat dëgjimore publike ë
lidhje me legjislacionin e ri ose ndryshimet në legjislacionin ekzistues. Nëse
ftohet nga Autoritetet Qendrore, do të japë këshilla për hartimin e legjislacionit
që ka të bëjë me qeverisjen lokale, të drejtat e komunitetit ose çdo fushe të
mbuluar nga objektivat e Asociacionit. Asociacioni ka të drejtë të inicojë ose
të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente, përfshirë edhe Gjykatën
Kushtetuese, kundër çdo akti apo vendimi të çdo institucioni që ndikon në
ushtrimin e kompetencave të Asociacionit, në përputhje me këtë Statut. Ka të
drejtë të emërojë përfaqësues në organet kompetente të Autoriteteve Qendrore!
(neni 41:5,6).
Sipas
dispozitës së nenit 42 të Statutit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis
Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore do ta bëjë një komision arbitrazhi,
i përbërë nga një përfaqësues prej secilës palë dhe kryetari, të cilin palët e
zgjedhin me konsensus, e nëse kjo nuk arrihet, kryetarin do ta emërojë Bashkimi
Europian. Vendimet e arbitrazhit, të marrura me 2/3 e votave do të jenë përfundimtare dhe të detyrueshme.
Dispozita e nenit 43, përcakton se kryetarët e katër komunave të Veriut të
Kosovës, në emër të Asociacionit, i propozojnë MPB listën e kandidatëve për
komandant rajonal të policisë së Kosovës. Asociacioni mund t’i këshillojë
anëtarët e vet të kundërshtojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose akteve të
Qeverisë që pretendohet se shkelin përgjegjësitë e tyre ose pakësojnë të
ardhurat e tyre, kur ligji ose akti prekë ato (44). Dhe, dispozita e fundit (45) parasheh
mundësinë që Asociacioni të miratojë procedura, në përputhje me Kushtetutën dhe
me ligjet në fuqi.
***
Nga
një vështrim i vëmendshëm i përmbajtjes së Statutit të asociacionit, mund të
vërehet se ka risi sa i përket zgjerimit të kompetencave të pushtetit lokal.
Ato konsistojnë sidomos në sigurimin e mjeteve, financimin dhe menaxhimin e
ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale. Formimi i ‘’Rjetit arsimor
’’ dhe i ‘’Rrjetit shëndetësor të Serbisë’’, të pavarur nga sistemi arsimor i
Kosovës, sado që thuhet se do të jenë private, janë çështje problematike.
Veçmas rrjeti arsimor, me të gjitha nivelet e arsimimit, që është diskutabile
se me çfarë programi (të historisë, gjeografisë etj.) do të punojë, kur dihet
se Serbia nuk e njeh as historinë as gjeografinë e Kosovës! Problematike do të
jetë dhënia e diplomave të dyfishta. Është e papranueshme, dhe nuk është në
kompetencën e pushtetit lokal që mosmarrëveshjet me Autoritetet Qendrore të
zgjidhen me arbitrazh, derisa ato mund të zgjidhen në mënyrë efikase në
procedura gjyqësore, duke përfshirë deri në Gjykatën Kushtetuese. Dokumenti i
Ahtisarit këtë çështje ua lë në kompetencë gjykatave të qarkut, të cilat kanë
kompetencë territoriale kundrejt komunave të caktuara.
Futja
e Rezolutës 1244 të KS të KB në Preambulën e Statutit, nuk ka asnjë arsye as
bazë juridike që të ketë lidhje me pushtetin lokal. Ajo Rezolutë duhet të heqet
nga Preambula, e në vend të saj të futet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të
Kosovës, i cili përmban vërejtjet në kompetencat e caktuara të Asociacionit
sipas Marrëveshjes së 25 gushtit 2015.
Ka
edhe shumë dispozita sipas të cilave Asociacioni u ofron (jep) këshilla
Autoriteteve Qendrore në fusha e segmente të ndryshme të hartimit të ligjeve,
programeve e çështje tjera, dispozita
këto që Asociacionin e paraqesin si një
partner të barabartë me Autoritetet Qendrore, gjë që del si një pushtet paralel, e që është
më keq se si pushtet i tretë. Dispozitat e tilla janë të
papranueshme.
Qeveria
dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duhet ta studjojnë me kujdes, analizojnë çdo
dispozitë, çdo fjalë e fjali dhe të mos lëshojnë e lejojnë dispozita të cilat
do të paraqesin zgjerim të kompetencave, mospërputhje me Kushtetutën dhe ligjet
në fuqi, dhe që cenojnë sovranitetin dhe
integritetin e të shtetit të Kosovës. Në disa vende përmendet: ‘’kufijtë
administrativ të Asociacionit’’! Nuk ka kufij administrativ të komunave, por ka
territore të caktuara të komunave.
Dreqi
i madh mund të fshihet edhe pas gjërave të vogla, kur vjen në pyetje
interpretimi dhe zbatimi i dispozitave të Statutit. Prandaj – kujdes, kujdes,
kujdes!