E diele, 25.02.2024, 10:26 PM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Nivel alarmant i pasigurisë!

E premte, 01.12.2023, 07:40 PM


Nivel alarmant i pasigurisë!

Shkruan: Florim Zeqa

Gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës më bëri pershtypje lulja me ngjyrë të portokallt në kostumet e deputetëve, e vënë në shenjë të muajit kundër dhunës gjinore!

Bazuar në këtë simbolikë, krijohet përshtypja sikur ne jemi vendi më i lirë dhe më i avancuar në botë, por fatkeqësisht realiteti po na e thote të kundërten!

Jeta e njeriut në Kosovë kushton më pak se 50 cent

Edhe pse nuk ka instrument për matjen e çmimit të lirisë, tashmë të gjithë e kemi kuptuar se liria është shumë e shtrejnt për ta fituar, por akoma më e vështirë për ta mbajtur atë!

Po ashtu e kemi kuptuar se varësisht nga çmimi, e kemi edhe kualitetin e lirisë.

Por akoma nuk e kemi kuptuar, cili është çmimi i jetës së njeriut në Kosovë 24 vjet pas çlirimit!

Ajo çka është më shqetësuese për secilin që jeton në Kosovë, sigurinë e qytetarëve asnjëherë nuk e kemi pasur në nivel kaq të ulët!

Niveli alarmant i pasigurisë së jetës së qytetarëve, është bërë tema më e diskutueshme e përgjatë vjetëve, muajve dhe ditëve të fundit!

Prandaj, (pa) siguria e qytetarëve është tema më e diskutueshme edhe gjatë këtyre ditëve.

Nëse shiqohet nga këndvështrimi i numrit (të madh) të vrasjeve përgjatë muajve dhe ditëve të fundit, ku afërsisht në çdo të dytën javë ndodhë një vrasje në Kosovë, atëherë këtu kemi një shpërputhje enorme të "çmimit" aktual me vlerën reale të jetës së njeriut në rrethana normale.

Kjo po ndodhë si rezultat i mosndëshkimit të vrasësve, si pasojë e moszbulimit të rasteve nga ana e organeve kompetente të drejtësisë.

Sikur jemi mësuar të dëgjojmë në vijimësi konstatimet e organeve të rendit; "hetimet vazhdojnë", për të mos u zbardhur asnjëherë rastet e vrasjeve!

Rëfreni "hetimet vazhdojnë", është bërë fyes dhe irritues për qytetarët e pambrojtur të vendit tonë.

Përderisa vrasjet misterioze nuk zbulohen kurrë, vrasjet "ashiqare" dënohen në mënyrë simbolike ose nuk dënohen fare!

Kështu, kostoja e vetme që vrasësit paguajnë mbetën plumbat e hargjuar në trupin e njeriut.

Kjo i bie, varësisht prej rrethanave të ekzekutimit, vrasësi mund të shpenzoj minimum 0.50 cent, aq sa kushton një projektil (plumb) në tregun e "lirë" të shitblerjes së armëve dhe municioneve në Kosovë.

Kaq kushton sot jeta e një njeriu në Kosovë, në vendin e "lirë dhe demokratik"!

Kthimi në ligjet e vjetra kanunore

Një situatë e pasigurisë së jetës së njeriut në Kosovë, qytetarët e vendit i ka detyruar që t'iu kthehen ligjeve të vjetra kanunore dhe masave tjera alternative mbrojtëse.

Mosfunksionimi i aparatit shtetëror, ligjeve dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi, ka ndikuar në rritjen e numrit të vrasjeve, ku si pasojë, kemi rikthimin e hakmarrjes (gjakmarrjes), dukuri tepër shqetësuese dhe e përhapur në vendin tonë.

Mungesa e sigurisë në vend, qytetarët e varfër të këtij vendi, i ka detyruar që krahas sigurimit të kafshatës së gojës, të sigurojnë edhe një mjet mbrojtës (armë) për familjet e tyre, ngase shteti nuk po është në gjendje të siguroj qytetarët!

Kjo ka bërë të rritet numri i armëmbajtejeve pa leje, të cilat për pasojë kanë rritjen enorme të vrasjeve në Kosovë.

Një situatë e tillë duhet të jetë shqetësim për të gjithë, por në radhë të parë për mekanizmat e sigurisë, të cilët janë të obliguar ta bëjnë sigurinë e qytetarëve.

Nëse nuk merren urgjentisht masa në përmirësimin e aspektit të sigurisë në vendin tonë, atëherë situata mund të bëhet edhe më alarmante.

Kështu siq është kapur drejtësia nga klasa e papërgjegjshme politike, nesër mund të kapet shteti nga vrasësit dhe kriminelët.

Kur do që të ndodhë kjo, atëherë nuk do të flitet më për koston e jetës, por për koston e ikjes nga Kosova!

Vrasja e nënës së re në Prishtinë, alarm i kuq për Qeverinë

Pothuajse nuk kalon një ditë e vetme pa ndodhur një dhunë, një vjedhje, një plaçkitje apo vrasje në Kosovë! Jemi kthyer nga një shoqëri e kulturuar në një shoqëri të dhunshme dhe kriminale.

E kur krijohet perceptimi i qytetarëve që shteti është jonfunksional, trimërohen hajdutët, banditët dhe kriminelët, gjë e cila ndikon në rritjen e kriminalitetit dhe shtimin e pasigurisë së qytetarëve. Rastet e fundit, njëri në Suharekë në pikë të ditës dhe rastet e natës së parmbrëmshme në Prishtinë, ku brenda një ore ndodhen dy vrasje, janë tepër shqetësuese për qytetarët e pambrojtur.

Është pak më tepër se shqetësuese ajo çfarë është duke ndodhur në vendin tonë dhe këto duhet të jenë alarm i kuq për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e sigurisë për ndërmarrjen e veprimeve urgjente, për të parandaluar dukurinë e vrasjeve, vjedhjeve dhe plaçkitjeve, dhunës gjinore dhe shoqërore në përgjithësi.

Nuk është e mirë, por do të ishte e keqja më e vogël sikur të kishim vetëm dhunë në baza gjinore. Pasi, dhuna e gjinisë së njëjtë apo asaj mashkullore është në nivelet më alarmante në këto vjetët e fundit.

E quajta dhunë mashkullore, për faktin se ata që shkaktojnë dhunë dhe vrasje për motive të ulëta nuk nuk janë burra dhe as nuk janë trima. Pasi një revole e futur në bel, është një djallë në trupin e njeriut, i cili i ngacmon shqisat më negative në shpirtin e njeriut.

Për çfarë sigurie bëhet fjalë, kur njerëzit vriten dhe grabiten në shtëpitë e tyre, vriten në vendin e punës dhe biznesin e tyre, vriten në rrugë dhe sheshe, vriten në spitale, vriten në institucione dhe vendet e sigurisë së lartë (burgje) apo në dorën e shtetit! Në shtetin ku drejtësinë e ndan “Maliqi” dhe jo Ligji, atëherë drejtësinë e merr në dorë djalli dhe keqbërësi, ndërsa për njerëzit e ndershëm shteti nuk mbetet më vend për të jetuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora