| E premte, 01.12.2023, 08:40 PM |
Nivel alarmant i pasigurisë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Gjatë
seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës më bëri pershtypje lulja me ngjyrë të
portokallt në kostumet e deputetëve, e vënë në shenjë të muajit kundër dhunës
gjinore!
Bazuar
në këtë simbolikë, krijohet përshtypja sikur ne jemi vendi më i lirë dhe më i
avancuar në botë, por fatkeqësisht realiteti po na e thote të kundërten!
Jeta e njeriut në Kosovë
kushton më pak se 50 cent
Edhe
pse nuk ka instrument për matjen e çmimit të lirisë, tashmë të gjithë e kemi
kuptuar se liria është shumë e shtrejnt për ta fituar, por akoma më e vështirë
për ta mbajtur atë!
Po
ashtu e kemi kuptuar se varësisht nga çmimi, e kemi edhe kualitetin e lirisë.
Por
akoma nuk e kemi kuptuar, cili është çmimi i jetës së njeriut në Kosovë 24 vjet
pas çlirimit!
Ajo
çka është më shqetësuese për secilin që jeton në Kosovë, sigurinë e qytetarëve
asnjëherë nuk e kemi pasur në nivel kaq të ulët!
Niveli
alarmant i pasigurisë së jetës së qytetarëve, është bërë tema më e diskutueshme
e përgjatë vjetëve, muajve dhe ditëve të fundit!
Prandaj,
(pa) siguria e qytetarëve është tema më e diskutueshme edhe gjatë këtyre
ditëve.
Nëse
shiqohet nga këndvështrimi i numrit (të madh) të vrasjeve përgjatë muajve dhe
ditëve të fundit, ku afërsisht në çdo të dytën javë ndodhë një vrasje në
Kosovë, atëherë këtu kemi një shpërputhje enorme të "çmimit" aktual
me vlerën reale të jetës së njeriut në rrethana normale.
Kjo
po ndodhë si rezultat i mosndëshkimit të vrasësve, si pasojë e moszbulimit të
rasteve nga ana e organeve kompetente të drejtësisë.
Sikur
jemi mësuar të dëgjojmë në vijimësi konstatimet e organeve të rendit;
"hetimet vazhdojnë", për të mos u zbardhur asnjëherë rastet e
vrasjeve!
Rëfreni
"hetimet vazhdojnë", është bërë fyes dhe irritues për qytetarët e
pambrojtur të vendit tonë.
Përderisa
vrasjet misterioze nuk zbulohen kurrë, vrasjet "ashiqare" dënohen në
mënyrë simbolike ose nuk dënohen fare!
Kështu,
kostoja e vetme që vrasësit paguajnë mbetën plumbat e hargjuar në trupin e
njeriut.
Kjo
i bie, varësisht prej rrethanave të ekzekutimit, vrasësi mund të shpenzoj
minimum 0.50 cent, aq sa kushton një projektil (plumb) në tregun e
"lirë" të shitblerjes së armëve dhe municioneve në Kosovë.
Kaq
kushton sot jeta e një njeriu në Kosovë, në vendin e "lirë dhe
demokratik"!
Kthimi në ligjet e
vjetra kanunore
Një
situatë e pasigurisë së jetës së njeriut në Kosovë, qytetarët e vendit i ka
detyruar që t'iu kthehen ligjeve të vjetra kanunore dhe masave tjera
alternative mbrojtëse.
Mosfunksionimi
i aparatit shtetëror, ligjeve dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi, ka
ndikuar në rritjen e numrit të vrasjeve, ku si pasojë, kemi rikthimin e
hakmarrjes (gjakmarrjes), dukuri tepër shqetësuese dhe e përhapur në vendin
tonë.
Mungesa
e sigurisë në vend, qytetarët e varfër të këtij vendi, i ka detyruar që krahas
sigurimit të kafshatës së gojës, të sigurojnë edhe një mjet mbrojtës (armë) për
familjet e tyre, ngase shteti nuk po është në gjendje të siguroj qytetarët!
Kjo
ka bërë të rritet numri i armëmbajtejeve pa leje, të cilat për pasojë kanë
rritjen enorme të vrasjeve në Kosovë.
Një
situatë e tillë duhet të jetë shqetësim për të gjithë, por në radhë të parë për
mekanizmat e sigurisë, të cilët janë të obliguar ta bëjnë sigurinë e qytetarëve.
Nëse
nuk merren urgjentisht masa në përmirësimin e aspektit të sigurisë në vendin
tonë, atëherë situata mund të bëhet edhe më alarmante.
Kështu
siq është kapur drejtësia nga klasa e papërgjegjshme politike, nesër mund të
kapet shteti nga vrasësit dhe kriminelët.
Kur
do që të ndodhë kjo, atëherë nuk do të flitet më për koston e jetës, por për
koston e ikjes nga Kosova!
Vrasja e nënës së re në
Prishtinë, alarm i kuq për Qeverinë
Pothuajse
nuk kalon një ditë e vetme pa ndodhur një dhunë, një vjedhje, një plaçkitje apo
vrasje në Kosovë! Jemi kthyer nga një shoqëri e kulturuar në një shoqëri të
dhunshme dhe kriminale.
E
kur krijohet perceptimi i qytetarëve që shteti është jonfunksional, trimërohen
hajdutët, banditët dhe kriminelët, gjë e cila ndikon në rritjen e
kriminalitetit dhe shtimin e pasigurisë së qytetarëve. Rastet e fundit, njëri
në Suharekë në pikë të ditës dhe rastet e natës së parmbrëmshme në Prishtinë,
ku brenda një ore ndodhen dy vrasje, janë tepër shqetësuese për qytetarët e
pambrojtur.
Është
pak më tepër se shqetësuese ajo çfarë është duke ndodhur në vendin tonë dhe
këto duhet të jenë alarm i kuq për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e
sigurisë për ndërmarrjen e veprimeve urgjente, për të parandaluar dukurinë e
vrasjeve, vjedhjeve dhe plaçkitjeve, dhunës gjinore dhe shoqërore në
përgjithësi.
Nuk
është e mirë, por do të ishte e keqja më e vogël sikur të kishim vetëm dhunë në
baza gjinore. Pasi, dhuna e gjinisë së njëjtë apo asaj mashkullore është në
nivelet më alarmante në këto vjetët e fundit.
E
quajta dhunë mashkullore, për faktin se ata që shkaktojnë dhunë dhe vrasje për
motive të ulëta nuk nuk janë burra dhe as nuk janë trima. Pasi një revole e
futur në bel, është një djallë në trupin e njeriut, i cili i ngacmon shqisat më
negative në shpirtin e njeriut.
Për
çfarë sigurie bëhet fjalë, kur njerëzit vriten dhe grabiten në shtëpitë e tyre,
vriten në vendin e punës dhe biznesin e tyre, vriten në rrugë dhe sheshe,
vriten në spitale, vriten në institucione dhe vendet e sigurisë së lartë
(burgje) apo në dorën e shtetit! Në shtetin ku drejtësinë e ndan “Maliqi” dhe
jo Ligji, atëherë drejtësinë e merr në dorë djalli dhe keqbërësi, ndërsa për
njerëzit e ndershëm shteti nuk mbetet më vend për të jetuar!