Mendime
Adil Fetahu: Normalja e Elbasanit – Ikona e Arsimit Shqiptar
E enjte, 30.11.2023, 09:05 PM
Shkolla
Normale e Elbasanit në vitin 1924
NORMALJA
E ELBASANIT – IKONA E ARSIMIT SHQIPTAR
Eveniment
historik është gjithçka që shfaqet
dhe
manifestohet në koshiencë (Emanuel Kant)
Nga
Adil FETAHU
Në
ditën e 1 dhjetorit të vitit 1909, në Elbasanin e bukur të Shqipërisë së Mesme,
u çel si lule Shkolla Normale, e para
shkollë e mesme në gjuhën shqipe,
e cila kishte për mision përgatitjen e
mësuesve për shkollat shqipe.
Në
fjalimin e tij drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, çeljen e Normales e krahasonte
me një diell të ri që po lindte në Elbasan, prej nga do të përhapte rrezet e
dritës mbi gjithë Shqipërinë.
Kongresi
i Elbasanit që vendosi hapjen e Normales
Çeljes
së Normales së Elbasanit i paraprinë dhe kontribuan shumë aktivitete të
intelektualëve e atdhetarëve, të klubeve e shoqatave shqiptare në Shqipëri dhe në emigracion. Puna
e tyre u kurorëzua në Kongresin e Elbasanit (2-9 shtator 1909), në të cilin u
morën disa vendime të rëndësishme për arsimin në trojet shqiptare. Ishin më se
15 vendime të ndryshme, por dy më kryesoret ishin: çelja e mësonjëtores (shkollës
normale) në Elbasan, për përgatitjen e mësuesve, dhe formimi i shoqërisë
qendrore ‘’Përparimi’, me seli në Korçë, e cila do të grumbullonte mjete dhe të
kujdesej për mbajtjen e Normales e të shkollave tjera, dhe për botimin e
teksteve mësimore për shkollat shqipe. Në
këtë kuptim, Kongresi ishte ngjarja më e
rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Në
Kongres morën pjesë 35 delegatë të 28 klubeve e shoqatave të ndryshme,
kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, sepse nga veriu, nga Kosova e
Shkodra, për shkak të kushteve e rrethanave të ndryshme, nuk kishte delegatë,
por edhe këto i përfaqësonin delegatët nga viset tjera. Kryetar i Kongresit
ishte zgjedhur Dervish Biçakxhiu, ndërsa organizatori kryesor i Kongresit ishte
Lef Nosi. Në punimet e tij Kongresi u muar
me të gjitha aspektet e arsimit në gjuhën shqipe, siç ishin hapja e shkollave
në gjuhën shqipe; përdorimi i alfabetit latin siç ishte caktuar një vit më parë
në Kongresin e Manastirit; sigurimi i
mësuesve dhe i teksteve mësimore; futja e gjuhës shqipe si lëndë në shkollat e
huaja dhe ato fetare që funksionin në Shqipëri (turke, greke); financimi dhe
mbarëvajtja e shkollave. Për mbarëvajtjen e punës së Normales, Kongresi formoi
një Këshill mbikëqyrës (pleqësi e
shkollës) prej tetë (8) anëtarëve dhe drejtorit, i cili do të merrej me
qeverisjen dhe do ishte përgjegjës për mbarëvajtjen dhe suksesin e Shkollës. Formoi
edhe Komisionin për hartimin e Rregullores dhe planit mësimor për Shkollën
Normale. Në Rregulloren dhe planin mësimor, që përmbante 5 pika kryesore, të
shkoqitura në detaje, ishte paraparë se Shkolla Normale do të kishte 6 klasë,
tri të parat do ishin përgatitore, ndërsa tri tjerat për aftësimin për mësues. Në pikën e pestë të
Rregullores ishte caktuar që programi shkollor i Normales të kishte këto lëndë
mësimore: Matematikë (aritmetikë, algjebër, gjeometri, trigonometri, astronomi,
mekanikë dhe materje tjera matematikore); Shkenca natyrore (anatomi, fiziologji,
zoologji, botanikë, gjeologji dhe mineralogji); Gjuhë shqipe (gramatikë, sintaksë,
letërsi, retorikë, poezi); Gjuhë turke; Gjuhë frënge; Gjuhë angleze dhe Gjuhë
greke (si dy lëndë fakultative); Filozofi; Psikologji; Logjikë; Pedagogji;
Mësim feje (muhamedane, ortodokse dhe katolike); Gjeografi; Histori (botërore,
të Turqisë dhe të Shqipërisë); Vizatim (me bukurshkrim); Muzikë (vokale dhe
instrumentale): Gjimnastikë.
Çelja
e Normales në Elbasan
Vendimi
kryesor, dhe që ishte pika e parë e punës së Kongresit, ishte çelja e Shkollës
Normale në Elbasan, për të përgatitur mësues shqiptarë për shkollat shqipe.
Ishte kjo shkolla e parë e mesme kombëtare, shqipe, në trojet shqiptare.. Në
fjalimin inaugurues dhe shumë emocionues, drejtori i parë i Normales, Luigj
Gurakuqi, duke theksuar rëndësinë e kësaj Shkolle, ndër të tjera shprehej: ‘’Me
këtë shkollë të madhe për mësonjës, që ishte dëshiri dhe shpresa e të parëvet
tanë prej vjetësh, fillesën e të cilës na jemi mbledhun sot ta kremtojmë
bashkërisht, kombi shqyptar po mbjell farën e ditunisë, po hedh themelin e
mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshëm
që do të përhapin dritën ndër ato ma t’errtat vise, do të dalin ata burra
njeridashës, të cilët si Orfeu e si Amfioni, me urtësiën e me ambëlsiënë e
fjalëvet e të këshillave të veta, do të qytetërojnë e ofrojnë njerëzit e t’i
bëjnë të duken e të ndihmohen si vëllau me vëllanë’’.
Normalja
e Elbasanit e filloi punën me 40-50 nxënës, por deri në fund të vitit shkollor
arriti me 140 – 150 nxënës, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare (gjyma e
tyre ishin nga Kosova e Çamëria). Hasan Prishtina, me shpenzime të tij personale kishte dërguar në Normale 21 nxënës
nga Kosova. Shumë nxënës të shkollave turke e greke, i braktisën ato shkolla
dhe shkuan e vijuan mësimet në Normale. Sipas të dhënave nga libri i prof..dr.
Hysni Myzyrit: Shkolla Normale e Elbasanit (2004), vetëm nga shkolla
idadije (gjimnazi turk) i Elbasanit, dolën 25 nxënës dhe u regjistruan në
Normale, ndër të cilët kishte edhe asi të vitit të fundit. Tetë nxënës kishin
ardhur nga shkolla idadije e Janinës. Kishte madje edhe asi që kishin lënë
shkollat e mesme të Stambollit, për të vijuar Normalen e Elbasanit. Numri i nxënësve sa vinte e shtohej. Në vitin
e dytë kishte arritur deri 1000 nxënës.
Shkolla
kishte internatin, në të cilin banonin dhe ushqeheshin gjysma e nxënësve; disa
me pagesë, e disa (të varfër) pa pagesë. Në konvikt organizohej studimi i
rregullt i obligueshëm. Në vitin 1923, u hap Ushtrimorja e Normales, në të
cilën normalistët zhvillonin praktikën pedagogjike të përgatitjes për mësues.
Prej
themelimit (1909) e deri në vitin 1946, kur në Tiranë u hap Instituti dyvjeçar
për mësues, Normalja ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e
mësuesve për shkollat shqipe.
Në
periudhën 1941-1944, e më pastaj, qindra ish-normalistë të Elbasanit erdhën e
punuen mësues në shkollat shqipe që u hapën në ‘’viset e lirueme’’: Kosovë, Maqedoni, Sanxhak, Mali Zi. Kontributi i tyre
ishte i madh. .
Në
Normalen e Elbasanit u përqendruan, punuan e kontribuan me zell e përkushtim
intelektualët dhe kuadrot më të mira që pati Shqipëria e asaj kohe, siç ishin,
në fillim: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Pjetër Dodbiba, Simon
Shuteriqi, Hasan Mezja, Hafiz Ibrahim Dalliu, Dhimitër Paparisto, Salih Ceka,
Ahmet Gashi, Kristo Dako, Filip Leci, Kostaq
Cipo, Kolë Prela, Mahir Domni, Luigj
Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjako, etj.etj. Ata jo vetëm që bartën barrën e
punës mësimore, që jepnin mësim nga disa lëndë, por në bashkëpunim me intelektualë e pedagogë
tjerë, punuan në hartimin e programeve dhe teksteve mësimore për të gjitha
shkollat shqipe.
Një
diplomat austriak, në vitin 1910, duke e vlerësuar rëndësinë e Normales së
Elbasanit, kishte shkruar: ‘’Unë e konsideroj Institutin Pedagogjik të
Elbasanit si bërthamën që mund të zhvillohet në një pemë shumë të madhe, nën hijen e së cilës populli shqiptar
do të bëhet një popull i civilizuar’’.
Gazeta
‘’Dielli’’ e Bostonit (dt.15 tetor 1909), duke përshëndetur vendimin e Kongresit të Elbasanit për çeljen e Shkollës
Normale, ndër të tjera shkruante: ’’Po një shkollë normale për mësonjës
s’është mjaft për Shqipërinë, na duhet edhe një shkollë normale për mësonjëse
(dhaskalica), se ajo sjell më shumë fryte për qytetrimin, duke pasur parasysh
rolin që luan gruaja e arsimuar në përlindjen e një kombi’’, dhe në
vazhdim përmend disa arsye bindëse në
mbështetje të një shkolle normale për femrat.
Është
vendi këtu të përmendim, se Kongresi kishte vendosur që drejtor i (parë) i Normales të ishte dijetari i shquar Qamil
Bala, nga Gjilani, i cili asokohe ishte profesor dhe drejtor i gjimnazit në
Jerusalem. Me kërkesën dhe insistimin këmbëngulës të Kongresit të Elbasanit,
organet kompetente të Jerusalemit mezi e
kishin lejuar Balën të shkonte në detyrën e zgjedhur, por kur arriti në
Manastir, xhonturqit nuk e lejuan të shkonte në Elbasan, veçse e kthyen në
Stamboll. Pasi u pa se Qamil Bala nuk do të mund të vinte për ta marrë detyrën
e drejtorit të Normales, atëherë ai post iu besua Luigj Gurakuqit.
Shkollën
Normale (Pedagogjike) të Elbasanit, prej vitit 1909 deri sa u mbyll në vitin
1910, e kanë udhëhequr 22 drejtorë,
personalitete të njohura nga fusha e arsimit, shkencës e kulturës: Luigj
Gurakuqi, Fazlli Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Ali
Hashrova, Ibrahim Babamusta, Carlo Parri (italian), Luigji Camsolo (italian,
gjatë kohës së okupacionit (1940-1943), Fot Papajani, Kolë Prela, Mahir Domni,
Vasil Kamami, Margarita Pogaçe, Ligor Mile, Grigor Kallajxhiu, Merrushe
Shishmani, Stiliana Papajani, Stefan Bebi, Dritan Pajenga, Dhurata Valera dhe
Fatos Bajraktari.
Për
habi, askund nuk gjejmë një listë të plotë emërore të të gjithë mësimdhënësve
të Normales së Elbasanit, për tërë periudhën e funksionimit të saj. Emrat e
tyre i gjejmë në shkrime të ndryshme parciale. Në Monografinë Shkolla
Normale ‘’Luigj Gurakuqi’’ në vitet e demokracisë 1990-2009, përgatitur nga
Genci Trandafili e Dhurata Valera, monografi kjo kushtuar asaj Shkolle të
periudhës 1990-2009, gjejmë një listë emërore të 17 mësuesve të cilët kanë shërbyer
mbi 25 vjet në Shkollën Normale të Elbasanit prej themelimit e deri më 2009.
Ata ishin: Genc Trandafili (35 vjet), Miriam Myftiu (33), Laura Shuteriqi (32),
Grigor Kallajxhiu (30), Xhevat Domni (30), Nos Ndria (30), Elida Xhomo (28),
Sotir Paparisto (28), Shyqyri Demiri (28), Simon Shuteriqi (27), Vasil Toli
(27), Vasil Kamami (27), Shyqyri Latifi (27), Lumni Kotherja (26), Shefqet Peni
(26), Bukurosh Sejdini (26) dhe Aleksandër Xhuvani (25). Në të njëjtën
Monografi, janë edhe dy lista emërore, të mësuesve dhe nxënësve të Normales së
Elbasanit, të cilët janë nderuar me titullin ‘’Mësues i popullit’’ (30 veta), respektivisht
me titullin ‘Mësues i merituar’’ (72 veta; këtu nuk do e ngarkojmë këtë shkrim
duke shënuar edhe më se 100 emra të tyre).
***
Normalja
e Elbasanit u rrit, u zhvillua, u përvijua nëpër kushte të veçanta të
realitetit shqiptar dhe përjetoi fatet e kombit në periudha të ndryshme. Ajo
disa herë u mbyll e rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë
Botërore dhe pushtimit italian e gjerman. Megjithatë, mbajti kontinuitetin e zhvillimit
dhe avancimit. Periudhën më stabile e pat prej vitit 1921 deri më 1939. Për tërë periudhën e ekzistimit, i dha arsimit
shqiptar 15000 mësues të përgatitur e kualifikuar, të kalitur dhe edukuar në
frymën pedagogjike e patriotike, për të gjitha shkollat e viseve shqiptare.
Normalistët e Elbasanit luftuan edhe me armë kundër fashizmit dhe 70 e sa prej tyre ranë dëshmorë.
Gradualisht,
Normalja u rrit, u transformua e avancua
në status më të lartë: në Institut i Lartë Pedagogjik (1971) dhe së fundi në Universitetin ‘Aleksandër
Xhuvani’ të Elbasanit (1991), që nuk mund të mohohet lidhja e këtij Universitet
me Normalen, dhe të gjitha ato instanca ishin e janë në një kontinuitet të
misionit: arsimimit dhe edukimit profesional, shkencor e patriotik.
Me
Normalen e Elbasanit identifikohej edhe vetë qyteti i Elbasanit, ashtu që ishte e
njëjtë si të thuhej: Normalja e
Elbasanit, apo Elbasani i Normales. Elbasani
‘e lindi’ dhe e rriti Normalen,
ndërsa Normalja e rinoi dhe e rriti Elbasanin. Normales i thurën këngë, vargjet
e së cilës thoshin:
Përqark
me kodra,
Kundrejt
me male,
Anekënd
prej valëve të Shkumbinit,
Të
rrethon natyra
Shkolla
Normale
Gurrë
e paçmueshme e përparimit!
Disa
herë pati tentime për transferimin e Normales nga Elbasani në Shkodër, apo
gjetkë, bile edhe jashtë Shqipërisë, por
populli dhe udhëheqësia e Elbasanit nuk lejuan.
Pas
111 vjet të punës, Normalja u mbyll (1910) me vendim të Ministrisë së Arsimit e
Shkencës, u shndërrua në gjimnaz në të cilin do ta kryejnë praktikën
pedagogjike studentët e Universitetit ’Aleksandër Xhuvani’.
Normales
së Elbasanit iu dha titulli i merituar ‘’Nderi i Kombit’ (2014). Në shenj
kujtimi, në 105-vjetorin e saj u lëshua në qarkullim pulla postare me foton dhe
tekstin: Shkolla Normale e Elbasanit, ndërsa në 110-vjetorin (2019), u shtyp në
bankënotën 100 lekësh, në njërën anë
foto e ndërtesës së Normales dhe në anën tjetër fotoportreti i drejtorit
të parë, Luigj Gurakuqi.
Normalja
e Elbasanit, dhe Normalja e Prishtinës, e cila punoi sipas konceptit, frymës dhe traditës së
Normales së Elbasanit, në koshiencën dhe
kujtesën e popullit do të mbahen mend e kujtohen, si dy institucionet më të
rëndësishme të arsimit dhe edukimit të shqiptarëve andej e këndej Drinit. Unë, si ish-normalist i Normales së Prishtinës,
këto dy Normale i kam në zemër e në shpirt. Në shtator të vitit 2009,
organizova një ekskurzion me 36 ish-normalistë të gjeneratës sime (të diplomuar
në vitin 1961), të Normales së Prishtinës, e vizituam Normalen e Elbasanit, ku
na pritën me shumë dashamirësi e respekt drejtoresha znj.Dhurata Valera dhe
‘Mësuesi i popullit’ Genci Trandafili, dhe në Muzeun e Shkollës na treguan
eksponatet, dokumentet e fotografitë e shumta, që kishin mbledhur e sistemuar
për kremtimin e 100-vjetorit të Normales. Ishte një vizitë e paharrueshme jona,
për të cilën unë pata shkruar e botuar një shkrim-reportazh, që besoj se ka zënë
një vend në Muzeun e Normales së Elbasanit.