Mendime
Lulëzim Shishani: Kur do të bëhet Evropa e Enverit Europa e Fishtës?!
E marte, 28.11.2023, 08:30 PM
28 Nëntor 2023, në vend të festës
Kur do të bëhet Evropa e Enverit Europa e Fishtës?!
Nga Lulëzim Shishani
Kombi shqiptar, duke qenë i
shpërndarë në së paku katër shtete, e ka të vështirë të bashkëpunojë në
projekte të përbashkëta kombëtare, siç është projekti “Gjuha shqipe dhe
kompjuteri” për përparimin e gjuhës shqipe, andaj ka zgjedhur rrugën e
mosbashkëpunimit, që është rruga më e dëmshme për të ardhmen e kombit dhe të
gjuhës sonë, si pasuria më e madhe kombëtare e si tipari më i rëndësishëm i
identitetit shqiptar.
Bashkimi
i ri gjuhësor ose përçarja gjuhësore do të fillojë ditën që do të ndryshohet
drejtshkrimi i fjalës Evropë, në softuerin Kulla e shqipes, varësisht
nga procedurat që do të ndiqen për këtë ndryshim në Fjalorin e madh
drejtshkrimor sipas standardit që përmban ky softuer, me mbi 300.000 faqe A4 e
mbi 8.000.000 forma fjalësh.
Ky
softuer është futur tashmë në përdorim zyrtar nga Republika e Kosovës dhe ajo e
Malit të Zi, për të gjitha institucionet dhe banorët e këtyre dy shteteve.
Nga premtimet e marra besojmë
që jemi shumë afër që të njëjtin softuer ta fusin në përdorim zyrtar edhe
Republika e Maqedonisë së Veriut edhe ajo e Shqipërisë.
E thënë simbolikisht, ditën kur
softueri të jetë në përdorim zyrtar nga të katër shtetet shqiptare Kryeministri
i Shqipërisë duhet të bëjë propozimin, hapin e parë drejt rishikimit të
drejtshkrimit të fjalës Evropë, e pse jo edhe të disa fjalëve të tjera!
Drejtshkrimi i një fjale s’do
të thotë shumë, por rruga e duhur për caktimin e drejtshkrimit të saj, urtësia
që duhet zbatuar, qoftë edhe për drejtshkrimin e një fjale të vetme, do të
thotë çdo gjë për të ardhmen e shqipes standarde, përmes krijimit të
procedurave politiko-juridike me marrëveshje mbarëkombëtare për ndryshime të
vogla në të ardhmen në softuerin e përbashkët - Kullën e shqipes.
Pra, që Evropa të bëhet Europë
është i nevojshëm propozimi i kryeministrit Rama!
Para se ky propozim të ndodhë
Qeveria e Shqipërisë duhet ta fusë në përdorim zyrtar, nëpër shkolla e në
institucione shtetërore, Kullën e shqipes me Fjalorin e madh
drejtshkrimor të shqipes standarde që përmban, pastaj rregullat sintaksore që i
ka ky softuer, të cilin Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi e përdorin
zyrtarisht, e të cilin po përgatitet ta fusë në përdorim edhe Qeveria e
Maqedonisë së Veriut.
Vetëm kur kjo të ndodhë fiton
vlerë propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, që duhet t’ia bëjë kryeministrit
të Kosovës, duke synuar një marrëveshjeje fillestare të qartë, të sinqertë e
qëllimmirë. Në atë marrëveshje do të duhej të përfshiheshin drejtpërdrejt edhe
përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Luginës
së Preshevës etj.
Nga takimet tona të rregullta me liderët e partive politike shqiptare në
Maqedoninë e Veriut dhe të atyre në Republikën e Malit të Zi shprehet qartë
qëndrimi i tyre politik për bashkëpunim sipas parimit “Një komb, një gjuhë,
një softuer”. Kjo marrëveshje duhet të dërgohet për miratim në kuvendet
përkatëse të të dy republikave shqiptare.
1.
Marrëveshja fillestare
- Për shkak të rëndësisë e vlerës së madhe që do të ketë, për të qenë e
pranueshme për të gjithë, e për t’i mbijetuar kohës, e ndryshimeve politike në
të ardhmen, duhet të miratohet nga kuvendet e të dyja shteteve shqiptare, si
marrëveshje fillestare, më së paku nga 2/3 e anëtarëve të kuvendeve
përkatëse, bashkë me afatet, bartësit e detyrimeve dhe buxhetin e duhur.
2.
Marrëveshja përfundimtare
- Për të pasur siguri të plotë rreth rezultateve përfundimtare dhe për të qenë
rezultate të pranueshme për të gjithë, duhet të parashihet e njëjta procedurë
edhe për miratimin të marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet arrihet
brenda 3-5 vjetësh, bashkë me raportin e detajuar për veprat shkencore
përfundimtare: Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe Fjalorin
e madh drejtshkrimor digjital (softuerin Kulla e shqipes për
morfologji, sintaksë etj.).
3.
Mënyra e votimit
- Në fund qëndrimet e gjuhëtarëve, të arritura me konsensus, duhet të kthehen
prapë në secilin kuvend veç e veç për t’u miratuar, prapë me 2/3 për të hyrë në
fuqi.
4.
Bartësit e detyrimeve
- Pas miratimit të marrëveshjes fillestare, ministritë përkatëse të të
dy qeverive, bashkë me kompanitë private të specializuara duhet të krijojnë
kushtet teknike e organizative për punë shkencore të mirëfilltë, të tipit
perëndimor, me metoda moderne, për të gjithë ekspertët e gjuhës dhe ekspertët e
tjerë që do të angazhohen.
5.
Organizimi juridik, financiar
- Rolin kryesor organizativ, juridik e financiar, mund ta kenë p.sh. ministritë
e arsimit, përkatësisht ministrat e arsimit të të dyja shteteve bashkë me dy
zëvendëskryeministrat e parë që duhet të kenë kontroll politik mbi çdo gjë
teknike, softuerike, juridike dhe financiare, përveç anës shkencore.
6.
Aspekti shkencor
- Ana gjuhësore dhe shkencore duhet t’iu lihet gjuhëtarëve e ekspertëve të
gjuhës, sidomos atyre të gjuhësisë kompjuterike. Ndërsa rolin e plotë shkencor
duhet ta kenë universitetet, institutet, akademitë, bashkë me një Këshill
Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe, që do ta drejtojë punën shkencore.
7.
Rezultatet përfundimtare
– Fjalorin e madh drejtshkrimor digjital, bashkë me Softuerin për
drejtshkrim e sintaksë, me Rregullat e plotësuara të drejtshkrimit dhe
ato sintaksore, do të duhej t’i kishin falas për përdorim të gjithë
shqiptarët kudo që janë, ndërsa ky softuer do të ishte në përdorim zyrtar
gjithandej, e do të ishte pronë e përbashkët e qeverive shqiptare dhe e
shqiptarëve jashtë territorit të të dyja shteteve.
8.
Dobia përfundimtare -
Në këtë softuer (që do të ishte vetë gjuha shqipe standarde) do të mund të
ndërhyhet me konsensus, sipas marrëveshjes përfundimtare vetëm nga qeveritë e
të dyja shteteve (ndërsa në materialin gjuhësor të tij, rregullat gjuhësore të
tij, vetëm nga institucionet e tyre gjuhësore).
Bashkimi gjuhësor shqiptar i ri
i këtij shekulli është në duart e Shqipërisë!
Pra, një synim i tillë për
bashkim gjuhësor të mençur e të drejtë duhet të realizohet përmes softuerit të
përbashkët “Kullës së shqipes”. Ky bashkim është plotësisht i mundur dhe varet
kryekëput nga kryeministri Edi Rama, i cili duhet ta kuptojë se gjuha
shqipe është pasuri e përbashkët mbarëkombëtare e shqiptarëve të barabartë.
Duhet ta kuptojë po ashtu se:
· Republika
e Shqipërisë ka mbetur shumë prapa, sidomos për punët e gjuhës shqipe, e
veçanërisht në fushën e gjuhësisë kompjuterike, e kjo përveç tjerash e pengon
të bashkohet me Republikën e Kosovës që ka investuar shumë dhe e ka kapacitetin
e plotë për përparimin e gjuhës shqipe, pa u sforcuar.
· Shqipëria
nuk ka ndonjë rezultat të theksuar në fushën e gjuhës pas Fjalorit të kohës së
komunizmit të viteve 80-ta e asnjë rezultat fare në fushën e gjuhësisë
kompjuterike, për dallim nga Qeveria e Kosovës.
· Republika
e Kosovës ka Fjalorin e madh drejtshkrimor me 300.000 faqe A4, Republika
e Shqipërisë nuk e ka, e për më keq dhe refuzon bashkëpunimin rreth këtij
fjalori.
· Kosova
e ka futur në përdorim zyrtar tashmë Kullën e shqipes, nëpër shkolla e
në administratën shtetërore, bashkë me Republikën e Malit të Zi dhe pret me
padurim që Evropa e Enverit të bëhet Europa e Fishtës.
· Republika
e Shqipërisë nuk ka sot softuerë të gjuhës, as për drejtshkrim, as për
sintaksë, as për sinonime, përveç atyre të financuar nga Qeveria e Kosovës, të
integruar në Kullën e shqipes, ndonëse të njëjtit përdoren edhe në Shqipëri
duke ua fshehur identitetin e pronarin.
· Është
përçarje gjuhësore përfundimtare qëndrimi se një ditë do ta bëjmë edhe në
Shqipëri një softuer tjetër sikur ky i juaji “Kulla e shqipes”, vetëm për
territorin e Shqipërisë!
· Ka
kaluar koha e mospërfilljes, me parulla si: ”për gjuhën shqipe shqiptarët
jashtë Shqipërisë japin mendime, e ne në Shqipëri marrim vendime”.
Shqiptarët jashtë Shqipërisë, autoktonë në trojet e tyre kudo që janë, edhe
kanë qëndrime, por edhe dinë të marrin vendime për përparimin dhe
digjitalizimin e gjuhës shqipe, pa kushte, si pasuri e përbashkët e
shqiptarëve.
· Ka
kaluar koha e përzgjedhjes së përfaqësuesve të Kosovës nga ndokush i Shqipërisë
për përfaqësimin e Kosovës.
· Çdo
ndërhyrje politike, jashtë procedurave ligjore të dy shteteve shqiptare, do të
ishte me pasoja. Partitë politike shqiptare në Republikën e Kosovës, e prijësit
e tyre, për këtë çështje, kanë treguar maturi të madhe, si në të shkuarën,
ashtu edhe sot, ndërsa të njëjtën maturi po e tregojnë edhe partitë politike
shqiptare në Malin e Zi e në Maqedoninë e Veriut duke u bashkuar rreth kësaj
ideje.
· Duhet
ta dijë, sidomos Partia Socialiste e Shqipërisë dhe lideri i saj, se, për të
mirën e kombit, kërkohet një shkëputje nga e kaluara, nga “veprat shkencore”
propagandistike të komunizmit dhe nga dinakëria si metodë e asaj kohe.
· Duhet
ta dijë që kokëfortësia e insistimi për një pozitë monopoliste, që e ofronte
sistemi komunist duhet të harrohet, ashtu që bashkimi gjuhësor shqiptar i këtij
shekulli të ketë sukses.
A po
punon Qeveria e Shqipërisë për një shqipe policentrike?!
Partitë
politike në Kosovë kanë pasur dhe kanë një qëndrim të qartë politik për gjuhën
shqipe. Nisur nga kjo kanë mbështetur vepra shkencore kolosale, nuk lavdërohen
për këtë, kanë financuar e udhëhequr digjitalizimin e shqipes në të shkuarën
dhe tani; të gjithë, pa dyshim, shprehin respekt ndaj gjuhës shqipe, duke
synuar bashkimin gjuhësor mbarëshqiptar, por jo gatishmëri për çfarëdo
nënshtrimi ndaj dikujt në Shqipëri, siç pret Edi Rama. Shqiptarët jashtë
Shqipërisë nuk e kanë marrë gjuhën shqipe me qira nga Shqipëria!
E thënë
shkurt:
Qeveria e Shqipërisë, duke
refuzuar Kullën e shqipes si një softuer të përbashkët për të gjithë
shqiptarët, vetëm pse fillimisht është nisur dhe financuar nga Qeveria e
Kosovës, duke refuzuar Fjalorin e madh drejtshkrimor digjital të
mbështetur nga Qeveria e Kosovës, duke mos dëshiruar vepra të përbashkëta
shkencore siç është Fjalori i madh shpjegues, në mënyrë të pavetëdijshme ka
krijuar rrethana të trajtimit të shqipes si një gjuhë policentike, ku secili
shtet do të ketë softuerin e vet, kodin e vet gjuhësor në Microsoft, Samsung,
iOS etj., me variantet e veta gjuhësore, rregullat gjuhësore të veçanta, e
fjalorin e vet drejtshkrimor të veçantë që vlen vetëm për gjuhën shqipe të atij
shteti (Albanian Albania, Albanian Kosovo, Albanian North Macedonia). Me
dijeninë e Kryeministrit të Shqipërisë ose jo, institucionet qeveritare kanë
bërë tashmë veprime konkrete dhe po punojnë shumë që kjo të ndodhë.
Duke mos e kuptuar se:
Pa një vepër gjuhësore,
gjithëpërfshirëse, të përbashkët siç është softueri Kulla e shqipes, që do t’i
paraprinte marrëveshjes fillestare, çdo vendim për rishikim, sido që të bëhet
ai ndryshim, qoftë me modelin e vjetër sovjetik të trajtimit të shqipes, që
refuzohet zëshëm nga Kosova, qoftë me modelin perëndimor të trajtimit të
shqipes, që refuzohet në heshtje e djallëzi nga Shqipëria, do të mbetej
thjeshtë një ngritje dore, pra, marrëveshja përfundimtare do të mbetej pa asnjë
ndikim praktik.
Pa softuerin e përbashkët do të
jetë e pamundur të merren vendime cilësore, të drejta, e të mirëpritura nga të
gjithë.
Pa softuerin e përbashkët, për
të gjithë shqiptarët kudo që janë, nga pamundësia për të përvetësuar lehtë
ndryshimet, e për të ditur lehtë cilat janë ato ndryshime, do të shkaktohej
pasiguri e shqetësim, e ndoshta edhe refuzim të plotë të tyre.
Sot, është pothuajse qëndrim
mbarëkombëtar që Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe të rishikohet, ndërsa për fjalën
Evropë ka konsensus të plotë mes gjuhëtarëve që të jetë Europë.
Si çdo gjuhë e gjallë edhe shqipja ndryshon e zhvillohet gjithmonë, andaj duhet
gjetur forcë e guxim që me urtësi të krijohen kushtet për punë e bashkëpunim,
me synim të qartë politik, të miratuar paraprakisht nga ligjvënësit shqiptarë,
në atë shtet e në këtë shtet, e gjithandej.
Ka një vit që kërkesa jonë i
është dorëzuar për shqyrtim Qeverisë së Shqipërisë. Jemi plot shpresë që do të
pranohet oferta jonë për fillimin e bashkimit gjuhësor të këtij shekulli.
Ka një vit që gjuhëtarë me
dinjitet, përmes një letre të hapur, i janë drejtuar kryeministrit të
Shqipërisë dhe e kanë kërkuar këtë bashkim.
Kur e fillova angazhimin tim 20
vjet më parë, rreth problemeve të gjuhës shqipe e për një bashkim të ri
gjuhësor, ishin faktorë e grupe të tjera të interesit në Shqipëri që e pengonin
me zell këtë synim. Ata që duhej ta siguronin bashkimin gjuhësor shqiptar, pas
viteve 90, ishin të lodhur, e nuk kishin aftësi e fuqi mendore çfarë e kërkon
kjo punë.
Do këllqe kjo punë, sigurisht.
Por, sot janë plotësuar të gjitha kushtet e tjera, e këllqe për bashkimin gjuhësor
mbarëshqiptar duhet të ketë vetëm një njeri – ai është Edi Rama. Sot ka
mbetur vetëm një pengesë, për bashkimin e ri gjuhësor të shqiptarëve, e ai
është kryeministri i Shqipërisë, mik ose armik i gjuhës shqipe, e vendos ai.
O Zot, ndihmomë ta ndihmoj
kombin tim!
Lulëzim Shishani
P.S. Shkrimi përmban qëndrime
personale, jodomosdoshmërisht janë edhe qëndrime të bashkëpunëtorëve,
gjuhëtarëve, apo organizatës ku unë punoj.
Ky shkrim mund të publikohet në
çdo medium, duke e cekur burimin e tij.