Mendime
Florim Zeqa: Rreziku i kthimit në pikën zero!
E enjte, 23.11.2023, 08:52 PM
Rreziku i kthimit në pikën zero!
Shkruan:
Florim Zeqa
Për 24 vjet rresht e kemi ndjerë veten të
sigurtë në shtetin tonë të lirë dhe të pavarur, të mbrojtur dhe garantuar nga
forcat e NATO-s. Por, për një çast gjithçka ndryshon në Kosovë! Pasi, brenda
natës instalohet gjuha luftënxitëse dhe pasiguria e qytetarëve!
Pse
ekziston rreziku kur veriu i vendit “kontrollohet” nga shteti!?
Sipas
të dhënave të kryeministrit Kurti, veriu i vendit është futur nën kontrollë të
plotë pas trazirave të fundit në Banjskë. Edhe përkundër kontrollit të plotë të
Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe Forcave të KFOR-it, megjithatë
kryeministri Albin Kurti paralajmëron trazira të reja, duke aluduar në
riorganizimin e grupit të Radoiçiqit!
Kryeministri
paranojak, gjuhën e rrezikut e arsyeton me trupat dhe artilerinë e Ushtrisë së
Serbisë afër territorit të Kosovës. “Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e
Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të
Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar
sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, ishte konstatimi i
fundit i Albin Kurtit në rrjetet sociale.
Kryeministri
i vendit në vend që të reflektojë shpresë dhe siguri për qytetarët, po i
bombardon ata me gjuhën kërcënuese dhe luftënxitëse në Kosovë, duke e arsyetuar
me kinse përgatitjet e një lufte të re në Ballkan nga Rusia dhe Serbia!
Loja
e dyfisht e Albin Kurtit, duke u thirrur në njërën anë me shtrirje të plotë të
sovranitetit në veri, kurse në anën tjetër duke mbjellë frikë dhe pasiguri për
qytetarët e vendit të tij, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtëpërdrejt është
duke e ndihmuar Vuçiçin në fushatën elektorale në Serbi!
Mirëmbajtja
e raporteve me SHBA-t dhe NATO-n, mbrojtja më e mirë e Republikës së Kosovës
Sikurse
që ishte çlirimi i vendit dhe njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës produkt
i SHBA-ve dhe NATO-s, edhe mbrojtja dhe ekzistenca e shtetit tonë është në
përputhje të plotë me interesat e tyre në Ballkan. Andaj, çdo tendencë për t’u
larguar nga ky realitet i krijuar paraqet rrezik për ekzistencën e shtetit
tonë.
Derisa
raportet me SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian ishin në
nivelin e duhur, nuk e kishim asnjë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në
rajon.
Mirëpo,
me mospërfilljen e rekomandimeve të miqve dhe aleatëve perëndimor nga ana e
kryeministrit Albin Kurti, kryediplomates Donika Gërvalla e deri diku edhe të
presidentes Vjosa Osmani, ka bërë që të ndodh një tërheqje e lehtë e
diplomacisë perëndimore nga Kosova.
Kur
jemi në këtë segment, duhet cekur zhvillimin pozitiv të ditëve të fundit, ku më
në fund presidentja Vjosa Osmani ka filluar të këndellet sa i përket
“Draft-Statutit” të Asociacionit, për të cilin deklaroj haur se disa anekse të
këtij drafti, jo vetëm që kanë dykuptimësi, bien ndesh edhe me Kushtetutën e
Republikës së Kosovës, duke e konsideruar gabim të madh mosbërjen transparente
të draftit për opozitën dhe shoqërinë civile.
Ky
hap i vogël i presidentes Vjosa Osmani duhet të pasohet me hapin e radhës, me
distancimin nga politika populliste dhe disfatiste e kryeministrit, i cili, çdo
herë, pas një hapi para, i bën tre hapa prapa!
Për
më keq se kaq, si pasojë e kryeneqësisë së kryeministrit, për herë të parë Kosova
në historinë e saj ndodhet nën sanksione ndërkombëtare, duke humbur
qindramiliona euro investime dhe duke e rrezikuar seriozisht anëtarësimin në
Këshillin e Evropës dhe Liberalizimin e Vizave!
Meqenëse
Kosova nuk është faktor që ndikon shumë në vendimarrjen ndërkombëtare, duhet të
tregohet e kujdesshme në ruajtjen dhe kultivimin e raporteve të mira me
ndërkombëtarët. Në të kundërtën, rrezikojmë kthimin në pikën zero, në atë të
vitit 1999!
Këtë
e dëshmon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: “Çdo
dërgim i Forcave të Sigurisë së Kosovës duhet të marrë pajtimin e NATO-s dhe
çfarëdo aksioni i Policisë së Kosovës në ato zona duhet të informohet
paraprakisht KFOR-i dhe të mos e rrezikojë paqen dhe sigurinë”.
Është
fat i madh për ne, që interesat SHBA-ve dhe të Aleancës në të fuqishme
ushtarake në botë (NATO-s) janë të ndërlidhura me interesat e shqiptarëve në
Ballkan, përndryshe, sa për liderët shtetërorë dhe kapacitete ushtarake që kemi
për të mbrojtur shtetin, që moti do ta kishim humbur atë!