Mendime
Gjekë Gjonaj: Analfabetët funksionalë të partive politike shqiptare në Mal të Zi
E enjte, 30.11.2023, 08:55 PM
Analfabetët funksionalë të partive politike shqiptare në Mal të Zi me diploma të dyshimta ose të falsifikuara
Nga
Gjekë Gjonaj
Mediat
malazeze javëve të fundit, si asnjëherë
deri më tani, kanë aktualizuar
dhe sensibilizuar çështjen e
diplomave të diskutueshme apo të rreme
në Mal të Zi. U dëgjuan shumë
detaje interesante dhe shqetësuese nga këndvështrimi i ekspertëve
të fushave të ndryshme, profesorë universiteti, ish-ministra, ish-deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile
e të tjerë për këtë fenomen
negativ shoqëror, i cili
ka lëshuar rrënjë gjatë tridhjetë
viteve të shkuara të kohës së demokracisë
në këtë shtet të vogël të Ballkanit Perëndimor me afro 600 mijë banorë.
Publikimi i të dhënave se në Mal të Zi ,
sipas hulumtimeve të shoqatës civile
“Alternativa”, ka 25-30 mijë diploma të dyshimta ose të falsifikuara paraqet një problem serioz për institucionet shtetërore.
Shtrohet pyetja : A ka
shqiptarë të përfshirë në këtë numër tejet të madh të diplomave
të dyshimta ose të rreme ? Përgjigjen e saktë do të duhej ta japin institucionet përkatëse shtetërore. Mirëpo,
referuar kësaj shifre shokuese të
diplomave të dyshimta dhe duke analizuar me kujdes CV-të dhe karrierat e disa zyrtarëve e drejtuesve të
vegjël dhe të mëdhenj
shqiptarë në institucione publike , pa dëshiruar të akuzoj
asnjë shqiptarë për diploma të rreme,
në opinion ekziston dyshimi
se në këtë maskaradë që po
shkatërron sistemin arsimor universitar dhe po rrezikon ardhmërinë e brezave të ardhshëm, janë të përfshirë për fat të keq edhe disa shqiptarë.
Personat e përfolur
shqiptarë në komunikimin e
përditshëm dhe në rrjete sociale me
diploma fiktive dhe tituj fiktivë
janë punonjës të administratës publike, funksionarë të
lartë , deputetë, ministra, një klasë politikanësh me integritet të dyshimtë të cilët marrin
vendime për një popull që pret kaq shumë
nga politika. Këta individë, pas rënies
së sistemit njëpartiak, mendojnë se sa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më gjasa ka të bëhesh i suksesshëm. Sot jemi dëshmitarë se nën regjimin e partive politike shqiptare
analfabetët funksionalë e kanë gjetur strehën
të punësohen njëri pas tjetrit
në funksione të larta komunale
e shtetërore. Kush janë
analfabetët funksionalë? Ata
persona që vetëm mund të shkruajnë dhe
lexojnë fjali të thjeshta, por janë të
paaftë të kuptojnë tekste të ndërlikuara, pra njerëz që kanë vështirësi të mëdha të të kuptuarit. UNESCO-ja e ka
definuar analfabetin funksional në vitin
e largët, më 1978, atëherë kur
shqiptarët shënonin 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur arsimimit të brezave të rinj u
kushtohej më tepër rëndësi.
Ekzistojnë
dyshime të forta për disa funksionarë e
zyrtarë shqiptarë që vendet e punës dhe funksionet i kanë marrë falë diplomave
në shkolla të larta duke i blerë,
ose në ndonjë mënyrë tjetër të përshpejtuar
mashtruese. Punësimet dhe emërimet e këtilla partiake, jaranësh e shumë
më pak jaraneshash, pa ndonjë meritë, janë
kundër interesave të shqiptarëve në këtë republikë. Niveli
arsimor i këtyre militantëve partiakë ( nderim të tjerëve) , të cilët i ka rehatuar partia në poste me rëndësi
shoqërore, më së mirë vërehet në njohuritë
dhe të shprehurit e gjuhës shqipe
dhe malazeze tejet të kufizuara, për të
mos thënë qesharake, nëse i kemi
parasysh paraqitjet e tyre publike. Për këta njerëz ( politikanë ) “ të ditur”
dija ( dituria) është më pak e
rëndësishme, sesa dokumenti i quajtur “
diplomë”. E pse mos të marrësh një
diplomë apo titull shkencor kur në
procesin universal të shitblerjes, mund të blihet dhe shitet gjithçka. Për
shkrimtarin e njohur, Moikom Zeqo, një nga deputetët e parë pas rënies së
diktaturës në Shqipëri , ky është një “ mashtrim kombëtar”. Ai këtë fenomen në
politikë e ka cilësuar si fabrikim të personaliteteve të rremë, mbase e vërteta është se lavditë e rreme ose të
pamerituara mund të ekzistojnë përkohësisht.
Ndoshta
do të vijë dita kur shqiptarët dhe të tjerët që vuajnë shumë nga lavditë e rreme, sidomos në kohët e sotme, ku
këtë fenomen e hasim ngado, do të zbardhen dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Ndërkaq,
analfabetët funksionalë të
partive politike shqiptare s’duhet të
kenë frikë, sepse diturinë nuk ua merr askush.
Në anën tjetër brengos fakti i
heshtjes publike të intelektualëve të mirëfilltë e të pavarur
shqiptarë, që qëndrojnë mbi partitë politike, ndaj këtij kanceri të shoqërisë sonë. Por,
më shqetësuese është dështimi i institucioneve përgjegjëse, të cilat nuk kanë arritur me sa duket ta kryejnë detyrën e tyre. Kjo jo vetëm
çon në zhgënjimin e popullatës shqiptare, por ka efekt negativ në ekselencën, inteligjencën, trurin dhe ajkën e të
rinjve tanë të diplomuar në fushat e tyre respektive të cilët ka vite që përball
këtij realiteti të dhimbshëm , të
pashpresë, skandaloz, absurd, të pakuptimtë , të trishtë e të hidhur , në dëshpërim total dhe të ofenduar nga politika, shteti dhe
shoqëria vazhdojnë braktisjen e vendit , duke emigruar drejt
shteteve të zhvilluara e moderne perëndimore për një jetë më të mirë. Dhe si për ironi të fatit këto shtete shfrytëzojnë trurin e djemve dhe vajzave tona pa as më të voglën kosto, sepse këtë faturë e ka paguar politika
dhe politikanët tanë dritëshkurtër, të cilët
më parë mendojnë për punësimin
e militantëve e simpatizantëve mediokër e servilë , se sa për njerëzit me profil inteligjent e
profesionalisht të përgatitur, të aftë,
të zotë , kompetent e të
përkushtuar për t’i kontribuar
zhvillimit të qytetarëve shqiptarë dhe mbarë shoqërisë malazeze që ende është në tranzicion .
Box1:
“Personat e përfolur
shqiptarë në komunikimin e
përditshëm dhe në rrjete sociale me
diploma fiktive dhe tituj fiktiv
janë punonjës të administratës publike, funksionarë të
lartë , deputetë, ministra, një klasë politikanësh me integritet të dyshimtë të cilët marrin
vendime për një popull që pret kaq shumë
nga politika”
Box 2:
“Niveli arsimor i këtyre militantëve partiakë (
nderim të tjerëve) , të cilët i ka rehatuar partia në poste me rëndësi
shoqërore, më së mirë vërehet në njohuritë
dhe të shprehurit e gjuhës shqipe
dhe malazeze tejet të kufizuara, për të
mos thënë qesharake, nëse i kemi
parasysh paraqitjet e tyre publike”
Box 3:
“
Ndoshta do të vijë dita kur
shqiptarët dhe të tjerët që
vuajnë shumë nga lavditë e rreme,
sidomos në kohët e sotme, ku këtë fenomen e hasim ngado, do të zbardhen dhe të
përgjigjen para organeve të drejtësisë.
Ndërkaq, analfabetët
funksionalë të partive politike
shqiptare s’duhet të kenë frikë, sepse
diturinë nuk ua merr askush”