Mendime
Enver Bytyçi: Shteti i Kosovës dhe një paralele me Odisenë e Penelopën e Itakës!
E marte, 05.12.2023, 08:54 PM
Shteti i Kosovës dhe një paralele me Odisenë e Penelopën e Itakës!
Nga
Enver Bytyçi
Odiseja
ishte mbreti i Itakës. Ai mori pjesë në Luftën e Trojës dhe sipas legjendës iu
deshën dhjetë vite që të rikthehej në Itakë. Djali i tij, Telemaku, u vu në
kërkim të të atit. Ndërsa e shoqja, Penelopa, e priti deri në fund, pavarësisht
se të gjithë princat e kohës që donin ta zëvendësonin Odisenë, i thonin se i shoqi
kishte vdekur. Në pritje të të shoqit Penelopa ditën bënte sixhade dhe natën e
zhbënte atë.
Pse
po e përmend këtë fakt mitologjik? Sepse shoh një paralele me Kosovën e sotme.
Ndërsa Penelopa e Odisesë punonte ditën dhe zhbënte natën në pritje të të shoqit,
ka disa politikanë në Kosovë, Shqipëri, Maedoninë Veriore, Mal të Zi dhe
Luginën e Preshevës, të cilët bëjnë të njëjtën gjë si Penelopa. Por me një
ndryshim: - Penelopa e bënte prishjen e sixhades natën e në fshehtësi,
politikanët tanë që duket sikur ditën punojnë për Kosovën, në mbrëmje dalin e
thonë se “Kosova si shtet nuk ekziston”, pra është e zhbërë. Nuk ngurojnë që
t’i bien gjoksit!
Deklarata
e Liburn Aliut ishte vetëm njëra prej kësaj që konstatoj. Ka edhe raste të
tjera, kur politikanë në pushtet ose në opozitë dalin dhe thonë se “Shteti i
Kosovës është i përkohshëm”! E tha në vitin 2014 Edi Rama në parlamentin e
Kosovës kur kërkoi një president të përbashkët. E kanë thënë dhe politikanë në
opozitë. E thoshte dhe zoti Berisha në vitin e jubileut të 100 vjetorit të
pavarësisë. Disa e thonë se ndjejnë që duhet të bashkohemi. Disa të tjerë se
duan të përfitojnë kapital politik e elektoral. Dhe një kategori tjetër e
përdorin tezën e bashkimit kombëtar për llogari anti-shqiptare. Megjithatë
dëmin e bëjnë njësoj të gjithë ata që sot artikulojnë bashkimin kombëtar.
Së
pari, asnjë parti politike apo institucion shtetëror, ushtarak, akademik ose
religjioz në hapësirën shqiptare nuk ka hartuar kurrë një strategji kombëtare
të bashkimit kombëtar. Gjithçka thuhet dhe artikulohet sipas mendjeve
individuale për qëllime të caktuara, të ndryshme, nga grupacionet e
lartpërmendura. Ne kemi që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit që flasim për
bashkim kombëtar, për shtet kombëtar të plotë. E ndërkohë kurrë nuk arritëm të
bëhemi bashkë qoftë dhe përkohësisht për të arritur qëllime të përbashkëta
kombëtare.
Gjithmonë
kemi bërë rolin e Penelopës në pritje të Odisesë. Por Odiseja i Penelopës pas
dhjetë vitesh erdhi në Itakë, ndërsa ky bashkimi ynë kombëtar vazhdon të
instrumentilizohet me shume se një shekull, herë në shërbim të politikave
ditore e elektorale e herë tjetër fatkeqësisht edhe në funksion të interesave
të Serbisë. Imagjino sa punë prishin këta patriotë të folklorit gati 150
vjeçar!
Kush
i pengoi shqiptarët të shpallnin shtetin e pavarur në kohën e Françesko
Krispit?! Kush i pengoi ata që të mobilizoheshin në vitin 1912 në luftë kundër
pushtimit serb, grek e malazez! Vetëm Shkodra u mbrojt nga forcat e Esat Pashë
Toptanit dhe ato osmane. Ndoshta falë lidhjeve të ngushta të Esatit me turqit.
Pati në vitin 1912 një kryengritje të përgjithshme në Kosovë e madje në gusht
të atij viti ato forca çliruan edhe Shkupin. Po si ndodhi që u shpërndanë e nuk
u rigrupiuan, nuk u riorganizuan për të mbrojtur territoret shqiptare nga
pushtuesit serbë?! Nuk rezistuan gjatë operacionit serb të masakrimit të 25
mijë shqiptarëve?!
Sepse
disa endën vekun ditën e disa të tjerë i hiqnin penjtë natën. E njëjta gjë edhe
sot. Modeli i Penelopës së mitologjisë greke. Nga njëra anë thonë se po bëjnë
çmos për të shtuar njohjet, për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare, për
t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga Serbia. Nga ana tjetër e konsiderojnë
shtetin të përkohshëm. Por këto dy gjëra janë të ndryshme, nuk konvergojnë me
njëra-tjetrën, madje përjashtojnë njëra-tjetrën. Shteti i Kosovës është
investim kombëtar dhe ndërkombëtar. Folkloristët duan ta shumëzojnë me zero
këtë lloj investimi dhe t’i japin shansin Serbisë të përfitojë territore prej
saj.
Si
gjithkush tjetër, edhe unë e di se bashkimi kombëtar i të gjithë shqiptarëve në
një shtet të vetëm do të ishte zgjidhja më e mirë për ne. Por është tjetër
ëndrra dhe tjetër e vërteta e realiteti. E vërteta është se Kosova është shtet
i pavarur. Se ajo ka qëndruar e ndarë nga territoret e Shqipërisë për shumë
kohë, jo vetëm nga viti 1913 e këtej. Me gjithë dëshirën e saj për të qenë
brenda territorit të shtetit shqiptar, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e la
atë nën sovranitetin e Serbisë. Përjetoi një kalvar të papërshkrueshëm
vuajtjesh, persekutimi për shkak të etnisë dhe madje fushata të shumta të
asgjësimit fizik, siç dinë ti bëjnë barbarët serbë të përfshirë në këto
fushata.
Më
në fund bota ktheu sytë nga Kosova. NATO bombardoi Serbinë për ta parandaluar
pikërisht fushatën e saj të spastrimit etnik të shqiptarëve. Doli Rezoluta 1244
e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999 dhe Kosova u vendos nën
protektorat ndërkombëtar. Në atë rezolutë thuhet shprehimisht se Kosova do të
kishte një status të barabartë me serbët dhe malazezët në kuadër të Federatës
së Jugosllavisë. Milo Gjukanoviç e zhbëri atë federatë kur shpalli pavarësinë e
Malit të Zi. Ia dha shansin Kosovës që të mos mbetej republikë në të njëjtën
federatë me Serbinë. Prej kësaj lindi e drejta për pavarësi.
Të
drejtën e Kosovës për shkëputje e argumentuan pas luftës edhe shumë shkencëtare
e studiues të së drejtës ndërkombëtare. Një prej tyre ishte profesori i
universitetit të Këlnit, Georg Brunner, dy herë doktor shkencash. Ai gjatë një
konference ndërkombëtare në vitin 2000, zhvilluar në Gjermani, elaboron
shkencërisht se Kosova mund të shpallë mëvetësinë e saj, pra mund të shkëputet
nga Serbia, porse ajo nuk ka të drejtë të shkëputet nga Serbia dhe ti bashkohet
një vendi tjetër. Sipas tij, “Shqiptarët e Kosovës mund të ushtrojnë të drejtën
e vetëvendosjes për shkëputje dhe për krijimin e shtetit të pavarur”. Por Dr.
Brunner thoshte se shqiptarëve të Kosovës nuk u lind e drejta të bashkohen me
një vend tjetër, (mendohej për Shqipërinë), sepse për këtë do të duhej të binte
dakord jo vetëm Kosova dhe vendi të cilit i bashkohet ajo, por edhe Serbia,
shteti nga i cili ajo shkëputet. (Georg Brunner: Voelkerrecht und
Selbstbestimmungsrecht in Kosovo”. In “Der Kosovo Konflikt:
Ursachen-Verlauf-Perspektiven”, Wieser Verlag Klagenfurt, 2000, faqe 132)
Përmenda
vetëm këtë formulim të profesorit gjerman për të kuptuar se ndërsa pavarësia e
Kosovës është pranuar tashmë prej më shumë se 100 vendeve, bashkimi me
Shqipërinë do të pranohej nga bashkësia ndërkombëtare vetëm nëse për këtë do të
ishte e dakordësuar edhe Serbia. Dmth, pasi Serbia dhe Shqipëria të binin
dakord për ndarjen e Kosovës mes tyre. Edhe për formalizimin e plotë të
shtetësisë së Kosovës po kërkohet një marrëveshje pranuese me Serbinë. Por kjo
në fund të fundit nuk parashikohet në të drejtën ndërkombëtare. Në fund të
fundit bota e civilizuar ka pranuar faktin se Serbia cenoi rëndë sovranitetin e
qytetarëve me kombësi shqiptare dhe ky është shkak i mjaftueshëm për shkëputjen
e Kosovës nga sovraniteti i Serbisë.
Ata
që e quajnë të përkohshëm këtë shtet të krijuar me sakrifica dhe përmes një
procesi kombëtar e ndërkombëtar sigurisht që duan ta shohin bashkimin e trojeve
shqiptare në një shtet të vetëm me Shqipërinë. Por askush prej tyre nuk ka
thënë deri më sot se cili është projekti. Kush do ta realizojë këtë bashkim? Me
çfarë mjetesh e formash? A do të ketë dhe si do të vijë përkrahja
ndërkombëtare? Kusht i domosdoshëm i proceseve të tilla është mos-cenimi i
paqes dhe stabilitetit dhe dakordësia e vendeve fqinjë të rajonit. Si mund të
arrihen këto dy kushte? Aaaaa! Nëse politikanët shpallin në publik slogane e
parulla populiste, atëherë kjo është diçka tjetër, që i shërben politikës
ditore, por jo shtetit, institucioneve dhe interesave tona kombëtare.
Dëshira
e paargumentuar me një projekt, program dhe platformë të qartë e të saktë është
thjesht aventurë. Aventura e deklarime si ajo e Liburn Aliut dëmtojnë dhe nuk
rregullojnë asgjë në interesin tonë kombëtar. Askush nuk ka të drejtë që të
përdorë e keqpërdorë emocionet e qytetarëve për interesa partiake, personale
apo klanore. Pikërisht kjo lloj qasjeje i ka dëmtuar interesat e shtetit
shqiptar që kur ai u themelua e deri në ditët e sotme.
Shteti
dhe kombi janë simbiozë e njëri-tjetrit. Nuk ka komb pa shtet dhe nuk ka shtet
pa komb. Për shkatërrimin e shtetit të Kosovës dhe krijimin e një shteti me
Shqipërinë përdoret fakti se të dy popujt flasin të njëjtën gjuhë. E çka
pastaj? A nuk flasin të njëjtën gjuhë gjermanët, austriakët dhe zviceranët? Por
ama janë tri shtete gjermanike dhe gjermanisht-folëse. Dhe qytetarët e Austrisë
e të Zvicrës nuk quhen gjermanë, por austriakë dhe zviceranë. Çfarë dëmesh ka
patur Gjermania nga kjo? A nuk janë ato tri shtete që qëndrojnë në krah të
njëri-tjetrit? Habitem për çfarë nevojash duhet folur për bashkimin kombëtar,
ndërkohë që këtë bashkim mund ta bëjnë institucionet e të dy vendeve në të
gjitha pikëpamjet, pa ndryshuar kufijtë! Por nuk e bëjnë, se nuk duan ta bëjnë.
E ndërkohë hedhin një gur në pus e turren sa e sa injorantë për ta nxjerrë atë
nga pusi.
Bashkimi
kombëtar është aty. Ai realizohet duke heq barrierat kufitare, doganore dhe
duke unifikuar politikat tatimore e doganore.
Atë që qeveria e Tiranës donte ta bënte me Serbinë, le ta bëjë me
Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Të heqë kontrollet kufitare, doganore,
pengesat e tjera të bashkëpunimit, të krijohet korniza ligjore për punësim të
papenguar, për gjithçka tjetër, njësoj siç veprohet në zonën e BE-së. Kush
është ai që e ndalon këtë të drejtë? Apo politikanët që artikulojnë “bashkimin
kombëtar” artificial duan dekoratën për këtë, duan të shijojnë ndjenjën e
prestigjit dhe meritës për këtë “bashkim”?!
Nëse
bashkimi kombëtar bëhet për egon e disa politikanëve, ai do të dështojë.
Bashkimi vjen natyrshëm. Por në këtë rast Kosova ka nevojë të konfirmohet si
shtet demokratik dhe i së drejtës para opinionit ndërkombëtar dhe kësisoj të
imponohet për tu njohur në kufijtë aktualë. Në vend që të gjitha energjitë të
shkojnë në këtë drejtim, dikush dëshiron të devijojë politikat dhe të
shkatërrojë atë që me shumë sakrifica është ndërtuar.
Ndërkaq
për çdo projekt, madje shumë të thjeshtë, jo më për një projekt si ky,
analizohen rrethanat, kushtet, situata ndërkombëtare, interesat, aktorët,
faktorët, simpatitë dhe antipatitë, deri te çështjet socio-psikologjike. Askush
nuk e ka bërë një studim të tillë. Pavarësisht kësaj shpallen sllogane e
parulla jo racionale e të palogjikë. Pse kështu do të punojmë gjithmonë ne
shqiptarët? Pa asnjë lloj studimi, pa asnjë projekt të detajuar, pa përcaktuar
shkallën e përkrahjes dhe bazën ligjore të së drejtës ndërkombëtare?! Ku
shkojmë kështu si delet pa bari?!
Është
e turpshme sidomos për mendjet akademike dhe politikanët të gënjesh njerëzit e
thjeshtë, qoftë dhe duke u nisur nga qëllimi i mirë. Pa marrë parasysh pasojat
e dëmshme që u krijohen vendit dhe qytetarëve!