Kulturë
Viron Kona: Eh, more Lefter Çipa!
E diele, 03.12.2023, 08:56 PM
Lefter
Çipa dhe Viron Kona, Pilur 1981
Eh,
more Lefter Çipa!
(Këngët
e Lefter Çipës, perla që nuk e humbasin kurrë shkëlqimin)
Shkruan
Viron KONA
Grupi polifonik i Pilurit, një grup yjesh që shkreptijnë pareshtur. Në krye
Leter Çipa, famëmadh. Atje, në lartësinë 800 metra të Pilurit, shpirti dhe
zemra e tij e bukur krijoi këngë ylberiane, teksa shushurimat e lisave
shekullorë dhe valët lozonjare të Jonit i përhapën ato nëpër atdhe e nëpër botë: “Nga kjo baltë e kësaj toke”,
“Këngët e atdheut tim, janë ilaç e janë shërim”, “Naim Shqipëria”,
“Tundu bejkë e bardhë, tundu”, “Zoga
kaçake në male”, “Vito Pëllumbesha”, “Moj unaza gur jeshile”, “Shqipëri flakë
dyfeku”. “Për Kosovën prapë do ngrihem!”, “O shokë vdeksha nga kënga!”,
“Shqipëri pse të qan syri?”, “Zonjë e bukurisë”, “Në të zënça
moj manushaqe!”, “Himarë e
bukur, Himarë!”...
Aso kohe isha thjesht një admirues i
këngës së tij, kurse më pas puna e solli ta kisha mik dhe shokë të afërt, ndaj dhe sot portretin e
Lefterit e kam gjithnjë përpara syve. Më vinte shpesh herë në shtëpi në Vlorë,
edhe në Tiranë, edhe unë i kisha shkuar në shtëpi, në Himarë, por dhe në Pilur
kisha shkuar...Ishim të dy miq e shokë të sinqertë, qanim hallet me njëri -
tjetrin, mbështetnim njëri - tjetrin.
Mbaj mend që më erdhi një herë i
gjithë grupi, në shtëpi, rreth orës 15.00. Mendova se bashkëshortja ime ishte
kthyer nga puna, por jo, ajo ende nuk kishte ardhur, në shtëpi ishte vetëm nëna
ime e moshuar.
Ajo sa i pa në derë, u hodhi duart në
qafë si bijat dhe bijtë e saj.
-Po unë ju njoh vetëm të veshur me
kostume popullore, po ja, syri s`po më gënjen, ti je Ermioni, të njoha, - i tha
nëna duke buzëqeshur. -Na mbushët shtëpinë, gjithë Pilurin kam këtu, - u tha
pastaj dhe nisi t`i gostit miqtë, por kafenë s`po e përgatiste dot, fitilat e
furnelës ishin të lagura dhe s`ndizeshin, teksa duart e nënës dridheshin nga
pleqëria, por edhe nga emocioni. I kishin ardhur miq e mikesha të shquara, ato
vajza dhe gra, ata djem dhe ata burra që i shihte vazhdimisht në televizor të
veshur me kostumet popullore të Pilurit e që këndonin aq bukur sa të ngrinin
peshë e të drithëronin shpirtin. U ngrit Ermioni, pilurjotja e famshme me zë
brilant. Ajo e bëri kafenë dhe e shijuam aq shumë duke bashkëbiseduar si miq të
vërtetë që ishim...Më pas, nëna më thoshte gjithmonë, mua dhe të tjerëve që na
vinin vizitë: “S`më ka shijuar ndonjëherë tjetër kafeja dhe muhabeti sa atë
ditë...”
Pa shqetësim nuk kaloi ajo vizitë.
Pasi unë e përcolla grupin dhe u ktheva në shtëpi, ime shoqe sapo u kthye nga
puna. Ajo ishte shumë e zemëruar përse nuk e kisha lajmëruar që ta priste edhe
ajo grupin e Pilurit. “Na mbajtën në mbledhje për planet ata të drejtorisë,
uf, çdo ditë mbledhje, i gjeti një
punë...! Po ti pse nuk më lajmërove?”
-Po s`kisha sesi të lajmëroja, ata
erdhën krejt papritur...
-Të gjeje mënyrën të më lajmëroje, -
vijoi ajo me ton kritik. Ai ton kritik vazhdon edhe sot. Por unë e qetësoj dhe
e sjellë në humor duke vënë në laptop këngën: “Bejke e bardhë borë e malit,/ti je moj ilaçi çobanit...”.
Bashkëshortja ime është nga fshati
Kosinë i Përmetit, që i bie të jetë vetëm disa kilometra larg në vijë ajrore me Frashërin...Dhe ajo ka të
drejtë kur kërkon edhe këngën “Bilbil i vendeve të mia”, ku flitet për
Naimin, të cilin poeti Çipa e quan “Naim Shqipëria” "...Gjuh` e zogjve
nëpër djepe, /zgjove kombin, dritë derdhe, /bilbil i vendeve t` mia, /bilbil-o,
bilbil-o, bilbil-o, /more Naim Shqipëria...”
V. Kona dhe një
pjesë e grupit të Pilurit(Pilur, 1981)
Mbaj mend që, përpara festivalit të
Gjirokastrës ai e bëri të njohur atë këngë aty, te Pallati i Kulturës në Vlorë.
Pranë i rrinte mjeshtri i madh, i paharruari
Haxhi Dalipi. Lefteri kërkonte diçka më shumë te vetja dhe te grupi. E
ndjente thellë ç`do të thoshte ajo këngë, ishin dy emra të mëdhenj: Shqipëria
dhe Naimi.
-Si thoni, e provojmë edhe një herë?
- i drejtohej ai grupit. Ata e shihnin në sy dhe ia nisnin. Përsëri, përsëri,
edhe një herë tjetër! Po, tani po, kështu do t`i këndojmë Naimit atje në
Gjirokastër, do t`i këndojmë Shqipërisë për të cilën ai u shkri si qiri..
Tekstet e këngëve të Lefterit dhe
melodia janë në zemrat dhe buzët e këngëtarëve, jo vetëm piluriotë dhe himarjotë,
por të të gjithë shqiptarëve. Sepse edhe të duash t`i harrosh, nuk i harron
dot; edhe sikur të duash t`i heqësh nga mendja, nuk i heq dot; edhe sikur të
duash t`i redaktosh, s`ke çfarë t`u redaktosh, sepse ato janë unike në formë,
në përmbajtje, në ritëm, plot bukuri, ndjenjë e figuracion. Ja, e harrojmë dot
“Bejkën e bardhë”? E harrojmë dot “O shokë vdeksha nga kënga”!.. Në Labëri jo
se jo, se të gjithë dinë t`i këndojnë ato këngë, por unë them se në të gjithë
Shqipërinë, sot edhe nëpër botë, se shqiptarët janë shpërndarë si zogjtë
shtegtarë nëpër botë dhe kanë mall për jetën dhe njerëzit, për gurët, për fijet
e barit, për krojet, për dallgët e Jonit dhe Adriatikut, për fushat, kodrat,
malet e Korabit e Tomorit..., për erën e
manushaqes dhe trëndafilave, për bukurinë
e lulëkuqeve në fusha, për stanet, për zilet e këmborët, për blegërimat
e kecave dhe qengjave, për cicërimat e zogjve...; kanë mall edhe për këngët..
Ato burojnë nga kjo tokë, nga ky atdhe, nga këta njerëz me histori të lashtë sa
veta jeta njerëzore...Aty me ta është edhe Lefteri me grupin piluriot brilant, me ato këngë që krijoi ai i
thërret lashtësisë dhe genit shqiptar, heronjve dhe dëshmorëve, vlerave
tradicionale e jetësore, gjuhës, folklorit, shpirtit dhe zemrave të sotme
shqiptare, të ardhmes; ato janë si dallgët e Jonit, janë si erërat e Pilurit që
lulëzojnë gjelbërimin dhe ngjyrat e pranverës piluriote, ato janë si fllade
ndjenjash për shpirtrat dhe zemrat e njerëzve, ato sjellin gëzim, begati e
bukuri, zgjojnë trimëri e krenari, ngrenë peshë zemrat e fëmijëve dhe të
rinisë, prezantojnë historinë e trevave legjendare shqiptare. A nuk thoshte
Sami Frashëri se: “Banorët e Labërisë dhe tërë Shqipërisë, kanë prirje dhe
aftësi natyrore për poezi e këngë...”
Kujtoj një herë kur kam shkuar aso
kohe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”,Tiranë për një librin tim, dëgjova
disa nga punonjësit e shtëpisë botuese që recitonin në korridore apo nëpër
shkallë vargje të Lefterit nga poezia e
tij “Preji ato gërsheta”!:” ...Kur kalon në vreshta, /vreshtat plot lastarë,
/me ato gërsheta, / shkoq rrushin e parë,/...Të kam thënë preji, /se i ke të
gjata, /po s`i preve ngrei, /se vendi ka shkarpa. /Në s`i pret ti vetë, /vij e
t`i presë unë, /se ato gërsheta, /na kanë hapur punë...”
Eh, more Lefter Çipa! Të ka lezet
fjala dhe kënga, të ka lezet shpirti dhe zemra, je një margaritar i çmuar
përherë vezullues në gjerdanin e këngës popullore polifonike...! Nuk harrohesh,
jo! Nga ne jo se jo, por edhe nga brezat, nga të rinjtë dhe fëmijët sot, nga të
tjerët nesër se kënga jote është si rreze dielli, si një yll, që edhe kur nuk
është më, vazhdon të dërgojë në tokë dritën e tij...
Mbaj mend rrugën anës detit nga Jala
në Spile që e kemi bërë në këmbë së bashku me Lefterin. Ecnim dhe bisedonim si
dy miq të mirë. Sa gjëra mbaj mend nga ajo bisedë? Shumë. Ai fliste dhe ndizte
e shuante cigaret, harxhoi vetëm një shkrepëse me të cilën ndezi cigaren e
parë, të tjerat i ndizte me njëra-tjetrën. Flisnim për këngën e bregut, për
traditat shqiptare. Herë –herë hidhte ndonjë gur në formë pllake mbi sipërfaqen
e detit të qetë dhe guri rrëshqiste bukur deri ku e çonte fuqia e hedhjes. E
shikon, si rrëshqet guri? Rrëshqet bukur, por kjo kërkon zotësi e mjeshtëri për
ta hedhur. Kështu dhe kënga, krijoje dhe përpunoje mirë dhe hidhe në ajër, nëse
është e bukur e shpërndan “era”, ku nuk e çon. Por, nëse nuk është e bukur,
humbet në hapësirë. - Pastaj, më shihte
në sy, ndizte cigaren me cigaren që kishte shkuar në fund dhe thoshte:
“-Ne nuk asimilohemi kurrë, sepse kemi rrënjët në shekuj,
kemi fuqinë e këngës...; E pasurojmë grupin me të rinj, vazhdimisht, i
japim freski dhe jetë; Kemi tradita të trashëguara dhe këngëtarë të mëdhenj.
Sigurisht më i madhi është Neço Muko, ne i themi Neço Muko Himarjoti, e ka krijuar ai këngën “Vajza e Valëve” e shumë e shumë të tjera. Ai ngriti një grup që edhe
sot i kujtohet fama. E nisi aktivitetin e tij në Paris. S`ishte vetëm,
ishte me shokë, me Koço Çakallin, Andrea Balën, Panajot Kokaveshin. Me ata
bashkëpunoi edhe Tefta Tashko Koço, Tulla Paleologu...Ndonëse mbylli sytë në
moshë fare të re, vetëm 35 vjeç, Neçoja la një pasuri të madhe dhe hyjnore, la
këngët e zemrës dhe të shpirtit të një populli. Dhe Lefteri i këndon bashkë me
mua disa nga ato vargje, teksa era e detit sikur i përcjellë larg: “Vajzë e valëve,/Zëmra s' ja mban./Mbi një gur anës detit,/Qan e zeza, qan e
mjera, qan e zeza qan./Pret atë që pret,/Dhe një dhembje ndjen./Gjithë bota ven
e vijnë, Por ai nuk vjen e mjera, por ai nuk vjen./...Ju te bukur zogj,/Te ju
kam një shpresë./Ju që çani det e male,/Dua t'u pyes e mjera, dua t'u pyes...”
-Piktori i Popullit, i madhi Skënder Kamberi ka realizuar
një pikturë fantastike kushtuar “Vajzës së valave”, - i them.
-Po, e kam parë edhe unë, një mrekulli është ajo. -E di çfarë, - tha ai pas
disa çastesh, - do të ta tregoj edhe ty, unë kam një
pllakë gramafoni me këngët e Neços të krijuara që në vitin 1924. I kam të
shenjta ato këngë, janë më shumë se margaritarë... Ato e të tjera këngë, janë themelet e polifonisë.
Grupi polifonik i
Pilurit. Lefteri i ulur
Por edhe ne, duke ecur në gjurmët e
tyre kemi këngët tona, kemi grupin me këngëtarë të shquar...
Lefteri m`i numëronte me radhë anëtarët e grupit polifonik të Pilurit, duke
treguar aftësitë dhe talentin e gjithsecilit, edhe të atyre më të vjetër, edhe
të atyre më të rinj: Vasilika Lapa, Katina Muço, Ermioni
Mërkuri, Koço Gjiçali, Arqile Lapa, Sofo Gërdhuqi, Marika (Çipa) Bala, Margarit
Kongjoni, Pavllo Bala, Qirjako Bala, Lene M. Bala, Vangjel Gjiçali, Vasillo
Koka, Miltiadh Gjiçali, Leni L. Mërkuri, Eleni Mërkuri, Vitori Mërkuri, Polo
Çipa, Katina Mërkuri, Athina Muço,
Stavro Mërkuri...(V.K. Ndjesë nëse kam harruar ndonjë tjetër). -Dëgjo, -
vijonte Lefteri,- s`është vetëm Piluri, është Himara me grupin e shkëlqyer me
Dhimitër Varfin, me Katina Belerin...,me poetin Odise Goro; është Qeparoi dhe
Kudhësi, është Vunoi, Iljasi, Dhërmiu, Palasa... Ka shumë këngë i gjithë
bregu. E di ti që në Qeparo, lindi kënga:“Abdyl prishe pasurinë/Një barrë
flori”? E di ti se ishte grupi polifonik i “Vajzave të Dhërmiut”, i cili në vitin
1965 theu zakonin që këngët polifonike të këndoheshin vetëm nga burrat?
Shembulli i tyre u mirëprit, sot vajzat dhe gratë janë këngëtare të shkëlqyera
dhe mbajnë peshë në grupet polifonike të Pilurit, Himarës, Iljasit, Vunoit,
Qeparoit, Kudhësit...E di ti se ishte Nase Beni nga Vunoi ai që krijoi
këngën: ”Kush është lule e Vilajetit,
/që ja ka bota sevdanë”? Por ai
krijoi edhe këngën për pavarësinë, aq të njohur për të gjithë shqiptarët:
”Njëzetë e tetë nëntori, /në këmbë u ngre Shqipëria”. E di se ishte
vunjotasi Gaqe Trola ai që krijoi këngën: “Brenda në Tiranë,/afër një
spitali,/ç’u vra Qemal Stafa,/një trim nga të malit..” Ka shumë gjëra që nuk i dimë, por duke i
studiuar, duke qëndruar pranë popullit i mësojmë ato. Folklori duhet të kultivohet, edhe në shkollë, të mësohet edhe nga
fëmijët... Kënga është pjesë e historisë, historia jonë është shkruar shpesh
herë me këngë; Gjërat ndryshojnë, ndryshon jeta,
zhvillohet. Ndryshon dhe kënga,
zhvillohet, por tabani i saj mbetet. Rrënohen kështjellat dhe kalatë, rrënohen
muret, por gurët ciklopikë të themeleve mbeten, ata tregojnë origjinën tonë
ilire, tregojnë nga kemi ardhur, historinë tonë, ja si themelet e kalasë së
vjetër të Himarës ku po kalojmë tani. Po
kostumet tona, sa të bukura që janë? Do të ngjitemi në fshat dhe do të vishesh
si piluriot, do ngjash bukur, do ta kesh kujtim nga ne. Ato kostume i japin
vlerë, i japin bukuri gjithkujt që i vesh, qoftë vajzë apo djalë, burrë apo
grua, hë si thua? Miqtë e mi janë i gjithë grupi, të vjetër dhe të rinj, të
gjithë i dua njëlloj se unë jam me ata dhe ata janë me mua, gjithnjë”.
E dëgjoja
Lefterin dhe mendoja: Qindra këngë të
krijuara nga ai dhe të kënduara nga grupi polifonik i Pilurit, por dhe nga
grupi i Himarës, nga grupe të tjera polifonike të Vlorës, madje edhe të
rretheve të tjerë të Jugut, por edhe përpunime të këngëve nga kompozitorët më
të shquar shqiptarë: Çesk Zadeja, Tish Daia, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi,
Kujtim Laro.... Kishte shumë miq Lefteri, nuk numërohen, jo vetëm emrat e
shquar të bregut, por dhe nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha trojet
shqiptare, por miqtë më të afërt ishin kompozitorët,
këngëtarët, poetët dhe rapsodët, ishte populli që ia pëlqente dhe ia pëlqen aq
shumë këngët.
Lefteri bashkëpunoi me kompozitorët e njohur të Vlorës: me të paharruarit:
Themistokli Mone (Liun), me Haxhi Dalipin, me këngëtarët e trios së famshme
vlonjate: Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana..., por dhe me Pirro
Cakranin, i cili përveçse këngëtar i njohur, ishte edhe kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve vlonjatë dhe
e respektonte shumë Lefterin. Sa herë vinte Driteroi në Vlorë, Pirroja i
lajmëronte të gjithë krijuesit, edhe Lefterin, që vinte “i ngarkuar” me këngë
nga Piluri. E donte Lefterin Driteroi, ashtu si dhe Petro Markoja e Fatos Arapi
dhe të gjithë ata artistë e krijues të bregut dhe të Shqipërisë... Pak njerëz e
dinë, por Lefter Çipa është autor i teksteve të shumë këngëve të njohura, që
këndonte trioja qytetare vlonjate apo këndohen edhe sot. Kur e mësova për herë
të parë këtë fakt, i thashë si me faj.
-Lefter nuk e kam ditur që je autor i shumë prej këngëve të kënduara nga trioja e famshme vlonjate. Edhe të tjerë
s`e dinë. Disa krijojnë një vjershë dhe e trumbetojnë gjithandej, kurse ti,
autor i kaq shumë teksteve të këngëve më të njohura qytetare vlonjate dhe s`më
ke thënë një fjalë.
-E po, ç`të të them, e vërtetë është...
E dëgjoja Lefterin me nderim. Ndjenja e respektit më dhjetëfishohej
përballë modestisë së tij. Për fat, edhe atëherë ia dinim vlerat, tani ia
njohim akoma më shumë; më shumë do t`ia njohim në të ardhmen.
Lefteri mbetet yll i ndritshëm, emri dhe vepra e tij do të jetojnë. A nuk thoshte ai
vet: “Nuk mungon njeriu kur është shpirti”. 1.
-Filozofët e lashtë mendonin se ka
një shpirt brenda njeriut që mbijeton pas vdekjes dhe nuk vdes kurrë.