Kerko: a
Entela Binjaku: Në 'Vitin e Porumbeskut', kompozitorit rumun të 'Hymnit të Flamurit'
E shtune, 28.10.2023, 06:04 PM
Në “Vitin e Porumbeskut”, kompozitorit rumun të „Hymnit të Flamurit”
Nga
Entela Binjaku
Viti
2023 përkon me 170 vjetorin e lindjes së kompozitorit rumun Çiprian Porumbesku
(Ciprian Porumbescu) dhe me 140 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në shenjë respekti
të veçantë për artistin e shquar, me vendim të qeverisë rumune viti 2023 u
vendos si Viti “Çiprian Porumbesku”. Artdashësit muzikorë në mbarë botën,
njohësit dhe interpretuesit e muzikës së tij e kujtojnë me nderim Porumbeskun
përmes koncerteve e programeve të posaçme. Vitin e kaluar në Tiranë në prag të
festave kombëtare të Shqipërisë dhe të Rumanisë u mbajt koncerti me titull
“Miqësia historike midis dy kulturave” ku një ndër pjesët e interpretuara ishte
edhe “Balada për violinë e orkestër” e kompozitorit Çiprian Porumbesku, e që
sot njihet si vepra që është interpretuar më shumë e shkruar prej tij. Në
muajin shtator të vitit të kaluar në kuadër të forcimit të marrëdhenieve
rumuno-shqiptaro në Tiranë sërish u mbajt një aktivitet kulturor, që kishte në
qendër figurën e kompozitorit rumun të himnit kombëtar shqiptar. E pranishme në
aktivitet pasardhësja në tri breza e Porumbeskut znj. Stanka Sholz Çionka
shpjegoi ndër të tjera kontributin që stërgjyshi i saj kishte dhënë në fushën e
muzikës. “U mahnita kur dëgjova nga kolegët se një ndër universitetet e
Japonisë në seksionin e muzikës, një nga pjesët e detyrueshme për ata që
ndjekin mësimin e violinës është balada e Çiprian Porumbeskut. Në të gjitha
vendet e banuara nga rumunët muzika e tij edhe sot është shumë e dëgjuar dhe e
pëlqyer”, u shpreh ajo para publikut në kryeqytet. Të dyja këto takime të
mbajtura në prani të Ambasadorit të Rumanisë në Tiranë, z. Oktavian
Sherban, i cili në fjalët që ju drejtonte publikut nënvizonte rëndësinë e
zgjerimit të marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve. Lidhjet kulturore
rumuno-shqiptare datojnë prej shekujsh dhe mbështeten në fakte me rëndësi
historike. Një ndër këto lidhet me emrin e kompozitorit të himnit tonë
kombëtar. Që në vitet e para në formimin shkollor mësojmë se vargjet
Hymnit i ka shkruar Asdreni dhe muzika është e Çiprian Porumbeskut. Vetë
Asdreni ka jetuar gjatë në Rumani e ka ndërruar jetë në Bukuresht në vitin 1947
vend nga ku mbështeste lëvizjen kombëtare shqiptare. Por himni i ka rrënjët në
vitin 1879 kur muzikanti i ri Ciprian Golembiovski e që më vonë u njoh si
Çiprian Porumbesku shkoi të studiojë në Vjenë. Falë një burse ai vazhdoi
studimet për muzikë (në 1879 – 1881), „Konservatorium für Musik und
darstellende Kunst” në Vjenë ku mori mesime nga Anton Bruckner dhe Franz Krenn.
Në vitin 1880 doli në treg koleksioni me 20 këngë dhe pjese për kor që u sollën
në nje “Përmbledhje këngësh sociale për studentët rumunë”. Në këtë përmbledhje
gjenden edhe pjesa me titull “Himni i Bashkimit- Në flamurin tonë” apo edhe
“Kënga e Tringjyrëshit”. Në këtë vit ai kompozoi pjesën me titull “Himni
i Bashkimit”, mbështetur në vargjet e Andrei Bërseanut e që sot njihet me
titullin: “Në flamurin tonë është shkruar Bashkim” por që më vonë u bë Himni i
Republikës së Shqipërisë. Në vitin 1880, i kthyer në vendlindjen e tij në
Shtupkë kompozoi të famshmen “Baladën për violinë dhe orkester”. Në të njëjtin
vit, Porumbesku shkroi vargjet dhe kompozoi “Këngën e tringjyrëshit”, pjesë që
deri në vitin 1977 ishte Himni kombëtar i Rumanisë. Në vitin 1881, jetoi e
punoi për një pjesë kohe në qytetin e Brashovës. Më 11 mars 1882, në
sallën festive të Liceut Rumun të Brashovës u dha premiera e operetës “Crai
Nou”. Sot ky lice ku ai punoi si mesues muzike mban emrin Kolegji Kombëtar
“Andrei Shaguna”. Andrei Shaguna është një figurë e shquar në Rumaninë e
kohës me rrënjë e prejardhje nga Grabova e Sipërme që edhe sot e kësaj
dite gëzon respekt e prestigj. Violinisti, kompozitori dhe teologu Porumbesku
lindi më 14 tetor 1853, në komunën Shipot të Sucavës. Ai ishte fëmija i dytë i
çiftit Irakli dhe Emilia Golembiovski me origjinë polake. Në 1881, familja e
tij ndryshoi mbiemrin në Porumbesku, pasi e kishte përdorur më parë si
pseudonim. Mësimet e para muzikore i mori nga një muzikant i njohur që gjatë
verës vinte në fshatin e tij për të mbledhur materiale nga folklori dhe
qëndronte ne familjen Golembiovski-Porumbesku. Ai njihet si themeluesi i
operetës së parë rumune dhe ndër kompozitorët më të njohur të kohës së tij. Sot
në mbarë botën luhen veprat e tij të njohura si: „Crai Nou”, „Balada për
violinë dhe orchestër” op.29, “Në flamurin tonë është shkruar Bashkim” mbi
notat e të cilit është vendosur sot Himni Kombëtar i Shqipërisë apo edhe
pjesa e ish himnit rumun „Tri ngjyrat” etj. Klima e ashpër dhe tejlodhja e
rendonin shëndetin e tij të sëmurë nga tuberkulozi, pavarësisht se shkoi të
kurohej në Itali ai nuk arriti t´ja dalë së keqes e më 6 qershor 1883,
Porumbesku ndërroi jetë. Ishte ende pa mbushur 30 vjeç, kur u shua në krahët e
së motrës dhe nën sytë e pikëlluar të të atit. Para se të vdiste, i shprehu te
motres edhe dëshirën e fundit: “Mos e lini muzikën time të vdesë”.
Dëshira e Porumbeskut që gjendet në strofën e fundit të “Këngës së
tringjyrëshit” është sot një dëshirë e plotësuar: Në kryq mbi vendprehjen e
artistit patriot ndodhen ngjyrat e flamurit rumun dhe vargjet: “Dhe kur, o
vëllezër, do të largohem, Prej jush, dhe do të vdes, Mbi varr atëherë të më
vendosni, Krenarin Tringjyrëshin tonë”.