Speciale » Namani
Qazim Namani & Faik Sahiti: Familja shqiptare nga Leskoci që gjatë Luftës së Dytë Botërore e strehoi hebreun Ahim Kohen
E shtune, 14.10.2023, 07:59 PM
Dr. Sc. Qazim Namani
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e
Monumenteve, IKMM, Prishtinë
Dr. Sc. Faik Sahiti
Gjimnazi
“Zenel Hajdini” Gjilan
faiksahiti@yahoo.com
Abstrakt:
Në ketë punim trajtohet gjendja e
popullatës hebraike në qytetin e Nishit e Leskocit gjatë Luftës së Dytë Botërore,
roli dhe kontributi i shqiptarëve, ndjeshmëria e humaniteti, ndërlidhja e fatit
të tyre, nga spastrime e gjenocidi serb, me përjetimet që kishin hebrenjtë në
Luftën e Dytë Botërore. Në këtë kohë të fushatës kundër hebrenjve, familje
shqiptare nga Leskoci, rrezikoi shumë për shpëtimin e një të riu hebre.
Pas pushtimit të Leskocit nga forcat
gjermane, aleate besnik të gjermanëve u bë administrata e qeverisë së Nediçit,
formacionet e çetnikëve, të mobilizuara nga Kosta Peçanci, aparati qeverisjes shtetërore,
si dhe popullata serbe në përgjithësi, u mobilizuan në krah të forcave naziste
gjermane për arrestimin e hebrenjve.
Popullata shqiptare që mbeti brenda kufijve
të shtetit të Nedicit, duke e respektuar traditën dhe besën, ndjenjat e
përjetimeve të ngjashme në vazhdimësi nga politika shtypëse serbe, si dhe me urdhrin
e Xhafer Devës, u vu në shërbim të shpëtimit të hebrenjve të përndjekur nga
ushtria gjermane dhe formacionet e çetnikëve.
Ahim Kohen ishte një i ri hebre i cili,
gjatë kohës së arrestimeve dhe pushkatimit të hebrenjve në qytetin e Leskocit u
strehua në familjen shqiptare të Sadik Mehmetit nga fshati Novosellë.
Ahimi edhe pse ishte i sapo martuar me
një vajzë serbe, dhe axha i kësaj vajze ishte në pozita të larta ushtarake,
besimin për të shpëtuar nga ndjekjet e gjeti, pikërisht aty ku shpresonte te familja
shqiptare.
Sadiku për ta shpëtuar të riun hebre,
me sfida të mëdha, e dërgojë në shtëpinë e tij, dhe pas një kohe e organizoj,
depërtimin e këtij të riu në zonën italiane, në kufirin italo-bullgar.
Ky është një shembull për të treguar humanitetin, dhe virtytet e larta që treguan shqiptarët, për shpëtimin e hebrenjve.
Fjalë Kyçe: Lufta e
Dytë Botërore, Sadik Mehmeti, Ahim Kohen, hebrenjtë, shqiptarët, gjermanët, antisemitizëm,
serbët, kufiri, italianët, bullgarët.
Familja shqiptare nga Leskoci që gjatë
Luftës së Dytë Botërore e strehoi hebreun Ahim Kohen
Historik i shkurtër për qytetin e Leskocit
Vendbanim me gjurmë nga parahistoria,
resurse nëntokësore me hapësirat e luginave të begata, ndikuan që nga një
vendbanim i hershëm të shndërrohet në qytet të zhvilluar që nga periudha e
sundimit romak në iliri (shekulli I era jonë). Gjetjet arkeologjike në kodrën e
Hisarit, e vendosur në buzë të luginës së Leskocit, ndërmjet lumenjve
Jabllanicë dhe Veternicë, kanë dëshmuar një vazhdueshmëri banimi
nga epoka e bronzit deri në shekullin e 19-të. Hisari shërbeu si vendbanim
i fortifikuar për shumë shekuj, ashtu si pllaja përreth tij. Gjetje të tjera
arkeologjike të lidhura me ilirët, trakët, dakët, romakët dhe keltët ndodhen
kudo brenda rrethinave të Leskocit.
Pozicioni me rëndësi gjeostrategjike, nyje
rrugore që mundësonin dalje në Adriatik, Mesdhe, Egje e Marmara, ishin atribute
që këtij qyteti të mos i ulej vlera në asnjë periudhë historike. Pikëmbështetje
e fuqishme e perandorit dardan Justinianit, e perandorëve tjerë bizantinë,
ashtu si do bëhet pjesë e planeve të para të pushtimeve osmane më 1454 janë
dëshmi të tjera për zhvillim në vazhdimësi. Qyteti sipas dëshmive të udhëpërshkruesve
ishte i banuar me shumicë nga shqiptarët (deri në fund të dekadës së tetë të
shekullit XIX), konkretisht deri në spastrimin etnik serb ndaj shqiptarëve më
1877/78.
Pas rënies së Plevnës
dhe marshimit të ushtrisë ruse drejt Stambollit, forcat serbe depërtuan drejt
Kosovës dhe arritën në Gjilan (janar 1878). Ushtria Malazeze okupoi Tivarin,
Ulqinin dhe arriti deri në lumin Buna. Ushtria serbe dhe malazeze ushtruan
terror ndaj shqiptarëve të viseve të okupuara. Andaj për të ndryshuar
strukturën etnike të këtyre viseve gjatë dimrit 1877 – 1878, u dëbuan dhunshëm
rreth 150.000 banorë nga 640 vendbanime nga sanxhaku i Nishit.
Luftërat ndërmjet
forcave serbe dhe osmane zhvillohen kryesisht në viset e sanxhakut të Nishit,
sidomos në pjesën jugperëndimore, që ishin të banuara me shumicë shqiptare (ku
shtrihej Toplica, Pusta Reka, Jabllanica, viseve tjera të rrethinave të
Leskocit, të Vrajës si dhe në qendra të tjera të sanxhakut në fjalë).
Situatë e njëjtë terrori e diskriminimi
ndaj shqiptarëve mbizotëron edhe në periudhat tjera, para dhe gjatë Luftës së
Parë Botërore. Atyre u mohohej liria e qarkullimit dhe e drejta e të shprehurit
lirisht, ata nuk gëzonin të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare në jetën
publike, as në shkollë, nuk lejohej veprimtaria për ngritjen e individualitetit
kombëtar, as veprimtaria botuese në gjuhën shqipe. Kjo politikë
shkombëtarizuese dhe shfarosëse ndaj popullit shqiptar vazhdoi gjatë 23 vjetëve
të Mbretërisë Jugosllave. Madje zyrtarët serb pohonin hapur: “shqiptarët duhet
të mbeten të gjithë të prapambetur, të pa emancipuar; ata nuk duhet të mësojnë
as gjuhën zyrtare (serbishten), sepse kjo mund t’u ndihmojë në luftë kundër
nesh. Është në interesin tonë që ata të mbeten edhe për nja njëzet vjet të
tjera në të njëjtin nivel kulturor, kohë e nevojshme për ne që të realizojmë
asimilimin e tyre kombëtar në këto zona”[1].
Sipas projektit të Vasa Çubrilloviqit, për zgjidhjen e “çështjes së arnautëve”
duhet të përdoret forca brutale nga pushteti, dhe propozoheshin masa të tilla
dhune, pos fizike edhe psikologjike. Pra shqiptarët ndonëse ishin të rrezikuar
në masë ekstreme nga pushteti, gjejnë forma ndonëse nën masa shtetrrethimi të bandave
çetnike të përziera me partizanë, të mos mbeten jashtë traditave dhe humanitet.
Gjatë viteve 1939-1940
organizata fashiste serbe “Zbor”
që e drejtonte Lotici dhe
përkrahej nga një pjesë e klerit serb i bëri listat për likuidimin e hebrenjve.
Në vitin 1941 kjo organizatë e qarqeve gjermane ju dorëzoi listën e të gjithë
hebrenjve që jetonin në Kosovë.[2]
Gjatë kapitullimit të Jugosllavisë në
muajin prill të vitit 1941, Leskovci u pushtua nga gjermanët më 12 prill 1941.
Në këtë periudhë qyteti udhëhiqej nga administrata e Nediqit. Në dhjetor të
vitit 1941, në Leskoc u pushkatuan 310 qytetar të pafajshëm, në mesin e tyre 6
hebrenj. Ushtria gjermane u tërhoq nga Leskoci me 11 tetor të vitit 1944.[3]
Nga burimet e shkruara mësojmë se
Johann georg Von Hahn, gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Leskocit, veprën e tij madhore në tri vëllime "Albanesische Studien" (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854, shkruan se në këtë qytet kishte 10 shtëpi hebraike.[4]
Mita Rakici, shkruan se gjatë kohës së
luftës 1877/78, Leskoci kishte 29 shtëpi hebraike, me 157 banorë, prej tyre 75
meshkuj dhe 82 të gjinisë femërore. Sipas regjistrimit të vitit 1879, në Leskoci jetonin 167 hebrenj, prej tyre 79
ishin meshkuj dhe 88 femra.[5]
Philip Cohen në librin e tij “Lufta
sekrete e Serbisë, propaganda dhe falsifikimi i historisë” dokumenton pastrimin
e të gjithë hebrenjve nga bashkëpunëtorët nazist të Serbisë, i cili shkruan se
ishte kryetar i qeverisë së Serbisë gjenerali Milan Nedici i cili mburrej se
Beogradi është kryeqyteti i parë evropian i pastruar nga hebrenjtë.[6]
Vojvoda Kosta Peçanci, nën patronimin e
gjermaneve shkoi në Beograd, dhe e formoi shtabin e aradheve çetnike.[7]
Të gjithë komandantët gjerman me urdhër
të Komandës së Lartë 65, u informuan për gatishmërinë e Kosta Peçancit, dhe
çetnikëve të tij, se do ta pastrojnë territorin e kësaj zone prej komunistëve
dhe kundërshtarëve tjerë të ushtrisë gjermane.[8]
Kosta Peçanci e pranoj detyrën, se do
ti pastroj territoret prej Leskoci, Luginës së Ibrit, Kralevës, Rashkës dhe
Raçës. Për këtë çështje më 17 shtator 1941, u informua edhe Shtabi i ushtrisë
gjermane, Divizionit të Kosovës 717-të.[9]
Ndjenjat patriotike shqiptare, dashuria
për atdheun, bashkimi kombëtar, jo vetëm që nuk u përfillën nga askush, për më
tepër strukturat e PKJ - së i konsideruan si qëndrime “shqiptaro mëdha”. Nën
presionin e fuqishëm të qarqeve serbe, çështja e Kosovës u mbyll në mënyrë të
panatyrshme[10], me
dhunë, përndjekje, burgosje e gjenocid nga fushatat e forcave çetnike[11]
të konvertuara në partizanë.
Kosta Peçanci dhe çetnikët e tij, duke
qenë të pakënaqur, me administratën e Acimovicit, ata e formuan qeverinë
kuislinge në krye më gjeneral Milan Nedicin, të cilit ju besua detyra, që të
punoj me forcat e armatosura gjermane, për likuidimin e partizanëve,
kundërshtarëve tjerë, dhe vendosjes së
pushtetit të rregullt.[12]
Vojvoda Mashan Gjurovici, në një nga
letrat që ja kishte dërguar Kosta Pecancit, lavdërohej se si i kishte depërtuar
në kampin e qëndrimit në qytetin e Nishit, një grup prej 28 partizanësh. Milan
Nedici në fillim të vitit 1942, e gradoi vojvodën Mashan Gjurovicin, duke i
dhënë edhe gradën e kapitenit të klasit të dytë.[13]Nga
këto burime tani më bëhet e qartë se të gjithë hebrenjtë e zonës së Nishit, Prokuples,
Kushumlisë e Leskocit, të cilët u kapën nga grupet çetnike, u dërguan në kampin
e Nishit e më pas në kampin e Sajmishtës, në Beograd.
Duke e parë se mbrojtja e hebrenjve
ishte e vështirë një familje serbe që jetonte në Lëskoc, e strehoi dhëndrin e
tij te një familje shqiptare që neë ato vite jetonte në Leskoc.
Në prill të vitit 1941, në Leskovc u
krijua Komanda Rajonale, në varësi të Komandës Fushore 809, dhe një degë e
BdSa-së funksionon që nga vera e këtij viti.
Si kudo, forcat gjermane, edhe pse
kishin pushtet absolut ushtarak dhe civil, mbështeteshin te kuislingët,
kryesisht në degën lokale të Policisë Speciale, xhandarmërinë, forcat e Loticit,
formacionet e çetnikëve, dhe anëtarët e aparatit administrativ. Në zonën e
Leskocit. mjaft aktiv ishin edhe vullnetarët e Kosta Peçanacit.[14]
Kosta Peçanci, rajonin e qytetit të
Leskocit e njihte, mjaftë mirë, sepse ky kishte një përvojë të gjatë, të
veprimeve në ato anë, që me çetën e tij, veproi për spastrimin e territorit dhe
vrasjen e popullatës shqiptare, edhe para Luftës së Parë Botërore. Veprimet e
tij barbare kundër popullatës shqiptare, por edhe komuniteteve tjera, nuk
pushuan kurrë për tre dekada rresht.
Në fillim forcat e Nedicit dhe organizata
e çetnikëve të Kosta Pecancit, filluan arrestimet dhe identifikimin e lagjeve të
romëve dhe hebrenjve në qytet. Pas qetësimit të situatës, të paktën
përkohësisht, më 9 dhjetor 1941, xhandarët bllokuan sërish lagjet e romëve,
këtë herë Vinarcën dhe Peçenjevcin. Së bashku me gjermanët, ata kapën burra dhe
i futën me forcë në kamionë. Të nesërmen, të gjithë u pushkatuan në vendin e
quajtur Gavrina dolina, në malin Hisar, afër Leskovcit. Gjithsej 293 romë u
vranë, së bashku me 11 serbë dhe 6 hebrenj.[15]
Në
vitin 1942, pasi kampi u shpërtheu, gjermanët vranë të gjithë hebrenjtë e
Nishit, mes tyre edhe hebrenj nga qytetet përreth, në periudhën ndërmjet 17 dhe
19 shkurtit në kodrën Bubanj. Asnjë nga ata që u arrestuan dhe u sollën në kamp
nuk e pa fundin e luftës.[16]
Nga
veprimet e formacioneve çetnike të Kosta Pecancit, Mashan Gjurovicit,
administratës ushtarake të Nedicit dhe ushtrisë gjermane, hebrenjtë e arrestuar
në Kushumli, Prokuple, Pirot, Leskoc, Vrajë, i dërguan në kampin e qytetit të
Nishit. Në këtë kamp, u sollën edhe hebrenjtë të cilët arrestoheshin, në
përpjekje për tu larguar drejt vendeve të lindjes. Duke e parë rrezikun dhe
fushatën e arrestimeve dhe vrasjeve në Greqi, e sidomos në qytetin e Selanikut,
për hebrenjtë e vetmja rrugë me e sigurt ishte depërtimi në drejtim të tokave
shqiptare në Malësinë e Galabit.
Foto1. Simbolin që e
bartnin hebrenjtë në kampin e Nishit, Foto 2. Kampi i përqendrimit në Nish, në
të cilin prej vitit 1941 e deri në vitin 1945 kaluan rreth 30000 të burgosur
Hebrenjtë
e Nishit ishin ndër të parët që u vendosën në një ndërtesë kampi në kushte
jashtëzakonisht çnjerëzore. Ata u burgosën edhe në kampin " Kryqit të
kuq" në Nish, u vranë në kodrën e Bubanjit ose u transferuan në kampin e
Sajmishtës ku u mbytën me gaz.[17]
Kampi
i Nishit u hap në shtator të vitit 1941 dhe prej atëherë deri më 14 shtator
1944 kaluan rreth 30.000 njerëz. Ata konsideroheshin qytetarë të respektuar,
ndër të cilët kishte mjekë, tregtarë dhe artistë të shquar, dhe fillimi i luftës
u prit nga rreth 400 hebrenj në Nish.[18]
Kontributi i
shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve që vinin nga Sanxhaku i Nishit
Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin
e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore është vlerë kombëtare që duhet
kultivuar.
Sipas rrëfimeve të Ruzhdi Behlulit
(1940), baba i tij Sadik Sadiku (1902-1996) i lindur në fshatin Novosellë,
komuna e Bujanocit, është njëri nderë shqiptarët që bëri shumë, për shpëtimin e
një të riu hebre.
Fshati Novosellë dikur i banuar me popullatë shqiptare, kufizohet me
fshatin Terstenë, i cili është i banuar me popullatë serbe, dhe me fshatrat
tjera të banuara me popullatë shqiptare si : Suharna, Zarbinca, Priboci, Qarri,
Ramabuça, Gjergjeci dhe Muhoci.
Sadiku,
gjatë vitit 1941 në qytetin e Vrajës, e takon një serb të cilin e kishte
njohur më parë. Serbi kishte një hallë në familjen e tij, andaj kërkoi nga
Sadiku që ta merr në strehim dhëndrin e tij hebre, pasi që ishte i rrezikuar
nga vet serbët, të cikët bënin çmos, që ti dorëzonin hebrenjtë te ushtarët
gjerman.
Sadiku e mori në besë hebreun e ri, dhe
e dërgoi në shtëpinë e tij, duke e mbajtur në fshehtësi, nga fshatarët tjerë
dhe të fqinjëve të tij.
Hebreu ishte rreth 20 vjeçar, dhe sa po
ishte martuar, me një të re serbe nga Leskoci. Sadiku për ta ruajtur me besnikëri,
hebreun e ri të quajtur Ahim Kohen ia ndërroi emrin dhe e quante Mehmet. Sa
qëndroi në shtëpinë e Sadikut, hebreu i ri filloj të flinte me tesha veshë, nga
frika që po i zbulohet ari i fshehur në rrobat e tij. Pas një jave duke e vërejtur
këtë gjest të Ahim Kohenit (Mehmetit), Sadiku e pyeti : Pse Mehmet, nuk po i
hekë teshat, kur po donë me fjet. Mehmeti i përgjigjet, po ja kështu e kam vetë
shprehi, të flejë me tesha veshë. Sadiku tani e kishte kuptuar se hebreu i ri,
tërë trupin e kishte të veshur me arë, dhe prapë i kërkoi që të lirohet të flejë
i qetë dhe pa frikë. Sadiku afrohet duke i thënë: Mehmet liroju flejë lirshëm
se më parë e mbyti djalin tim, se sa të mbys ty, unë ty të kam marrë në besë
dhe mbrojtje, andaj aspak mos u friko.
Hebreu qëndroi më shumë se një muaj, në
shtëpinë e Sadikut, por nga frika se po e zbulojnë hebreu kërkonte, që ti ndërrohet
vendi dhe të dërgohet në Shqipëri.
Sadiku e kishte pas mik Shefki Bunjakun
nga Desivojca, e të cilit i tregoi rastin e hebreut të ri, duke kërkuar
mendimin e tij, për të gjetur rrugën më të sigurt, për ta dërguar hebreun në Shqipëri.
Shefkiu, i kishte thënë Sadikut, se nëse
e kalon hebreun këndej Gurit të Pribocit atëherë edhe mundë të bëhet ndonjë
zgjedhje.
Guri i Pribocit në atë kohë, ishte bërë
pikë kufitare, në mes Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Sadiku për ta realizuar me sukses qëllimin
e tij, e kishte pjekur një pulë, dhe e kishte veshur hebreun e ri me një tërlik
(mantel) të grave. Kur Sadiku me hebreun e ri te veshur në rroba të grave
shqiptare, afrohet në kufirin bullgar-shqiptar, ushtarët bullgar i ndalën,
dhe e pyeten Sadikun, se ku donë të
shkoi. Sadiku ju thotë ushtarëve bullgar, se po shkon me grua te miqtë e tij,
dhe ja ofron ushtarit bullgar pulën e pjekur. Ushtari bullgar e liroi Sadikun,
që ta kaloi kufirin me hebreun e ri të maskuar në tesha të grave.
Foto të Ahim Kohenit me gruan e tij serbe
Sadiku së bashku me hebreun e ri
shkojnë te Shefkiu, dhe së bashku e sjellin hebreun në Gjilan. Pas arritjes së
tyre në Gjilan, ata kërkojnë të gjejnë lidhje në qytetin e Gjakovës. Pasi i
sigurojnë lidhjet përmes Gjakovës, e dërgojnë hebreun në qytetin e Vlorës në
Shqipëri. Hebreu në qytetin e Vlorës qëndron afër tre vite, dhe nga Vlora,
arrin që të shkoi në Amerikë. Pas vendosjes së tij në Amerikë, përmes lidhjeve
tjera, arrin që edhe gruan e tij serbe,
që e kishte lënë në Leskoc ta sjellë në Amerikë.
Foto të Ahim Kohenit dhe familjes së tij
Pas Luftës së Dytë Botërore, Sadiku në qytetin e Vrajës së bashku me vëllanë
e tij dhe djalin Ruzhdiun kishin filluar të punonin dhe e mbanin
një ëmbëltore.
Në vitin 1956, hebreu me gruan e tij
serbe, vejnë nga Amerika në qytetin e Vrajës, ku tani jetonin familja e gruas
së tij, dhe pyet për Sadikun. Hebreun në
ëmbëltoren e Sadikut, e sjellin Dragolubi, babai i gruas së tij, dhe axha i saj
Filipi, që tani pas lufte, ishte bërë kolonel armate në ushtrinë e Jugosllavisë.
Por sa u takuan, hebreu përqafohet ngrohtë
me Sadikun. Sadiku nga ëmbëltorja e merr hebreun, dhe e qon në shtëpinë e tij.
Ata së bashku bisedojnë gjatë, për ato moment të vështira që i kishin kaluar
gjatë luftës.
Në vitin 1981 hebreu, vjen prapë te
miqtë e tij, dhe e viziton Sadikun, në qytetin e Gjilanit, ku tani Sadiku me
familje, kishte filluar jetën në truallin e ri, pas shpërnguljes nga fshati i
lindjes së tij Novosella, në komunën e Bujanocit.
Përfundim:
Kur të analizojmë numrin e hebrenjve të
vrarë nga kolaboracionistet dhe shovinistet e shteteve fqinjë të shqiptarëve,
shqiptarët si popull mundë të krenohen me virtytet e tyre njerëzore dhe morale
për të cilat janë shquar në të gjitha luftërat rajonale.
Kontributi
i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore është
vlerë kombëtare që duhet kultivuar edhe popujt tjerë. Kur të gjithë popujt e
Ballkanit, ishin mobilizuar për arrestimin dhe vrasjen e hebrenjve, shqiptarët
rrezikuan familjet e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Kjo është dëshmuar nga
shumë familje shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maçedoni, Malin e Zi por
edhe familje shqiptare, që gjatë Luftës së Dytë Botërore jetonin në Serbi.
Gjatë kësaj periudhe, shumë familje shqiptare, treguan
virtyte të larta njerëzore, dhe kjo tregohet në shumë raste, kur i strehuan dhe
mbrojtën hebrenj.
Hebrenjtë
nga Serbia dhe Kroacia filluan të zhvendosen në trevat ku jetonin shqiptarët,
ku ndiheshin të trajtuar më mirë prej shqiptarëve. Sido që të ketë ndodhur,
mënyra se si shqiptaret i trajtuan hebrenjtë mbetet e pakrahasueshme me atë
çfarë bënë të tjerët ndaj tyre. Shqiptarët as nuk i dorëzuan listat e hebrenjve
tek gjermanët e as nuk morën pjesë në arrestimin e tyre, por organizuan
depërtimin e tyre në zona të sigurta në shtetin shqiptar.
Siç shihet kontributi i shqiptarëve për
shpëtimin e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është për tu vlerësuar
lartë, që në ato vite të vështira për popullin hebre, ky solidaritet
nuk është parë te popujt tjerë të Evropës.
Tiparet e larta njerëzore dhe humane të shqiptarëve në të
kaluarën i kanë vërejtur edhe shumë udhëpërshkrues, diplomat dhe shkrimtar të
huaj, që patën rastin të qëndrojnë në trevat shqiptare. Po veçojmë thënien e
diplomatit dhe shkrimtarit Charles Telfort Ericson, lindur në vitin 1867 në
llinois, i cili kaloi rreth 30 vite jetë në Shqipëri, dhe i njihte mirë
shqiptarët, ka shkruar:“Nuk ka
popull më shpirtmirë e më të sjellshëm
(gjentil) në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm
burrërie. Janë besnikë ndaj atdheut dhe japin jetën për fjalën e dhënë”.[19]
[1] Hajrullah Koliqi,
Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vep. cit. f. 395.
[2] Hakif
Bajrami, Gazeta, “Koha Ditore”, Koha për kulturë, e shtunë, 20 maj 2006.
[3] https://en.wikipedia.org/ëiki/Leskovac
[4] Dragolub
Trajkovic, Iz Proslosti Leskovca I okoline, Leskovac, 1977, fq.86
[5] Mira
Rakic, Iz nove Serbije, Leskovac, 1987, fq. 77
[6] Nexhat Bushati, Gazeta “Gazeta Shekulli” 23.Qershorë 2006
[7] Aradha Partizane e
Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif Bajrami, Milotin
Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq. 123
[8] Po aty, fq 124
[9] Po aty, fq 124
[10] Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës (shtator
1944 – korrik 1945), Tiranë 1994 f. 52.
[11] Çetnikët ishin pjesëtarë të ushtrisë mbretërore serbe (jugosllave), të udhëhequr nga disa lider si Mashan, Gjurovici, Kosta Pecanci, Drazha Mihajlloviq etj. Në periudhën midis dy luftërave botërore, por veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore këto formacione të çetnikëve, kryen krime e masakra mbi popullsinë jo serbe, por në veçanti ushtruan terror të shfrenuar te shqiptarët.
[12] Po aty, fq 124
[13] Po aty, fq. 411
[14] Hranislav Raki?, Teror i zlo?ini
okupatora i doma?ih izdajnika u Leskova?kom i
Vranjskom kraju 1941-1944, Narodni Muzej Leskovac i me?uopštinski odbor SUBNOR-
a Južnomoravskog regiona, Leskovac, 1986, str. 42.
[15] Po aty,
fq. 36
[16] Po aty,
fq.46
[17] https://www.juznevesti.com/Drushtvo/Dan-secanja-Skoro-celu-zajednicu-Jevreja-u-Nisu-izbrisao-je-Drugi-svetski-rat.sr.html
[18] https://www.juznevesti.com/Drushtvo/Dan-secanja-Skoro-celu-zajednicu-Jevreja-u-Nisu-izbrisao-je-Drugi-svetski-rat.sr.html
[19] https://konica.al/2020/07/