Faleminderit
Feti Tunuzliu: Figura e Hafiz Sabit ef. Zajmit në shtypin librar dhe media
E merkure, 05.07.2023, 06:45 PM
Në 130 vjetorin e lindjes
FIGURA
E HAFIZ SABIT EF. ZAJMIT NË SHTYPIN LIBRAR DHE MEDIA
(5 korrik
1893 – 10 mars 1975)
Nga
Feti TUNUZLIU
I. Shkurtimisht
rreth gjenealogjisë, shkollimit dhe
shërbimit të Hafiz Sabit ef. Zajmit
Hafiz
Sabit ef. Zajmi (në vijim: Sabit Zajmi) rrjedh nga familja Xhevukaj e fisit
Kelmend të fshatit Kuqishtë të Pejës. Njëri ndër paraardhesit e kësaj familjeje
ambientohet në qytetin e Pejës diku
kah fundi i shekullit XVI e fillimi i
shekullit XVII. Duket se, ndonjëri nga paraardhësit e trungut të familjes,
arrijnë në shkallën “Zajmi” që personifikonte këshilltarët e lartë qeveritar në
Perandorinë Osmane. Rrjedhimisht, me
kalimin e kohës, mbiemri Xhevukaj
transformohet në ate Zajmi tek
pasardhësit e farefisit. Babai i Sabit Zajmit, Murat (Jahja) Zajmi, pas
përfundimit të studimeve në Stamboll, në mesin e shekullit XIX, transferohet me punë nga Peja
në Vushtrri ku emrohet drejtor i shkollës laike. Këtu, martohet me Gjyli Qallpanin gjatë së cilës martesë lindin 11
fëmijë, por, jetuan vetëm 4: Sabiti, Avniu Hamdiu dhe Nafija.
Sabit
Zajmi është i lindur më 5 korrik 1893 në
Vushtrri ku edhe mbylli sytë më 10 mars 1975. Në vendlindje gjatë tetë viteve
kreu Medresën e Ultë dhe Medresen e Mesme. Më 1934 iu lëshua diploma (Ixhazet
name) për muderriz nga Haxhi Selim Sami Drejta. Pastaj, në Carigrad (Stamboll)
kaloi provimin e veçantë dhe u lirua nga obligimi ushtarak. Ky sukses ia hapi
dyertë studimeve katër vjeçare në Medresën e Lartë poashtu në Stamboll. Sapo i
kreu studimet, u kthye në vendlindje.
Sabit
Zajmi në Vushtrri shërbeu mualim në Sibjan mekteb, gjyqtar sheriati në Mitrovicë, vaiz, hatib dhe myderriz e së fundi, ishte imam i Xhamisë së Çarshisë,
ndërsa më 1965 u pensionua. Ndryshe, ishte Kryetar i Këshillit të Bashkësisë
Islame në Vushtrri dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Suprem të Bashkësisë
Islame në RFPJ, me seli në Sarajevë.
Pos
gjuhës amtare shqipe ky profil fetar ishte njohës edhe i gjuhëve: arabe,
persishte, turke.
Ndryshe,
fondi librar dhe medial në gjuhën shqipe përkitazi me personalitetin e Sabit
Zajmit vështirë se mund të jetë komplementar pa vlerësuar edhe literaturën e
huaj, posaçërisht ate boshnjake, e në
këtë kontekst, sidomos pa median tradicionale fetare “Gllasnik” të Sarajevës.
Sipas
tyre rezulton se Sabit Zajmi zuri vend
të theksuar në shtypin librar dhe media ndër personalitetet e shquara që ka lënë gjurmë në historinë e Vushtrrisë
dhe përtej arealit të saj në shërbim të
arsimit islam, intelegjencës islame, kulturës islame dhe veprimtarisë
atdhetare.
Në
130 vjetorin e lindjes së Sabit Zajmit le të shohim kalimthi të shpalosur
figurën e tij nëpër disa libra dhe media.
II?Figura e Sabit Zajmit në tekste librare dhe media
Emrin
e Sabit Zajmit e ndeshim nëpër libra tipesh nga më të ndryshëm: historik,
dokumentar, publicistik, monografik e leksikone, varësisht nga këndvështrimi i
qasjes. E në këtë kontekst, përfshihen edhe librat fetar e jo fetar.
Figura
e Sabit Zajmit spikatet edhe nëpër media (gazeta , portale e revista periodike)
fetare e jo fetare.
Në
këtë kontekst, përmendet në shtypin librar dhe media si në gjuhën shqipe ashtu
edhe në ate boshnjake e turke.
II 1.? Figura e Sabit Zajmit në shtypin librar
Vepra “Ferhat Bej Draga, Shembull atdhetarie –
Dokumente të bashkautorëve” nga Jusuf Osmani dhe Asllan Murati (botues Kolegji
AAB në Prishtinë, 2018), në fq. 470, pika 206, këtë personalitet fetar e
përmend në kontekst të përndjekjeve të shqiptarëve nga autoritetet serbe për shkak të
veprimtarisë së tyre kombëtare.
Kështu,
nën titullin: “Bashkëpunëtorët e Ferhat Dragës” bashkautorët Osmani-Murati,
publikojnë një fragment nga origjinali
i Dokumentit të Dosjes 7) 9 B0027, fq.
182-185 të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë. Ky fragment,
ç’është e vërteta, buron nga libri “Kohërat e ashpra në Kosovë e Metohi” të
bashkautorëve Branisllav Bozhoviq e Millorad Vaviq, Beograd, fq. 14-15. Këtu,
pasi specifikohen emrat e përvetshëm të
bashkëpunëtorëve të kryetarit të Xhemjetit (1921) Ferhat Bej Dragës nga trevat e Novi Pazarit, Mitrovicës, etj.,
theksohet se, ndër përkrahësit e këtij personaliteti të shquar shqiptar “kundër
skllavërisë dhe terrorit pushtetar serb
ndaj popullatës shqiptare” radhitet edhe “Hafiz Sabiti”, siç njihej në popull
Sabit Zajmi.
Vepra
e karakterit historik e dokumentar “Mizoritë serbe në Vushtrri dhe rrethinë
(1918-1956)”, të bashkautorëve Fahri S.
Buçinca e Ferid B. Dibrani, (Prishtinë, 2009), shpalos burgosjet dhe privimet
e rënda të lirisë fizike të, persekutimin dhe torturimin e grupeve
qytetarësh vushtrrias në baza etnike dhe
fetare. Kështu, në punimin titulluar “Burgosjet dhe vrasjet e
shqiptarëve në Vushtrri në fillim të vitit 1941”, bashkautorët përshkruajnë një
suprizë tronditëse veç sprova e fatkeqësi shkaktuar nga përfaqësuesit e
ekzaltuar të pushtetit serb teksa qirreshin me eufori për krimet që po kryenin:
“Në
bodrumet e ndërtesave të lartëpërmendura nuk kishte as kushte më minimale për qëndrim. Në to
ishin ngujuar më se 300 qytetarë, në mesin e tyre edhe … Hafëz Sabit Murat Zajmi, … Ushtarët,
xhandarët dhe qytetarët lokal serbë ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë
filluan torturat më çnjerëzore …” (fq.
53).
Leksikoni:
“Hafizët tanë gjatë historisë (shek. XVIII-2010)”, të Dr. Feti Mehdiu,
(Prishtinë, 2010), ofron disa tipare të prekshme të karakterit përparimtar,
atdhetar e fetar të Sabit Zajmit. Këto tipare bien ndesh me politikën
antishqiptare të regjimit serb të kohës dhe serbizimin sistematik të Kosovës.
“Ishte
i përkushtuar në arsimimin dhe edukimin
islam të rinisë së Kosovës.
Mirëpo, qeveria jugosllave e kishte në listën e armiqëve të Jugosllavisë dhe nga organet e sigurimit
për periudhën 1950-56, hfz. Sabitin
duhej shpërngulur për në Anadoll, sepse kishte qëndrim patriotik ndaj shkollës shqipe. Në vitin
1957, i pari filloi me mësim besimin
islam në përputhje me ligjin e
asaj kohe (fq. 297).”
Në
monografinë “Mustafë Venhari, mësues qëndrese” të Tafil Morinës (Prishtinë,
1998), autori, kontekstualizon figurën e Sabit Zajmit në pjesën që ia
dedikon personalitetit të atdhetarit e
intelektualit Hamdi (Hysen) Gashit (1882-1945). Kështu, autori sjell para lexuesit
shqiptarë informatën se i njejti kishte qenë nënprefekt i Vushtrrisë dhe
Skenderajit, major, me Akademi Ushtarake kryer në Romë, i pushkatuar nga
pushteti serbo-jugosllav në vitin 1945 për shkak të luftës së tij patriotike.
Tutje,
pohon se “për punën patriotike të Hamdiut ka qenë veçanërisht i njohur Haxhi
Hafuz Sabit Zajmi”, (fq. 12), ndryshe bashkëvendas i tij.
Në
studimin e shkruar mjeshtërisht “Dervishët, rendet dhe teqet” (Pejë, 1999),
autori Jashar Rexhepagiqi, ngritë lartë ndihmën intelektuale në terren të
ofruar nga Sabit Zajmi.
Me
akribinë e tij hulumtuese prej studiuesi kritik thekson se “të dhëna tepër të
rëndësishme kam marrë nga veprimtarët kulturorë dhe njohësit e historisë së
kësaj fushe të cilët më nuk janë në
jetë, … hafiz Sabit ef. Zajmi” (fq. 8).
Kështu, duke folur për figurën prestigjioze fetare e intelektuale të haxhi ef.
Selim “Sami” Drejtës, Jashar Rexhepagiqi bën të ditur se “nga një dokument
udhëtimi … të cilin ma ka treguar më 24 korrik 1962 Hafiz Sabit efendi Zajmi
shihet se sheh Samiu kishte vizituar …” (fq. 172). Pastaj, shpalos të dhënën se
Sabit Zajmi “dokumentet dhe dorëshkrimet m’i ka treguar dhe shumëçka më ka
kumtuar” (fq. 173).
Në
monografinë “Hasan Prishtina, ndriçim i jetës dhe i veprës”, të autorit Fahri
S. Buçinca (2018, Prishtinë), Sabit
Zajmi listohet në fq. 428, si i intervistuari nën pikën 10.
Takvimi
1437-1438, Kalendar 2016 (Prishtinë, Botim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të
Republikës së Kosovës) përmend Sabit Zajmin në kuadër të shkrimit titulluar:
“Selim “Sami” ef. Drejta (1883-1951) dhe “Hymni i Mevludit” të bashkautorëve
Dr. Nehat Krasniqi – Dr. Sadik Mehmeti.
Mjafton
të shfletosh punimin titulluar “Autori”, ku prezentohet shkollimi,
shërbimi dhe veprimtaria krijuese e Haxhi “Selim” ef. Sami
Drejta, pasi thuhet se “ndër nxënësit e tij duhet veçuar Hafiz
Sabit ef. Zaimin nga Vushtria” vihet nr. 18 i fusnotës. E në këtë
fusnotë, në faqet 262-263, shpaloset thukët
biografia e Sabit Zaimit. Shënimi i fusnotës përfundon me konstatimin
rreth trashëgimisë intelektuale të Sabit Zajmit
duke nënvizuar se ky profil “ka lënë disa shkrime letrare dhe shkencore
të botuara dhe në dorëshkrim”.
II 2. Figura e Sabit
Zajmit në media
Në
revistën kulturore dhe shkencore “Përparimi” (nr. 5-6 të vitit 1963,
Prishtinë), personaliteti i Sabit Zajmit shpaloset në punimin me titull
“Zhvillimi i shkollave shqipe në kohën e Luftës së parë botnore” të Jashar
Rexhepagaj (më vonë Rexhepagiqi).
Autori,
pasi nënvizon se shkolla katër
vjeçare në Vushtrri kishte punuar dy
vite, duke veçuar mësuesin Emin Efendiun nga Prizreni, vë fusnotën nr. 44 dhe
në fund të fq. 349 ku bën këtë sqarim tejet dinjitoz e sinjifikativ:
“Sabit
efendi Zajmi, 70 vjeç ende i mban në mend mësimdhënësit në Vuçtërnë, ndërtesën
e shkollës, nxënësit. Ai thot se shkolla kishte banka e libra, që vijshin prej
Austrije e Shqipnije. Simbas mendimit të tij, shkollën e Vuçitërnës e ka hap
Hasan Prishtina, i lindun në Vuçitërnë. Biseda u zhvillue më 25 korrik të
vjetit 1962.”
Revista
”Gllasnik” (Këshillit Suprem Islam në RSFJ, Sarajevë, nr. 6/76), në rubrikën
“Merhumët tanë” publikon shkrimin “Haxhi Hafiz ef. Sabit Zaimi të autorit H.
Ferhat Gërguri.
Pasi
flet rreth shkollimit dhe shërbimit
fetar të myderrizit të mirënjohur
vushtrrias Haxhi Selim “Sami” ef. Drejta, përkitazi me imazhin e Sabit Zajmit nuk gabojmë nëse themi
se autori Gërguri, ofron një spektër
rrethanash që reflektojnë performancën e personazhit tonë të admiruar prej
predikuesi të zellshëm të besimit islam,
luftëtarit të barazisë së mashkujve e femrave në shkollim, kundërshtari të
shpërnguljeve të shqiptarëve, etj.
“Është
treguar shumë i devotshëm, i mençëm, i
qetë, i besueshëm dhe subtil , ashtu që edhe vet muderrizi është mbështetur në
aftësitë e tij dhe Sabit Zajmi e ka zëvendësuar gjatë mungesave të tij. H.
Sabit Zaimi ka qenë vaiz një kohë të
gjatë në Vuçiternë, çdo të premte ka
mbajtë ligjëratë, duke folur më së shumti për arsimimin e mashkujve dhe të
femrave muslimane. Ishte kundërshtar i madh
i shpërnguljes së
muslimanëve në Turqi më 1956. Si
njohës i shkencave dhe fushave të teologjisë, sheriatit natyrës e tjera, ka
qenë shumë i dobishëm për muslimanët e
këtyre trevave … si nga qytetarët e zakonshëm ashtu edhe nga intelektualët
e këtij regjioni, ka qenë jashtëzakonisht i çmuar dhe i dashur … ishte imam dhe hatib
në Xhaminë e Çarshisë”, shprehet autori Gërguri.
Në
revistën e mësipërme “Gllasnik”, (Sarajevë, nr. 4/79, në shkrimin e Fejzullah
Haxhibajriqit “Njëzet vjetori i vdekjes së Haxhi Mujaga Merhemiq (1959-1979),
autori thekson se me rastin e shenimit të këtij jubileu, “Epigrafe pas vdekjes
kanë recituar në strofa me nga gjashtë vargje: Hafiz Sabit ef. Zajmi nga
Vushtrria, …”
E
përditshmja “Bota sot”, fq. 19, më 28 gusht 2001 publikon shkrimin “Haxhi
efendi Selim Drejta – fetar, atdhetar e mendimtar i shquar” të autorit Hilmi
Saraçi. Autori, kah fundi i artikullit hedhë dritë në afërsinë e Selim Sami ef.
Drejtës me Sabit Zajmin, njëkohësisht reflekton edhe përkatësinë themelore
ideologjike e politike të Sabit Zajmit. Në këtë linjë potencohet se Haxhi ef. Selim
Drejta “Ishte bashkëkohanik dhe i afërt me familjen e vëllëzërve Sabit, Avni dhe Hamdi Zajmi të
cilët shquhen si intelektualë dhe atëdhetarë të ideve të Ballit Kombëtar.”
Ndryshe,
autori i këtyre rreshtave ka botuar
fejtonin që kishte target jetën dhe
veprimtarinë e Sabit Zajmit në të
përditshmën “Bota sot” prej 12-14 nëntor 2006 me këta tre tituj: “Njeri me
vetëdije dhe kulture të lartë kombëtare”; “Idhtar i Programit të Ballit
Kombëtar”; Ishte njohës i mirë i figurës së Hasan Prishtinës”. Ndërsa, në
revistën “Zani i Naltë nr. 30, janar-qershor 2020, ka të publikuar shkrimin
“Hafiz Sabit efendi Zajmi (1893-1975).
Me seriozitetin e qasjes dhe thellësinë e analizës ka mëtuar të
promovoi, veç tjerash, disa rrethana autentike të cilat i atribuuohen arsimit
të popullatës muslimane, përkatësisht shqiptare në përgjithësi, përparimit të
pozitës së femrës dhe sfidave në këtë kontekst, ideve kombëtare, krijimtarisë
intelektuale, etj.
Revista
periodike “Preporod” (Sarajevë, 1975,
nr. 7/110) përmban artikullin titulluar
“Me rastin e vdekjes së hfz.
Sabit efendi Zajmi nga Vushtrria”, te autorit Fejzullah Haxhibajriq.
Ishin
këto disa dromca prurjesh dokumentare, thënë kushtimisht, në të cilat skalitet
portreti i Sabit Zajmit nga këndvështrimet autoriale. Në këtë kontribut fare
modest, natyrisht, nuk kemi përfshirë të gjitha botimet librare dhe mediale ku
trajtohet figura e kryeprotogonistit tonë dhe mesazhet e çmuara të tij sepse kemi
përzgjedhur vetëm disa libra dhe media që shpërfaqin tiparet më karakteristike
të Sabit Zajmit sa për ta nderuar kujtimin e tij në jubileun e 130 vjetorit të ardhjes në jetë.