Faleminderit
Ndue Dedaj: Prend Buzhala, në odeonin e letërsisë shqipe
E shtune, 22.10.2022, 07:59 PM
PREND BUZHALA, NË ODEONIN E LETËRSISË SHQIPE
NGA
NDUE DEDAJ
Krijuesit
e studiuesit, siç dihet, punojnë në heshtje, por vjen një kohë e ata dalin
përtej heshtjes së vet. Shkrimtari nga Kosova Prend Buzhala, me origjinë të
hershme nga Buzhala e Pukës, frymon letërsi dhe për letërsinë. Ai është poet e
prozator, studiues i letërsisë, kritik letrar dhe eseist, përpos se redaktor e
recensionues librash, i vlerësuar sa herë me çmime letrare. E gjithë jeta e tij
është letërsia, gazetaria dhe shkolla si mësimdhënës. Shkrimtaria e tij është
një ode shqiptare e veçantë, si dhe qasja ndaj letërsisë së të tjerëve, ku jo
rastësisht njëri nga librat e tij të rrafshit studimor mban titullin “Odeoni i
fjalës”. Nuk lodhesh për ta dalluar mes krijuesve të tjerë falë portretit me
tipare të spikatura si ndonjë skulpturë shenjtërore, përherë me një buzëqeshje
prej fisniku. Rrallë ndonjë kritik a studiues tjetër letrar në këtë tranzicion
i ka kushtuar energji të pazakonta letërsisë bashkëkohore, duke shqyrtuar vepra
letrare autorësh të ndryshëm. Ky reflektim ndaj prurjeve letrare ka qenë i
domosdoshëm, pasi letërsia shqiptare dilte nga binarët e realizmit socialist
etj. Vërtet letërsia e gjen vetë rrugën për kah artistikja dhe moderniteti, por
kritika letrare serioze, si ajo e Buzhalës, ndihmon në rrjedhat zhvillimore të
saj.
Prendi
është dekani i shkrimtarëve të Klinës dhe mentor i letrarëve të rinj të atij
rajoni e më gjerë, i gjithgjendur në promovimet letrare të Kosovës, nga Peja në
Prishtinë, nga Gjakova në Gjilan, nga Prizreni në Ferizaj, ashtu si dhe në
Tiranë, Shkodër, Tetovë, Lezhë, Ulqin etj. Një penë që nuk rresht kurrë së
shkruari. Nëse ia jep një libër Prendit për ta lexuar dhe ai gjykon se duhet
shkruar për të, atëherë të jesh i sigurtë se i ka bërë “qilizëm” tekstit para
se të hedhë shënimet e tij në letër. Kam pas fatin e një analize letrare të
romanit tim “Shembja” prej dorës së tij, përmbledhur në librin e vëllimshëm
“Amëza e rrëfimit” (Prishtinë 2012), ku analizohen vepra në prozë autorësh të
shquar, si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Jusuf Buxhovi, Diana Çuli,
Nasi Lera, Visar Zhiti, pa harruar asnjëherë autorët e rinj. Ndër titujt e
shumtë të librave me shqyrtime kritike dhe studime letrare të këtij autori janë:
“Metafora e vendlindjes”, “Përqasje estetike”, “Ex libris”, “Muza e kujtesës”,
“Res Publica e shkrimtarit”, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”,
“Gjenitivi i lirikës”, “Të folurit e kryqëzimit shqip” etj.
Po
bëhen vite që jemi njohur me Prendin dhe e kemi ndjekur me interes krijimtarinë
e tij letrare e studimore, për të cilën pati shkruar me vlerësim dhe Adriatik
Kallulli në “Gazeta Shqiptare”. I lindur në fshatin Çabiç më 1 nëntor 1951 dhe
i diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe në fakultetin filologjik të Prishtinës,
karriera e tij arsimore lidhet kryesisht me Klinën, si profesor në shkollën e
mesme, drejtues i arsimit komunal, drejtor i bibliotekës publike etj. Ndërkaq,
Prendi ishte korrespondent e reporter i luftës dhe i paqes në disa gazeta të
Prishtinës, si “Fjala”, “Bashkimi”, “Rilindja”, “Bujku”, “Expres” etj., si dhe
i shtypit lokal. Pas burgosjes politike më 1982 i ndalohet e drejta e botimit,
ani se ai nuk flet për vete asnjë fjalë. “Prendi ka qenë i angazhuar në
lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës, për çka për dy dekada rresht
u përndoq nga organet shtetërore të ish - Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe,
ku gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar u arrestua e keqtrajtua dhjetëra
herë nga milicia e paramilitarët serbë”, thuhet në jetëshkrimin e tij. Me
lirinë nisi të buisë në libra dhe muza e Buzhalës. Libri i parë poetik i tij “O
Amë, o Amë” (1995) - dhuruar nga vetë autori vite më parë - la gjurmën e vet te
lexuesi dhe kritika letrare, duke qenë prologu i një shpalimi letrar të
pandalshëm e të vëllimshëm të autorit, që di t’i bëjë me mjeshtri të gjitha
“punët” e letërsisë, falë aktit të krijimit dhe kulturës letrare, historike që
zotëron. Të gjithë poetët kanë një ndjesi hyjnore për aktin krijues dhe për
Prendin ajo që lëviz lapsin mbi letër gjatë shkrimit të një teksti është jo një
dorë e zakonshme zanatçiu por një “dorë e perëndishme”.
Prendi
kishte lindur për të qenë i lirë e për të shkruar. Punëtor i zellshëm i
letrave, me poezitë e para të botuara para 55 vitesh (1967), deri te
përmbledhja e poezive të zgjedhura “Psherëtima pergamene” (“Rozafa”, 2017),
përgatitur dhe pajisur me parathënie nga Anton Nikë Berisha. Vitet e fundit
Buzhala është bërë i njohur dhe me “çaste lirike” në poezi e prozë, ku ne
shkëputëm disa poezi kushtuar lirisë së Kosovës, që mbajnë datën 30 shtator
2022. Poeti na thotë se “fjala liri është si fjala zot”, “vetëm zemra është
lakmu(e)s që mat lirinë”, “zemra në thellësitë e Arb-dheut”. Ai iu drejtohet
shpërdoruesve të lirisë: Mos u matni me lirinë e Kosovës/ Se njërën dorë kjo
liri e ka në diell. Lirika e “vetmive të mëdha të Kosovës” të shtie në mendime,
pasi për poetin është “si ajo e liria e Fjalës së Fundit / e dëshmorit që po
jepte jetën për të”. “Tri ode për të dielën” është një tjetër cikël poetik i
fillimtetorit i poetit, që të ngjan se janë shkruar si meditime para shtatores
së Nënë Terezës. Meritojnë vëmendje të veçantë po ashtu prozat e shkurtëra
poetike apo të natyrës eseistike të këtij autori për mendimin e thellë
filozofik bashkëohor që mbartin e tejçojnë. Ndaluam te ajo me titull “Udhëtim
me Kuaj të Drunjtë (ose kallëzim modern për një ngjarje antike)”, ku që në krye
befasohesh nga fraza “Sa shumë kuaj të drunjtë po shalohen”, si një varg poetik
emblematik. Një aktualizim gjithë sarkazëm i kalit të drunjtë të Trojës,
pangjashëm me askënd tjetër që i është qasur kësaj simbolike. Autori shkruan:
“Barku i këtyre kuajve është i zbrazët: luftëtarët e drunjtë antikë kanë dalë
moti për fushe, së pari kanë sulmuar këngët e ato u shitën në pazar. Thanë: “Le
të shitet himni”! Pas himnit u shitën dhe betimet e përbetimet. I shitën dhe
fjalët e Hyjit dhe me to krijuan levërdi e luks të rrethuar me mbeturina të
bukura kutërbuese”. Kjo është një kambanë ndaj çdolloji tjetërsimi e shformimi
të vlerave njerëzore, kombëtare e gjer hyjnore. Ti do të dëshiroje që kjo copëz
letrare të ishte në tekstet shkollore dhe të rinjtë ta analizonin atë dhe si
një shteg me dritë në kaosin e jetës moderne. Me porosi të tilla meditative,
filozofike për jetën është e mbushuar e gjithë krijimtaria e këtij poeti të
lirisë. Ai shkruan për të gjithë temat universale të letërsisë, por metafora e
tij nuk është aspak tradicionale, sipas arketipeve të njohura, klasike apo
tradicionale, por një mbrujtje vetanake e fjalës artistike. Imagjinata e tij
artistike arrin të “takojë” gjer Parajsën me Tokën.
Klina
e tij e rrënjëve ka kohë që njihet si një oaz letrar e artistik, për çka Prend
Buzhala ka një meritë të posaçme, ashtu si shkrimtarët: Gjon Gjergjaj, Tahir
Desku, Mikel Gojani, Hajdin Morina, Vilson Culaj, piktori Idriz Berisha -
Xhixhi, aktori Ismet Krasniqi Lala etj. Jehona e takimeve dhe manifestimeve
letrare, promovimeve kulturore, shfaqjeve artistitike, ekspozitave të artit
pamor etj. ka shkuar përtej kumunitetit të Klinës. Prend Buzhala, nismëtar
veprimtarish të tilla prej motesh, është ndër autorët e preferuar të “Lena
Graphik”, ku boton në vijimësi libra të larmishëm, poezi, prozë, studime,
monografi, publicistikë etj. Ndriçimi i figurat historike është një mision i
Buzhalës. Ato zënë fill që nga “Shën Jeronimi dhe bota ilire”, “Gjergj
Kastrioti - Skënderbeu, arketipi i heroit nëpër kohë” e deri te figura të
kohëve të vona si Ibrahim Rugova, Anton Çetta dhe Fehmi Agani, të cilët, siç
shkruan ai, “i përcillnin Europës dhe SHBA - ve fytyrën e civilizimit, të
mendimit e të urtisë modern shqiptare”. Prendi është sa një shkrimtar që operon
ndjeshëm me historinë, aq dhe një publicist e eseist i shqetësuar i të sotmes,
çka e dëshmon edhe libri i tij i fundit “Dekompozimi i realitetit”. Shkrime të
tij për libra dhe autorë botohen rregullisht në gazetën letrare “Nacional” në
Tiranë etj.
Shkrimtarët
natyrshëm u përkasin bibliotekave, por për Prend Buzhalën një informacion apo
kronikë letrare të veprimtarisë së tij krijuese e promovuese mund ta qëmtosh
sadopak dhe nga Facebook, ku sheh se ai është gjithnjë aktiv në shtegtimin e
tij të përditshën letrar. Auditori i tij është kudo ku shkruhet e flitet për
letërsinë. Mjafton të kundrosh albumin e tij online, fotografitë mes letrarësh
të rinj, shkrimtarësh dhe lexuesish, si një “Bacë” i letrave, pa i kthyer
ndonjëherë sytë nga kalendari, nëse fletët e tij bien apo “ngjiten” lart…