Faleminderit
Ndue Dedaj: At Ambroz Marlaskaj, një korife i diturisë
E shtune, 10.09.2022, 06:59 PM
ÁT AMBROZ MARLASKAJ, NJË KORIFE I DITURISË
NGA
NDUE DEDAJ
Askund
të shquarit e kohës së vet nuk harrohen më lehtë se te ne. Ke pritur më kot
gjithë këto vite se mos ndonjë institucion do të kujtohej për një personalitet
si At Ambroz Marlaskaj, mishërim i atdhetarisë, drejtësisë dhe diturisë. Një
shqiptar me karakter të palëkundër, që për parimet e veta morale do ta ngrinte
zërin në çdo tribunë: akademike, sociale, mediatike, politike, qoftë dhe duke
shkuar në arrati apo burg për mospajtim me regjimin e Zogut. “Ora e Maleve”
ishte vatra opozitare ku ai zhvillonte idetë e tij përmes debatesh, shkrimesh
etj. Marlaskaj, në rrafshin filozofik, në dorëshkrime dhe leksione me studentët
e tij ka trajtuar çeshtje të tilla si materializmi e monizmi, duke qenë
analizues kritik i tyre.
Mund
të ishte Akademia e Shkencave, pasi ai ishte një dijetar i spikatur, me
ndihmesa në disa fusha të dijes: gjuhësi, teologji, pedagogji, sociologji, në
zhvillimet politike etj. Mund të ishte Kuvendi i Shqipërisë, pasi ai ishte
deputet në vitin e largët 1923, bile i cilësuar si “gozhda e Parlamentit” për
shkak të opozitarizmit të thekur. Mund të ishte Presidenti i republikës që
dekoron më shumë të gjallët, të përditshmit, të zakonshmit. Mund të ishte
Ministria e Arsimit, pasi ai ishte profesor në Shkodër dhe në Romë, për më
tepër krijues i “Lidhjes së Mësuesve”, e para organizatë e arsimtarëve në
Shqipëri. (Apo nuk është tani dhe fillimi i vitit të ri shkollor?) Mund të
ishte Bashkia e Mirditës, jo vetëm se At Ambrozi ishte bir Kuzhneni, por kishte
qenë dhe deputet i Mirditës, që ta përjetësonte duke i vënë emrin e tij ndonjë
shkolle a rruge, sigurisht jo në periferi, si para disa vitesh, kur emri i
këtij dijetari kombëtar i qe vënë një shkolle të mesme fshati, që tash ka
mbetur me pesë nxënës. Si është e mundur që për korifej të tillë më shumë
kujtohet vendlindja mes malesh dhe jo katedrat universitare ku ata patën
shkëlqyer si profesorë. At Marlaskaj pati mësuar e studiuar në Rubik, Troshan,
Shkodër, Tirol të Austrisë, në Universitetin
Gregorian të Romës, ku mbrojti doktoraturën në teologji. Në Shkodër qe
drejtor i gjimnazit françeskan dhe në Romë profesor i Universitetit Antonian.
Një karrierë si e rrallë ndonjë shqiptari tjetër në lëmin e diturisë. Në vitin
1912 është famullitar i Zllakuqanit në Pejë dhe një vit më vonë shërben si
misionar në Vjenë e më pas në Pragë, si koordinues për mbledhgjen e ndihmave
për kishat e Koosvës. Át Marjan Prelaj shkruan se ai “qe një rregulltar plot me
virtyte dhe kulturë”.
Por
nuk është se nuk është kujtuar askush për At Ambrozin këto kohë. Vëllezërit e
tij të urdhërit françeskan sapo kanë publikuar në Shkodër një libër me shkrimet
e zgjedhura publicistike të tij, me ç’rast lexuesi do të shohë se çfarë
publicisti, polemisti dhe oratori ishte Marlaska. Libri mban titullin “Shkollë
e dituni” dhe është botim anastatik. Artikuj si “Nji monument historik
pazotsije në lâmë t’Arsimit në Shqypnì”, “A âsht' qeveria e Tiranës nji Turkì e
Ré a jo?”, “Mbi monizmin dhe materializmin” etj. janë përla të shkrimit shqip
në publicistikë. Shpesh artikujt e tij i nënshkruante me pseudonimin “Nji i
mirditas”. Mund të jetë autori i parë shqiptar që është paditur në gjyq nga
Prefekti më 1923, kinse kishte fyer autoritetet shtetërore, posaçërisht
Ministrinë e Arsimit, në shkrimin “Nji monument historik pazotësie në lamë t’arsimit
në Shqipni”, ku pas ngulmimit të Marlaskajt se ai nuk kishte shkelur asnjë
ligj, gjykata i dha pafajësinë.
Para
njëzet e katër vitesh studiuesi Pal Doçi pati publikuar monografinë “Fati i një
dijetari” kushtuar At Ambrozit, që autori e quan veçse një “skicë jetëshkrimi”
të këtij frati të shquar. Ai u zgjodh deputet në dhjetor të vitit 1923 dhe
qëndroi deri në qershor të vitit 1924, kur me Lëvizjen e Qershorit nuk pati më
zgjedhje. Sipas At Zef Pllumit, deputeti Marlaskaj, duke qenë njohës i jurisprudencës,
si pedagog i të Drejtës Kanonike, kishte qenë i mendimit që Kodi Civil Shqiptar
të krijohej përmes përpunimit të koncepteve dhe normave juridike të Kanunit të
Maleve, për çka nuk kishin qenë dakord deputetët e tjerë. Me ardhjen e Ahmet
Zogut në fuqi në dhjetor të atij viti, Marlaskaj emigroi në Itali derisa në
amnistinë e vitit 1926, kur u kthye në atdhe. Kronika e jetës së tij pasurohet
veçanërisht me kohëqëndrimin e tij si profesor dhe drejtues i katedrës
dogmatike në Universitetin Pontifik Antonian të Françeskanëve në Romë, ku
shërbeu deri në fund të jetës - u shua në Romë më 1939 gjatë një operacioni
apendisiti, në moshën 55-vjeçare.
At
Ambrozi ishte teolog e mendimtar, mësues e profesor, gjuhëtar e përkthyes,
publicist e deputet. Në majat e elitës intelektuale të kohës. Pjesëmarrës në
Komisinë Letrare të Shkodrës më 1916, së bashku me Gjergj Fishtën, Luigj
Gurakuqin, Sotir Pecin, Ndre Mjedën, Mati Logorecin, Aleksandër Xhuvanin, Hil
Mosin, Ndue Palucën, Gjergj Pekmezin, Hafiz Ali Korçën, Sali Nivicën,
Maksimilan Lambercin etj. Arsimi ishte ideali i tij, ai ishte vizionar dhe
reformator i shkollës, gjë që shihet në kontributin e tij në krah të At Gjergj
Fishtës për hartimin e teksteve shkollore, kritikat për reformat qeveritare të
deriatëhershme etj. Autor u shumë shkrimeve në revistën më të njohur të kohës
“Hylli i Dritës” etj. Botoi disa vepra, por la dhe disa të tjera në dorëshkrim,
si: “Predke për ushtrime shpirtit”, “Historia e Kishës”, “Gramatikë Shqipe (e
vogël)”, shkruhet në biografinë e tij. At Ambroz Marlaskaj, dijetar i kalibrit
europian, njëherësh rilindës, punoi për ta çuar shoqërinë përpara përmes të
mësuarit. Aa ishte sa programues e hartues tekstesh shkollore, gramatikash e
fjalorësh në shqip e në latinisht, aq dhe veprimtar i drejtpërdrejtë në
institucionet arsimore, forumet shkencore, kulturore dhe profesionale të
gjuhësisë, arsimtarisë etj. Kushdo që njihet me jetën intensive të Marlaskajt,
befasohet me veprën e tij të gjithanshme, falë dhuntive dhe përkushtimit prej
misionari në gjithçka kreu. Cilësitë e tij i vë në dukje më së miri Gjon Kamsi,
i cili shkruan se Patër Ambrozi si mësues rriti nji djelmni në idealet e
shenjta të Atdheut, atlet bese dhe atdhetarie, që s’pati shqiptar që s’e njohu,
mirditas i asaj Mirdite që në kohë të zeza mbeti fortesë lirije në tokën
shqiptare. Ka qenë në stilin e autorëve të vjetër të shkruanin me një elegancë
të tillë për ata që shuheshin, siç ka qenë dhe fjala e Fishtës në përcjelljen e
Abat Doçit më 1917, botuar në gazetën “Posta e Shqypnisë” etj.
Sa
larg kishte mbetur Kuzhneni i tij i lindjes, kumbonët e dhive - një zeje e
përmendur e Marlaskajve, që tek frati ishin zëvendësuar me ato të kishve.
Përpos se barinj si stërgjyshërit, tashmë bijtë e maleve shqiptare mund të
ishin priftërinj, mësues të shqipes, inxhinierë rrugësh e urash, oficerë të
ushtrisë kombëtare, diplomuar në shkolla europiane, në Itali, Austri, Francë
etj., që në fushat e tyre hodhën themelet e modernitetit shqiptar.
E
bash për korrifej të tillë ne nuk bëjmë nderimin e duhur sot, nuk e kemi
ngritur ende panteonin kombëtar. Askush nuk kujtohet as për të tjerë
bashkëkohës të Marlaskajt, si deputetin dhe politikanin Sejfi Vllamasi, poetin
e shtetarin elitar Ali Asllani, mendimtarin dhe kujtimeshkruesin e shkëlqyer
Eqerem bej Vlora, reformatorin e arsimit Mirash Ivanaj, poetin dhe ipeshkvin
martir Vinçens Prenushi, poetin dhe ministrin Sejfulla Malëshova, gjuhëtarin
dhe ministrin Kostaq Cipo e sa të tjerë njerëz të shquar “antirrymë” të gjysmës
së parë të shekullit XX.