Faleminderit
Sylejman Morina: Kaluan pesë muaj nga vdekja e akademik Pal Deshpalit
E marte, 07.06.2022, 08:15 PM
Kaluan pesë muaj nga vdekja e akademik Pal Deshpalit
Nga
Sylejman Morina
Brenda një harku të
shkurtër kohor, në Kroaci ndërruan jetë disa personalitete të shquara me
origjinë arbneshe, si: Aleksandër Stipçeviq (2015), ilirologu më i njohur,
historian, arkeolog, bibliotekar, bibliograf dhe autor i shumë veprave
shkencore, me rëndësi të veçantë.si hulumtimet
për ilirët edhe për kulturën
shpirtërore të arbneshve. Pastaj, prof. dr. sc. Tomislav Vladoviq-Relja (2021),
profesor, artist, skulptor dhe autor i librave të njohur për kirurgjinë
torakale; Mr. Ivica Mateshiq (2020), shkrimtar, publicist, diplomat, ushtarak,
aktivist e hulumtues i kulturës arbneshe dhe autor i mbi dhjetë veprave;
prof.dr.sc. Vallter Tomas (2020), përkthyes i shumë veprave nga italishtja në
kroatishte, shef i katedrës së gjuhës dhe letërsisë italiane; Gjanfranko
Kotllar (2020),aktivist arbnesh, hulumtues i shkrimeve të gazetave italiane për Arbneshët e Zarës (1862-1920);Shime
Rela(2022)këngëtar, kompozitor, udhëheqësi i grupit muzikor arbnesh, “Pieta”. Që ishte më i njohuri në Zarë; më 2021 vdiq në Zagreb, edhe
akademiku i mirënjohur me vlera ndërkombëtare Pal Deshpali.
Pjesë
nga jetëshkrimi i Pal Deshpalit
Në Zagreb, më 16 dhjetor
2021, në moshën 87-vjeçare u nda nga
jeta akademiku-Maestro Pal Deshpali, dirigjent, kompozitor e profesor kroat me
famë botërore. Deshpali kishte qenë edhe nënkryetar i Akademisë Kroate të Shkencave
dhe Arteve (HAZU). Ai ishte me origjinë arbneshe nga Zara. Si shumë kroatë
e arbneshë, duke mos u pajtuar me robërinë, pas aneksimit të Zarës nga
Italia fashiste më 1918, kishin gjetur strehim
në Jugosllavi.
Njësoj kishte vepruar edhe
Shime Deshpali, i cili iku në Jugosllavi, më 1921, dhe, gjatë asaj kohe, kishte
vepruar si pedagog në disa ujdhesa të Dalmacisë, si në: Korçullë, Hvar, Rab, ku
ishte marrë me muzikë, përkatësisht me dirigjim e kompozim. Atje edhe ishte
martuar me një vendase e cila posedonte kulturë muzikore. Në Blato të Korçullës
ishin të lindur dy fëmijët e Shimes djali–Pali, (Më 18 qershor 1934), dhe vajza
Maja,(05.maj .1942) ndërsa Valteri ishte lindur në Zarë. 05.nëntor 1947.
Natyrisht, mësimet e para
në muzikë, Pali i kishte marrë nga babai i tij, Shime,si 5-vjeçar ka dirigjuar
grupe muzikore, kurse me kompozime është marrë nga mosha 6-vjeçe. Ndërkaq, pas
çlirimit të Zarës, e cila iu bashkua Kroacisë , më 1945, Shime me familje ishte kthyer në vendlindje.
Në Zarë, Pali e kishte vazhduar shkollimin në shkollën e muzikës dhe në
gjimnaz. Talentin para publikut e dëshmoi në koncertin e SHKA “Arbneshi”,
atëherë, kur ai ishte vetëm 18-vjeçar.
Shkollimin akademik e kishte mbaruar në
Akademinë Muzikore–Dega e Kompozimit më 1960 në Akademinë Muzikore në Zagreb,
në klasën e Stjepan Shulekut.
Disa nga
kompozimet e Palit
Ndonëse më tepër njihet si
dirigjent, në rini ai kishte kompozuar disa vepra. Ndër veprat e tij më të
ekzekutuara janë: Pasakalja (Passacaglia) dhe Fuga për piano dhe harqe, Tri
paraloja korale për orkestër kamertale, Variacione për orkestër, koncert për
violinë dhe orkestër, koncert për altsaksofon dhe harqe, koncert për violonçelë
dhe harqe, Dy Hira për lahutë, parada solemne për brirë dhe orkestër.
Pali talentin për artin
muzikor e kishte trashëguar nga i ati Shime Deshpali, shkrimtar dhe kompozitor,
ndërsa të njëjtën rrugë e kishin vazhduar Valteri (Violonçelë) dhe motra Maja
(Violinë). Të tre fëmijët e Shimes ishin të shquar me karrierë të bujshme
muzikore, kështu që edhe bën karrierë ndërkombëtare në fushën e muzikës.
Aktivitetet
e Palit në disa kontinente
Pali, qytetit të Zarës ia
la trashëgim një manifestim kulturor tradicional që mbahet nga viti 1961 i
quajtur “Mbrëmjet muzikore të Shën
Donatit” si dhe Orkestrën Kamertale të Zarës. Ai me ketë e afirmoi Zarën, si qytet i artit
muzikor, brenda edhe jashtë vendit. Tradita e manifestimit ishte ndërprerë
vetëm në 1991 për shkak të luftës, atëherë kur Zara sulmohej vazhdimisht nga
forcat çetnike serbe.
Aktivitetet e Palit i
tejkalonin kufijtë e Kroacisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, duke u shtrirë në
qendrat kryesore evropiane, SHBA e deri në Azinë e largët. Në Kroaci kishte
drejtuar e udhëhequr këto institucione muzikore: Ishte kryedirigjent në
Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit të Zagrebit, Drejtor muzikor i
Lojërave të Dubrovnikut, etj.
Pali, poashtu, kishte qenë
shef i orkestrës simfonike të Floridës dhe i Operës në qytetin e Orlandës - në
Shtetin e Floridës, dirigjent në Filharmoninë Geidai të Tokios, profesor në
Universitetin Nacional të Tokios.
Si dirigjent mysafir,
kishte udhëhequr orkestrat më të njohura
të botës nga Amerika deri në Tokio.
Mirënjohjet
dhe çmimet
Veprimtaria e Pal
Deshpalit me vlera i kishte kaluar kufijtë shtetëror. Fama e tij kishte
ngritur, jo vetëm reputacionin e familjes Deshpali, por edhe reputacionin
e arbneshëve e të shtetit kroat. Rreth 25 mirënjohje e
shpërblime i janë dhënë gjithandej botës, duke filluar që nga viti 1965 e deri
në fund të jetës së tij.
Vetë ish-kryetari i
shtetit, Franjo Tugjman i kishte dhënë mirënjohje, pastaj mirënjohje kishte
marrë nga Ministria Kroate e Kulturës, nga Qyteti i Zarës, nga Këshilli Qendror
për Shkencë dhe Art në Florida të SHBA-së, e shumë të tjera.
Por, sa mirënjohje i janë
dhënë Pal Deshpalit nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës?!
Shqipëria
nuk e kishte ftuar kurrë!
Për çudi dhe për fatin e
keq të kulturës muzikore në Shqipëri që një artisti kulmor, në damarët e të
cilit rridhte gjak Arbënori, nuk iu kishte dhënë rasti asnjëherë të përformoj në Shqipëri.! Megjithatë kjo nuk e
bënte Palin me vlerë më të ulët
në botë, mirëpo krijuesit
e mirëfilltë muzikorë të Shqipërisë, dashamirët e muzikës, nuk patën rastin të
përjetojnë vlerat e muzikore të maestros,
Pal Deshpalit , në Shqipëri .
Shqipëria e kishte
zhgënjyer, këtë më kishte thënë ai gjatë një interviste me të. Shtrohet pyetja
a e kishte merituar një injorim të tillë Pali, a nuk është për t’u çuditur ky
veprim nga institucionet kompetente të
Mëmës Shqipëri?!
Padyshim, paraqitja e një
personaliteti të tillë në Tiranë do të ishte nder dhe krenari për gjithë
komunitetin artistik, në veçanti, dhe për shqiptarët të tjerë. në Shqipëri. Nuk
do të përfitonte artisti Pal Deshpali, nuk do ta afirmonte Shqipëria, që ai të
bëhej më i njohur, por Shqipëria do të përfitonte, institucionet muzikore do të
përfitonin nga përvoja e tij dhe miqësitë e tij ndërkombëtare.
Çudi, as gjatë kohës, kur
ishte nënkryetar i Akademisë Kroate të Shkencës dhe Kulturës, nuk është
shfrytëzuar mundësia për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes Akademive Shqiptare me atë kroate. Sigurisht, te popujt
tjerë kjo nuk do të ndodhte kurrë.
Megjithatë ishte i kënaqur
me respektin që ia kishin bërë institucionet muzikore të Kosovës, sa herë që
ishte ftuar me kënaqësi u ishte përgjigjur. Studentët që kishin
të artit muzikor në Kroaci, dhe të tjerët kishin krijuar miqësi me të nderuarin Pal
Deshpali.
I ftuar nga Filarmonia e
Kosovës, Pal Deshpali vizitoi Kosovën edhe me rastin e 80-vjetorit të lindjes
së tij, më 2014.
Shqipëria
zyrtare e nderoi këngëtarin nacionalist serb Goran Bregoviqin!!
Ndërkaq, këngëtari
nacionalist e shovinist serb Goran Bregoviq, dy herë ishte i ftuar në
Shqipëri me kënaqësi, duke e respektuar sikur në shtetin e tij,
motivuesin e paramilitarëve dhe një ushtrie
gjakatare. Sado që Goranin që e kishin lartësuar, Shqipëria në zemrën e tij
kurrë nuk do të gjejë vend. Ai Shqipërinë do ta kishte dashur vetëm si provincë
të Serbisë..
Ndjenjat
arbnore Pali i tregoi në manifestimin e
550 vjetorit të vdekjes së heroit
kombëtar-Skënderbeut
Në përvjetorin kushtuar
550-vjetorit të vdekjes së kryetrimit legjendar-Skënderbeut, Bashkësia
Shqiptare në Zagreb, e kishte ftuar në programin festiv edhe maestron, Pal
Deshpali. Me praninë e tij ai e kishte madhëruar këtë manifestim, duke
dirigjuar orkestrën Kamertale të Zagrebit për realizimin e operës së Vivaldit -
”Skanderbeg”.
Në këtë rast Deshpali në
intervistën dhënë gazetarit, tashmë të ndjerë, Mehmet Latifi, kishte dëshmuar se ndjeshmëria arbnore nuk i ishte shuar asnjëherë, te Pali.
“Gëzohem dhe jam i nderuar
që marr pjesë në një manifestim të këtillë. Çdo shqiptar si dhe pasardhësit e
tyre, e me këtë rast edhe unë, e kemi për zemër figurën e krye heroit tonë të
madh – Skënderbeut...”
“Për mua është një
shprehje e krenarisë, respektit dhe falënderimit ndaj heroit kombëtar shqiptar,
fama e të cilit që moti i ka tejkaluar kufijtë shqiptar”, ishte shprehur Pali.
Mjerisht, është krijuar
një traditë jo e mirë për njerëzit tanë, të gjakut tonë kudo që janë, nuk i
përfillim dhe nuk ua shfrytëzojmë dijen, përvojën e autoritetin e tyre të
krijuar në saje të aftësive dhe punës së tyre profesionale. Thënë shkurt, nuk
dimë apo nuk duam t'i respektojmë vlerat tona, ndërsa ndaj të huajve, qofshin
edhe me vlera më të ulëta se të njerëzve tanë, pa hezitim, i mbivlerësojmë.
Pra, të tillë jemi!