Faleminderit
Idriz Zeqiraj: Homazh për Bacën Dervish Shaqa
E marte, 19.04.2022, 07:33 PM
Rapsodi
brilant Dervish Shaqa
Në
përvjetorin e 37-të të shuarjes të rapsodit Dervish Shaqa
HOMAZH PËR BACËN DERVISH
SHAQA
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
"Kur
ta kthyem moj Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimër!"
Bacë
Dervishin e njoha në nëntorin e vitit 1969, në Pallatin e Kulturës në Tiranë.
Bëhej përgaditja për mbremjen festive të 25-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.
Artistët ishin të vendosur në konviktët tona studetore. Në mes tyre edhe
rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, Fatime Sokoli...
Një
vit më vonë u cikërruam, me fjalë, me bacën Dervish, për reportuarin laraman të
këngëve të tij, të dhëna nga Radio-Tirana dhe, më shumë, nga Radio-Kukësi. Më
vonë mësova se ishte politikë redaktuese e partisë. Në vitet `70-a po bëhej
pajtimi dhe afrimi i Tiranës me Beogradin.
"Me
vëllezërit jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëtat beteja",- tha
Enver Hoxha, në vizitën e parë, të bërë në Tropojë. Prandaj, këngët historike,
u zëvendësuan me këngë lirike dhe erotike të bacës Dervish dhe Demush. Beogradi
kushtëzoi edhe burgosjen e burrave dhe djemëve të përndjekur nga UDB-a
jugosllave, të ikur në Shqipëri. Dhe, PPSH-ja porosinë e zbatoi vullnetshëm.
Në
vitin 1970, një bisedë në Ministrinë e Brendshme. Të pranishëm drejtori i
Kundërzbulimit të Shqipërisë, Drejtori i Emigracionit dhe shefi i
Kriminalistikës. Prania e këtij të fundit, më ngjalli dyshime.
Në
mes tjerash, u thashë se në Shqipëri jetojnë 300 mijë kosovarë. Janë disa
Shoqata Foklorike. Dhe, rapsodët Devish Shaqa e Demush Neziri, po i shtojnë
radhët e këngëtarëve dhe të valltarëve rinorë. Po hapin shoqëri të tjera
artistike, kryesisht, folklorike. Do të ishte mirë që Dervish Shaqa të vazhdojë
studimet e specializuara muzikore, në Institutin e Arteve, sepse, do t`i
perfeksionojë dhe lartësojë këngët dhe muzikën, në kushte dhe rrethana tjera në
Shqipëri.
Pasi
e panë njëri-tjetrin, foli drejtori i Emigracionit: "Është i moshuar për
studime!"
-Muzika
nuk ka moshë- u gjegja unë.
Tre
vjet më vonë humba lirinë, u arrestova. Në gjyq u lexua një akuzë shkrimore e
Ministrisë të Brendshme:
-"I
pandehuri Idriz Zeqiraj ka kërkuar të pranohet student, në pleqëri, rapsodi
Dervish Shaqa. Kjo tregon se ai është i pakënaqur, me trajtimin e kosovarëve në
Shqipëri. I pakënaqur edhe me politikën e shokut Enver".
Gjykata
e pranoi si dëshmi dhe masë rënduese!
Burgu
i gjatë na ndau. Baca Dervish ishte shuar kësaj jete, kur unë vuajta burgun.
Edhe pse në kushte të rënda, specifike, i përgjuar nga Sigurimi kriminal
monist, doja të bëja diçka për Dervish Shaqën. Sepse ai bëri shumë për Kosovën,
Shqipërinë, Shqiptarinë, kur frymëzoi brezat shqiptarë, duke e vënë lavdinë
historike, në telat e sharkisë. Doja ta shquaja, nga të tjerët, edhe në
varreza, ta përjetësoja në bronz. Por, kjo ishte e kushtueshme, madje,
skajmërisht e rrezikshme, që mund të më kushtonte me jetë.
Një
tufë fotografish, i sigurova nga Familja e bacës Dervish. Skulptori më i zëshëm
në Shqiptari, akademik Muntaz Dhrami, pranoi skalitjen e portretit të rapsodit
Shaqa. Kishte vetëm një shkritore të "Realizimit të Veprave të
Artit", edhe ajo shtetërore.
Kërkesa
ime u refuzua prerazi: "Dervishi është artist i merituar, por, jo
"Artist i Popullit" dhe nuk pranohet derdhja në bronz e skulpturës së
tij".
Unë
nuk doja të largohesha nga Shqipëria, pa e realizuar portretin-skulpturë të
bacës Dervish. Dhe, gjeta një nuse-inxhiniere, origjinë kosovare, lindake
tiranase, fort e guximsshme, e cila do të ndërlidhej me dy miq të saj, në
fshehtësinë më të madhe, punonjës profesional të uzinës-shkritore dhe brenda
një nate, realizuan veprën në fjalë, kundrejt një çmimi, shumëfish më të lartë,
se sa një shërbim legal, ligjor i këtij lloji.
Derdhja
ilegale në bronz të skulpturës të bacës Dervish, ishte shumë e rrezikshme. Në
rast zbulimi, ligji akuzonte për shpërdorim dhe sabotim të pasurisë socialiste.
Dhe, parashikonte dënim nga 15 vjet burg, deri në pushkatim, për të gjithë të
implikuarit, porositësit dhe zbatuesit, në këtë vepër penale, të cilësuar si
armiqësore.
(Për
montimin e skulpturës, ke varri i Dervish Shaqës; kërkesën e mikut të tij, bacë
Demush Nezirit, që të varrosën pranë njëri-tjetrit, në varrezat e fshatit
Shenavlash dhe jo në Rrashbullë, ku jetonte baca Dervish, do të flasim një herë
tjeter.)
Rapsodët
Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, kanë qenë dy burra të ndershëm e krenarë të
Kosovës, me drejtëpeshimin e duhur. Dinjitozë dhe të ndergjegjshëm, se çfarë
përfaqësonin ata në Shqipëri. Të përgjegjshëm për peshën e tyre, ishin të
kujdesshëm, madje, në çdo hap të hedhur, në kushtet e diktaturës më të egër, në
Evropë dhe më gjerë! Ndjesinë e tyre, të shprehur, artistikisht e politikisht,
në këngën lapidare, "Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën, e lamë borë e
gjetëm dimën", është rrëfim i trishtëm, në vetën e parë, mbresëlënës e domëthënës,
që prekë zemrat dhe këndellë mendjet e shqiptarëve.
Reportazhi-dokumentar,
me skenar e tekst të poetit, me frymëzim të veçantë, kujtoni librin "Net
kosovare"; të shkrimtarit mjeshtëror, me romanin "Ma lësho hisën e
diellit", emigrant në Shqipëri, Adem Istrefaj, lindak në Strellc të
Deçanit, i cili u shua një vit më parë, në Tiranë, është realizuar suksesshëm
dhe ndjeshëm. Përkundër disa emisioneve, të cilat kanë zënë shumë hapësirë në
media vizive, pamore, me pretendime të mëdha, për ta shpalosur jetën e dy rapsodëve
të zëshëm, kanë dështuar. Bilëz, edhe shtrembëruar, me porosi, të vërtetën
pëmbajtësore. Realisht, vazhdojnë ta cënojnë peronalitetin e rapsodëve
brilantë, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, pas amëshimit të tyre! E dhimbshme!