Faleminderit
Gjekë Gjonaj: 110 vjetori i vrasjes së At Andrea Gjekaj nga turqit (2)
E enjte, 20.01.2022, 07:37 PM

110 - VJETORI I VRASJES SË PATËR ANDREA GJEKAJ
GJAKU I PATËR ANDREA GJEKAJ
RIPËRTËRIU FAMULLINË FRANÇESKANE  DHE
SHQIPTARE
Nga Gjekë Gjonaj
Dashuria ndaj Zotit dhe ndaj popullit
Ky martir i kishës dhe i kombit  kontribuoi 
me frymëzim, përkushtim, bindje dhe liri, mbi të gjitha  me fe dhe me dashuri. Me jetën dhe veprën e
tij dëshmoi  dashurinë ndaj Zotit dhe
ndaj popullit. Tregoi vetëdijen e lartë  
fetare e kombëtare, duke u ballafaquar me rrethana shumë të rrezikshme
dhe të ndërlikuara. I tillë ishte dhe mbeti 
në jetë dhe në martirizim.
I frymëzuar nga feja dhe atdhedashuria përballoi vdekjen
dhe me gjakun e tij vulosi përcaktimin e tij e lartë dhe të guximshëm: Të
vdesim po,  të tradhtojmë jo! Nuk arriti
në martirizim rastësisht. Mundimet e Krishtit ishin ngulitur në mendjen dhe
zemrën e tij.
Për Patër Andrenë kronikat e kohës thonë se  kishte një karakter të përvuajtur.  Ishte 
i thjeshtë, komunikues, shumë i zellshëm, korrekt, zemërgjerë dhe
guximtar, punëtor i palodhur. I dashur me prej besimtarëve. Një frat që  kishte vullnet të mirë dhe bënte  gjithçka 
mundte për të mirën e popullit dhe të Kishës Katolike Ai ishte i
prirë  drejt rrugës së shenjtërisë. E në
fakt qe një njeri i përshpirtshëm.
Varrosja në Kukël  dhe rivarrosja në Velipojë
Nga të dhënat e 
hulumtuara deri më tani  rezulton
se  Patër Andrea  u varros në Kukël, fshat i  vogël në afërsi të  Bushatit, jo larg Lezhës, ku shërbesat i
mbajti  famullitari dhe poeti i madh i letrave shqipe  Ndre Mjeda, me
të cilin ai bashkëpunoi, sikurse  edhe
me  Atë Gjergj Fishtën dhe me  Patër Anton Harapin.   Më vonë, siç thonë, disa  të afërm 
të tij  e rivarrosin  në mënyrë të denjë në oborrin e  Kishës së  
Pulave në Velipojë, në afërsi të Shkodrës, duke besuar e shpresuar
se  pikërisht atje   pushojnë 
eshtrat e tij.
Regjimi i egër komunist në Shqipëri zhduki çdo gjurmë të
tij, sikur të gjithë klerikëve të tjerë të krishterë e myslimanë të cilët i
torturoi dhe i pushkatoi pa gjyq e pa 
faj. Për këtë arsye  ende nuk u
gjetën eshtrat e tij,  si shumë
figurave  tjera fetare  e kombëtare. 
Megjithatë trupi i tij ende jeton në zemrën, mendjen dhe kujtesën
historike   të  besimtarëve dhe të pasardhësve të  tij.
Përjetësimi  në vargje
Vdekja tragjike e 
Atë Andresë   e  frymëzoi pasardhësin e tij, famullitarin e
Trieshit , Patër Zefin Jankaj që të shkruaj një poezi , të  botuar  
në revistën “Drita” të Kosovës.   Me këto vargje  Patër Zefi  
e përjetësoi  jetën dhe veprimtarinë
e meshtarisë   dhe atë kombëtare të Atë
Andrea Gjekaj:
Tjetri kje Andrea
Vllau i azganit
I mal Vuksanit.
Pater Andrea kje frat
Mësa të pagëzimit
Lul emnin e pat.
...............................
Si famullitar
N’t’Ljares famulli
Për fe kje zelltar
Mbas të vetash mundësi.
Mandej me t’dymbdhetën
Ia kushtoi jetën
Të madhes dashuni
E-pa e mbush vjetën
Të gjashtën mbi tridhetën-
E bani ai fli.
.............................................
Si kanë thanë motit
“Krishti i Biri i Zotit
Dashninë ma e madhe
Tjetër s’egziston
Se ajo qe për mik jetën flijon.
...................................................
Porsi vullnetar
Tu’ kënë guximtar
I shtymë nga trimnija
Qe ia hjekë shpija.
.................................
Zelli i madh i tij
E çoi me ushtri
Qe me turk luftoi
Më ndihmë me u gjetë
Atyne që në luftë
T’ketë fatin me mbetë.
..........................................
Të gjithëve me u dhanë
Ngushllimin e fesë
Bestarëve tue dekë
Ne hovin e betesë.
N’këtë detyrë humane
Edhe kristiane
Porsi françeskan
Dhe at e qelloi
Plumbi otoman.
...................................
E shpirtin ia çoi
Në t’Zotit lumni
Ndërsa trupin e ti
N’Kolaj e kanë çue
Ku përpara lterit
Në kishë e kanë vorrue.
Edhe britmëtarët 
(vajtorët)  më të njohur në
Malësi  dhe rapsodët popullorë  i kanë kushtuar vargje  Patër Andresë ,  duke vënë në dukje  se   ka
rënë dëshmorë në luftë me Kryq në dorë në vijën e luftës kundër  pushtuesve shekullorë, ku kishte shkuar në
përkrahje të  besimtarëve të famullisë së
vet dhe për të kryer ritet fetare  për
dëshmorët e rënë.
Jeta e tij shembullore dhe transmetimi i fesë në fjalë e
vepra  solli   edhe ripërtëritjen e famullisë
françeskane  dhe shqiptare. Gjaku i tij  u kthye në një mision  të vërtetë në Malësi, duke i paraprirë një
plejade të meshtarëve françeskanë nga Kraja që shërbyen në  famullitë e saj , si:   Patër Gjergj Marstepaj, famullitar i Tuzit
(1960-1991),  Patër Dedë Markolaj,
famullitar i Grudës ( 1924- 2011) , Patër Zef Jankaj, famullitar i
Trieshit  ( 1927-1999) , Patër Vinçenc
Malaj, famullitar i Tuzit ( 1928-2000), dhe Patër  Leonard Tagaj, famullitar i Hotit  i cili, 
siç theksuam më lartë, është pushkatuar nga partizanët  në vitin 1945.
Vendosja e përmendores dhe shënimi i
105- vjetorit të  vrasjes
Më 11  gusht  2013 vendoset 
përmendorja e  Patër  Andreut në oborrin e Kishës   “ Zoja Rruxare” në Triesh, ku i mori mësimet
e para  dhe u kthye  për të dhënë kontributin e vet.
Në vitin 2017 në Tuz dhe në Triesh , në një aktivitet
madhështor përkujtimor,  u shënua
105-vjetori i vdekjes së tij.  Kjo
ceremoni u organizua nga pjesëtari  i
kësaj vëllazërie,  meshtari i mirënjohur
françeskan shqiptar, Patër Prelë 
Gjurashaj.
Ekranizimi i jetës dhe veprës së tij
Në muajin korrik 2021 
Misioni Françeskan  në Malësi
dhe  Nikollë Deda Gjurashaj me familje,
pasardhës i Patër Lulit,  realizuan  me sukses 
filmin dokumentar “ Martir i Kishës dhe i Kombit -Patër  Andrea Gjekaj, ( Lul Vuksani Gjurashaj)”. Ky
ekranizim i jetës dhe veprës  së  tij , nga Televizioni “ Boin”  u realizua  
me rastin e  1o9-vjetorit  të martirizimit të tij.Për  76 
minuta  të këtij filmi dokumentar
kuptojmë  më mirë  se kush 
ishte kleriku dhe atdhetari Patër Andrea. Përmbajtja e  filmit ofron të dhëna, deri më tani të
panjohura për jetën dhe veprën e këtij meshtari të përkushtuar ruajtjes së
vlerave fetare dhe kombëtare. Xhirimet e filmit janë zhvilluar në vendlindjen
e  meshtarit- në Triesh ( Komuna e
Tuzit),  në Ljare - Krajë  ( 
Komuna e Tivarit)  në  Laç (Komuna e Ulqinit), ku ka kryer shërbesat
fetare, në Kukël e Velipojë ( Shqipëri) , ku është varrosur  dhe rivarrosur etj.
Ky film dokumentar shërben më së miri për transmetimin e
ideve dhe vlerave  fetare, kulturore dhe
atdhetare  tek brezat e rinj. Realizimi i
këtij dokumentari është një fillim i mbarë 
drejt një mundimi, rrugëtimi e 
shtegtimi të gjatë në përpjekje të 
gjurmimeve dhe hulumtimeve të reja që do të hedhin dritë  dhe do të zbardhin fakte të reja historike
për këtë figurë  të madhe fetare dhe
kombëtare, e cila meriton  vëmendjen e
duhur të  Kishës Katolike, të studiuesve
dhe  historianëve  shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq. Por,  edhe shteti shqiptar  do të duhej t’i japë   Patër Andresë  vendin e duhur, sepse bashkë me popullin e
vet dha jetën në luftën e Shkodrës në misionin e shenjt.  Me këtë ai dëshmoi se nuk  deshi t’i nënshtrohet regjimit, por Krishtit,
nuk deshi të njohë  pushtues  as pushtetarë tokësorë përveç Zotit në qiell
dhe mbretërinë e  tij qiellore. Flijoi
jetën për Krishtin, duke i shërbyer popullit. Si shumë  klerikë ( fretër)  të tjerë shqiptarë para dhe pas tij. (Fund)










