Faleminderit
Mentor Nazarko: Kush është Fahri Xharra?
E diele, 31.10.2021, 06:27 PM
Kush është Fahri Xharra, luftëtari me penë i idesë së shqiptarit dhe prejardhjes së tij qiellore?
Shkruan Mentor
Nazarko
Në
botën kristiane, në fillim të Modernizmit, gjeneratat e reja të intelektualëve
vinin nga shkolla formuese të dorës së dytë, me prestigj më të pakët: Lefèvre
d’Etaples nuk e mori kurrë doktoraturën e tij, Erazmusi mori një diplomë me pak
vlerë në Universitetin e Torinos dhe Thomas Hobbes e kreu të tijën me shumë
mundim…
Është
ky një citat që shkëputa nga një shkrim i mrekullueshëm i Konica.al me titull
“Themeluesi i madh rrëfen sesi një historian arab i mesjetës zbuloi të ardhmen
e botës”, ku flitet veç të tjerash, për rëndësinë e kontributit të
autodidaktëve, apo të jo specializuarve në gjetje idesh, zgjidhjesh, krijimesh,
shpikjesh, tezash, hipotezash me rëndësi të madhe për shoqërinë apo sektorë të
ndryshëm të aktivitetit njerëzor… emrat e shquar të përmendur në artikull janë
njerëz që kanë lënë gjurmë në historinë njerëzore, jo thjesht të kombeve të
tyre.
Në
fakt, një përfundim i tillë, që konfirmon se elitat akademike janë të
papërshkrueshme, janë selektive, janë shpesh penguese të së resë, mund të jetë
alibi e mirë për vlera të dyshimta. Nuk është ky qëllimi i kësaj interviste,
pyetjet e të cilës po bëhen publike për njërin nga kontributorët kryesorë të
portalit tonë Konica.al.
Fahri
Xharra, është një kërkues pasionant i historisë së hershme të shqiptarëve.
Faktet që ai sjell në vëmendje të lexuesve, tezat e tij janë provokuese të një
nënshtrese të re mendimi dhe veprimi shoqëror që po krijohet në viset tona, me
themel vendosjen në krye të cilësorëve identitarë të individit, fenë e tij
myslimane para kombit. Xharra nuk shkruan vetëm për këtë, por dhe për gjurmime
mbi paraardhësit e shqiptarëve, apo banorët e hershëm të këtyre trojeve.
Ndonjëherë
ai bëhet bartës i ideve puritane që krijojnë debate të forta, që ekzaltojnë
historinë e shqiptarëve në mënyrë unike. Disa ngjajnë qesharake për snobët, që
adhurojnë tjetrin dhe përçmojnë shqiptarin. Disa, për ta thjeshtuar-janë
fillesa të një muri, – kanë gurë të mirë për një mur, por nuk janë vetë muri.
Por
gjithçka duhet kuptuar: në kohën e divulgimit të shkencës, historia e
thjeshtëzuar mësohet më kollaj se një tekst akademik. Për më shumë jetojmë një
kohë të çuditshme: shqiptarët kanë shumë dëshirë të lexojnë për historinë dhe
po përjetojmë një kohë të ringjalljes së krenarisë kombëtare. Kësisoj shkrimet
e Fahriut krijojnë ndjenja të forta: ose pëlqehen shumë, ose urrehen shumë.
Fahriu
me mobilizimin identitar që krijon, është një aktivist i fortë kombëtar. Pse na
nevojitet? Sepse në viset tona po përhapet i fortë virusi i një përkatësie
universale fetare, diçka që e dobëson esencën tonë kombëtare, ndërsa fati i
Kosovës, në kuptimin e interesave të saj ekonomike, financiare, etj., nuk është
përkufizuar ende dhe duhet synuar mobilizim i forcave më të mira të saj për të
negociuar ruajtjen e saj si është. Pa u mpakur, pa humbur, pa bërë lëshime. E
kam fjalën për përplasjen e Kosovës me Serbinë në arenën ndërkombëtare që shumë
shpejt do bëhet ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare.
Për
shkak të qëndrimeve të veta kategorike, shkrimet e tij krijojnë shumë reagime.
Atë e kërcënojnë lloj profilesh në mediat sociale, që me gjasë krijohen prej
ekstremistësh të blerë të një islami radikal që po vepron në viset tona, i
financuar nga jashtë.
Por
Fahriu ka krijuar një steriotip pune të përditshme që është i jashtëzakonshëm
për inxhinierin 70-vjeçar, që ka punuar për njërën nga kompanitë e mëdha të
botës. Ai kërkon, shkruan, thjesht për historinë e shqiptarëve. Pa shpërblim,
vullnetarisht, me privacione, në një jetë të thjeshtë në Gjakovë.
Fahriu
është një autodidakt në histori, dhe ai
privilegjon hipotezat e një të kaluare të ndritshme për shqiptarët.
Sido
që të përkufizohen shkrimet e tij, është krejt e qartë se ato janë një
kontribut i madh. Ato janë fillesa për një lexim të sistemuar të historisë për
rininë, nëpërmjet provokimit të ndjenjës së krenarisë, apo të refuzimit të
kësaj origjine kaq të shndritshme të shqiptarëve sa të bën të vetëndihesh
qiellor.
Mirëpo
këto gjykime janë thjesht të miat.
Që
ju ta kuptoni se kush është Fahri Xharra, pse shkruan, cili është frymëzimi i
tij jetësor, sistemi i tij i dijeve, ne kemi përgatitur një grup pyetjesh që po
ia bëjmë publike në portal.
Për
ata që nuk e njohin, cili është Fahri Xharra? Çfarë studimesh keni kryer? Kur
vendosët t’i përkushtoheshit historisë së shqiptarëve?
Pse?
A
mund ta thoni si në një përrallë të bukur, cila është linja e jetës në këto
vise ku banojnë sot shqiptarët? Domethënë, kush ka qenë para nesh, para tyre,
që prej kur këtu ka patur jetë njerëzore? Dhe sa e besueshme është teza juaj,
apo konstruksioni juaj?
Duket
sikur shumë përfundime tuajat janë kategorike, ndërsa mbeteni në fushë të
hipotezave, pa prova autentike. Për shembull hipoteza e prejardhjes
pellazgjike. Një studiuese amerikane po më thoshte se shqiptarët ndoshta janë
si pasojë e takimit të ilirëve antikë me pellazgët, por pellazgët nuk janë
paraardhësit tuaj, pse këtu nuk ka gjurmë të shkrimit si ka të grekëve të
lashtë…
Ju
e teproni ndonjëherë, kur nuk diferenconi pjesën nga e tëra. Për shembull nuk
ndani mirë islamin radikal, apo politik, nga ai zyrtar.
Cili
ka qenë momenti që sipas jush ka përcaktuar ekstremizimin e strukturave fetare
islame në Kosovë? A e keni lexuar Veton Surroin, që e lidh këtë me hedhjen në
kosh të disa mijëra kopjeve të përkthyera të Kuranit…dhe interpretimit të tij
tradicional?
Nëse
ju lexon ju, shqiptarët ngjajnë si të parët që kanë populluar universin, që
kanë folur, që kanë shkruar, etj., etj. Ngjajnë sikur gjenden kudo, deri në
Sardenja, etj., etj., kur dihet që popujt atëherë kanë qenë krejt të vegjël. A
nuk ju duket pak e tepruar të besosh se fara jonë qenkësh e përhapur në gjithë
këto vise njëherësh, apo qoftë dhe në distancë kohore të shkëputur?
Nëse
është kështu, pse ne atëherë jemi kaq të prapambetur në raport me popujt a
kombet e tjerë, më të vegjël a më të mëdhenj se ne, që mbase nuk kanë
prejardhje kaq të lavdishme?