Faleminderit
Gjekë Gjonaj: 110 vjetori i vrasjes së At Andrea Gjekaj nga turqit
E enjte, 13.01.2022, 09:58 PM
110 - VJETORI I VRASJES SË PATËR ANDREA GJEKAJ
PATËR ANDREA
GJEKAJ, KLERIKU TRIESHJAN QË
FLIJOI JETËN PËR KRISHTIN DUKE I NDIHMUAR POPULLIT
Nga
Gjekë Gjonaj
Shumë klerikë shqiptarë
të krishterë e myslimanë u persekutuan, u torturuan, u pushkatuan e vdiqën , ndonëse të pafajshëm, nëpër burgje në periudha të ndryshme
historike. Ata nuk e patën hirin e
Zotit , që mbas kalvarit shumëvjeçar t’u shpëtojnë plumbave të pushtuesve të
huaj dhe atyre të kuq gjatë regjimit komunist në Shqipëri, të cilët dënuan meshtarë me vdekje, duke menduar se bashkë me ta do të çrrënjosin Ungjillin nga kultura e një populli të tërë dhe do të
dënojnë edhe Krijuesin, por siç pat thënë dom Simon Jubani ” Zoti nuk
dënohet me vdekje”, “ Nji Zot i vetëm në botë, e ky Zot s’ka pasë fillim e as
kurr s’ka për t’pasë mbarim”.
Këta kolos të kombit dhe krishterimit nuk
arritën të gëzojnë lirinë e fesë.
T’i shohin kishat e çliruara. Këta
burra të veshur me zhgunin e meshtarit
” rrnuen për me tregua” se
njëmend gjaku i tyre, vuajtjet e
fëmijëve të pafajshëm, lotët e nënave dhe sakrificat e etërve tanë
nuk kanë shkuar kot, por janë pranuar nga Zoti si dhuntia më e bukur që
populli shqiptar i ka bërë ndonjëherë
Krijuesit të gjithësisë. Ky gjak, këto
vuajtje, lot e sakrifica u bënë një gurthemel
për demokracinë e vërtetë që me kalimin e ditëve -siç thoshte dom
Simoni- u shndërrua në demokraci.
Erdhi në këtë jetë si
një dhuratë e Hyjit Atë
Patër Lul Vuksani Gjurashaj me emrin kishtar patër Andrea Gjekaj ,ishte
bir i familjes së mirënjohur nga shtëpia e Mal Vuksanit nga fshati Nimarash në Triesh - Malësi e Madhe. Për këtë
meshtar françeskan nuk kemi
dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se erdhi në këtë jetë si një dhuratë e Atit tonë qiellor rreth viteve
1874, nga babai Vuksan dhe nëna Mirja, nga një familje me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që
në kohën e Perandorisë Osmane kishte
dëshmuar përkatësinë e tyre fetare dhe kombëtare, të cilët ruajtën
brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.
Dëgjoi thirrjen
e Zotit dhe u bë meshtar
Atdhedashuria, edukimi i shëndosh familjar (edhe me rruzare të përditshme në dorë) madje
nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë e nxitën
Lulin e ri të dëgjonte zërin e
Zotit , thirrjen e tij të meshtarisë,
për t’u bërë meshtar. Dhe kështu edhe ndodhi! Qëndrimi i tij ishte tejet i guximshëm dhe
mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç ishin edhe etërit
tanë”. Me sa dihet përfundoi shkollën e
mesme për meshtari në Zadër të Kroacisë , që gjithnjë i kishte në kujtime
të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirteni të çiltër. Në
saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i
shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin
Filologjik dhe Teologjik në Romë - Itali të cilin e përfundon me sukses, në
vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë
të njohur nga bota shqiptare.
Kthimi në vendlindje gëzim për trieshjanët
Që ka qenë dhe mbetet atdhetar e ka dëshmuar me kthimin e tij në vendlindje
në fillim të shekullit XX-të,
edhe pse në Itali kishte
rast për një jetë më të sigurt dhe më të begatshme. Së paku sa i përket anës tokësore, financiare dhe
materiale. Si meshtar i ri me përgatitje
të lartë shkollore dhe me kulturë të
jashtëzakonshme evropiane filloi detyrën misionare të përcjelljes së fjalës së Zotit tek besimtarët katolikë shqiptarë. Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël
kufitar nën pushtetin malazez, pranë kufirit të sotëm me shtetin amë –
Shqipërinë, ekonomikisht të varfër
dhe me arsimim të ulët ishte në vetvete një gëzim i madh për të gjithë popullatën vendore. Sepse ishte
njeriu më i ditur që kishte
Trieshi dhe njëri ndër
njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia. Prandaj
trieshjanët kishin nevojë për
këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e
virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së
zellshme gjatë ditës, ndërsa urata gjatë
natës.
Ardhja e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese
të Malësisë së Madhe, tingëlloi fort
edhe për të zgjuar zemrat dhe mendjet e
popullatës vendore nëpërmjet predikimeve
fetare, për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës,
kulturës dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë
emërtim. Kështu frati
i ri u bë i dashur dhe njeri i
çmuar dhe i nderuar në Triesh dhe në rrethinë aq sa zëri i mirë i trieshjanëve dhe fama
përhapej dhe rritej dita-ditës.
Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.
Popullata vendore, me vëmendje dhe interesim të madh, ndiqnin
meshat e tij dhe e admironin
fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha kulturore e shpirtërore Patër
Andrea për të përçuar dhe rritur atdhedashurinë tek trieshjanët në fillimet e shekullit njëzet në Triesh themelon
Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot
bashkë me trieshjanët e tjerë
atdhetarë ngriti flamurin shqiptar në
fshatin Nikmarash, në vitin 1906 , duke
i paraprirë kështu ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.
Shërbimi fetar në Ljare të Krajës dhe
Salç të Ulqinit
Dokumentet kishtare
të Kishës së Ljares të cilat i
zbuloi patër Mirash Marinaj, famullitar i famullisë së sotme të Tuzit,
tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea
ka shërbyer një kohë të gjatë, prej
tetë vitesh ( (1904-1912) në famullinë e Ljares në Krajë dhe
famulli të tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit. Në këto dokumente 115 - vjeçare të shkruara
nga vetë Patër Andrea, u zbardhën fakte të reja interesante nga jeta e tij,
madje zbulohen edhe katër muajt e fundit të jetës së tij në Kishën e
Shën Pjetrit ( e ndërtuar në vitin
1865) në fshatin Salç të Ulqinit.
Me interes të veçantë
është një letër e cila zbardh
shumë ngjarje dhe të dhëna të tjera ende
të panjohura për arsyet e
largimit të tij nga kjo famulli
dhe shkuarja e tij si meshtar në Shkodër. Në këto regjistra figuron se
meshën e fundit të jetës së tij
e kishte thënë në Ljare. Në
regjistrin e Patër Andreut , ndër të tjera, shihet
se në vitin 1910 pagëzoi At Zef -Leonard Tagaj, fratin e
Traboinit të Hotit, i cili u vra barbarisht nga ushtarët serbo-malazez më 19 shkurt 1945, në
Lugje të Thella , në kufi të Hotit e Grudës.
Vrasja në Shkodër, humbje e madhe për Kishën Katolike dhe kombin shqiptar
Bazuar në
dokumentacionin që disponuam dhe
në kronikat e kohës Patër Andrenë e vranë të pafajshëm ushtarët turq, në Shkodër
në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38
vjeçar. Arma e vetme që kishte në dorë
ishte Kryqi me të cilin qëndroi me vullnetin e tij të
palëkundur dhe vendimin e tij të
guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e betejës për të çliruar Shkodrën
nga turqit. Nuk kishte për qëllim të luftonte me armë,
por në rast vdekje t’u jepte besimtarëve
sakramendet. Sipas Nekrologut të
Provincës Françeskane Shqiptare, u vra më 8 tetor 1912, kurse sipas Patër Donat Kurtit dhe Patër Marjan Prelaj vdiq më 22 nëntor 1912. U vra diku në Mal të Kolajve
ose në Kukël.
Vrasja e Patër Andreut
si kapelan , udhëheqës shpirtëror i besimtarëve të tij që kishin dëshirë të jenë
afër Zotit deri në frymën e tyre të fundit, ishte një humbje e madhe për
Kishën Katolike, por edhe për trevat shqiptare , edhe për arsye të moshës së
tij . Ishte në moshën e pjekurisë , kur njeriu jep nga vetja.
Rënia tragjike e këtij françeskani të vërtetë dhe të
devotshëm ishte vërtetë një pikëllim dhe
dhimbje e thellë , por kjo është jeta
dhe duhet pranojmë secili nga ne. Lajmin
e vrasjes së meshtarit të tyre besimtarët e Trieshit, Ljares dhe Salçit, me të cilin ishin të lidhur
shpirtërisht, e pranuan me lot në sy e dhembje në zemër. I paharrueshëm do të mbetet kujtimi i tyre për meshtarin e
nderuar Patër Andrenë. (Vijon)