| E enjte, 13.01.2022, 08:58 PM |
110 - VJETORI I VRASJES SË PATËR ANDREA GJEKAJ

PATËR ANDREA
GJEKAJ,  KLERIKU  TRIESHJAN QË 
FLIJOI JETËN PËR KRISHTIN DUKE I NDIHMUAR POPULLIT
Nga
Gjekë Gjonaj
Shumë klerikë shqiptarë 
të krishterë   e myslimanë  u persekutuan, u torturuan, u pushkatuan  e vdiqën , ndonëse të pafajshëm,   nëpër burgje në periudha të ndryshme
historike. Ata nuk   e patën hirin e
Zotit , që mbas kalvarit shumëvjeçar t’u shpëtojnë plumbave të pushtuesve të
huaj dhe atyre të kuq gjatë regjimit komunist në Shqipëri,  të cilët dënuan meshtarë  me vdekje, duke menduar se bashkë me ta  do të çrrënjosin Ungjillin nga kultura  e një populli të tërë  dhe do të 
dënojnë edhe Krijuesin, por siç pat thënë dom Simon Jubani ” Zoti nuk
dënohet me vdekje”, “ Nji Zot i vetëm në botë, e ky Zot s’ka pasë fillim e as
kurr s’ka për t’pasë mbarim”.
Këta kolos të kombit dhe krishterimit   nuk 
arritën të gëzojnë lirinë  e fesë.
T’i shohin kishat e çliruara.  Këta
burra  të veshur me zhgunin e  meshtarit 
” rrnuen për me tregua”  se
njëmend  gjaku i tyre, vuajtjet e
fëmijëve të pafajshëm, lotët e nënave dhe sakrificat e etërve  tanë 
nuk kanë shkuar kot, por janë pranuar nga Zoti si dhuntia më e bukur që
populli shqiptar i ka bërë  ndonjëherë
Krijuesit të gjithësisë.  Ky gjak, këto
vuajtje, lot e sakrifica u bënë një gurthemel 
për demokracinë e vërtetë që me kalimin e ditëve -siç thoshte dom
Simoni- u shndërrua në demokraci.
Erdhi në këtë  jetë si 
një dhuratë e  Hyjit Atë
Patër Lul Vuksani Gjurashaj  me emrin kishtar patër Andrea Gjekaj ,ishte
bir  i familjes së mirënjohur  nga shtëpia e Mal Vuksanit  nga fshati Nimarash  në Triesh - Malësi e Madhe.  Për këtë 
meshtar françeskan   nuk kemi
dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se  erdhi në këtë jetë  si një dhuratë e Atit tonë qiellor  rreth viteve 
1874,  nga babai Vuksan dhe  nëna Mirja, nga një familje   me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që
në kohën e Perandorisë Osmane  kishte
dëshmuar   përkatësinë e tyre   fetare dhe kombëtare, të cilët   ruajtën 
brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.
Dëgjoi  thirrjen 
e Zotit dhe u bë meshtar
Atdhedashuria, edukimi i shëndosh familjar  (edhe me rruzare të përditshme në dorë)  madje 
nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë  e nxitën 
Lulin e ri  të dëgjonte zërin e
Zotit , thirrjen e tij të meshtarisë, 
për  t’u bërë meshtar.  Dhe kështu edhe ndodhi!  Qëndrimi i tij ishte tejet i guximshëm dhe
mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç ishin edhe etërit
tanë”.  Me sa dihet përfundoi shkollën e
mesme  për meshtari në Zadër  të Kroacisë , që gjithnjë i kishte në kujtime
të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirteni të çiltër. Në
saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i
shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin 
Filologjik dhe Teologjik në Romë - Itali   të cilin e përfundon me sukses,  në 
vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë
të njohur nga bota shqiptare.
Kthimi në vendlindje  gëzim për trieshjanët
Që ka qenë dhe mbetet atdhetar  e ka dëshmuar me kthimin e tij  në vendlindje 
në fillim të shekullit XX-të, 
edhe pse  në Itali kishte
rast  për një jetë më të sigurt  dhe më të begatshme. Së paku  sa i përket anës tokësore, financiare dhe
materiale.  Si meshtar i ri me përgatitje
të lartë shkollore  dhe me kulturë të
jashtëzakonshme evropiane  filloi  detyrën misionare të  përcjelljes së   fjalës së Zotit   tek besimtarët katolikë shqiptarë.  Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël
kufitar  nën pushtetin malazez,  pranë kufirit të sotëm me shtetin amë –
Shqipërinë,  ekonomikisht të varfër
dhe  me arsimim të ulët  ishte në vetvete një gëzim i madh për të gjithë  popullatën vendore.  Sepse ishte 
njeriu më i ditur që kishte 
Trieshi  dhe njëri  ndër 
njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia.  Prandaj  
trieshjanët  kishin nevojë  për 
këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e
virtyteve të krishtera,  fesë,  shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së
zellshme  gjatë ditës, ndërsa urata gjatë
natës.
Ardhja e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese
të Malësisë së Madhe,    tingëlloi fort
edhe  për të zgjuar zemrat dhe mendjet e
popullatës vendore  nëpërmjet predikimeve
fetare, për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës,
kulturës dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë
emërtim.  Kështu  frati  
i ri u bë i dashur  dhe njeri i
çmuar dhe i nderuar  në Triesh  dhe në rrethinë aq sa zëri i  mirë i trieshjanëve  dhe fama 
përhapej dhe rritej  dita-ditës.
Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.
Popullata vendore, me vëmendje dhe interesim të madh,  ndiqnin  
meshat e tij dhe e admironin 
fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha kulturore e shpirtërore Patër
Andrea  për të përçuar dhe  rritur atdhedashurinë  tek trieshjanët  në fillimet e shekullit  njëzet në Triesh  themelon 
Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës  u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot
bashkë me  trieshjanët e tjerë
atdhetarë   ngriti flamurin shqiptar në
fshatin  Nikmarash, në vitin 1906 , duke
i paraprirë  kështu  ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.
Shërbimi fetar në Ljare të Krajës dhe
Salç të Ulqinit
Dokumentet kishtare 
të  Kishës së Ljares të cilat i
zbuloi   patër  Mirash Marinaj, famullitar i  famullisë së sotme të  Tuzit,  
tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea 
ka shërbyer  një kohë të gjatë, prej
tetë  vitesh ( (1904-1912)   në famullinë e Ljares në Krajë  dhe 
famulli të tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit.  Në këto dokumente 115 - vjeçare të shkruara
nga   vetë Patër Andrea,    u zbardhën fakte  të reja interesante nga jeta e tij,
madje  zbulohen edhe katër muajt e  fundit të jetës së tij  në Kishën e 
Shën Pjetrit ( e ndërtuar në vitin 
1865) në fshatin   Salç  të Ulqinit.
Me interes të veçantë 
është një letër  e cila zbardh
shumë ngjarje dhe të dhëna të tjera ende 
të panjohura për arsyet e 
largimit të tij nga  kjo famulli
dhe  shkuarja e tij  si meshtar në Shkodër.   Në këto regjistra   figuron se 
meshën e fundit të jetës së tij  
e kishte thënë në Ljare. Në 
regjistrin e Patër Andreut  ,  ndër të tjera,  shihet 
se  në vitin 1910 pagëzoi  At Zef -Leonard Tagaj, fratin e
Traboinit  të Hotit, i cili u  vra barbarisht  nga ushtarët serbo-malazez  më 19 shkurt 1945,  në 
Lugje të Thella , në kufi të Hotit e Grudës.
Vrasja në Shkodër,  humbje e madhe për Kishën Katolike  dhe kombin shqiptar
Bazuar në 
dokumentacionin që  disponuam dhe
në kronikat e kohës Patër Andrenë  e  vranë të pafajshëm ushtarët turq,  në Shkodër 
në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38
vjeçar.  Arma e vetme që kishte në dorë
ishte Kryqi   me të cilin   qëndroi me vullnetin e tij të
palëkundur  dhe vendimin e tij të
guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e betejës për të çliruar  Shkodrën 
nga  turqit.   Nuk kishte për qëllim të luftonte me armë,
por në rast vdekje t’u jepte    besimtarëve
sakramendet. Sipas  Nekrologut të
Provincës Françeskane Shqiptare, u vra më 8 tetor 1912, kurse sipas  Patër Donat Kurtit dhe Patër  Marjan Prelaj vdiq më  22 nëntor 1912. U vra diku në Mal të Kolajve
ose në Kukël.
Vrasja e Patër Andreut  
si kapelan , udhëheqës shpirtëror i besimtarëve të tij  që kishin dëshirë  të jenë 
afër Zotit deri në frymën e tyre të fundit, ishte një humbje e madhe për
Kishën Katolike, por edhe për trevat shqiptare , edhe për arsye të moshës së
tij . Ishte në moshën e pjekurisë , kur njeriu jep nga vetja.
Rënia tragjike e këtij françeskani të vërtetë dhe të
devotshëm  ishte vërtetë një pikëllim dhe
dhimbje e thellë , por  kjo është jeta
dhe duhet pranojmë secili nga ne.  Lajmin
e vrasjes së meshtarit të tyre besimtarët e Trieshit, Ljares dhe  Salçit, me të cilin ishin të lidhur
shpirtërisht, e pranuan me lot në sy e dhembje në zemër.   I paharrueshëm  do të mbetet kujtimi i tyre për meshtarin e
nderuar Patër Andrenë. (Vijon)