Faleminderit
Selman Etemi: Dijetari dhe plaku i urtë Muzli Isuf Sahiti
E shtune, 01.01.2022, 09:15 PM
DIJETARI DHE PLAKU I URTË MUZLI ISUF SAHITI
Plaku
plisbardhë Muzli Sahiti në bashkëbisedim me drejtorin e Entit Pedagogjik të
Kosovës Z. Halim Hysenin, dhe poetët e dijedhënësit Prend Buzhalen e Mikel
Gojanin, më rastin e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të LASH-it për
regjionin e Pejës, në shkollën
“Azem
Bejta” në Grabanicë të Klinës, në vitin 1991.
(Foto
e bërë nga Idriz Dushi).
Nga
Selman Etemi
Në këtë
tubim, e që kishte për temë organizimin e mësimit në nivelin Institucional, morën pjesë: kryetari i LASH-it të Kosovës Z. Rexhep
Osmani, të gjithë kryetarët dhe kryesitë e katër komunave (Pejës, Deçanit,
Klinës dhe Istogut. Në këtë tubim fjala e plisbardhit ishte shumë bindëse dhe
emocionuese. I cili evokoi mendjembajtje për shkollimin e shqiptarëve me plot
vuajtje edhe në kohërat e kaluara, e, që sunduesi i njejt pengonte arsimimin e
shqiptarëve. Fjalët e plakut mendjemprehtë kohë të gjatë diskutoheshin (edhe në
Prishtinë) si shembull për inspirim dhe këmbëngulje që t’i shtyjmë proceset dhe
organizimet përpara, që shkolla shqipe të mbijetonte sidomos në vitet e
nëntëdhjeta, e cila edhe u realizua përballë atij pushteti.
Si kryetar i
LASH-it në Klinë që isha, por edhe drejtor i shkollës “Azem Bejta” në
Grabanicë, plakun e urtë e kisha këshillëdhënës gati për çdo situatë të
vështirësisë. Edhe në aktivitetin e nivelit të bashkësisë lokale të Grabanicës
e kishta krahun më të sigurtë dhe ndihmës. Këshilla e tij na ishte shumë
domethënëse dhe trimëruese për aktivitetet në vazhdim, si për ne në shkollë por
edhe në nivele të tjera.
Edhe disa fjalë kujtese dhe respekti për Muzli
Sahitin nga Grabanica e Klinës
Një ndër shumë familje të
këtij mesi, e kemi edhe familjen vlerëmadhe të Uksahitëve, e cila njihet si më
e vjetra e kësaj ane, dhe më e dëshmuara për sakrificë, bukëdhënjë dhe tipike
tradicionale shqiptare, vlerë kjo e bartur nëpër shumë gjenerata. Nga kjo
familje kemi edhe shumë pasardhës që e dëshmojnë këtë të thënë. Nga shumë burra
të kësaj vatre bujare, po veçojmë plakun e urtë e skajshmërisht të dëshmuar
nëpër kohë dhe rrethanë, Muzli Sahitin, portreti i të cilit gjatë do jetojë në
kujtesën e shumë bashkëkombasve. U lind në vietet më të vështira për kombin dhe
trojet shqiptare (1920), dhe e mbylli epokën e vet të lavdishme po ashtu kur
kombi i tij përjetonte ditët më të rënda (1998), por që e fitoi lirinë e
shumëpritur një vit më vonë.
Këtë herë nuk do thellohem
shumë në portretizimin e figurës dhe të bëmave të Muzliut, por po veçoj pak nga
kujtimet e mia, që kishin lidhshmërinë përgjatë jetës së përbashkët që e kishim
–ai burrë me nam e unë një fëmijë dhe bashëmoshatar i fëmijëve të tij
(atëherë).
Edhe për mua, sikur shumë të
tjerë të këtij mesi, kujtimet për Muzliun gjithmonë më janë të freskëta, se, u
rrita jetim prej moshës 12 vjeçare, dhe ishte i pari që na e hapi derën në
mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 1969 kur na vdiq babai.
Mëqë me shtëpi ishim afër,
përgjatë gjithë kohës na u bë këshillëdhënës për t’a vazhduar jetën, ne si
tërësi familjare, e të gjithë ne, vëllezër e motra (shtatë) ishim të vegjël por
dhe në një varfëri pothuaj të skajshme.
Udhërrëfimet e tij na u bënë
binar sigurie për të ecur përpara. Këshillat nga ai na ishin të pandara dhe të
përditshme. Interesohej edhe për vijimin tonë në mësime. Na pyeste edhe për
paisje mësimore. Na udhëzonte si të punohet dhe të kujdesemi për të mirat dhe
produktet kopshtare. Pra, kujdesej sikur të
ishim pjesë e familjes së tij.
Edhe unë si fëmijë që isha, e
ndjeja veten si pjesëtar i kësaj bashkësie familjare, dhe rrita e jonë na ishte
e përbashkët me Kadriun, Isën, Sahitin, Halilin e Shaipin, -shpeshherë nënë
Nepa na ushqente sikur fëmijët e vetë. Pra, magjja e kësaj familje na ishte
edhe e jona.
Si në shkollim të mesëm, ashtu
edhe gjatë stidimeve, interesohej dhe më pyeste për mirëvajttjen e atyre
proceseve. Edhe punësimi im në procesin edukativ dhe arsimor e gëzoi shumë.
Gjithmonë thoshte, se vetem kuadri ynë na shpëton nga kjo gjendje që me shekuj po na sakatosë
edhe kombëtarisht.
Në kullën e tij,
shpeshherë na fliste për raste dhe përiudha të ndryshme nëpër të cilat kombi
ynë kishte kaluar. Na fiste për “kohën e otkupit”, “tepricave”, për kolonizimin
e tokave shqiptare, për “Aksionin e armëve”, Por, na fliste (si të ri që ishim)
edhe për syqeltësinë që duhet ta kishim, se historia mund edhe të përsëritet
për ne shqiptarët.
I pathyeshëm në ideal
dhe i pakompromis përballë okupuesit
Muzliun e kishim të veçantin e
këtij mesi. Ishte gojartë në çdo bisedë dhe
shumë mendjemprehtë në ide dhe parashikime pasuese për verpim. Nacionalist i
dëshmuar përballë rrethanave të kohës dhe filozof i përkryer
në të shprehurit e qëndrimeve, pavarësisht nivelit të bisedës. Na ishte odatar
i një niveli të lartë dhe bindës në të shprehur, pavarësisht qëlllimit tematik
dhe përbërjes strukturore. Pra, plaku i urtë e teper vigjilent, na ishte figurë paraprirëse në bashkësinë lokale të
Grabanicës, dhe thuaja pararojë ballafaquese me çdo gjë që ndërlidhej për këtë
mes.
Mund të thuhet se,
çdo e mirë në nivel të kësaj bashkësisë lokale, por edhe më gjerë, ndërlidhet
me emrin dhe veprën e këij burri, që pas vetes la veç të mira për brezat në
vijim.
Shquhej për burrni, mençuri,
besnikëri, mirësi e bujari, virtyte këto që e kompletuan këtë ikonë të fjalës
dhe figurës tipike të një shqiptari model për atdheun dhe kombin e vet.
E kishim dijetarin e pa
krahasueshëm ndër shumë kuvende dhe log burrash.
Oratoria e tij gjithmonë ishte
bindëse dhe e argumentuar e assesi e diskutueshme.
E drejta për komb dhe lirinë e
tij, ishte synimi kryesor, të cilin e dëshmonte në vepër por dhe e mbjellte tek
te tjerët.
Ishte arsimdashës dhe këtë e
demonstronte në çdo rast, ku përpjekje bënte që arsimimi i të rinjëve dhe të
rejave shqiptare të jetë në nivelin sa më të lartë, se këtu e shihte daljen nga ngulfatja sunduese shekullore.
Na ishte autodidakt
(pjesërisht) por i formuar në nivelin më të lartë të mundshëm, dhe zotëronte
një filozofi mahnitëse dhe të pakapshme për shumë të tjerë.
I arsyetonte demonstratat
studentore të vitit 1981, edhe përkundër shumë zërave të tjerë, që ato i
kualifikonin kinse jo produktive, dhe këtë e bënte me plot vizionaritetin që e
kishte. Pra, ngjarjet e pranverës 1981 i kualifikonte si një e mirë dhe
këndellje për një mobilizim të realizimit të aspiratave shekullore.
Edhe ngjarjet e viteve të
90-ta e shpërfaqen qendrueshmërinë e pathyshme prej një nacionalisti stoik.
Ishte digë e pathyeshme nëpër shumë ngjarje, e sidomos atyre organizimeve në
nivel të BL të Grabanicës, e gjithsesi ishte pjesëmarrës edhe në tubimet
protestuese por dhe mobilizuese lidhur për mos hjekjen e emrit Azem Bejta, të shkollës
në Grabanicë, e që synimi i atij pushteti kishte fillu që prej vitit 1987. Pra,
Muzliun, bashkë edhe me shumë të tjerë, e kishim çdoherë krah të fortë që ky
emërtim i Shkollës të mbrohej.
Dhe, mund të konstatohet se,
ishte i veçanti në mbrojtjen e emrit të shkollës “Azem Bejta” në Grabanicë. Në
çdo tubim, si prind por dhe si qytetar i atij mesi, shpërfaqte qëndrimet
bindëse, se kërkesat shovene e sidomos ato antishqiptare të mos realizohen e
jetësohen assesi. Të njejtën këmbëngulje e reflektoi edhe ndaj shkollës së
mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, më rastin e mbajtjes së një tubimi të
prindërve shqiptarë për mos ndryshim të emrin, ku fjalimi i tij u duartrokit
nga pjesëmerrësit e shumtë. Një ditë më parë, kur unë, bashkë me Ramadan
Krasniqin (profesor në sh.m. “Luigj Gurakuqi” dhe figurë qendrore e
rezistencës) dhe Zenun Zeqën (kryetar i parë legjitim i KK të Klinës) bënim
organizimin që të nesërmen të demonstrohet në Klinë, por dhe më pastaj do të
organizohet edhe një tubim i prindërve, i cili do të mbahej po ashtu në Klinë,
na tha: “Me emër të Zotit nesër do të jam aty, do t’ju tregojmë qafirave se kot
e kanë të na i përdhosin dhe shuajnë vlerat tona kombëtare”.
Përkrahës i së mirës dhe
kundërshtues ndaj çdo gjëje antishqiptare
Në çdo kohë dhe rast, ishte i
pandalshëm dhe ngritëte zërin kundër padrejtësive që na bëhëshin si komb.
Qortonte publikisht edhe lojalistët e atij pushteti, të cilët aty – këtu
përpiqëshin të i realizojnë qëllimet dhe synimet pushtetare të atëhershme. Siç
dëshmonin edhe bashkëkohanikët e tij, i tillë ishte gjatë gjithë jetës, pra
edhe kur ishte në moshë të re.
Këmbëngulës dhe kundërshtues e
kishim në mosndryshimin e amandamenteve kushtetutare të Kosovës. Zëri më bindës
ishte, kur mbaheshin tubime nga aktivistë, se kinse asgjë s’humbet për
autonominë. Këtë e paraqiste sikur njohësi më i mirë i jurispodencës, me fakte
bindëse, e këtë ia miratonte e gjithë pjesëmarrja në ato tubime, pos disa
sërbëve, të cilët në atë kohë jetonin në Grabanicë e Dollovë.
Fjalimi i tij i zjarrtë, me
rastin e përkrahjes së Grevës së Minatorëve të Trepçës e pati dridhë edhe
faktorin politik të kohës, të cilët përpiqeshin ta ndalonin masën e popullit që
donin të marshonin nga Grabanica për në Klinë.
Edhe aksioni për përkrahje dhe
ndihmë minatorëve të Trepçës, Muzliun e kishte si gjithherë të zëshëm dhe me
plot gatishmëri. Tha: “Mëqe s’po mund të jemi me ta atje thellë në zgafellë,
ndihma materiale dhe solidarizimi na është më e vogla që po e bëjmë për ta”.
Pra, jo vtetëm që ishte
përkrahës i çdo organizimi kundërshtues ndaj pushtetit sundues serbosllav, por
e kishim një ndër më të përgatiturit dhe të guximshmin që ngriste zërin në
vendin dhe kohën e duhur.
Helmimin e nxënësve shqiparë,
të cilin e bënte okupatori, e quante si masakër kundër të rinjëve të kombit,
por ishte stoik dhe i bindur, se edhe kësaj sprove do ia dalim, “kot e kanë, se
s’mund të na zhdukin”, thoshte plaku, edhe pse me zemërthyerje i përjetonte tek
vetja.
Edhe rastet me të rinjët
shqiptarë, e që ktheheshin në arkivole nga armata jugosllave e mundonin shumë.
Mori pjesë në shumë tubime anë e kënd Kosovës për varrosjen e tyre, dhe e
preknin thellë në shpirt.
Aksionin “Familja ndihmon
Familjen” për anën e Mitrovicës (vitet e 90-ta) e përkrahu dhe ishte njëri nga
organizatorët dhe kontributdhënësit. Ishte kjo anë e Dardanisë e prekur më së
shumti me largimin e punëtorëve shqiptarë dhunshëm nga puna.
Ishte nga të parët
që e përkrahu dhe e ndihmoi mobilizimin edhe të armatosur në nivel të fshatit
dhe më gjerë, në vitet e 90-ta. Kontributi i këtij burri reflektoi vlerë të
madhe edhe në Luftën Çlirimtare, se me atë armatim të cilin e kishte, u luftua
për çlirim.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta,
kur bënim rojë çdo natë, na thoshte, “syqeltësia dhe gatishmëria por dhe
flijimi për atdhe është gjëja më e shejtë për njeriun”.
Këtë na e thoshte, ndonjëherë kur hynim që të ngrohemi apo pushuar në odën e
tij.
E pa mundur është që me kaq
hapësirë të përfshihen të gjitha të bëmat e këtij burri fisnik e me plot vlera
kombëtare, por krenohemi me fatin që e patëm. E patëm vlerëmadh dhe me një
intelegjencë të mprehtë e shumëdimensionale. Këto vlera na i la trashëngim, se
pasardhësit e Tij sot na janë begati e çmuar kombëtare.
Përjetësisht mirënjohës dhe
respekt të pa fund emrit dhe veprës burrnore e kombëtare të Muzli Isuf Sahitit!