Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Historia e dhimbshme e pushkatimit të Nikollë Gjolajt në lulen e rinisë
E enjte, 02.12.2021, 10:00 PM
Fshati
Muzheçk
Historia e dhimbshme e
pushkatimit të Nikollë Gjolajt në lulen
e rinisë
Nga
Gjekë Gjonaj
Partia
Komuniste e Jugosllavisë i solli shumë
vrasje, krime e tortura edhe malit të Trieshit, sikur të gjitha trevave të tjera shqiptare. Kjo forcë ushtarake , e cila në emër të
luftës për çlirim, shtriu
rrënjët e saja ideologjike staliniste
dhe ushtroi dhunë e barbarizma ndaj popullsisë vendase, ndaj
nacionalistëve e antikomunistëve trieshjanë ( shqiptarë), të cilët nuk pranuan
diktatin e urdhëruar nga emisarët sllavë
( serbo-malazez). Gjatë dhe pas Luftës
së Dytë Botërore nga armiqtë shekullorë
të shqiptarëve u vranë dhjetëra
trieshjanë. Për këta trima të kësaj krahine atdhetare, viktima të komunizmit, të cilët nuk u pajtuan dhe kundërshtuan planet
djallëzore antikombëtare të komunistëve
sllavë, është shkruar shumë pak.
Angazhimi dhe veprimtaria e tyre në mbrojtje të tokave të tyre arbërore ka mbetur histori e
pashkruar deri në ditët e sotme, edhe nga historianët shqiptar, jo vetëm në Mal
të Zi, por për fat të keq edhe në
Shqipëri. Deri para pak dekadash
familjet e këtyre viktimave
kryesisht kanë heshtur. Jo për arsye se
nuk dëshironin të ndriçohet e vërteta e tyre. Por, kishin frikë nga
pasojat e regjimit të egër
komunist dhe shërbëtorët e tyre të
verbër. Kjo ishte arsyeja kryesore pse
familjarët e viktimave të
komunizmit në Triesh, dhe jo vetëm nuk
guxonin as të flisnin për ta, sepse
e kishin trashëguar nga
baballarët e tyre shprehjen rrëqethëse
shekullore të shqiptarëve “ Hesht ,
mos fol , edhe muri ka vesh ! ”
Familja Gjolaj , nga fshati Muzheçk i Trieshit për herë të parë theu heshtjen 76-vjeçare të
pushkatimit të birit të saj, Nikollë
Gjon Curit , në moshën 24
vjeçare. Gjon Dodë Gjolaj, i cili jeton në Tuz, duke iu referuar dëshmive
gojore të gjyshit, Prekë Ucit dhe
gjyshes, Mri Baces tregon
për jetën, veprimtarinë dhe historinë e
dhimbshme të vrasjes së
kushëririt, Nikollë Gjonit, nga regjimi komunist.
Nikollë
Gjolaj u lind në vitin 1921 në fshatin Muzheçk, në një familje të ndershme
atdhetare. Prindërit e tij Gjon Cura Deda dhe Katrinë Lushkja Dushaj nga
Traboini i Hotit kishin edhe një djalë , Antonin. Nikolla ishte djali i dytë i tyre. Ai erdhi në jetë tri vjet pas vëllait të
madh. Të dy vëllezërit, njëri në moshën 4 vjeçare, kurse tjetri në moshën 1
vjeçare mbetën jetimë, pa baba, i
cili humbi jetën tragjikisht në detin
Adriatik, në afërsi të Ulqinit. Katër
vite më vonë u vdiq tragjikisht edhe nëna, derisa ruante bagëtinë ( gjanë e
gjallë). Për fatin e tyre të
hidhur Antoni dhe Nikolla në moshën e
fëmijërisë humbën më të dashurit, nënën dhe babanë. Këta të dy jetimë i mori në përkujdesje dhe i rriti kushëriri, Prëk Ucë Deda me
bashkëshorten, Mari Bacen. Nikolla në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare shkoi në Shkodër, ku qëndroi rreth një viti
te vëllai i Prëkës, Marash Uci.
Pastaj shkoi në Velipojë, ku qendroi rreth tri vitesh. Ai
në vitin 1942, i bashkangjitet Ballit
Kombëtar, duke luftuar kundër forcave
partizane komuniste. Falë trimërisë dhe aftësisë ushtarake, rrëfejnë familjarët,
Nikolla u emërua zëvendëskomandant i Ballit Kombëtar për Shqipërinë e
Veriut. Ai i qëndroi besnik kësaj ideje, megjithëse lufta
zhvillohej në favor të regjimit komunist.
Në
dimër të vitit 1944, pasi Balli Kombëtar pësoi disfatë, Nikolla u kthye në
vendlindje, në Muzheçk. Në vjeshtën
e vitit 1945 Nikollën
e ftojnë në Zyrën e Vendit të Trieshit në fshatin Stjepoh. Atje
i japin një letër në zarfë të mbyllur me dyllë të kuqe, për ta dërguar
pa e hapur në Kazermën Ushtarake në
Tuz. Nikolla e merr letrën. Kthehet në
shtëpi, në Muzheçk. I tregon Mri Baces për detyrën që i kishin dhënë komunistët
trieshjanë. Mria kishte një parandjenjë
se kjo letër mund të paraqiste
rrezik për Nikollën e ri. Ajo, duke
dyshuar në pabesinë e komunistëve, edhe përkundër deklarimeve të tyre
se kjo letër nuk paraqet kurrfarë
rreziku për Nikollën, e këshillon atë që mos të shkojë në Tuz, por më parë
të shkojë në Cem të Trieshit tek Prekë Uci, të hapë letrën
dhe pastaj të vendosin së bashku
se si të veprojë. Nikolla
e kundërshton atë, duke i thënë që
mos të merakoset
se nuk do ta tradhëtojnë shokët e ti, vëllezërit
trieshjanë, me të cilët shoqërohej dhe rrinin bashkë çdo ditë. I bindur se nuk do t’i ndodhi asgjë e keqe
ai niset për në Tuz.
Mri Bacja, e shqetësuar për fatin
e Nikollës , shkon tek kushëriri i burrit,
Pjetër Gjoka. E njofton me
situatën e Nikollës dhe kërkon nga ai që
ta ndalojë atë të mos shkojë në
Tuz, por të shkojë në Cem të Trieshit te Prekë Uci. Pjetër Gjoka menjëherë i
vihet mbrapa dhe e nxënë Nikollën në
vendin e quajtur Qafë të Nagrivës. U
mundua t’ia mbushë mendjen dhe ta bind
atë që të heq ë dorë nga shkuarja në
Tuz, por pa sukses. Nikolla vazhdoi rrugëtimin e tij të vdekjes në Tuz, prej nga pas dy ditësh
në gjithë Malësi u hap lajmi i hidhur për pushkatimin e tij në oborrin e
Kazermës Ushtarake të Tuzit, në
ish-objektin e Repartit të
Fabirkës së Tekstilit “ Titeks” . Thuhet
se atë ditë Nikolla,
në lulen e rinisë , u pushkatua me dy malësorë të tjerë nga
plumbat vrastarë të komunistëve dhe se trupat e tyre të pajetë i
hodhën diku në afërsi të Liqenit të
Shkodrës, buzë fshatit Nënhelm. Familja Gjolaj e di se kush ishte njeriu që dyshohet se e
spiunoi Nikollën, 76 vjet më
parë. Por, ajo, sot
e kësaj dite nuk di asgjë më
shumë për vrasjen e
djalit të tyre , madje as vendin ku
i kanë mbetur atij eshtrat. Për
të qenë edhe më keq familja Gjolaj nuk ka guxuar të bëjë asnjë kërkesë
zyrtare për gjetjen e eshtrave të
djalit të tyre gjatë
kohëzgjatjes së sistemit
komunist.
Pjesëtarët
e kësaj familjeje gjithnjë kanë qenë
të vëzhguar nga pushteti i kohës. Administrata e Sigurimit Shtetëror ( UDBA)
nuk e ka lënë të qetë as kushëririn e
Nikollës, Dodë Prekën, në Gjermani , i
cili për tri vite nuk ka guxuar të vizitojë familjen e tij në Triesh.
Kjo
është dëshmia ekskluzive e familjes
Gjolaj për historinë e panjohur
të vrasjes së djalit të tyre nga
komunistët, i cili luftoi bashkë me luftëtarë të tjerë nacionalistë
shqiptarë për lirinë e
shqiptarëve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar,
kundër regjimeve komunist diktatoriale në Shqipëri dhe në Mal
të Zi.