E shtune, 05.10.2024, 10:15 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Qarri: Përjetësia e Heroizmit Biblik të Familjes Jashari

E diele, 06.03.2022, 09:45 PM


PËRJETËSIA E HEROIZMIT BIBLIK TË FAMILJES JASHARI

Nga Gani Qarri

Tanimë u bënë plot 24 vite që nga rënia heroike e familjes Jashari lufta biblike dhe vepra e pashembullt e të cilës, që nga epopeja e saj e njohur legjendare kanë hy ballëlartë, përjetësisht në historinë kombit, që me pietetin më të lartë do të kujtohet përgjithmonë si akti më sublim kombëtar dhe do ta mbajnë përjetësisht me krenari emrin e saj.

Kryevepra më ndritshme e kësaj familje Emblemë, vrau përfundimisht frikën nga armiku dhe dëboi përgjithmonë robërinë shekullore, nga okupator të cilët ndër shekuj, ndërroheshin dhe nga një çizme pushtuese në tjetrën, pushtuesit vetëm zëvendësoheshin, pa u dhënë shqiptarëve kurrë mundësinë që ta sundojnë njëherë vetveten, çlirojnë vendin dhe fitojnë lirinë kombëtare.

Ndaj një akt i tillë kaq i ndritshëm e madhështor si ai Familjes Jashari, nuk kishte se si të mos mbështetej, ngrihej lartë e më lartë dhe adhurohej nga e gjithë bota demokratike e liridashëse, për të cilin edhe vet administratori i viteve të para të pasluftës në Kosovë, Bernard Kushner i cili vizitoi këtë familje emblematike, pati deklaruar se; sikur të kishte një çmim Nobel për Liri, ai do ti takonte Familjes Jashari!

Historitë e luftërave dhe dëshmitë mbi heroizmat e ndodhura gjatë zhvillimit të tyre shekullor, janë të shumta dhe të ndryshme, ashtu siç ndryshojnë edhe popujt dhe sakrificat e tyre për çlirim kombëtar, por deri më tani, në vitet që ne po jetojmë, nuk na ka rastis të lexojmë ndokund apo edhe dëgjojmë nga dikush, qoftë edhe njëherë të vetme, të ketë pasur edhe një rast të tillë a të ngjashëm, në kronikat e kohërave nga cilado luftë qoftë, të zhvilluara për çlirim vendesh dhe liri popujsh edhe tek kombet më të mëdha, siç është rasti i veçantë i sakrificës së pashembullt sublime dhe vetëflijimit heroik të mbarë Familjes Jashari nga Prekazi i Drenicës, për lirinë e Kosovës.

Nuk ka edhe një familja tjetër e cila të ketë dhënë një shembull kaq të lartë atdhetarie dhe të ketë bërë, një akt të tillë kaq emblematik e të papërsëritshëm vetëflijimi kolektiv, ku do të binte e tërë familja, me të rritur, pleq, gra dhe fëmijë, duke u shkrirë e bërë kurban i lirisë së atdheut, pa frikë as hezitimin më të vogël, në zjarrin e një lufte aq të përgjakshme.

Luftë në të cilën, do të flijoheshin 56 veta, që të gjithë për një herë dhe në një betejë të vetme për mbrojtjen e nderit familjar, ndërgjegjes kombëtare, lirisë së vendit dhe krenarisë së shqiptarëve në përgjithësi, siç ishte rasti që me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, dëshmoi familja heroike Jashari.

Sakrifica e tyre është vepra më e shenjtë, sublime dhe e papërsëritur ndonjëherë kudo qoftë, e cila tejkalon të gjitha përmasat e një vetëflijimi të rëndomtë, të njohur nga e kaluara e afërt dhe ajo e largët, jo vetëm në historinë e kombit tonë, por edhe te popujt e tjerë shumë më të mëdhenj në numër, se shqiptarët, duke u kthyer në mit për të gjitha kohët si dhe legjendë e paharruar e përmasave të padëgjuara biblike, në të gjithë hapësirën kombëtare shqiptare dhe më tej.

Kjo rrënjë e burimit shpirtëror të atdhetarizmit të veçantë, vetëflijues kombëtar, me bëmat e saj mbinjerëzore dhe kolektive familjare, ia ktheu nderin e humbur dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të popullit të robëruar shqiptar për afro një shekull nga sllavët, e cila dëshmoi veten me heroizma të përmasave bibliko-historike në çastet më vendimtare me luftën e saj të paepur deri në vdekje si Davidi kundër Goliatit për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke nderuar vendin dhe ngritur në piedestal krenarinë e gjithë kombit shqiptar.

Sakrificat e pashembullta familjare në luftën për liri dhe heroizmat e këtyre përmasave të papara deri më atë ngjarje apokaliptike, stimuluan një solidaritet të madh dhe të pashembullt gjithëshqiptar, përfituan mbështetjen e shtetit amë, Shqipërisë, si dhe morën përkrahjen e merituar ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës nga Serbia.  
Një akt i tillë kaq i ndritshëm e madhështor si ai Familjes Jashari, nuk kishte se si të mos mbështetej dhe adhurohej nga e gjithë bota demokratike e liridashëse dhe ngritej në piedestalin e sakrificave më sublime në botë.
Vetëflijim legjendar i kthyer në mit shekullor, që ndryshoi me rrënjë, njëherë e përgjithmonë për të mirë kahen e historisë sonë më të re, ngase flaka e zjarrit të luftës së kësaj familje dhe bashkimi i forcave kombëtare, e vunë çështjen tonë madhore kombëtare, në ecje më të shpejt dhe të drejtpërdrejt në rrugën e cila çonte kah liria e shumëpritur për shqiptarët dhe Dardaninë tonë të lashtë.

Me gjithë flijimet e tilla të familjes Jashari, e cila u ringjall si Feniksi nga hiri i heroizmave të saj për liri, sakrificave të panumërta edhe të shumë familjeve të tjera shqiptare dhe rënies së shumë dëshmorëve e heronjve të kombit nga të gjitha trojet tona për çlirimin e vendit, Kosova edhe pas kaq vitesh nga këto ngjarje të jashtëzakonshme në historinë më të re shqiptare dhe evropiane, dhe shpalljes së Pavarësisë, mjerisht, ende nuk mund të quhet plotësisht e lirë dhe në tërësi sovrane, derisa 30 % e territorit në veriun e saj, vazhdon të sundohet nga bandat kriminale serbe dhe strukturat paralele të Serbisë.

Në Kosovë edhe sot gjenden dhe dallohen qartë gjurmët e luftës edhe pas kaq vitesh të rënies së familjes Jashari, jo vetëm në shtëpinë muzeale të Adem Jasharit, ku muret dhe shumë gjurmë të tjera përreth mbajnë shenjat e plumbave dhe të djegieve masive, njëjtë si eshtrat e të vrarëve dhe veshjet e tyre të copëtuara nga lufta, pamja e të cilave vijon të vras edhe sot, veçanërisht zemrat e nënave dhe baballarëve të të pagjeturve, për moskthimin politik dhe tendencioz edhe të 1643 shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar, që nga lufta e viteve 1998-1999, nga Serbia.

Edhe 24 vjet pas rënies së Adem Jasharit dhe 14 vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për të pagjeturit, ende nuk ka asnjë gjurmë, që na bën t’i kujtojmë, tash e atëherë me shumë dhimbje të madhe.

Kosova e pavarur nuk ishte ëndërr vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por e të gjithë shqiptarëve kudo janë ata, ndaj megjithëse ajo tanimë është bërë shtet i pavarur, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, përderisa nuk janë të çliruara të gjitha trojet shqiptare, për të cilat luftoi me aq vendosmëri edhe "Baca" Adem Jashari.

Merita për çlirimin e Kosovës u përket shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, të cilët u bënë shembull se si edhe një popull i vogël e i ndarë e copëtuar në disa shtete, i bashkuar mund ta arrij lirinë e vet të mohuar ndër shekuj, liri që Kosova me sakrificat e veta dhe ndihmën e NATO-s më në fund e realizoi.

Por edhe pse arriti të çlirohet nga Serbia dhe të shpallet shtet i lirë dhe i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht,tanimë nga mbi 116 shtete anembanë botës, në kohën kur shpresonim se më në fund u çlirua edhe nga mbikëqyrja ndërkombëtare e përfaqësuesve të OKB-së dhe Bashkimit Evropian, mu atëherë asaj iu zu fryma tërësisht, me fusnotën renegate të imponuar nga kuislingë vendor, të cilën kush e di kur dhe si mund ta heqë Kosova nga qafa e saj....

Flijimi i Familjes Jashari na ka mësuar se çështjet madhore kombëtare duhet ta bashkojë si një, gjithë popullin shqiptar dhe sot e në çdo kohë, kur është në pyetje çështja jonë ende plotësisht e pazgjidhur nacionale, politika shqiptare gjithandej, nuk guxon të jetë e përçarë asnjëherë, ngase shqiptarët me gjithë Shqipërinë shtet të lirë dhe Kosovën e pavarur, ende vazhdojnë të mos jenë plotësisht të lirë në trojet e veta, nuk janë faktorë vendimtarë dhe as vendimmarrës në Ballkan e aq më pak në Evropë.

Familja Jashari, nuk u sakrifikua vetëm për Pavarësinë e Kosovës, por për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike, që ishte edhe moto e luftës së shenjtë të UÇK-së realizimin e të cilave nuk e arriti, edhe pse luftëtarët e saj dhanë jetën për këtë ideal, për bashkimin e tokave padrejtësisht të copëtuara shqiptare me shtetin amë Shqipërinë që ishte edhe BETIMI i secilit ushtarë para se të nisej në luftë.

Madje ajo që rrit edhe më tepër brengën e shqiptarëve, është fakti se përveç qëndrimit armiqësor e vazhdimisht kërcënues të Serbisë fashiste, ndaj shtetit të Kosovës, përveç trashëgimisë së hidhur nga e kaluara, Kosova ka shumë probleme edhe me pavarësinë e cunguar, ngase me flamurin e ri u zyrtarizua jo vetëm ndarja  nga Shqipëria, por edhe ndarja "zyrtare" e kombit shqiptar më "dysh" të cilën Edvin Kristaq Rama e vulosi edhe me ndarjen e gjuhës shqipe, në tri të folme rajonale?!

Kosova me flamurin aktual, jo vetëm se përfaqësohet me një flamur të imponuar nga Bashkësia Ndërkombëtare , ndryshe nga ai kombëtar me të cilin luftoi Adem Jashari për liri, por me kalimin e kohës, qytetarët e saj gjithnjë e më rrallë quhen shqiptar dhe identifikohen me emrin kosovarë, nga të huajt.

Këtë me siguri nuk e deshën heronjtë e familjes Jashari as ata që kanë dhënë jetën në ditët më të vështira për vendin dhe derdhur gjakun për lirinë e shqiptarëve.

Nuk mund ta duan e aprovojnë as shqiptarët, të cilët kundërshtuan gjithmonë qëndrimet e padrejta të fuqive të mëdha, për copëtimin e pa drejt të trojeve tona etnike, dhe mospranimin e çështjes sonë kombëtare që në Kongresin e Berlinit të vitit 1878,vendimet e padrejta të të cilit bënë ndarjen e disa tokave tona nga shteti amë, kurse Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913, vendosi që mbi gjysma e trojeve shqiptare, të mbeteshin jashtë shtetit amë-Shqipërisë.

Nga ajo kohë, copëtimi i trojeve shqiptare për shumë bashkëkombës tanë u kthye në tragjedi kombëtare, ngase shumë pjesë të kombit nuk arritën t’i mbijetonin copëtimit, i cili u bë shkak i dhembjeve dhe vuajtjeve mbi njëshekullore për popullin shqiptar nën pushtimin e shteteve hegjemoniste fqinje si atë grek dhe sllavë.

Fakt që i detyroi shqiptarët të ngriheshin kundër padrejtësisë së ndarjes dhe copëtimit të dhunshëm të trojeve të tyre, në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila asnjëherë nuk pushoi deri në historinë tonë më të re.

Kështu që, tanimë edhe ne jemi bërë dëshmitarë të tragjedive të mëdha me flijime dhe sakrifica të pa shembullta, deri në shkrirje totale të familjeve shqiptare për mbrojtjen e atdheut dhe pragut të shtëpisë, duke vdekur të pathyer dhe pa ia kthyer shpinën armikut për asnjë çast, qoftë edhe me çmimin e vdekjes kolektive familjare për çlirimin e atdheut të pushtuar, siç dëshmoi Familja heroike Jashari.

Sipas historisë, derisa përfaqësuesit shqiptarë në Konferencën e Londrës mungonin dhe fjala e tyre nuk dëgjohej aty ku vendosej për të ardhmen e shteteve të Ballkanit, ndarja e trojeve tona, me 1913 përfundoi pa kundërshtime, duke u ngushëlluar vetëm me një deklaratë të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Eduard Grei, i cili në fund të Konferencës së Londrës, kishte thënë: “Sot morëm një vendim të padrejtë ndaj shqiptarëve të cilën herë do kur, ne duhet ta rregullojmë!!!”

Ndaj, është shumë e çuditshme se si ka mundësi që tani shqiptarët ta pranojnë vetë ndarjen, derisa është e njohur për të gjithë se për mbrojtjen e shtetit amë dhe forcimin e pozitës historike të popullit shqiptar në tërësi, përveç luftërave kombëtare, na u dashtë edhe ndihma e madhe e miqve tanë më të mëdhenj ndërkombëtar si SHBA, e cila pati rol vendimtar për mbijetesën e kombit tonë nëpër kohë.

Ndihma e SHBA-ve, daton veçanërisht pas letrës së dërguar nga Hasan Prishtina në vitin 1919, Presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili edhe do ta shpëtonte Shqipërinë nga ri-copëtimi i tërësishëm, për të vazhduar me luftën për çlirimin e Kosovës më 1999 dhe vendimin e Presidentit Bush, i riu, më 2007, për Pavarësinë e Kosovës dhe ndihmën për shtet ndërtim e njohjet ndërkombëtare të saj, ndihmë e cila i duhet edhe më tej Kosovës së lirë.

Përkundër terrorit që përjetonte Kosova nën pushtimin serb, në kohën kur vetëm mund të ëndërrohej për pavarësinë e trojeve të pushtuara shqiptare, me emrin e Adem Jasharit në gojë dhe bëmat e tij heroike në zemër, mijëra shqiptarë nga të gjitha anët u hodhën në luftë e demonstrata masive, duke përvetësuar ndjenjat patriotike për lirinë e dëshiruar për një shekull, të cilën na u desh ta pritnim aq gjatë për të përjetuar shijen e saj të shenjtë dhe gëzimin e realizimit të shtetit të pavarur, arritje të cilat deri atëherë ne ende nuk i njihnim.

Ndërsa vendosmëria për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, u dëshmua me historinë madhështore kombëtare të familjes Jashari, e shkruar në vepër, pa fjalë të mëdha, thjesht dhe pa mburrje, që edhe sot mbartë aq bukur mbi vete dëshminë e një historie të rrallë e të papërsëritshme, e cila ushqen me aq krenari lavdinë e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen e veçanërisht për ata që në çastet më vendimtare, dhanë edhe jetën për çlirimin e Kosovës.

Falë gjakut të Familjes Jashari, shokëve të Ademit dhe bashkëthemeluesve të UÇK-s, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, të cilët ranë heroikisht, më 31 janar të vitit 1998 në një pritë të organizuar nga forcat e pushtuesit serb, e shumë heronjve tjerë më të ri kombëtar, viktimave të Reçakut dhe gjithë dëshmorëve të luftës anembanë trojeve shqiptare, që edhe janë lavdia më e lartë e kombit tonë, sot Kosova është e lirë dhe shtet sovran e i pavarur, pavarësia e të cilës më 22 korrik të vitit 2010, është vulosur edhe nga vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe mbetet e pakthyeshme përgjithmonë!.

Por pas dëshpërimeve të njëpasnjëshme nga udhëheqjet e paafta, që në vend se ti sillnin këtij populli zhvillim e prosperitet, dhe ti hapnin rrugën për lëvizje e qarkullim të lirë në Evropë dhe kudo në botë, zhvatën e plaçkitën vendin pa asnjë dhembje, për mbi 2 dekada me radhë, duke futur varfëri, korrupsion e thellim të krimit të organizuar, derisa me bëmat e tyre mafioze e izoluan shtetin e ri të Kosovës, nga e gjithë bota, mafioz të tillë mbytën të gjitha shpresat e dikurshme të popullit shqiptar për begati familjare, shkollim cilësor e lëvizje të lirë me pasaportën e shtetit tonë të pavarur, anë e kënd botës.

Ndaj sot, fatkeqësisht, te shqiptarët e dëshpëruar ka ndryshuar çdo gjë, që nga sjelljet, humori, hareja dhe këngët tona dikur të bukura, të cilat pothuajse janë bastarduar tërësisht dhe gati nuk ekzistojnë fare.

I vetmi i pandryshuar dhe i përcjellë me pietetin e merituar monumental ndër vite, mbetet kujtimi i paharruar i veprës heroike kombëtare të Familjes Jashari, dhe heronjve të luftës së UÇK-së, që për popullin tonë të vogël, janë kthyer në legjend me vlerat më të mëdha gjithëkombëtare, me të cilët identifikohen shqiptarët e të gjitha trojeve, që e sollën Kosovën deri këtu.

Qëndresa dhe rënia heroike e Familjes Jashari

Rreth dhjetë vjet pas shtetrrethimit të Tahir Mehës nga policia dhe ushtria serbe, e cila në majin e vitit 1981, kishte luftuar trimërisht për mese 20 orë me qindra polic e ushtarë të armatës serbo-jugosllave, duke vrarë dhjetëra prej tyre, derisa kishin rënë heroikisht nga predhat e ushtrisë okupatore, Tahir Meha me të atin Nebiun, ajo që ndër të parat do të provonte edhe njëherë përsëritjen e akteve makabër të okupatorit serb ndaj shqiptarëve të pa mbrojtur, kësaj radhe ishte Familja Jashari.

Pra vetëm dhjetë vjet pas vrasjes së Tahir Mehës, në dimrin e ftohtë të dhjetorit të vitit 1991, nga policia dhe ushtria serbe, ishte rrethuar për herë të parë edhe shtëpia e Familjes Jashari, megjithatë rrethimi parë u shndërrua në momente jo fort fatlume për shkijet, ngase në shtëpi gjendeshin të tre vëllezërit, të tre djemtë trima të Shaban Jasharit, heronjtë të cilët do ta mbronin si çdoherë me vendosmëri dhe trimëri e heroizëm të paparë, familjen e tyre.

Ndaj zjarrit të hapur kundër shtëpisë dhe familjes Jashari nga policia dhe ushtria serbe, vëllezërit Jashari në mbrojtje iu përgjigjen po ashtu me zjarr-flakë për flakë, duke i kthyer mbrapsht forcat e pushtuesit në mënyrë të turpshme.

Familja Jashari, në dhjetorin e ftohtë të atij dimri, nuk ishte vetëm, ngase në çastet më të vështira shqiptarët nga e gjithë Kosova ia kishin mësyrë Prekazit, për t’iu gjendur pranë kësaj vatre të lavdishme, duke kaluar dhjetëra kilometra këmbë, edhe pse policia serbe Familjen Jashari e kishte rrethuar nga të gjitha anët me një rrethim të trefishtë, njësoj si dikur familjen e Tahir Mehës.

Populli kishte filluar të vetëdijesohej dhe t’i mbronte heronjtë e vet nga pushtuesi, kështu që policia e okupatorit serb nuk pati sukses, me gjithë rrethimin e hekurt që i kishte bërë kësaj familjeje, ngase solidarizimi i popullit shqiptar me familjen heroike të Jasharëve ishte më i madh se kurdo herë më parë.

Policia okupatore e Serbisë, duke vërejtur rrezikun e rrethimit të saj nga të afërmit dhe dashamirët e familjes Jashari, që ia kishin mësyrë nga të gjitha anët e Kosovës Prekazit historik të qëndresave legjendare, atëbotë kishte pranuar ndërmjetësimin e Adem Demaçit dhe me arritjen e muzgut të mbrëmjes, ishte larguar kokulur nga kishte ardhur, për të bërë kërdinë në fshatrat e tjera përreth dhe gjithandej Kosovës, por duke mos u lajmëruar më në ato anë për afro shtatë vjet me radhë.

Derisa familja Jashari kështu e kishte mbijetuar sulmin e parë nga policia serbe, në pjesët e tjera të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë në fshatrat përreth Prekazit, vrasjet dhe keqtrajtimet nuk pushuan asnjëherë, madje më 28 nëntor të vitit 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt, derisa po hynte në derë të shkollës, pa asnjë shkas as arsye, ishte vrarë pa asnjë faj mësuesi Halit Geci.

Në varrimin e këtij mësuesi, në praninë e mijëra pjesëmarrësve, për herë të parë u pa edhe paraqitja publike e pjesëtarëve të UÇK-së, duke mbajtur edhe një fjalim patriotik, para pjesëmarrësve në varrim.

Rrethimi i dytë

Pas më se shtatë vjetësh të kaluara, më 22 janar të vitit 1997, duke shfrytëzuar errësirën e natës për mos vërejtjen e lëvizjeve të tyre bizare, para agut të mëngjesit, policia serbe e kishte rrethuar për herë të dytë familjen Jashari. Dhe përderisa gratë dhe fëmijët po flinin pa ditur se ishin të rrethuar nga okupatori, policia barbare pushtuese e Serbisë e kishte filluar sulmin e dytë ndaj familjes së pambrojtur, ngase asnjëri nga të tre vëllezërit, Rifati, Hamza dhe Ademi, nuk gjendeshin pikërisht ato momente të vështira në shtëpi.

Rrethimin e kishte hetuar plaku Shabani, i cili kishte dëgjuar zhurmën dhe shushuritjen e trupave serbe me armatim dhe makinerinë luftarake, që tashmë njihte përvojën e sulmeve kriminale të tyre.

Bacë Shabani, me gjithë moshën e shtyrë, ishte ngritur menjëherë dhe i ndihmuar nga gratë dhe fëmijët më të rritur, me gjithë plagosjen e dy vajzave, ia kishte arritur ta mbronte familjen me nder nga sulmet e pushtuesit, duke e thyer me turp edhe një herë sulmin e policisë pushtuese të Serbisë.

Rrethimi i tretë fatal

Më 5 mars të vitit 1998,për dallim nga dy herët e mëparme, tanimë për herë të tretë, bashkë me familjen Jashari dhe Prekazin, forcat okupatore të policisë dhe ushtrisë së Serbisë, me tanke dhe topa si dhe të gjitha llojet e armatimit të rëndë, kishin rrethuar edhe një pjesë të Drenicës. Kështu familja heroike Jashari po ngrihej nga gjumi për të hyrë në historinë më të lavdishme kombëtare me qëndresën e saj historike dhe një heroizëm të pa njohur deri atëherë, kur qindra policë dhe ushtarë të pushtuesit serb marshonin drejt shtëpisë së familjes Jashari në Prekazin legjendar, për rrethimin dhe shkatërrimin e shtëpisë dhe të familjes së tyre në tërësi.

Heronjtë vigjilentë Ademi, Hamza dhe Shabani të cilët ato net të rënda, pothuajse fare nuk flinin, ishin njoftuar për lëvizjet e forcave të pushtuesit në drejtim të Prekazit, por për shkak të gjerësisë së operacionit dhe numrit të madh të forcave policore ushtarake që merrnin pjesë në operacion, sipas shkrimeve publike edhe nga vëzhguesit e UÇK-së nuk kishte mundur të kuptohej shpejt nëse ishte kjo mësymje për operacion ndëshkimor kundër tërë rajonit të Drenicës, apo sulm i organizuar i okupatorit për shfarosjen e familjes Jashari.

Dhe megjithëse luftëtarët mitikë të familjes Jashari i kishin hetuar lëvizjet e armikut, përmasat e vërteta të rrethimit të kobshëm do ti vërenin vetëm me zbardhjen e agut të atij mëngjesi historik, kur mijëra ushtarë e policë të okupatorit tashmë e kishin rrethuar Prekazin dhe po i afroheshin familjes Jashari, të cilën heronjtë e saj kishin vendosur ta mbronin me çdo mjet e mundësi, deri në vdekje, me të gjithë pjesëtarët e familjes së tyre, të mëdhenj e të vegjël, duke hyrë në histori, me qëndresën dhe heroizmin e treguar në luftime me okupatorin.

Luftimet e para kishin filluar që në orët e hershme të mëngjesit për tu kthyer në një beteje biblike, si Davidi kundër Goliatit dhe përkundër forcave të pabarabarta, me qëndresën e dëshmuar dhe vendosmërinë për tu sakrifikuar, familja Jashari nuk u gjunjëzua deri në vetëflijimin kolektiv, ngjarje e pa parë deri atëherë, që do të shkruhej me shkronja të arta në historinë më të re të kombit shqiptar.

Qindra policë dhe ushtarë të okupatorit serbë sulmonin një shtëpi të vetme, në të cilën gjendeshin mese 20 pjesëtarë të familjes, disa prej të cilëve i takonin moshës fëmijërore, nga 7 deri në 18 vjeç, të cilët të rrethuar nga tanket dhe autoblindat e pushtuesit po sulmoheshin nga të gjitha anët, pa asnjë mëshirë dhe në mënyrën më të tmerrshme të mundshme e me të gjitha llojet e armatimit të rëndë ushtarak.

Por edhe pse të vetëm kundër të gjithëve, ata edhe nën ato kushte të pabarabarta, kishin vendosur të qëndronin deri në vdekje, duke u bërë heronj sublim të mbrojtjes së atdheut të robëruar, gardian të familjes së pa mbrojtur dhe ushtar të pragut të shtëpisë së tyre të cenuar.

Secili pjesëtarë fëmijë, grua apo burrë që mund të mbante një armë në dorë, që nga më i vogli e deri tek më i moshuari, ishin kthyer në ushtarë të mbrojtjes së familjes dhe atdheut, për të mos kaluar armiku andej, para se të binin mbi trupat e tyre të vdekur.

Viktima e parë e kësaj lufte të pabarabartë, sipas shënimeve dhe intervistave të pjesëtarëve të familjes në shtypin e vendit, shkrimeve të shumta në portalet shqiptare dhe dëshmive të dëgjuara për këtë ngjarje madhështore në shkallë heroizmi, e cila begatoi historinë tonë më të re kombëtare edhe me një ngjarje dhe vepër të re, të paparë në historinë tonë të deritanishme, ishte bashkëshortja e Ademit, Adilja, e vrarë derisa po i sillte municion luftarak të shoqit, para syve të fëmijëve të saj, të cilët edhe ata ishin vënë, po ashtu në vijën e mbrojtjes.

Megjithatë, do të kalonin ditë dhe net, por qëndresa heroike e Jasharëve në mbrojtjen e shtëpisë, atdheut dhe të familjes nuk do të ndalej, deri në rënien e pjesëtarit të fundit në këtë luftë të pabarabartë, ndërmjet një familje të vetme dhe një ushtrie të tërë pushtuese, siç ishte ajo e okupatorit serb.

Ditën e dytë të sulmit, lufta ishte përhapur edhe në shtëpitë përreth. Disa shtëpi dhe familje të lagjes digjeshin në flakë, por qëndresa e tyre kishte vazhduar e paepur edhe për të tretën ditë me radhë.

Prekazi digjej në çdo anë, që nga dita e parë edhe në ditën e dytë e të tretë të sulmi barbar ushtarak serb dhe nga pullaze e shtëpi dilte tym e flakë, të cilat ndriçonin gjithë hapësirën ku zhvillohej tragjedia biblike e familjes Jashari.

Kulmin e dramaticitetit të saj mitik, lufta do ta arrinte ditën e tretë, më 7 mars, kur forcat terroriste të okupatorit serb në pamundësi që ta pushtonin familjen dhe lagjen Jashari, kishin filluar me granatime nga topat e rëndë në shtëpinë e familjes Jashari, në bodrumin e të cilës ishin strehuar një numër i madh i pjesëtarëve më të ri të saj, kryesisht fëmijët.

Pas granatimit me topa të rëndë, një predhë e kalibrit të madh kishte goditur bodrumin e shtëpisë, e cila bashkë me hedhjen në erë të pjesës ballore të bodrumit, të tavanit dhe një pjese të shtëpisë së tyre, goditja fatale e predhës, kishte vrarë menjëherë 13 pjesëtarë të familjes Jashari dhjet nga të cilët ishin fëmijë.

Por, Ademin dhe pjesëtarët e mbijetuar të familjes, edhe pse të mbetur vetëm dhe nën rrethim të plotë, e pa asnjë ndihmë apo plumb të shkrepur nga jashtë, qoftë edhe përpjetë në ajër, para betimit për mbrojtjen e atdheut dhe pragut të shtëpisë nuk i zmbrapste as dobësonte, çfarëdo flijimi sado i rëndë dhe i dhimbshëm të ishte, dhe nuk kishte forcë e cila do të arrinte që të gjallë t’i thyente as dorëzonte.

Ademi e Hamzai bashkë me plakun Shabanin, para çdo thirrje të okupatorit që të dorëzoheshin, edhe në ato momente të rënda të sulmeve të tmerrshme me topa, përgjigjeshin se nuk i kishin kap armët për t’u dorëzuar, por se ishin betuar të luftonin deri në frymëmarrjen e tyre të fundit, deri në vdekje për lirinë e atdheut, për të mos rënë kurrë të gjallë në dorën e okupatorëve serb edhe pse luftonin të vetmuar kundër një ushtrie të tërë pushtuese.

Madje duhet theksuar fort dhe me zë të lartë se heroizmi i përmasave të tilla mitike të pjesëtarëve të familjes Jashari ishte dëshmuar jo vetëm nga pjesëtarët e rritur dhe të regjur për luftë e qëndresa të mëdha heroike, por edhe nga më të vegjlit e saj, të cilët, edhe pse ishin fëmijë dhe ende nuk i kishin rënë as brisk fytyrës siç thuhet në shprehjet popullore, as ata nuk u dorëzuan para sulmeve vrastare të armikut edhe pas rënies së shtyllës kryesore të kësaj qëndrese historike, Adem Jasharit, i cili do të vritej nga një plumb snajper në derën e shtëpisë së tij, duke e mbrojtur atë dhe familjen me heroizëm.

Dhe megjithëse pas rënies mitike të heroit Adem Jashari, tanimë kishte ngelur tërësisht i vetëm, mbrojtësi më i ri dhe i fundit, ani pse për nga mosha ishte ende fëmijë, luftën do ta vazhdonte trimërisht e me një heroizëm të rrallë dhe i paepur deri në fund, njëjtë sikur i ati, edhe Kushtrimi, djali vetëm13-vjeçar i Adem Jasharit.

Kushtrim Jasharin, heroin vetëm 13 vjeçar, përkundër moshës minore, nuk kishte arritur ta poshtëronte armiku dhe as ta mundonte frika, madje atë e kishte kapluar aq shumë urrejtja dhe mllefi kundër okupatorit serb, sa që përkundër sulmeve me të gjitha llojet e armëve me të cilat okupatori serb, po mundohej t’ia pushtonte atdheun e tij të shtrenjtë dhe shtëpinë e shkrumbuar me themel të familjes së heroike Jashari, ai qëndroi me heroizëm të pa përshkruar, deri në fund.

Kushtrim Jashari i cili dëshmoi trimërinë e një burri me nam, ra në fushëbetejë si një Mic Sokol i vogël, i cili me automatik në dorë u kishte dalë hapur për fushe dhe ballë për ballë topave të okupatorit serb, duke u flijuar trimërisht si hero mitik i legjendave tona të njohura kombëtare dhe vrarë nga largësia me armët e kalibrave të mëdhenj nga okupatori barbar serb, i etur edhe për gjak fëmijësh shqiptar.

Por edhe pas rënies së Kushtrimit, okupatorët, nuk kishin guxim t’i afroheshin shtëpisë së kësaj familjeje heroike të ngritur në histori dhe legjendë e mit bashkëkohor me veprën e saj.

Me rënien e Kushtrimit, si ushtari më i ri i asaj qëndrese të paharruar historike, për mbrojtjen e shtëpisë, familjes, nderit të atdheut dhe kombit, u shua edhe mbrojtësi i fundit i qëndresës legjendare të familjes Jashari,që vërtet, e mbajtën betimin e dhënë para varrit të Tahir Mehës, duke luftuar deri në frymëmarrjen e tyre të fundit dhe nga 22 pjesëtarët e pranishëm të familjes Jashari, që gjendeshin në shtëpi, 20 nga ta ranë heroikisht, për të mos u harruar kurrë, emrat e të cilëve po i shënojë në vijim:

1. Shaban Murat Jashari,babai 74 vjeçar

2. Zahide Geci Jashari, nëna 74 vjeçare

3. Zarife Jashari, gruaja e Rifatit ,49 vjeçare

4. Hidajete Rifat Jashari,vajza 18 vjeçare

5. Valdete Rifat Jashari, vajza 15 vjeçare

6. Igball Rifat Jashari, djali 13 vjeçar

7. Igballe Rifat Jashari,vajza 11 vjeçare

8.Hamëz Shaban Jashari, 47 vjeçar

9. Feride (Mecini) Jashari, bashkëshortja e Hamzait 43 vjeçare

10. Selvete Hamëz Jashari,vajza 20 vjeçare

11. Atifete Hamëz Jashari,vajza 17 vjeçare

12. Besim Hamëz Jashari,djali 16 vjeçar

13. Lirie Hamëz Jashari, vajza 15 vjeçare

14. Blerim Hamëz Jashari, djali 12 vjeçar

15. Fatime Hamëz Jashari, vajza 9 vjeçare

16.Blerina Hamëz Jashari, vajza 7 vjeçare

17. Adem Shaban Jashari, 42 vjeçar

18. Adile (Rama) Jashari, bashkëshortja e Ademit, 40 vjeçare

19. Fitim Adem Jashari, djali 17 vjeçar

20. Kushtrim Adem Jashari, djali 13 vjeçar

Në mesin e të rënëve, nga më të rinjtë ishte vajza e Hamëz Jasharit, Blerina, 7-vjeçare, kurse dëshmori më i moshuar i kësaj lufte ishte Bacë Shaban Jashari, 74-vjeçar.

Epilogu i heroizmit të Familjes Jashari

Rifat Jashari (i lindur më 1946),për mbrojtjen e familjes, pragut të shtëpisë dhe të atdheut të tij të shtrenjtë, në këtë luftë dhe për lirinë e këtij vendi, flijoi gruan dhe 4 fëmijët e tij, nga mosha 11 deri 14-vjeçare. Kurse ai me djalin e ti, Muratin, djalin e të vëllait-Hamzës, Bekimin dhe djalin e Adem Jasharit, Lulëzimin, gjendeshin në Gjermani.

Hamëz Jashari (1950-1998),do të vritej ditën e dytë të sulmit barbar serb, me 6 mars të vitit 1998 në mbrojtje të shtëpisë, familjes dhe atdheut bashkë me gruan dhe 7 fëmijët e vet, nga mosha 7 deri në moshën 20-vjeçare, derisa djali Bekimi gjendej në Gjermani, kurse vajza e vogël te dajat.

Adem Jashari (28 nëntor 1955-7 mars 1998),do të vritej i parafundit, duke rënë heroikisht në pragun e derës së shtëpisë, ndërsa gruaja e tij ishte viktima e parë e asaj lufte heroike, por të pabarabartë, me ç`rast ishin vrarë edhe dy fëmijë të tyre, nga 5 fëmijë sa ata kishin. Derisa djali Lulëzimi gjendej në Gjermani, dy vajzat e tij kishin qëlluar te farefisi i tyre.

Ndërsa ajo që rritë edhe më tepër dhimbjen por edhe krenarinë e pafund për heroizmin e dëshmuar të tij, është rasti i Kushtrimit 13-vjeçar,i cili do të vdiste i fundit në fushë të mejdanit kombëtar, duke u dalë ballë për ballë armiqve që e kishin mësyrë edhe me topa ushtarak shtëpinë e Familjes heroike Jashari dhe rënë si një Mic Sokol i vogël, për trimërinë e të cilit me siguri historia jonë kombëtare duhet të shkruajë më shumë si për heroizmin e madh e burrërorë në moshën e tij fëmijërore, ashtu edhe për historinë e famshme të Familjes heroike Jashari!

56 të vdekur, vëllezër e kushërinj të afërt të Familjes Jashari

Se çfarë flijime të mëdha kërkohen për qëllime të larta kombëtare dhe lirinë e atdheut, më së miri e dëshmoi familja Jashari me qëndresën e saj historike.

Familje emblematike, që mbi dhjetë vite me radhë, zhvilloi luftë intensive kundër terrorizmit të policisë dhe ushtrisë okupuese të Serbisë, duke u bërë shembull i trimërisë dhe pathyeshmërisë kombëtare, për të cilën më e shtrenjtë ishte liria jonë kombëtare sesa jeta nën robëri, megjithëse 20 anëtarë të një familjeje kaq të devotshme kombëtare dhe 36 kushërinjtë e saj patriotë nuk arritën kurrë që ta shijonin lirinë e ëndërruar.

Luftë që në mesin e të gjithë atyre plumbave dhe granatave shkatërrimtare, la prapa vetëm një dëshmitare të gjallë dhe ajo ishte vajza e vogël e Hamëz Jasharit, Besarta, duke shpëtuar e fshehur nën magjen e shtëpisë, mbi të cilën nëna e saj derisa ishte gjallë, kishte gatuar bukën për Besartën dhe heronjtë e mëdhenj e të vegjël (në moshë) të familjes Jashari, kurse kushëriri i saj, Bashkimi, kishte mundur t’i shpëtonte rrethimit.

Bashkimi e Besarta dhe 4 pjesëtarët e familjes që gjendeshin në Gjermani, si dhe dy vajzat e Ademit që kishin qëlluar tek të afërmit e tyre, ishin 8 anëtarët e mbijetuar nga 28 anëtarë sa kishte gjithsej atëbotë familja Jashari.

Kurse sot, pas kaq vitesh, kjo familja e ndritur është shtuar, rritur dhe gëzuar edhe me emrat e ripërtërirë të Bacë Shabanit, Hamëz dhe Adem Jasharit, të cilët të ri-ngritur nga hiri i heroizmave të vet historikë, mu si Feniksi, sigurojnë rritën e jetës së re dhe garantojnë vijimësinë e historisë së lavdishme të paraardhësve të tyre heroikë me shumë krenari.

Dhe për fund, nëse rilindësit Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi etj, i paraprinë lirisë së kombit dhe heronjtë Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Buletini, Bajram Curri e të tjerët, sollën Pavarësinë e Shqipërisë, vetëflijimi i familjes Jashari, ishte dhe mbetet vula e shenjtëruar e lirisë së Kosovës e cila u arrit me kaq shumë luftëra e përpjekje titanike dhe shembuj të tillë të paparë sakrifice e vetëflijimi të pa përsëritshëm biblik, si Familja heroike Jashari.
Lavdi e përjetshme anëtarëve të familjes heroike Jashari dhe gjithë të rënëve për liri!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Mevlud Buci: Luftëtari dhe qëndrestari dibran Bajram Bardulla Jahja Drançolli: 91-vjetori i tragjedisë së quajtur Milan Šufflay Tahir Bezhani: Prof. Dr. Salih Ahmeti, hero i ditëve tona Lekë Mrijaj: Imzot Mark Sopi, Dishepull i vertetë Gjekë Gjonaj: Rënia e dëshmorit Dedë Prëlë Nikollaj, frymëzim për brezat e rinj Ibrahim Kabili: Pavarësia e Shqipërisë mban vulën e Ismail Qemalit Gjekë Gjonaj: Nikë Micakaj, trieshjani 32-vjeçar, viktimë e regjimit komunist Albert Vataj: Kurt Kola, simboli i kalvarit, një jetë që sfidoi Gulagun komunist me zë, zemër dhe penë Eduard Frrokaj: Heroi i Kosovës Gasper Karaqi Albert Vataj: Sot në Ditëlindjen e Shkrimtarit Jahja Drançolli: Si sot, të vitit 1997, Madeleine Albright mori detyrën e Sekretares së Shtetit Enver Bytyçi: Eshte viti i 16-te qe kjo date na vjen pa Doktor Rugoven Gjekë Gjonaj: 110 vjetori i vrasjes së At Andrea Gjekaj nga turqit (2) Ibrahim Kabili: Skënderbeu, simbol i bashkimit të shqiptarëve... Xhafer Leci: Në përkujtim të 40 vjetorit të Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla Gjekë Gjonaj: 110 vjetori i vrasjes së At Andrea Gjekaj nga turqit Lekë Mrijaj: Përjetësohet busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshit Klajd Kapinova: Studenti me Medalje të Artë, që njihte 8 gjuhë të huaja, ishte politikani dhe nacionalisti Qazim Mulleti (1893–1956) Selman Etemi: Dijetari dhe plaku i urtë Muzli Isuf Sahiti Gjekë Gjonaj: Dy humanistë nga Malësia

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora