Faleminderit
Ibrahim Kabili: Mirënjohje për mësuesin e parë vendas të Bastarit, Tahir Jamaku!
E hene, 18.04.2022, 02:09 PM
Mirënjohje për mësuesin e parë vendas të Bastarit, Tahir Jamaku!
Nga
Ibrahim Kabili
Në Tiranë, Babrru dhe rrethina ka
një numër të madh banorësh të ardhur nga krahina e Bendës dhe fshatrat e saj.
Tahiri dhe familja e e tij janë vendosur në Babrru që në vitet '60-të të
shekullit të kaluar. Historia e tij nuk nis këtu. Ajo fillon në vendlindje,
vazhdon me punën si mësues në Bastar e shkollat e tjera të zonës, dhe më pas me
veprimtarinë e tij të gjatë në Babrru. Megjithëse ka kushte shumë të mira, ai
përsëri mendjen e ka tek vendlindja. Ruan kujtimet më të bukura për të. Me
datën 13.04.2022 bëj një bisedë në shtëpinë e tij, me mësuesin e parë vendas
nga Bastari, Tahir Sulejman Jamaku. Pasi përshëndetëm i tregoj qëllimin e
vizitës. Biseda vazhdoj duke parë një foto të vjetër të vendosur në një
kornizë, në këndin e shtëpisë. Në këtë foto ai ruante shumë kujtime nga
fëmijëria e tij. Kishte dalë në moshë të vogël së bashku me dy prindërit, dhe
vëllain e tij Rexhepin i cili vdiq aksidentalisht i ri. Në bisedë qenë të
pranishëm bashkëshortja e tij Zyhraja dhe djali i madh, Sula. Biseda qe shumë
miqësore dhe plotësohej herë pas here edhe nga dy familiarët... Ky shkrim për
të, fshin sadopak "pluhurin e harresës" dhe lufton aq sa mundet
"ndryshkun" që do sjellin vitet...
Tahir Jamaku lindi në vitin 1935 në
një familje të thjeshtë në fshatin Bastar. Megjithëse në kushte shumë të
vështira ekonomike, prindërit e tij bënë kujdes që ai të vazhdonte arsimin
fillor dhe atë shtatë vjeçar. Në vend dhe në krahinë mbizotëronte
analfabetizmi. Ky shkollim ishte komod për kohën. Arsimin fillor ai e kreu në
Bastar, tek aneksi i xhamisë. Duke kujtuar atë periudhë Tahiri shprehet:
"E kisha larg shkollën por kisha dëshirë të madhe për shkollë.
Mësuesit e parë që punuan si mësues pas çlirimit në Bastar qenë; Ibrahim Kuka,
Kalem Tola, Engjëllush Gremi, Jani
Rexha, Idriz Rizvani, etj. Kishte vështirësi për lokalin dhe mungonte
baza materiale. Kjo u tejkalua me kohën. Si mësues i ri punoja shumë dhe i
kushtoja shumë kohë përgatitjes ditore. Në fillore dola me nota shumë të mira.
Pasi kreva arsimit fillor u regjistrova me korespondencë në arsimin shtatë
vjeçar pranë ish-shkollës pedagogjike në Tiranë. Qenë kohë të vështira,
kishte shumë analfabetë, mungonin kudrot me arsim përkatës. Ndërkohë që
vazhdoja shkollën shtatë vjeçare më thirrën në seksion dhe më ofruan të bëhesha
mësues në Bastar. Mbeta i habitur fillimisht, ndonëse kisha shumë dëshirë të
bëhesha mësues. Kjo sot mund të duket e pabesueshme. Ky qe realiteti kur unë
fillova punë si mësues, ndonëse pa arsim përkatës. Më kënaq fakti që sot nga
Bastari ka shumë mësues me arsim të lartë që punojnë në arsim. Pas arsimit
shtatë vjeçar për katër vite rresht dhe me kohë të pjesshme njëmujore, unë bëra
kurs në shkollën pedagogjike. Atje mora njohuritë e para si mësues, u
aftësova nga ana metodike dhe u pajisa me dëshminë përkatëse. Me pasion mund të
arrish diçka në punë, ndoshta kjo ndodhi edhe me mua. Gjatë periudhës në arsim
kam punuar në disa fshatra për një periudhë kohore prej trembëdhjetë vitesh. Në
Bastar të Mesëm kam punuar me ndërprerje shtatë vjet. Ndër nxënësit e parë që
kam pasur unë si mësues kanë qenë: Rabie Doka, Rabie Gjeçi, Zyhra dhe Hamide
Kuka, etj. Fëmijët ishin të përkushtuar dhe të etur për dije e arsim. Më kanë
ndihmuar shumë kryetarët e këshillit Haxhi Zeneli dhe Asllan Hysa. Në fshatin
Bastar-Murrizë shkolla qe tek shtëpia e Xan Nasufit. Nxënësit qenë të
interesuar për mësim. Kam pasur koleg pune e ruaj përshtypjet më të mira për
mësuesin Xhelal Luzi. Në shkollë ne mësuesit na ka përkrahur shumë kryetari i
këshillit Hamit Çuni. Në Vilëz kam punuar tre vjet. SHkolla ishte tek shtëpia e
Bajram Dokës. Të tre këto shkolla ishin vartëse nga shkolla 7 vjeçare e
Zall-Mënerit. Më pas në këto shkolla u rrit numri nxënësve dhe u bënë 7-të dhe
8-të vjeçare. Kam punuar mësues tre vjet në Mojsit në shkollën 7 vjeçare, në ciklin
e ulët, drejtor ka qenë Halil Ruzi. Kujtoj me respekt mësuesit Isuf Nelaj dhe
Ilmi Brakaj. Kam punuar pak edhe në Shupal e shkolla të tjera si
zevendësues".
Gjatë punës në arsim Tahiri u tregua
mjaft korrekt me nxënësit. Ai ishte kërkues, metodist i mirë dhe i afrueshëm me
nxënësit. Ish-nxënësi i tij Ramazan Sita, sot 68 vjeç, kujton:
"Mësues Tahirin e kam pasur mësues në klasën e parë në vitin 1961. Ruaj
kujtimet dhe mbresat më të mira për të. Ai qe shumë i thjeshtë, i kuptueshëm në
shpjegim, i dashur me nxënësit e komunitetin, shumë korrekt dhe kërkues, serioz
në punë, metodist i mirë, i kushtonte shumë rëndësi përsëritjes gjatë
orës së mësimit dhe këmbëngulte që mësimi të përvetësohej në klasë.
Mësues Tahiri edhe "të keqin" apo "harrakatin" e bënte të
mirë. Unë ruaj edhe sot marrdhëniet me të. Ai, ashtu si dikur edhe sot i ruan
vlerat njerëzore dhe gëzon respektin e njerëzve ku banon".
Duke e pyetur për mbresat që ai ka
nga puna në arsim: Ai citon: - "Në vitin1967 u vendosa me banim në Babrru.
Mu krijua mundësia dhe kalova në një punë tjetër. Për vitet në arsim them me
bindje të plotë se:
?Nxënësit e atyre viteve qenë të
etur për shkrim, këndim, matematikë.
?Si mësues ishim të përkushtuam në
punë. I gjithë vendi ishte në lëvizje në vitet e para të pasçlirimit, po
kështu edhe ne mësuesit.
?Prindërit qenë shumë të interesuar
për tu dhënë shkollë fëmijëve, marrë parasysh këtu edhe kushtet e vështira të
kohës.
?Në shkollë vinin shumica e
nxënësve, më shumë djemtë, por edhe vajzat. Kjo qe arritje për kohën.
?Lufta kundra analfabetizmit e
viteve 1947-1954 në zonë pati shumë rezultate. Me të filloj një epokë tjetër
për arsimin, ku përfshiu banorët që ishin nën moshën 50 vjeç. Në Bastar kurset
u bëheshin në lagje. Për drejtimin e tyre u aktivizuan shumë të rinj që kishin
mësuar më parë shkrim e këndim. Unë kam qenë drejtues kursi për lagjen time,
por ndihmova edhe në lagjet e tjera. Drejtues kursi në lagjet e tyre kanë qenë
edhe Ymer Sita, Osman Doka, etj.
?Zona është arsimdashëse. Këtë e
tregon fakti që krahina jonë sot ka qindra kudro me arsim të lartë.
?Ne mësuesit e parë të pas çlirimit
vumë nga një tullë në murin e kalasë së arsimit. Sot arsimi në Bastar ka shumë
arritje".
Në aspektin familiar Tahiri është
martuar me Zyhra Kukën. Kjo vjen nga një familje e fisme me origjinë nga
Bastari. Kanë lindur pesë fëmijë: Nazimen, Fatbardhën, Luljetën, Sulejmanin dhe
Sokolin. Tre vajzat kanë mbaruar arsimin e lartë për infermieri. Sulejmani ka
mbaruar arsimin e lartë dy vjeçar për oficer. Ai punon në aktivitet privat në
biznesin e tij. Djali tjetër Sokoli është me arsimin të mesëm dhe punon si
emigrant në Hollandë. Me punë të ndershme familja e tij ka krijuar kushte të
mira jetese. Shtëpia e Tahirit ka qenë dhe do të mbetet një derë e hapur për
banorët e zonës, miqtë dhe dashamirësit e shumtë të tij...
Ibrahim Kabili
Tiranë më 14.04. 2022